Sunday, August 24, 2008

Qasja ndaj botës islamike

Loja pa fitues

Qasja ndaj botës islamike
Kosova nuk ka përse të mos-potencojë faktin se shumica e popullatës së saj është e besimit Islam. Kjo nuk paragjykon ekstremizmin apo terrorizmin, pavarësisht se rreziku nga terrorizmi ndërkombëtar islamist është një prej kërcënimeve kryesore në botën e tashme. Islami dhe Islamizmi janë të ndryshme. Doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se sa që janë ato të Krishterimit dhe Judaizmit. Përkatësia fetare është favorizuese për Kosovën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bllokada e vazhdimit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës ka ngritur shumë dilema dhe pikëpyetje rreth aftësisë sonë shtetërore për t’u kujdesur dhe lobuar për interesin nacional. Asnjëherë deri më tash nuk kemi parë ndonjë arsyetim të qartë e të qëndrueshëm rreth pyetjes apo dilemës mbi çështjen e vazhdimit të njohjeve të shtetit të Kosovës nga ana e shteteve tjera të globit. Numri prej 46 nuk është i vogël, do të thoshte dikush që merret me politikë. Porse, ky numër nuk është ende as gjysma e asaj që është premtuar atyre ditëve kur është shpallur republika e pavarur e Kosovës, prandaj ky është një prej elementeve të rëndësishme të debatit mbi këtë temë. Tek e fundit, me çfarë përgjegjësie mund të ketë thënë kryeministri Thaçi se Kosova do të njihet nga 100 shtete menjëherë pas shpalljes së pavarësisë dhe se ato shtete po bëjnë garë kush ta njoh e para. Kjo vërtetë nuk do kurrfarë komenti, duke parë atë që po ndodh tashmë gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Jo që s’na njohën 100, por nuk kemi arritur as tek gjysma e këtij numri.

II
Bartja e përgjegjësisë nga një aktor tek tjetri është vërtetë një lloj politike e parë dhe e dëshmuar në Kosovë deri më tash. Prandaj, kjo lloj qasjeje nuk është ndonjë befasi për të gjithë ata që duan t’i ndjekin dhe analizojnë zhvillimet politike brenda Kosovës. Mirëpo, kur kemi të bëjmë me interesin nacional dhe mundësinë unikate të zhvillimit të shtetit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve të Kosovës, kjo mënyrë e arsyetimeve nuk duhet fare të tolerohet dhe si e tillë duhet ndëshkuar publikisht. Shembull konkret për këtë është përcaktimi/emërimi i përfaqësuesve diplomatikë të Kosovës në botën e jashtme. Në këtë rast nuk duhet të vërehet kurrfarë konfuziteti i panevojshëm dhe i padobishëm. Kosova duhet të ecë shpejt përapara dhe një mënyrë jashtëzakonisht e mirë e paraqitjes së interesit nacional është përmes përfaqësive diplomatike të shtetit. Kjo nuk duhet të ketë hapësirë për t”u komentuar nga palët e jashtme si mos-aftësi për të ecur shpejt në politikat me interes për Kosovën dhe qytetarët e saj. Duhet shfrytëzuar të gjitha potecialet e mundshme për të ndikuar për Kosovën në pjesë të ndryshme të globit.

III
Bota arabe është një temë tjetër që duhet të diskutohet në Kosovë dhe të mos ketë tabu në kërkesën për gjetjen e mënyrës më të mirë për të ndikuar pozitivisht për Kosovën. Megjithë debatet e ndryshme që mund të lexohet dhe vërehen në Kosovë këtyre ditëve, ne duhet të gjithë të pranojmë se për Kosovën me dekada të tëra nuk kanë ekzistuar shtetet arabe dhe islamike. Për të thënë në gjuhën e përditshme, “nuk i kemi zënë për shtete”. Prandaj, menjëherë pas konstatimit të tillë duhet gjetur rrugën më të mirë për të ndikuar në qeveritë dhe opinionin publik të këtyre shteteve për të arritur njohjen sa më të shpejtë të Kosovës. Konferenca si “Kosova dhe bota arabe” ka ndikim dhe duhet mbështetur. Një numër aq i madh i shteteve të tilla islamike që ekzistojnë, do të mund të rriste legjitimitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës pas gjithë kësaj fushate kundërshtruese që po bën Serbia dhe Federata Ruse. Tek e fundit, Kosova me këto do të tregonte shembullin se si një vend i vogël demokratik me shumicë muslimane mund të ketë mbështetjen e SHBA-ve, të jetë populli më pro-amerikan në botë (bashkë me hebrenjtë) dhe të merr mbështetjen e vendeve islamike.

IV
Besimi ynë në të dy fetë, Islam dhe Krishtërizëm, nuk ka qenë asnjëherë kufi ndarës brenda-shqiptarë dhe kjo është një prej vlerave më të rëndësishme që Kosova mund të paraqes në politikën e saj të jashtme për vite me radhë. Sidomos në Kosovë, nuk bën të ekzistojnë paragjykime mbi fetë dhe në këtë rast mbi fenë Islame. Nëse flasim për ‘Ismalizmin’ si instrument politik për të arritur qëllime esktreme, atëherë bëhet fjalë për krejt diçka tjetër. Kosova nuk ka përse të mos-potencojë faktin se shumica e popullatës së saj është e besimit Islam. Kjo nuk paragjykon ekstremizmin apo terrorizmin, pavarësisht se rreziku nga terrorizmi ndërkombëtar islamist është një prej kërcënimeve kryesore në botën e tashme moderne. Porse, doktrinat e Islamit nuk janë më shumë ndërluftuese se sa që janë ato të Krishterimit dhe Judizmit. Sikurse edhe religjionet tjera, Islami mund të përdoret si një mjet për të promovuar sigurinë ose për të rritur kërcënimet. Përkatësia fetare në këtë mes është favorizuese për Kosovën.

Botuar në “Zëri” më 25 gusht 2008, fq. 13.

No comments: