Sunday, November 30, 2008

Drejt shtetit jofunksional

Loja pa fitues

Drejt shtetit jofunksional

Të dëgjosh sot se shtrirja e EULEX-it, pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit, është duke u bërë sipas katër pikave të paraqitura nga institucionet e Kosovës, është jo më pak se të dëgjosh një grumbull të sharash që i drejtohen qytetarëve pa pasur fare respekt për ta dhe për intelektin e tyre

Shkruan: Burim Ramadani

I
Bashkë me paqartësinë e tranzicionit pas shpalljes së pavarësisë, me kalimin e muajve është duke u ngritur edhe më shumë dilema nëse Kosova po ndërtohet si shtet funksional dhe i qëndrueshëm në drejtim të afrimit të jetës kualitative për qytetarët e saj. Dilemat bëhen edhe më të mëdha kur vihen para publikut njerëz me formulime të tipit të Koresë Veriore, duke gënjyer në formë të paskrupulltë dhe pa menduar fare se çfarë po i ofron shoqërisë kosovare. Të dëgjosh sot se shtrirja e EULEX-it, pas pajtimit të Këshillit të Sigurimit, është duke u bërë sipas katër pikave të paraqitura nga institucionet e Kosovës, është jo më pak se të dëgjosh një grumbull të sharash që i drejtohen popullit pa pasur fare respekt për ta dhe për intelektin e tyre. Madje, duke i gënjyer ata me tërë forcën e mundshme të një individi, organizate apo mentaliteti. Kjo është, në fakt, e vërteta mbi atë që pamë jo shumë ditë më parë si përgjigje nga një zyrtar i institucioneve të Kosovës, duke thënë se vendimi për vendosjen e plotë të EULEX-it është një fitore e madhe për Kosovën. Sikur mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mos ishte e hapur për publikun dhe të mos përcillej pothuaj nga gjysma e popullatës së Kosovës, kushedi se çfarë konstatimesh do të dilnin në Prishtinë, sigurisht duke fyer edhe më tepër qytetarët.

II
Vërtetë se shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës është e nevojshme dhe si e tillë e padiskutueshme. Porse, e diskutueshme mbetet baza juridike e këtij misioni, përkatësisht mandati, forma e raportimit apo vënia nën ombrellën e OKB-së, neutraliteti i EULEX-it ndaj statusit të Kosovës, roli i mëtejshëm i Serbisë në zhvillimet në Kosovë, sikurse edhe kohëzgjatja e këtij misioni tashmë të kthyer si EUMIK. Kur është shpallur pavarësia, Kosova ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare për mbikëqyrje dhe ndihmesë në zhvillimin e shtetit funksional, sundimit të ligjit, demokratizimit të shoqërisë dhe bërjes së hapave të duhur drejt integrimeve evro-atlantike. Por, kjo assesi nuk nënkupton ardhjen e një misioni që ka për qëllim të ruajë status-kuonë, të ruajë lidhjet me Serbinë dhe të vë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit. Prandaj, jo vetëm se duhet thënë hapur, por edhe duhet bërë veprime konkrete në shpartallimin e kësaj nisme të kthyer në vendim. Përgjegjësia është e qartë, ajo bie mbi Prishtinën në rend të parë, ndërsa vë në dyshim edhe orientimin e bashkësisë ndërkombëtare sa i përket të ardhmes së Kosovës. Si do të funksiojë shteti kur drejtimi që ka marrë është qartësisht i dëmtuar dhe rrezikuar? Kjo dilemë duhet të bie mbi ata që nuk hezitojnë ta quajën fitore edhe këtë humbje drastike.

III
Baza e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është plani i tij 6 pikësh, i cili është diskutuar jo më pak se rreth tetë muaj në Nju Jork, Beograd dhe Prishtinë. Derisa jo shumë metra larg institucioneve të Kosovës po bëhej ky plan dhe këto diskutime, Prishtina mbeti e pa gojë, e pa zë dhe pa iniciativë. Tek e fundit, askush nuk mund të thotë se nuk ka qenë i njoftuar me planin e OKB-së për të arritur një marrëveshje mbi këto gjashtë fusha. Mediat kanë botuar qysh në prill të këtij viti dokumente sekrete mbi fillimin e këtyre diskutimeve dhe Prishtina nuk mund as të pretendojë se nuk ka pasur njohuri. Për më tepër, David Harland ka qartësuar në e-mailit e tij të bërë publik se me kë ka biseduar në Prishtinë dhe se si nuk është kundërshtuar diskutimi mbi planin 6 pikësh, por vetëm janë ngritur disa shqetësime. Ky fakt është tmerri i shoqërisë kosovare që nuk ka arritur ende të qartësojë vizionin e vet drejt të ardhmes, apo thënë më drejt nuk bazohet në vlerat e Kosovës dhe aspiratat drejt të ardhmes. Pra, plani 6 pikësh është dokument që ka qarkulluar nëpër mediat kosovare, nga prilli 2008, dhe po ashtu është përfshirë në vija të trasha edhe në letrën që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka drejtuar Kryetarit të Kosovës në qershor 2008 mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut.

IV
Vetë-kënaqësia pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është duke i kushtuar vendit, shoqërisë dhe të ardhmes. Për afër tetë muaj sa u diskutuan këto gjashtë fusha, Prishtina nuk ishte në gjendje të qartësojë se plani 6 pikësh i OKB-së merret me gjashtë fusha të cilat në formë të qartë janë të përcaktuara me dokumentet bazike të shtetit të Kosovës, sikurse është Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet organike që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Vendosjen e Statusit të Kosovës (i njohur si Plani i Ahtisaarit), dhe si i tillë është totalisht i panevojshëm. Nuk mjafton të thuhet se është i papranueshëm në formën se si është paraqitur, por duhet të qartësohet se nuk ka fare asnjë nevojë që të diskutohen këto gjashtë fusha të përcaktuara në dokumentet bazike të Republikës. Por, në vend të bëhej ky angazhim, Prishtina u fut në një luftë politike të brendshme se kush po merr më shumë pozita, kush po bëhet drejtor e kush ambasador. Madje, u paraqitën dhe mbeten vonesa të pashpjegueshme me emërimin e njerëzve në pozita kyçe institucionale, sikurse është Agjencia Kosovare për Intelegjencë apo komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo shënoi pikën më të ulët të përpjekjeve për shtet funksional. Shteti nuk është funksional dhe rrezikon vizionin për të ardhmen.
Botuar në "Zëri" më 1 dhjetor 2008, fq. 11.

No comments: