Sunday, February 22, 2009

Shqiptarët dhe miku i fuqishëm

Loja pa fitues
Shqiptarët dhe miku i fuqishëm
Është një shtet i cili padyshim ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo madhështi ka ardhur nga ky shtet, çdo zgjidhje është sponzoruar nga ky shtet. Shqiptarët janë treguar më të afërm si në traditë, po ashtu edhe në orientim. Prandaj, shqiptarët janë komb me fat historik
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm miku i mirë të qëndron afër dhe të gjendet në momentet e vështira. Kjo fjali e vjetër popullore është dëshmuar tashmë saherë në rastin e zhvillimeve për Kosovën. Për më tepër, kjo është parë të ketë ndodhur në mënyrë të fuqishme edhe për shtetin shqiptar, nga po i njëjti mik. Kombi shqiptar, si në shtetin amë, po ashtu edhe në pjesët tjera të territoreve etnike, ka pasur dhe vazhdon të ketë fatin historik për mikun që ka. Një popull i fuqishëm, me sistem të zhvilluar demokratik, me vlera të pamohueshme individuale dhe kolektive, me të kaluar dhe të ardhme të përbashkët, si dhe me fuqinë e padiskutueshme mbi boëtn e tashme ka treguar tashmë shumë herë miqësinë e fortë me kombin shqiptar. A nuk është ky një fat historik për shqiptarët? Porse, mbi të gjitha, kjo pyetje kërkon edhe kundër-pyetjen që shqiptarët duhet t’i bëjnë gjithnjë vetes: Çka po bëjnë shqiptarët për të ndihmuar këtë miqësi? Apo, a po bëjnë të gjithën e mundshme për të forcuar këtë miqësi? Përgjigja direkte është: pa dyshim. Tek e fundit, shqiptarët janë kombi më pro-amerikan në Evropë dhe botë. Nuk ka dilemë se kjo duhet të vazhdojë edhe më tutje, madje të forcohet dhe formalizohet më tepër dhe më konkretisht.
II
Bashkësia ndërkombëtare e shekullit në të cilin po jetojmë është një grumbull shtetesh me interesa të ndryshme individuale dhe me shumë pika të përbashkëta në global. Unipolariteti është më i theksuar në krahasim me shekullin e kaluar, shekull i cili ishte ballafaquar me luftëra të rënda gjithëpërfshirëse, dhunë, gjenocid dhe tmerre të pakrahasueshme. Pavarësisht kësaj, autorët e famshëm botëror argumentojnë rritjen në ardhje të një fuqie të vjetër në formë të re në botën moderne. Në fakt, zhvillimi i hovshëm dhe i gjerë i Kinës në aspektin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mund të krijojë një pol të ri të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë kohës së ardhshme. Sido që të jetë, fuqia e tashme e padiskutueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian (si bllok i përbashkët demokratik) është ndodhia më e mirë që i ka ngjarë njerëzimit në disa mijëra vjet të ekzistencës në formën e organizuar ose më mirë të organizuar. Në realitet, në botën e sotme është një forcë vërtetë pozitive dhe e moderuar e cila i jep, zhvillon dhe mbron shpresën e secilit njeri, komb dhe rajon për ndërtimin e paqes, ardhmërisë së sigurt dhe konsolidimit të demokracisë.
III
Veçoria e shqiptarëve në Ballkan dhe Evropë është evidente. Kombi shqiptar ps vjetërsisë, identitetit të qartë dhe vlerës së madhërishme të tolerancës, karakterizohet edhe nga tradita e fuqishme e organizimit kolektiv, pavarësisht formës së bërë deri më tash. Kjo sqaron edhe orientimin e padiskutueshëm të kombit shqiptar (pavarësisht kufizimeve adminstrative) drejt Perëndimit si vlerë, traditë dhe e ardhme. Shqiptarët janë kombi më me fat historik në Ballkan, kombi i të ardhmes paqësore ballkanike. Shqipëria është duke bërë hapa gjigantë drejt integrimeve evro-atlantike. Jo shumë javë e ndajnë Shqipërinë nga anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, apo krenarinë botërore. Kosova ka festuar njëvjetorin e shtetësisë së saj, rezultat i një përkushtimi vetë-flijues disa-dekadësh për të drejta, liri dhe më vonë shtet sovran dhe të pavarur. Shqiptarët në Maqedoni kanë arritur rolin më të fuqishëm që kanë pasur ndonjëherë në shtet. Nëse lidershipi shqiptar atje do të mund të tejkalojë ndarjet joparimore, ata do të përbëjnë shtyllën kryesore të stabilitetit shtetëror. Shqiptarët në Mal të Zi kanë thelluar bashkëpunimin me shtetin dhe e vetmja kërkesë drejtuar atyre është forcimi i identitetit kombëtar. Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, janë pjesa e fundit e kombit që kanë nevojë të qartë për shpëtim nga tendencat dhe veprimet kundër të drejtave dhe lirive të tyre themelore.
IV
Barazpesha në mes kombeve në Ballkan është duke u arritur dita-ditës dhe për këtë i gjithë Ballkani duhet të jetë i interesuar. Sa më shpejtë që kjo të arrihet, do të mund të flasim për paqe të qëndrueshme dhe fqinjësi të fuqishme ndër-shtetërore. Është një shtet i cili padyshim ka dhënë kontribut të pakrahasueshëm në përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo madhështi ka ardhur nga ky shtet, çdo zgjidhje është sponzoruar nga ky shtet. Shqiptarët janë treguar më të afërm si në traditë, po ashtu edhe në orientim. Prandaj, shqiptarët janë komb me fat historik. Kosova, si pjesë e madhe e këtij kombi, duhet edhe më tutje të fuqizojë miqësinë me SHBA-të. Tashmë, pos aspekteve parimore dhe kërkuese, Kosova duhet të fillojë përpjekjet për të dhënë kontribut në angazhimet demokratike të SHBA-ve në pjesë të ndryshme të botës. Nëse Kosova ende nuk ka ushtri të konsoliduar dhe të fuqishme, Policia e Kosovës është plotësisht e aftë për misione ndërkombëtare në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Kosovarët kanë aftësinë dhe vullnetin për t’u angazhuar kudo që SHBA-të kërkojnë dhe vlerësojnë të nevojshme. Qoftë në Irak, Afganistan, apo gjetiu, Policia e Kosovës mund të llogaritet në trupat e tilla që janë të nevojshme. Kjo gatishmëri duhet të formalizohet si e tillë, sa më shpejt që është e mundur.
Botuar në "Zëri" më 23 shkurt 2009, fq. 10

No comments: