Rutina dëmton
BURIM RAMADANI
Shteti nuk është mirë.
Qeverisja është e keqe.
Qytetari është
në hall.
Të tri këto elemente, një nga një dhe kur të bëhen bashkë,
dëshmojnë të vërtetën e saktë të aktualitetit politik, ekonomik dhe shoqëror që
mbizotëron në Kosovë. Të keqes në tri perspektiva. Të aktualitetit të vështirë
me të cilin po përballen për çdo ditë qytetarët e Kosovës. Të zhytur në kredi
bankare, me të ardhura jo stabile, sikurse edhe me rritjen e çmimeve në mënyrë
të vazhdueshme.
Zhvatja nuk ka të ndalur. Këtë e bën Qeveria, këtë e bëjnë
sekserët e qeveritarëve, e bën administrata, e bëjnë Bankat, po vazhdojnë ta bëjnë
pothuajse të gjithë. I madh e i vogël. Si t’u jepet mundësia që të jenë
“dikushi” në këtë shtetin tonë! Nuk kanë peshore fare!
Kanë humbur ndjenjën e realitetit se ku po jetojnë.
Kolluqet, lluksi qeveritar, veturat e shtrenjta, telefonat me mbulesë pa kufij,
drekat e darkat në faturë të shtetit, mëditjet e pandalshme për çdo lëvizje që
bëjnë, aty-këtu edhe ndonjë shoqërues apo shoqëruese me karakteristika të
veçanta nga partneri apo partnerja që kanë në shtëpi.
Duket se në diskutimet e tyre “shoqërore”, kanë humbur po
ashtu ndjenjën e vlerës së parasë. Zerot pas numrave tjerë rendor duket se nuk
i kanë fort problem. Nëse diçka është me një zero më shumë apo një zero më pak.
Sikur të flisnin për kunguj apo për gurë të mëhalles.
Afaristët ankohen se po ua “nxjerrin shpirtin”, qeveritarët
lavdohen sa të zotët janë në “negociim” të tenderëve, punësimeve apo favoreve të
ndryshme. Bankat ankohen për kredi të këqija, ndërsa qytetarët qajnë hallin për
kushte mbijetese. Të punësuarit kritikojnë “ngarkesat” në punë, ndërsa të papunësuarit
luten për një vend të thjeshtë pune. Mësimdhënësit mezi lidhin financiarisht
muajin me muaj, ndërsa studentët përtojnë të lexojnë një libër për një provim,
por falsifikojnë notat dhe blejnë diplomat. Drejtorët e shkollave ndërtojnë
rutinë në zyre, prindërit “harrojnë” të kujdesen për fëmijët e tyre në shkollë,
ndërsa nxënësit rrahen, therren e vriten për tema të tyre “të mëdha” fëmijërore.
Pacientët duhet të përgatiten mirë me para saherë që “duan” të sëmuren, ndërsa
mjekët “kujdesen” që asgjë të mos kalojë pa “tarifën” e vet.
Ky është aktualiteti i kthyer në rutinën tonë ditore.
Fatkeqësisht! Rutinë që është vendosur kryekëput për shkak të qeverisjes së
keqe. Për shkak të mungesës së plotë të vullnetit për të ndërtuar qeverisje të
mirë. Për më keq, kjo rutinë dëmtuese ka arritur në këtë shkallë edhe për shkak
të mungesës së dijes.
Qeveritarët e tashëm nuk kanë pasur as dije dhe as
vullnet për të ndërtuar qeverisje të mirë. Nuk ka pasur as guximin që të
distancohen, të paktën, individualisht nga keq-qeverisja, keq-përdorimi i
skajshëm dhe manipulimet e panumërta gjatë këtyre viteve. Nuk kemi dëgjuar
madje asnjërin prej tyre të jetë distancuar me këmbëngulje dhe të ketë kërkuar
llogari pa asnjë kompromis për skandalet e panumërta, aferat korruptive, shpenzimet
enorme, lluksin totalisht të panevojshëm, familjarizmin, klientalizmin e çka jo
tjetër.
Prandaj, rutina duhet të ndalet. Sipas Fjalorit të
Oksfordit, fjala “rutinë” do të thotë “sekuencë e veprimeve të rregullta apo
zakonshme që përcillen”. A dëshiron dikush që rutina të jetë përgjigjja për
qeverisjen e ardhshme? A dëshiron dikush që menaxhimi i parasë publike të bëhet
në këtë formë rutine?
Qeverisja e ardhshme ka për detyrë themelore të dalë nga
kjo rutinë! Të gjitha këto praktika të ndërtuara deri më tash duhet të thyhen.
Të hudhen në plehra.
Një moment i ri duhet të ndërtohet. Rutina dëmton!
Botuar në TRIBUNA, 13 mars 2014, fq. 6
No comments:
Post a Comment