Dështimet e
qeverisjes së keqe
BURIM RAMADANI
U bënë gati shtatë vjet të qeverisjes së keqe. Për afër
një dekadë, qytetarët e Kosovës morën teposhëzen, u varfëruan dhe humbën shpresën
se dita e nesërme do të jetë më e mirë.
U mashtruan dhe u keq-përdorën skajshëm. Paratë e qytetarëve,
përmes Buxhetit të Kosovës, u kthyen në elemente kusuritje të Qeverisjes më të
keqe në historinë e pas-çlirimit në Kosovë. Qeverisje pa asnjë karakter
demokratik, që synoi gjatë tërë kohës zaptimin e shtetit, rritjen e
korrupsionit dhe bashkëjetesën me krimin e organizuar.
Shumë dështime e përcollën këtë qeverisje të keqe. Shumë
mashtrime u bënë nga qeveritarët.
A ju kujtohen premtimet kryesore me të cilat PDK dhe
Hashim Thaçi erdhën në pushtet? Sa prej tyre janë realizuar? Sa prej tyre janë
në rrugë të mbarë për t’u realizuar?
Të shohim vetëm dhjetë (10) prej këtyre premtimeve
kryesore të fushatës manipuluese të Thaçit dhe PDK-së.
1. Rrymë 24 orë. Premtim i
rremë. Jo vetëm që rryma po vazhdon të mbetet një prej problemeve kryesore të
qytetarëve të Kosovës, por edhe më keq. Qytetarët e Kosovës po paguajnë rrymën
më të shtrenjë në rajon. Qeveria e Kosovës po blen rrymë nga Serbia, ndërsa
tenderët në KEK janë kthyer në bollëk për qeveritarët dhe familjarët e tyre.
2. Ulje të shpenzimeve qeveritare. Premtim i rremë. Shpenzimet dhe luksi i qeveritarëve të korruptuar u rrit
skajshëm. Nuk ka asnjë qeveri më të madhe në rajon dhe as në Evropë. Nuk ka
asnjë qeveri që shpenzon më shumë se këta qeveritarët tanë të padijshëm. Më
shumë se 60 persona të qeverisë kanë shoferë, vetura, reprezentacion, këshilltarë,
asistente, zyra e çka jo tjetër.
3. Zero tolerancë ndaj korrupsionit. Premtim i rremë. Në të vërtetë, plotësisht e kundërta ka
ndodhur gjatë këtyre vjetëve. Këta qeveritarë të korruptuar duket se kanë
vendosur standard negativ që “nëse nuk je i korruptuar, nuk mund të jesh me
ne!”. Kjo është logjika e korruptuar e këtyre.
4. Depolitizim i arsimit. Premtim i rremë. E tërë logjika e kësaj qeverisjeje të keqe u kthye në ndërtimin
e disa objekteve shkollore, të cilat fatkeqësisht nuk arritën as minimunim për
të mundësuar arsimimin kompetent. Por, ndërtimi i shkollave kishte të bënte me
tenderë dhe këtu kjo qeverisje e keqe kishte synimin. Tenderët. Në anën tjetër,
politizuan skajshëm arsimin. Shkelën çfarëdo profesionaliteti dhe neutraliteti
politik në arsim. E bënë edhe më keq se që ishte.
5.
Konsolidimin e sistemit shëndetësor. Premtim i rremë. Këta njerëz e sëmurën keq edhe mjekësinë.
E shkatërruan deri më masën që për katër vjet me radhë shëndetësia në Kosovë
realisht ra në komë. Vetëm si shembull mund ta shohim QKUK-në. Për katër vjet
me radhë nuk kanë mundur të zgjedhin drejtorët e klinikave. Vazhdojnë me
Ushtrues Detyre. Kjo tregon çka duan dhe çka po bëjnë këta qeveritarë të
korruptuar.
6. Zhvillim ekonomik. Premtim i rremë. Qytetarët e Kosovës jetojnë sot në kushte shumë më të rënda.
Varfëria po rritet për çdo ditë, ndërsa prodhimi vendor është sakatuar në secilën
mundësi dhe në secilin variant.
7. Liberalizimi i vizave. Premtim i rremë. Madje, premtim i pësëritur gjatë tërë kohës, pa asnjë pikë
turpi në fytyrë. “Për 15 muaj do të heqim vizat”, thoshte Kryeministri Thaçi në
vitin 2010. U bënë katër (4) vjet dhe asgjë. Madje, nuk duket se do të ndodh
shpejtë dhe nuk do të ndodh assesi përderisa Kosova ka këtë qeverisje të keqe.
8. Lugina e Silikonit. Premtim i rremë. A e mban mend kush çka ishte ajo? Çka synonte ky premtim
të përmirësojë jetën e qytetarëve? Ka mbetur e harruar, pa asnjë lëvizje të
vetme për të realizuar këtë.
9. Zhvillim të demokracisë. Premtim i rremë. Për gjatë këtyre vitesh të qeverisjes së keqe, Kosova shënoi
rënie në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë
e mediave. Linçuan secilin qytetar të Kosovës që hapur dhe me kurajo adresoi dështimet
dhe keq-qeverisjen. Sot, Kosova ka probleme serioze me nivelin e saj të
demokratizimit, pikërisht për shkak të logjikës së keqe të qeverisjes.
10. Largimi i
nepotizimit. Premtim i rremë. Stërmbushën administratën me familjarë,
militantë partiak, të afërm, kushërinjë, dajë e teze. Për më keq, vendosën
standardin më të ulët të efikasitetit në institucionet publike. Kanë bërë çmos
për të degraduar secilin institucion, përmes futjes së njerëzve të “tyre” në
secilën skutë dhe në secilën mundësi.
Jo vetëm këto dhjetë dështime janë substanciale. Ka edhe
plotë të tjera.
Prandaj, këta qeveritarë të korruptuar meritojnë të
shkojnë në opozitë dhe të përgjigjen edhe në aspektin ligjor për gjithë këtë
keq-përdorim të pandalshëm të buxhetit të popullit të Kosovës.
http://ditapress.com/deshtimet-e-qeverisjes-se-keqe/
No comments:
Post a Comment