Saturday, February 7, 2009

Parandalimi i islamizmit në Kosovë

Loja pa fitues

Parandalimi i "islamizmit" në Kosovë


Krijimi i një adrese të veçantë apo një Zyre për Luftimin e Ekstremizmit Fetar është një prej strategjive politike të nevojshme për të ruajtur qetësinë, tolerancën, të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve të të gjitha llojeve, sigurinë publike, sigurinë e përgjithshme dhe jetën normale të qytetarëve të Kosovës. Incidentet e fundit të lidhura me lëvizjen vahabiste janë shqetësuese për shoqërinë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vërtetë, në Mileniumin e ri bota është duke u përballur me një kërcënim ndërkombëtar siç është terrozmi islamik, përkatësisht "Islamizmi". Konceptet duhet të jenë të ndara dhe përceptimet nuk duhet të ngërthehen në një sa i përket Islamit dhe Islamizmit. Islami është religjion i cili udhëhiqet nga libri i shenjtë Kur’ani, ndërsa Islamizmi është intrumentalizimi përmes dhunës i këtij religjionit nga grupe të caktuara fundamentaliste dhe ekstremiste për të arritur qëllime të caktuara politike. Pas 11 shtatorit të vitit 2001, rendi botëror është tronditor dhe disa vlerësojnë se ka pësuar ndryshime sa i përket sfidave dhe kërcinimeve me të cilat përballen shtetet dhe shoqëritë në tërë globin. Sulmet terroriste të asaj date në Nju Jork dhe Uashington, të marra përsipër nga organizata terroriste islamike Al-Qaeda dhe udhëheqësi i saj, Osama Bin Laden, kanë kthyer botën në përballje me një realitet të ri, atë të nevojës për luftimin e terrorizmit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë deklaruar hapur për Luftën kundër Terrorizmit. Për këtë, SHBA-të kanë luftuar regjimin Taleban në Afganistan dhe regjimin e Saddam Husein-it në Irak. Porse, Bin Laden-i ende nuk është raportuar të jetë zënë apo të jetë vrarë, ndërsa aktet terroriste janë pothuaj të përditshme. SHBA-të, si superfuqia e vetme në sistemin ndërkombëtar, vlerësojnë terrorizmin islamik si kërcënimin kryesor për vendin e tyre dhe për botën. Në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-ve, të marsit 2006, thuhet: “Amerika është në luftë...Mbrojtja ndaj terrorizmit kërkon një strategji afat-gjate dhe ndalje (pushim v.j) të çështjeve tjera më të hershme...Për të pasur sukses në përpjekjet tona, na duhet mbështetja dhe veprime konkrete të miqve dhe aleatëve tanë...”. Koncentrimi i udhëheqësve të organizatave të ndryshme terroriste islamike vlerësohet se është në vendet e arabe dhe rreth atyre të Lindjes së Mesme, sikurse është Afganistani, Libani, Iraku, Irani, Siria, Egjipti, Arabia Saudite, Pakistani, si dhe disa shtete afrikane, sikurse Sudani. Ndërkaq, veprimi i këtyre organizatave është global dhe përfshinë më së shumti Perëndimin. Kjo do të thotë se terrorizmi është kërcënim global. Ideologjia që përçojnë organizatat e ndryshme terroriste islamike janë ideologji që thërrasin për dhunë, terror, vrasje, madje edhe Jihad (‘Luftë të Shenjtë’ tek besimtarët e Islamit). Sidoqoftë, përgatitja e njerëzve për të arritur në këtë shkallë ka marrë një kohë të gjatë të shkollimit në këtë ideologji përmes Medreseve dhe formave klanore të funksionimit të këtyre vendeve arabe.

II
Varësisht nga hapësirat e veprimit, debati për qëllimet përfundimtare të lëvizjeve dhe organizatave të ndryshme terroriste islamike vazhdon edhe në aspektin politik, edhe në atë ushtarak, edhe në atë teorik. Qëllimet që janë deklaruar deri më tash nga përfaqësues të ndryshëm të këtyre organizatave nuk janë plotësisht të unifikuara, por megjithatë kanë disa pika të përbashkëta. Lëvizjet fundamentaliste dhe organizatat e ndryshme terroriste islamike në përgjithësi kanë për qëllim: (1) Ruajtjen e tokave të popullara nga popullata e besimit Islam nga Perëndimi; (2) Tërheqjen/largimin e misioneve civile e ushtarake të vendeve Perëndimore që ekzistojnë në vendet arabe; (3) Kundërshtimin dhe pamundësimin e vazhdimit të trendeve të zhvillimit të demokracisë në vendet arabe dhe vendet tjera botërore; (4) Interpretimin e Kur’ani-it dhe fesë Islame në nivelin më strikt/të ashpër të mundshëm, duke mos shkelur madje edhe të drejtat fundamentale të njeriut; (5) Ndalimin e zgjerimit dhe zhvillimit të procesit të globalizimit; (6) Luftimin kundër shtetit të Izraelit; (7) Zgjerimin e ideologjive fundamentaliste në vendet dhe popullatat tjera të cilat i përkasin besimit Islam. Këto dhe qëllime të tjera, sidoqoftë, po përcillen me dhunë, luftë, vrasje dhe sulme të shpeshta terroriste. Sulme të tilla kanë ndodhur në shumë vende përfshirë këtu SHBA-të, Britaninë e Madhe, Spanjën, Afganistanin, Egjiptin, Turqinë, Indonezinë, Irakun, Izraelin, Jordanin, Marokon, Pakistanin, Rusinë, Arabinë Saudite, Keninë, Etiopinë dhe Tunizinë. Disa dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë deri më tash në tërë botën nga sulme të tilla terroriste.

