Monday, May 26, 2008

Paqartësia e vizionit

Loja pa fitues

Paqartësia e vizionit

Është më shumë se i domosdoshëm qartësimi i vizionit vendor dhe ndërkombëtar për pesë vjetët e ardhshme të Kosovës së pavarur. Brenda kësaj periudhe, Kosova do të implementonte aranzhmanet dhe obligimet që ka marrë me Pakon e Ahtisarit, ndërsa misionet ndërkombëtare (ICO dhe EULEX) do të përfundonin punën. Kosova do t’i afrohej BE-së dhe NATO-s, rajoni do të ishte stabil dhe paqësor

Shkruan: Burim Ramadani

I
Pak javë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nevoja për qartësim të autoritetit është duke u rritur edhe më shumë. Shpallja e pavarësisë së vendit deri më tash nuk ka arritur të gëzojë frytin e paraparë apo të synuar, përkatësisht vënien e autoriteteve të Kosovës në qendër të vendim-marrjes politike dhe juridike. Periudha e shumëpërfolur e tranzicionit të kompetencave nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës ende e pafilluar mirë, është afruar në fundin e afatit kohor. 15 qershori deri më tash është përcaktuar të paktën deklaritivisht si pikë kthese në marrëdhëniet juridike (në mos ndërrim politikash) midis institucioneve vendore dhe administratës së deritashme vendosëse në Kosovë, UNMIK-ut. Porse, ditëve të fundit janë ngritur dilemat nëse mesi i qershorit do të qartësojë apo jo të ardhmen e raporteve midis kosovarëve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë apo edhe më keq në pjesë të ndryshme të Kosovës. Kjo ka shkaktuar paqartësi të theksuar në projektimet e mëtejshme politike, duke mos i lënë hapësirën e nevojshme krijimit të atmosferës optimiste për shtetin e Kosovës.

II
Planifikimi për vendosjen e misioneve të reja ndërkombëtare (ai i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe misioni i BE-së në polici dhe drejtësi EULEX), ka dhënë shenja të fuqishme të devijimit fillestar në praktikë. Nëse pengesat që kanë dalë para këtyre misioneve dhe sidomos EULEX-it janë të përkohshme, atëherë edhe shtyrja e vendojses të plotë të këtyre misioneve mund të jetë e përkohshme. Porse, në rastin më të keq, paqartësia e mandatit real të këtyre misioneve mund të jetë më afat-gjate dhe si pasojë do të jetë e paqartë edhe zhvillimi i autoritetit në Kosovë. Vazhdimi i UNMIK-ut në Kosovë qoftë edhe si i rikonfiguruar është një lajm i keq për Kosovën dhe qartësinë politike të vendit. I tillë është edhe për misionet e reja ndërkombëtare, të cilat tashmë disa herë vetëm kanë thënë se do të jenë në Kosovë deri në kohën kur Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Pra, të paktën kohë-zgjatja e këtyre misioneve të reja është goxha e qartë, ato do të jenë në Kosovën e pavarur deri në kohën kur vendi do të bëhet anëtar i BE-së dhe kjo në analizën më optimiste të mundshme do të thotë rreth një dekadë.


III
Për gati nëntë vjet me radhë, administrata e OKB-së në Kosovë ka treguar një brishtësi në vendim-marrje, jozotësi në zgjidhje të konfliktit, ngadalësi në veprime politike dhe vullnet të paktë për të përfunduar proceset me shpejtësi. UNMIK-u mund të cilësohet i suksesshëm në vija të trasha të përmbushjes apo implementimit të manadatit që ka marrë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Por, shikuar nga aspektet praktike dhe gjendja politike në terren, vihen në pah një varg dështimesh të UNMIK-ut, të cilat i kanë kushtuar Kosovës, rajonit dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithsësi. Administrata ndërkombëtare në Kosovë gjatë tërë periudhës së administrimit të vendit ka dështuar në masë të madhe në të paktën gjashtë pika kryesore: strukturat paralele të shtetit të Serbisë; mosintegrimin e serbëve të Kosovës në jetën politike dhe publike; mos-arritjen e shtrirjes së autoritetit të plotë në tërë territorin e Kosovës; diskreditimin në masë të madhe si administratë në zgjidhjen e konfliktit; mostransparencën e veprimeve; dhe ndikimet personale në linjat e përgjithshme të politikave të zhvilluara nga UNMIK-u.

IV
Pasojat e paqartësisë së manadateve legale dhe politike të misioneve ndërkombëtare në Kosovë mund të jenë të mëdha dhe afat-gjatë. Në fakt, këto pasoja mund të shmangen tash dhe pothuaj asnjëherë më vonë. Strategjia e vendosjes së një misioni në një vend të pavarur duhet të parashikojë edhe mënyrën e zhvillimit/ndryshimit brenda mandatit, sikurse edhe strategjinë dalëse të domosdoshme. Tashmë është bërë thellësisht brengosëse dalja e një misioni për t’u zëvendësuar me një mision tjetër ndërkombëtar në Kosovë. Ndërkohë, me muaj dhe vite të tëra kosovarët do të drejtoheshin kah kërkesa për largimin e misionit të parë, duke i dhënë hapësirë politike të veprimit për misionet tjera të reja në vend. Ajo që tashmë është më shumë se e domosdoshme është qartësimi i vizionit vendor dhe ndërkombëtar për pesë vjetët e ardhshëm të Kosovës së pavarur. Brenda kësaj periudhe, Kosova do të implementonte aranzhmanet dhe obligimet që ka marrë me Pakon e Ahtisarit, ndërsa misionet ndërkombëtare do të përfundonin punën. Kosova do t’i afrohej BE-së dhe NATO-s, ndërsa rajoni do të ishte stabil dhe paqësor.

Botuar në “Zëri” më 26 maj 2008, fq. 9.

No comments: