Për ndryshim rrënjësor
BURIM RAMADANI
Nuk duhet improvizuar. Gjendja e tashme kërkon përgjigje
të qartë. Të fuqishme. Logjika e improvizimit na ka sjellë deri këtu. Në krizë.
Në jo-funksionalitet. Të papunë dhe të pashpresë. Improvizimi që shkatërron qeverisjen.
Nuk duhet qeverisje rutinë. Kosova nuk është në situatën
ku qeverisja mund të ndodh vetvetiu. Në mënyrë të ngadalshme. Me dinamikë
rutinore. Rutinat e ndërtuara gjatë këtyre viteve vetëm sa e kanë thelluar krizën
dhe e kanë dëmtuar mundësinë që qytetarët të jetojnë më mirë. Rutina nuk
ndryshon asgjë.
Nuk duhen trazira. Dhimbjet e trazirave zgjasin shumë, dëmtojnë
stabilitetin dhe humbin parashikueshmërinë e rrjedhave të shtet-ndërtimit. Qytetarët
nuk fitojnë asgjë në afat-shkurtër dhe ndëshkohen në afat-gjatë. Trazira lëkund
pothuajse gjithçka.
Kosova ka nevojë për ndryshim rrënjësor. Logjikë tjetër të
qeverisjes, mënyrë tjetër të politikë-bërjes. Ka nevojë për ndryshim rrënjësor
në dinamikën e angazhimeve, përkushtim të fuqishëm dhe jo-kompromis ndaj të këqijave.
Nevoja për ndryshim rrënjësor nuk lidhet vetëm me një
adresë. Lidhet me mentalitetin e politikave. Ndërlidhet fort me qeverisjen
qendrore, por shpërndahet pastaj edhe në institucionet tjera publike.
Ku duhet prekur? Çka duhet ndryshuar? Si duhet ndërruar
menatalitetin qeverisës? Janë tri parakushte, që kthehen në parime të
domosodoshme për të filluar ndryshimin rrënjësor në logjikën e qeverisjes:
E para dhe e padiskutueshmja është Qeveria me duar të
pastra. Parakushti i tillë është parim që nuk mund, nuk duhet dhe nuk guxon të
mëdyshet.
Qeveria e ardhshme duhet të jetë e larë me deterxhent të
fortë. Pa të kaluar korruptive dhe pa të kaluar të krimit të organizuar. Ky është
minimumi, pa të cilin nuk duhet menduar se mund të zhvillohet një mentalitet
tjetër qeverisës. Përpos që Qeveria me duar të pastra është një kundër-reagim i
domosdoshëm ndaj Qeverisë aktuale, ky parim ka të bëjë edhe me fillimin e një standardi
normal të qeverisjes në Kosovë. Ky standard do të jetë bazë për shumë e shumë
zhvillime politike dhe institucionale për dekada të tëra në Kosovë, nëse jo
edhe më shumë.
E dyta dhe e domosdoshmja është Qeveria me ekspertizë. Parakushti
i këtillë është parim që vendos themelet për një qeverisje kompetente, të
padiskretuar qysh në ditën e parë dhe të besueshme për kapacitetet për të
ndryshuar gjendjen.
Qeveria e ardhshme duhet të përfaqësojë dije, ekspertizë,
kapacitet, zotësi dhe kompetencë. Përpos pastërtësisë së kabinetit qeveritar,
Qeveria e ardhshme duhet të karakterizohet nga përgatitja profesionale dhe jetësore
për fushat veç e veç. Kosova ka kapacitete të këtilla. Partitë politike mund të
ndërtojnë qeverisje kompetente. Normalisht, edhe ky parim është pothuajse plotësisht
i kundërt me Qeverinë aktuale, që është jokompetente dhe me mungesë
profesionaliteti.
E treta dhe funksionalja është Qeveria me program të
detajuar. Parakushti i këtillë është parim që mundëson nisjen e punës efektive
qysh në ditën e parë të përgjegjësive qeverisëse. Ky parakusht as që do të
duhej të përmendej fare, porse, fatkeqësisht, kjo është e vërteta që ka ndodhur
në vitin 2007 dhe në vitin 2010. Kur Qeveritë pas atyre zgjedhjeve as që kanë
pasur një letër të shkruar rreth programit të punës. Një Qeveri me program të
qartë e të detajuar nuk do të humb kohë, nuk do të shpenzojë kot.
Thjesht, tri parakushtet për ndryshimin rrënjësor të
mentalitetit qeverisës janë në fakt parime pa të cilat nuk mund dhe nuk guxon të
ndërtohet Qeveria e ardhshme.
Një Qeveri e pastër, kompetente dhe me program të
detajuar e fillon ndryshimin e madh në Kosovë qysh nga dita e parë e
qeverisjes.
Botuar në Gazetën TRIBUNA, më 6 mars 2014, fq. 6
No comments:
Post a Comment