III
Vendi që Kosova i jep këtij aspekti kompleksiv të zhvillimeve destruktive dhe kërcënuese për sigurinë globale duhet të ketë trajtim të veçantë dhe të vendosur. Jemi të vetëdijshëm se gjatë historisë është vërejtur një unitet njerëzor dhe veprues në mesin e shqiptarëve të religjioneve të ndryshme. Në kontekstin e tashëm, identiteti fetar i shumicës së shqiptarëve të Kosovës nuk ka pasur prioritet dhe theksim ndaj identitetit kombëtar. Sidoqoftë, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, vendi u hap për shumë organizata të ndryshme qeveritare e jo-qeveritare ndërkombëtare. Ndihmat humanitare dhe rindërtuese kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë këtu edhe Perëndimin edhe Lindjen. Porse, qëllimi i këtyre organizatave mundet të mos ketë qenë plotësisht i fokusuar në ndihmat humanitare dhe rindërtuese në Kosovë. Sipas të dhënave që janë publikuar gjatë viteve të fundit, në Kosovë ka ndodhur përhapja e ideologjisë së lëvizjes Vahabi, që është një lëvizje e cila ka filluar 200 vjet më parë për të kthyer shoqëritë islamike në praktikat kulturore dhe interpretimet që janë bërë shumë shekuj më parë. Ministria e Punëve të Brendshme më herët gjatë vitit 2007 pati prezantuar të dhëna lidhur me lëvzijen Vahabi para Kuvendit të Kosovës. Në raportin në fjalë, është theksuar se lëvizja Vahabi në Kosovë është përhapur përmes organizatave humanitare. Kjo lëvizje ka filluar të përhapet në përmasa të vogla menjëherë pas luftës, ndërkaq është vërejtur një përhapje më e madhe e saj pas vitit 2001. Metodologjia e kësaj lëvizjeje vahabiste në Kosovë, sipas raportit të paraqitur në Kosovës, është aplikuar përmes organizatave të ndryshme joqeveritare humanitare, të cilat kanë proklamuar ta ndihmojnë popullatën civile në rindërtim e çështje të tjera. Ndërkaq, në raport thuhej se qëllimi i këtyre organizatave humanitare, ishte përhapja e ideve vahabiste.

IV
Vahabizmi prezent në Kosovë, mund të supozohet se, nuk është në fazën e konsoliduar të tij. Sidoqoftë, janë një varg elementesh dhe faktorësh që duhet të shtynë institucionet përgjegjëse, në rend të parë Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të ndërmarrin hapat konkret për krijimin e një adrese të veçantë që do të merrej me këtë çështje, përkatësisht të krijojë një Zyre për Luftimin e Ekstremizmit Fetar në Kosovë. Kjo do të ishte një prej strategjive politike të nevojshme dhe të rëndësishme për të ruajtur qetësinë, tolerancën, të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve të të gjitha llojeve, sigurinë publike, rendin publik, sigurinë e përgjithshme dhe jetën normale të qytetarëve të Kosovës. Incidentet e fundit që lidhen me prezencën e lëvizjes vahabiste në Kosovë janë vërtetë shqetësuese për shoqërinë. Duke pasur parasysh shumë faktorë të rëndësishëm, sikurse: gjendja politike, gjeografike dhe politikat ndërkombëtare, mund të vlerësohet se tendencat për shtrirjen edhe në Kosovë të rrjeteve të organizatave të ndryshme që i takojnë ekstremizmit/fundamentalizmit në interpretim të Islamit janë të një niveli më të lartë se disa vjet më parë. Si të tilla, këto tendenca tashmë duket se po veprojnë në një ambient të hapur dhe të pakontrolluar deri më tash në këtë aspekt nga institucionet vendore të sigurisë dhe të politikës. Duke u pasur parasysh faktorët socialë, ekonomikë dhe kulturorë, duket se popullata e Kosovës ka filluar të gjejë mirëkuptim për shtrirjen, prezencës dhe punën e një numri më të madh të organizatave të ndryshme ndërkombëtare Islamike, të cilat janë paraqitur në baza të ndihmave humanitare për popullatën e këtushme. Pa dashur të paragjykohet në secilën prej tyre, aktiviteti i këtyre organizatave megjithatë duket të mos jetë vetëm humanitar dhe si të tilla ato kanë ndikuar edhe në kulturën, sjelljen dhe paraqitjen e shtresave të caktuara të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa, duke pasur parasysh politikën dhe qëllimet globale të Islamizmit, Kosova megjithëse përbën një hapësirë të vogël në krahasim me kontinentin e Evropës, megjithatë është i një rëndësie të veçantë për depërtimin, shtrirjen dhe funksionalizimin e rrjetit të këtyre organizatave edhe në rajonin e Ballkanit. Duke qenë në kufi me Bashkimin Evropian, Kosova dhe rajoni Ballkanit mund të llogaritet se është territor strategjik për lidhjet mes Lindjes së Mesme dhe Evropës Perëndimore.

Botuar në “Zëri” më 9 shkurt 2009, fq. 12.

No comments: