Monday, November 3, 2008

Nga po shkojmë?

Loja pa fitues

Nga po shkojmë?

Ballkani është rajoni me demokracinë më të pazhvilluar në Evropë dhe është super-i njohur për krim të organizuar, korrupsion dhe dukuri tjera negative. Por, Kosova del se prin për të keq në një rajon të këtillë. Kjo ngrit pyetjen se nga po shkon shoqëria kosovare? Ata që nuk hezitojnë të dalin para opinionit për çkado që i bie ndërmend dhe mund t’u sjell vota, duhet të qartësojnë tashmë pozicionin e tyre se nga duan ta çojnë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Versionet e ndryshme votë-sjellëse të dëgjuara deri më tash për progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës kanë marrë goditjen e tretë me radhë brenda pak muajsh. Disa ditë më parë u publikuan pjesë të raportit më të ri të progresit nga Komisioni Evropian, raport ky që është i rregullt në baza vjetore dhe i ndarë për secilin shtet veç e veç. Rëndësia e këtij raporti vlerësues dhe rekomandues është e padiskutueshme në të paktën tri aspekte. Së pari, raporti tregon gjendjen reale të përpjekjeve dhe arritjeve të shteteve sidomos në sektorin e sundimit të ligjit. Së dyti, bashkë me raportin përcaktohet edhe faza se ku gjendet një vend në rrugën drejt integrimeve evropiane, si dhe jep rekomandimet se si duhet vepruar në vitin vijues. Dhe, së treti, (shpeshherë) i demaskon retorikat përallore dhe gënjeshtare të qeverive të vendeve të ndryshme për gjoja progres të madh në sektorë të rëndësishëm të shtetit dhe shoqërisë, duke treguar kështu versionin e vërtetë të gjendjes. Sigurisht se kjo e fundit nuk ka të bëjë fare me interesa apo raporte personale dhe opozitare, por Komisioni Evropian në raportin e vet shumë shpesh i tregon të vërtetën popullit të vendeve të caktuara, ndryshe prej qeverive të atyshme.

II
Vlerësimi negativ i Komisionit Evropian për gjendjen në sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, në fakt vjen pak javë pas raporteve të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe atij të Grupit Ndëkombëtar të Krizave. Të tri këto raporte kanë një emërues të përbashkët e që fatkeqësisht është shqetësues për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Në këto raporte vërehet qartë mungesa e vullnetit përkatësisht strategjisë dhe qasjes së duhur për luftimin e krimit të organizuar; rritja e madhe e korrupsionit; dhe mos-aftësia e Kosovës në demokratizimin e mirëfilltë të shoqërisë në përgjithësi. Të gjitha këto elemente së bashku dëshmojnë për një gjendje të mjerueshme sa i përket realizimin të interesave, aspiratës dhe qëllimit të qytetarëve të Kosovës për krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, ndarjen e pushteteve, respektimin e të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, promovimin e mundësive të barabarta, si dhe lirinë e fjalës dhe mediave. Për më tepër, shqetësimi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh fakti se një gjendje e këtillë është konstatuar në kohën kur kanë kaluar mbi nëntë vjet pas luftës në Kosovë.

III
Varianti më i keq i bërjes së politikës shtetërore në Kosovë, pa dyshim, është ai që zhgënjen bashkësinë demokratike ndërkombëtare, e cila ka kontribut dhe vlerë të çmueshme në çlirimin e Kosovës, shpëtimin e popullatës së këtushme dhe pavarësimin e vendit. Po ashtu, është pikërisht bashkësia e vendeve demokratike Perëndimore ndihmuesja më e madhe e popullit të Kosovës në modernizimin e tij dhe hapjen e perspektivës për të rinjtë, edukimin dhe ekonominë kosovare. Prandaj, edhe në këtë rast mund të konkludohet se Kosova nuk është duke zhvilluar variantin më të mirë të politikë-bërjes në aspektin e zgjerimit të mundësive dhe perspektivës për qytetarët e vendit. Përndryshe, si mund të shpjegohen të metat e mëdha të evidentuara në raportet e këtyre muajve dhe sidomos në raportin e fundit të Komisionit Evropian? Qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë qartë përse vendi i tyre nuk ka arritur ende të zhvillojë madje as qasjen themelore të duhur për të luftuar dukuritë negative në Kosovë. Jo vetëm se rrezikon integrimet evropiane një trend i tillë, por mbi të gjitha e ardhmja vihet në pikëpyetje edhe për zhvillimin e jetës dhe qëndrueshmërinë e shtetit.

IV
Vula për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë kosovare është në duart e vet kosovarëve dhe elitës politike të vendit. Porse, raporti i fundit i Komisionit Evropian evidentoi qartë se Kosova ka bërë progresin më të ulët ndër të gjitha vendet e Ballkanit. Vetëm nëse kjo fjali analizohet, atëherë shqetësimi ngritet në përmasa të tmerrshme. Ballkani është rajoni me demokracinë më të pazhvilluar në kontinentin evropian dhe si i tillë është super-i njohur për krim të organizuar, korrupsion dhe dukuri tjera negative. Për më tepër, Kosova tashmë del se prin për të keq në një rajon të këtillë. Kjo ngrit pyetjen se nga po shkon shoqëria kosovare? Ata që nuk hezitojnë të dalin para opinionit dhe të krekosen për çkado që i bie ndërmend e që mund t’u sjell vota, duhet të qartësojnë tashmë pozicionin e tyre se nga duan ta çojnë shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Ekziston rreziku real për një rrokullisje të pandalshme të mbrapshtë, prandaj reagimi duhet të jetë i shpejtë dhe energjik. Ky rrezik do të vazhdojë të rritet sa herë që raportet profesionale evidentojnë një situatë të këtillë. Vullneti i qytetarëve për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe lidere për demokraci në Ballkan është duke u rrezikuar dukshëm.

Botuar në “Zëri”, më 3 nëntor 2008, fq. 10

No comments: