Testi për partitë
politike
BURIM RAMADANI
Mos i besoni fjalëve. Politikanët kanë mashtruar shumë. Tërë
kohën. Pa u ndalë asnjëherë. Jo vetëm pse kanë dashur t’ju mashtrojnë, por për
diçka më thelbësore: ata nuk kuptojnë se po ju shkelin besimin tuaj! Nuk kanë
as nivel të tillë minimal të dijes për të kuptuar se çka do të thotë që dikush
të të besojë!
Historitë janë të bollshme: Ju kanë premtuar pothuajse
gjithçka. Veç që nuk ju kanë treguar përralla. Zero tolerancë ndaj korrupsionit
dhe krimit, për shembull. 24 orë në ditë rrymë elektrike. Punësime. Lugina e
Silikonit. Paga të larta, pensione të dinjitetshme. Qeverisje pa luks, me
shpenzime të vogla, pa ndërtesa me qira. Gjithçka dhe gjithkund.
Të vërtetat janë të matshme: Korrupsioni është rritur,
krimi është shpeshtuar. Tashmë nuk je i sigurt as në shtëpi, as në rrugë, as në
zyre, as në trafik, as në shkollë. Rryma është shtrenjtuar dhe po vazhdojnë
reduktimet. Dy herë po e paguajmë. Edhe si konsumatorë, edhe si taksapagues. Lugina
e Silikonit nuk u mor vesh kush për çka ishte menduar, ku dhe si? Mbeti veç
hajgare. Pagat s’po e zënë fundin e muajit. Pensionet kanë mbetur lëmoshë. Luksi
është rritur, por vetëm për qeveritarët. Shpenzimet janë dhjetëfishuar dhe objektet
qeveritare me qira vazhdojnë të jenë të tilla.
Bilanci është i dukshëm: Jo njëherë jeni mashtruar! Shumë
herë me radhë keni menduar se po zgjidhni të vërtetin, alternativën më të mirë,
mundësinë më të shpejtë për të rregulluar jetën në Kosovë. I keni besuar fjalës
së dikujt. Nuk keni menduar sa para po shpenzon ai “dikushi” që ju ta merrni
fjalën e tij si të besueshme. Pavarësisht se ka shpenzuar me qindra mijëra euro
për t’ju mashtruar!
Normalisht, se tashmë shumë prej jush ndiheni të
zhgënjyer. Besoj se edhe të tjerë politikanë duhet të ndihen të zhgënjyer. Dështimi
i partive tjera politike, tashmë për disa vjet në opozitë, kryesisht ndërlidhet
me pazotësinë e tyre për të dëshmuar alternativë të plotë, konkrete dhe të
detajuar.
Por, kjo të paktën nuk mund të ndërlidhet me elementet
thelbësore të partive politike. Esenca është e ndryshme, struktura është e
ndryshme, qëllimi është i ndryshëm. Mbi të gjitha, logjika është e ndryshme.
Sidoqoftë, tashmë shumë shpejt keni sërish në duart tuaja
mundësinë për të vendosur. Për vitet e ardhshme.
Testi është afër: zgjedhjet parlamentare! Janë afruar aq
shumë sa që pothuajse askush nuk e di kur saktësisht do të mbahen. Mund të jenë
30 ditë nga sot! Ndoshta pakëz më larg, apo edhe më larg se aq.
Testi është edhe më i thjeshtë: lista për deputetë! Ose,
oferta e kuadrit që partitë politike do të sjellin para jush, së shpejti! Do të
jenë publike, sepse nuk mund të jenë ndryshe. Do të jenë emra që kryesisht i
njihni, sepse jemi vend i vogël dhe popullatë e vogël.
Do t’ia gjeni fijen lehtë se kush janë, prej nga janë,
çka kanë dhe çka nuk kanë. Të paktën, për shumicën prej tyre do të keni lehtë të
dini më shumë sesa minimalja.
Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së dhe deputet
në Kuvendin e Kosovës
Botuar në Koha Ditore, 26 mars 2014, fq. 11
No comments:
Post a Comment