Pa kompromis ndaj të
keqes
Asnjë zyrtar nuk duhet të mbetet në pozitë nëse ndaj tij
apo saj fillojnë hetimet. Pavarësisht se në cilin nivel është ai apo ajo. Duhet
ndalur logjika e qeverisë së deritashme. Duhet të ndërtojmë shtet ligjor,
bazuar në vlerat, standardet dhe praktikat evropiane. Zbatimi i ligjit nuk
duhet të bazohet mbi emrat dhe mbiemrat konkretë, as rreth ndikimit të
pushtetarëve. Shteti ligjor nuk dorëzohet para shkelësve të ligjit, të
korruptuarve dhe kriminelëve.
Korrupsioni, që ka kapluar sistemin e qeverisjes në
Kosovë, mund të luftohet vetëm nga njerëzit me duar të pastra, me dije,
vullnet, guxim dhe vendosmëri. Tenderomania duhet të marrë fund. Prokurimi
publik është kthyer në një mundësi të madhe të keqpërdorimit dhe korrupsionit,
prandaj duhet të shtrihet në të gjitha nivelet prokurimin elektronik (online).
Deri atëherë, duhet të shtohet transparencën në të gjitha nivelet vendimmarrëse
dhe shpenzuese të buxhetit të Kosovës, edhe përmes pjesëmarrjes së medieve dhe shoqërisë
civile në procesin e prokurimit publik në të gjitha nivelet. Kosova duhet të
jetë modeli i luftimit të korrupsionit për rajonin.
Shteti ligjor ka mbetur vetëm një synim i qytetarëve të
Kosovës. Respektimi i vendimeve gjyqësore, barazia para ligjit, pavarësia e
sistemit të drejtësisë dhe funksionaliteti kushtetues i institucioneve
udhëheqëse mbeten jashtëzakonisht larg standardeve evropiane. Si pasojë e kësaj
logjike udhëheqëse, në Kosovë, gjatë këtyre viteve, është vendosur sundimi i
korrupsionit dhe jo sundimi i ligjit. Abuzimi me pushtetin, keqpërdorimi i
detyrës zyrtare, keqmenaxhimi financiar, nepotizmi dhe klientelizmi janë kthyer
në metodat e vetme të udhëheqjes së kësaj qeverisjeje në të gjitha nivelet.
Synim i pakompromis yni duhet të jetë funksionalizimi i
plotë i prokurorisë, fuqizimi i prokurorisë speciale dhe krijimi i kushteve për
luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet të fuqizohen agjencitë
e pavarura kundër korrupsionit dhe duhet të përmirësohen kushtet ligjore, infrastruktura
dhe buxheti për këta mekanizma.
Kosova duhet të jetë prijëse në iniciativat rajonale në
luftën kundër krimit të organizuar. Duhet rritur buxheti për të ardhurat e
punëtorëve dhe të profesionistëve brenda mekanizmave të zbatimit të ligjit. Duhet
investuar fuqishëm në pajisjet teknike profesionale të nevojshme, në mënyrë që
shteti i Kosovës të jetë plotësisht veprues me fuqinë e tij ndaj çfarëdo grupi
kriminal brenda apo jashtë vendit.
Kosova duhet të mbërrijë nivelin e qeverisjes
ku:
1) Sundimi i Ligjit është bazë për zhvillim;
2) Korrupsioni dhe krimi i
organizuar luftohen pa kompromis;
3) Policia e Kosovës është lidere në rajon;
4) Qytetarët janë të sigurt për jetën dhe pronën;
5) Fëmijët nuk frikësohen që
të shkojnë në shkollë;
6) Drogat nuk prodhohen dhe nuk sillen nëpër Kosovë;
7) Afaristët
nuk frikësohen nga grupet kriminale;
8) Siguria në trafik rritet maksimalisht;
9) Emergjencat nuk vonojnë në raste të fatkeqësive;
10) Armët ilegale hiqen nga
duart e qytetarëve.
Të gjitha këto janë jashtëzakonisht
elementare për jetën e mirë të qytetarit dhe të popullit. Për këto duhet
angazhim i pandalshëm i qeverisjes së mirë, efektive dhe me duar të pastra. Nuk
guxojmë të hamendësohemi në rrugën e Kosovës përpara. Askush nuk ka të drejtë t’i
humb Kosovës edhe katër vjet të tëra, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre shtatë
vjetëve të kaluara.
Shumë kohë ka shkuar huq. Me gabime të mëdha,
me drejtim të keq të Kosovës. Guximi për veprim energjik dhe me vendosmëri është
përcaktues për periudhën e ardhshme. Dëmi që i është shkaktuar Kosovës gjatë
këtyre viteve mund të riparohet vetëm dhe vetëm me vendime të mëdha, të
fuqishme, të vendosura dhe të pastra.
Kështu mund të bëjmë shtetin funksional.
Assesi ndryshe.
Botuar në gazetën Tribuna, më 15 maj 2014,
fq. 6