Sunday, May 18, 2008

Sistemi zgjedhor – parakusht për demokratizim

Loja pa fitues
Sistemi zgjedhor – parakusht për demokratizim
Sistemi zgjedhor proporcional është me rëndësi të ruhet si i tillë, porse duhet përmirësuar atë. Nëse ka interesim për rritje të numrit të zonave zgjedhore, atëherë duhet shmangur thellimit të ndarjes midis regjioneve në Kosovë. Duhet shmangur, po ashtu, edhe parregullsitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit qoftë midis subjekteve, qoftë brenda të njëjtit subjekt politik
Shkruan: Burim Ramadani
I
Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe qartësimin e drejtimit të lëvizjes së prezencës ndërkombëtare në vend, një prej çështjeve kryesore me të cilat duhet të merret elita politika e shoqërore është sistemi zgjedhor. Duke pasur parasysh përvojën e përgjithshme të zgjedhjeve në Kosovë dhe atë të hidhur me zgjedhjet e fundit, në mënyrë imediate duhet menduar dhe gjetur mënyrën më të mirë të sistemit zgjedhor. Ajo që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të fundit të 17 nëntorit nuk do të duhej lejuar të përsëritet, nëse duam të kemi zhvillim dhe demokratizim të shoqërisë në drejtimet Perëndimore. Shkurtimisht duhet thënë se zgjedhjet e kaluara janë përcjellë me parregullsi qoftë midis subjekteve politike, qoftë edhe brenda vetë tyre. Nuk është i vogël numri i kandidatëve për deputët në Kuvendin e Kosovës të cilët deri më tash kanë konstatuar se në realitet kanë pasur më shumë vota se sa i janë konstatuar atyre zyrtarisht. Lufta e brendshme midis kandidatëve të të njëjtit subjekt politik ka shkatuar dyshime të ndryshme. Renditja e numrit të votava të marra për kandidatët ka qenë shumë e përafërt me atë renditje që është dhënë nga partia. Vetëm disa raste të izoluara kanë arritur që nga pjesa e poshtme të dalin në krye të listës nga votat.
II
Me nismat e fundit publike për të debatuar në rrethe të caktuara çështjen e sistemit të ardhshëm zgjedhor, është vënë në dukje një nevojë për të ndërtuar një sistem zgjedhor ndaj të cilit besimi i politikës dhe popullatës do të ishte më i madh. Realisht, nuk duket se besimi ekziston në këtë sistem. Prandaj duhet lëvizur qartësisht dhe përmirësuar sistemin zgjedhor në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë rregullsi të duhur. Tashmë janë dy opsione që do të mund të funksiononin për zgjedhjet e ardhshme. Opsioni i parë është ai i ruajtjes së sistemit proporcional me një zonë, duke ngritur pragun elektoral edhe më shumë, përkatësisht në 7.5 për qind. Në këtë rast do të duhej larguar mundësinë e votimit për dhjetë kandidatë brenda të njëjtin subjekt politik për shkak të diskreditimit që kjo formë i ka bërë sistemit në përgjithësi. Opsioni i dytë është ai i krijimit të zonave zgjedhore dhe në këtë rast do të duhej të krijohej nga një zonë zgjedhore për secilën komunë. Pra, nëse për zgjedhjet e ardhshme do të kemi 38 komuna, atëherë le të jenë 38 zona zgjedhore, duke bërë përpjestimin e numrit të popullatës në numër deputetësh. Në këtë rast, i takon ekspertëve juridikë dhe statistikorë që të bëjnë llogaritë e duhura për të mos lejuar humbjen e votave të qytetarëve.
III
Mundësia e ndërrimit të përfaqësimit proporcional si sistem zgjedhor është shumë e vogël dhe në fakt e panevojshme. Kosova do të ishte e rrugës të ruajë sistemin proporcional zgjedhor për të paktën katër arsye kryesore. Së pari, kështu matet forca reale e të gjitha subjekteve politike që kandidojnë në zgjedhje. Së dyti, nxit krijimin e koalicioneve për qeverinë për shkak të pamundësisë praktike që një subjekt politik të arrijë përqindje aq të lartë sa të merr të gjitha nën kontrollin e vet. Së treti, relativizon subjektet politike të vogla duke shkaktuar kështu krjimin e dy ose tri blloqeve të fuqishme në skenën politike të Kosovës. Së katërti, ky sistem është më i miri për të ruajtur përfaqësimin e komuniteteve pakicë dhe si i tillë ndikon në mundësitë e përfaqësimit legjitim. Me këto katër karakteristika, skena politike në Kosovë do të mund të profilizohej shumë më lehtë dhe qytatarët/votuesit do të kishin alternativa më të qarta para vetes kur i drejtohen kutive të votimit. Qoftë me një zonë zgjedhore apo me 38 të tilla, është tejet e rëndësishme të llogaritet mos-humbja e votave. Ideja për krimijin e pesë apo shtatë zonave zgjedhore në Kosovë përcillet me rrezikun e thellimit të ndarjes së regjioneve të caktuara në Kosovës, ndarje kjo që tashmë ka arritur nivelin më të lartë.
IV
Marrë në përgjithësi dhe bazuar në obligimet që Kosova ka marrë me shpalljen e pavarësisë, sistemi proporcional është ai sistem që garanton përfaqësim të të gjithëve në vend.Ky është një sistem i drejtë elektoral, i cili mund të ruhet. Për shoqëritë e përçara, siç është rati i Kosovës, sigurimi i zgjedhjes së një legjislativi me përfaqësim të gjerë duhet të jetë nën konsiderim krucial. Siç thotë Arend Lijphart, sistemi proporcional i përfaqësimit padyshim është mënyra optimale për ta bërë këtë. Ndërsa, Larry Diamond, duke folur për përshtatshmërinë e sistemeve zgjedhore thotë se duhet larguar nga ai mazhoritar. ,,Nëse ka një gjeneralizim rreth dizajnit të qëndrueshëm kushtetues...është ai se sistemi mazhoritar është një zgjidhje e keqe për vendet me përçarje të thella e të polarizuara etnike, regjionale, religjioze ose tjera”, thotë ndër të tjera Diamond në “Developing Democracy: Toward Consolidation” (1999). Madhështia e sistemit proporcional të përfaqësimit është fakti se përveç prodhimit të përfaqësimit proporcional dhe të minoriteteve, ky sistem i trajton të gjitha grupet – etnike, racore, religjioze, madje edhe grupet jo-komunitare- në një mënyrë plotësisht të barabartë. Pse duhet shmangur nga ky sistem?
Botuar në "Zëri" më 19 maj 2008, fq. 9

No comments: