Agoni dhe dëshpërim
BURIM RAMADANI
Paqëndrueshmëri.
Jostabilitet.
Krizë e gjithëmbarshme.
Këto janë tri karakteristikat kryesore që përbëjnë situatën
e sotme në Kosovë. Tri elementet thelbësore mbi të cilat duhet të ndërtohen
politikat për të tejkaluar në hapin tjetër politik. Tre faktorët bazik përse
duhet të zhvillohen zgjedhjet e shpejta dhe të menjëhershme për të nxjerr Kosovën
nga një nivel jashtëzakonisht negativ të zhvillimeve.
I papjekur politik duhet të jesh dhe të mbyllësh sytë
para një situate të tillë. Ndryshe është vështirë të shpjegohet.
I udhëhequr fort nga interesat personale ose grupore
duhet të jesh dhe të sillesh sikurse gjithçka duhet të ndodh përmes një rutine
normale, e cila karakterizohet me rrjedha të rregullta dhe të pangutshme.
I lidhur fuqishëm me përfitime të caktuara duhet të jesh
dhe të barrikadohesh për të mbajtur pushtetin edhe pse ke humbur shumicën mbështetëse.
Barrikadimi në situata të këtilla të rënda dhe të
pashpresa definitivisht mund të prodhojë situata të rënda dhe të paparashikuara
qartë. Qytetarët e Kosovës në ditët e sotme janë aq të dëshpëruar saqë reagimi
i tyre nuk mund të parashikohet me saktësi.
Mjafton të shpërthejë një rast i caktuar dhe të
mobilizohet pothuajse e tërë kategoria e njerëzve të dëshpëruar rëndë me
ngecjet e gjithëmbarshme. Askush nuk besoj se duhet të jetë i sigurt se
situatat që mund të vijnë në të ardhmen e afërt mund të jetë krejtësisht të
rregullta.
Ky do të duhej të merrej edhe si alarm për institucionet
shtetërore, por mbi të gjitha për partitë politike, të cilat e kanë për obligim
gjetjen e zgjidhjeve progresive dhe zhvillimore. Nuk duhet të anashkalohet pakënaqësia
enrome që karakterizon sot qytetarët e Kosovës. Nuk mund të injorohen sinjalet,
për mua, shumë të qarta për nivelin tejet të lartë të pakënaqësisë dhe dëshprimit
të përgjithshëm që ka kapluar qytetarët e Kosovës.
Të rritur të situata emergjente dhe kriza të njëpasnjëshme
për dekada me radhë, qytetarët e Kosovës e kanë dëshmura jo vetëm një herë se
mund të reagojnë në mënyrë të pakontrolluar në situata të caktuara si pasojë e
dëshpërimit në gjendje të caktuara. Të gjithë na kujtohet marsi i vitit 2004, që
ka paraqitur një reagim të pakontrolluar të njerëzve nëpër Kosovë si pasojë e
ngërçit politik që kishte kapur Kosovën. Dëshpërimi në atë kohë ishte i përmasave
të mëdha, sikurse edhe fakti se politika kosovare nuk mund të gjente një rrugë
normale për të kanalizuar pritjet dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
Situata të tilla apo të ngjashme kanë ndodhur edhe në
vitin 2007, kur të paktën dy qytetarë të Kosovës u vranë në sheshin “Nënë
Tereza”, pavarësisht se për këtë ka pasur dhe ende ka spjegime të ndryshme
politike.
Nuk duhet injoruar këto fakte dhe nuk duhet injoruar
faktorët e rëndësishëm: dëshpërimin dhe pakënaqësinë. Në rrethana të këtilla, të
krijuar edhe së voni, institucionet qeveritare dhe partitë politike e kanë për
obligim qytetar, kombëtar dhe njerëzor të gjejnë zgjidhjet më të mira dhe
zgjidhjet për efektive. Barrikadimi në interesa të ngushta personale, grupore
apo partiake nuk është zgjidhja. Në fakt, vetëm sa e rëndon situatën e përgjithshme
politike dhe shoqërore.
Sot është e qartë se institucionet e Kosovës janë të
degraduara në nivelet më të ulëta që ka ndodhur ndonjëherë.
Sot është e qartë se Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend,
prandaj ka humbur çfarëdo argumenti se mund dhe duhet të vazhdojë.
Sot është e qartë se zgjedhjet e shpejta dhe të menjëhershme
do të drejtojnë energjitë e qytetarëve drejt ndryshimit të gjendjes përmes
procesit zgjedhor, e jo përmes mënyrave tjera.
Botuar në TRIBUNA, 20 shkurt 2014, fq. 6
No comments:
Post a Comment