Loja pa fitues
Vidovdani - nacionalizmi mbi shtrembërim historie
Më tepër se sa një shfaqje ekstreme e ndasisë nacionaliste, Kuvendi i Vidovdanit dëshmon për sfidën më të madhe që përballet Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare prezente. Është sfida e integrimit të komunitetit pakicë serb. Thirrja në histori ka shkaktuar shumë dhunë dhe luftëra në Ballkan.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Mbi gjashtë shekuj më parë, popujt e Ballkanit përballeshin me një armik të përbashkët, të fuqishëm dhe në shtrirje e sipër. Mbi të gjitha, ishte i një feje tjetër dhe rrezikonte edhe në këtë aspekt të jetës shoqërore e shpirtërore. Në një situatë të tillë, autoktonë e të ardhur në Ballkan u bënë bashkë në një masë për t’iu kundërvënë një ushtrie të re e të fortë otomane. Një sllav serb vihet në krye të forcave të Ballkanit dhe mbase kjo ka qenë ‘Ballkaniada’ e parë e praktikuar. Por, pas humbjes së betejës afër Fushë Kosovës dhe rënies nën sundimin otoman, ballkanasit autoktonë dhe të ardhur vazhduan të jetojnë të ndarë nën një sistem të ri qeverisës për kohën dhe me aranzhmane të ndryshme në bazë të marrëveshjeje gjeneroze të Perandorisë Otomane për pjesë të ndryshme të territorit të kontrolluar. Gjatë viteve, dekadave dhe shekujve më pas, popujt e Ballkanit u zhvilluan kryesisht të ndarë, me interesa të ndryshme të kohës dhe elemente të përbashkëta të kulturës e të ushqimit. Mbi gjashtë shekuj më pas, Ballkani po lëngon nga plagët e një historie tejet të dhunshme, derisa stabiliteti i rajonit vëhet shpesh në pikëpyetje.
II
Me fillimin e fuqizimit të ndjenjës së përkatësisë kombëtare dhe kombit si fenomen modern (në një periudhë prej më pak se tre shekuj), ‘etërit e nacionalizmave’ iu kthyen momenteve të ndryshme të historisë. Si element i rëndësishëm, interpretimi i historisë ka ndikim të posaçëm. Sipas Renanit, një ndër faktorët thelbësor të formimit të kombit është edhe shtrembërimi i historisë së tij. Dhe, kjo në fakt është shfrytëzuar në mënyrë të fuqishme edhe shumë vjet më pas nga elitat nacionaliste të kombeve të ndryshme në Ballkan, derisa për fat të keq edhe në fund të dekadës së parë të shekullit njëzetenjë, elitat politike të kombit serb janë me shumicë të orientuar kah besimi në historinë e shtrembëruar. Sikurse thotë Gellneri, nacionalizmi kërkon të besosh fort në diçka që sheshit duket se nuk është ashtu. Në të vërtetë, kjo lidhje ekstreme e ndjenjën nacionaliste është parë të jetë kthyer në një ndër vështirësitë më serioze. Eric Hobsbaun thotë se ndër problemet politike shumë delikate janë lidhja me besnikërinë dhe identifikim të qytetarëve në raport me shtetin dhe sistemin e qeverisjes.
III
Marrëveshja e partive radikale serbe për të krijuar të ashtuquajturin Kuvendin e popullit serb në Kosovë ka dëshmuar fuqishëm edhe njëherë se deri në çfarë mase mund të arrijnë ndarjet etnike në Ballkanin e sotëm. Një trupë e tillë e themeluar jolegalisht dhe pa ndonjë efekt juridik në Kosovë, është më shqetësues për nga aspekti domethënës se sa ai legal. Ky Parlament u themelua në “festën” e Vidovdanit, duke dashur të dërgojë mesazhin e lashtësisë së kontrollit të një kombi mbi një territor dhe si të tillë edhe paprekshmërinë politike të primatit të atij kombi mbi atë territor. Pos që kjo nuk është aspak e argumentuar dhe është shtrembëruar, interpretimi i tillë i historisë ka shkaktuar dhunë, vrasje, luftë e dhembje në rajonin qendror të Ballkanit dhe sidomos midis shtetit serb dhe popullatës shqiptare të Kosovës. Edhe pas ndërhyrjes së palës së tretë (bashkësisë ndërkombëtare) gjendja emociale është treguar të jetë tejet e vështirë të ndryshohet, pavarësisht të mirave që sjell perspektiva evropiane e perëndimore. Sipas Ignatieffit, nacionalizmi ka qenë shpesh nje revoltë ndaj të qenit modern.
IV
Më tepër se sa një shfaqje ekstreme e ndasisë së shkaktuar nga nacionalizmi, themelii i Kuvendit të Vidovdanit dëshmon për sfidën më të madhe që përballet Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare prezente në Kosovë. Është sfida e integrimit të komunitetit pakicë serb në sistemin jurido-politik të Kosovës dhe në jetën e shoqërisë kosovare. Ky konstatim është bërë shumë shpesh gjatë këtyre nëntë vjetësh, porse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë strategji të qartë, koncize dhe të realizueshme për integrimin e komunitetit serb të Kosovës. Në të vërtetë, pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës kanë qenë dhe janë edhe më tutje jashtë kontrollit të autoritetit vendor dhe kjo është një prej atributeve kryesore që nuk ndihet dora e shtetit. Sfida dhe lëvizjet të tilla nga komuniteti serb i Kosovës dhe mos-aftësia e shtrirjes së qeverisjes mbi gjithë popullatën, është një prej faktorëve që tregojnë dështimin e një shteti. Konventa e Montevideos mbi të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, 1933, ka përcaktuar katër kritere për të qenit shtet. Moskontrollimi i territorit rrezikon shtetin e ri të Kosovës edhe në këtë aspekt.
Botuar në "Zëri" më 30 qershor 2008, fq. 13.
No comments:
Post a Comment