Kosova,
shteti ynë!
Shteti im është Kosova. Flamuri im shtetëror është
flamuri i Kosovës. Me hartën e vendit tim dhe me gjashtë yjet mbi të. Himni i
shtetit tim quhet “Evropa” dhe është kompozuar nga Mendi Mengjiqi. Kompozitor
vendës. Po, është e vërtetë se është pa tekst. Kemi simbolet shtetërore,
sistemin politik të veçantë, ambasadat në shtetet më të largëta dhe në rajon.
Edhe vendet e tjera kanë akredituar ambasada këtu dhe respektojnë
subjektivitetin tonë shtetëror.
Shoqëria e shtetit tim është multietnike. Respekton
vlerat, traditën, identitetin dhe kulturën e secilit grup etnik që jeton bashkë
me mua. I jep mundësi secilit të përparojë, pavarësisht nëse është shqiptar,
serb, boshnjak, turk, egjiptas, rom, ashkali, malazias apo kroat. Problemet po
vazhdojnë të jenë të pranishme. Por, kjo nuk është arsye që të ndalim
përpjekjet tona për të tejkaluar ato. Përkundrazi, duhet të fuqizojmë angazhimet
që vështirësitë e tashme të mos na e nxijnë të nesërmen.
E ardhmja e sigurisë nacionale është NATO. Aleanca
Veriatlantike, e cila në vitin 1999 u bë faktori vendimtar për çlirimin e kësaj
Kosove. Kosovës së të gjithë qytetarëve të saj. Ushtria e ardhshme e Kosovës
duhet të jetë krah për krah me atë amerikane, gjermane e angleze. Ushtri
profesionale, që përbëhet prej pjesëtarëve nga secili komunitet që jeton këtu.
Që i bën të ndihen të sigurt të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht cilës
fe i përkasin apo cila është gjuha e tyre amtare.
E ardhmja politike është Bashkimi Evropian. Integrimi
në familjen e shteteve evropiane, të cilat e kanë vendosur paqen mbi të gjitha.
Që kanë kthyer në model primar largimin e armiqësive që rrjedhin nga
identitetet ndarëse apo përçarëse. Bashkim, i cili ka vënë në qendër të
politikave bashkimin e vlerave të ndryshme në një qëllim të përbashkët: jetesën
e lumtur të qytetarëve të të gjitha vendeve evropiane. Pa luftëra, pa dëmtime,
pa dhunë.
Baza e të tashmes dhe e të ardhmes së shtetit tim është
demokracia. Sistem jo perfekt, por dukshëm më i miri në krahasim me sistemet e
tjera qeverisëse që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Demokracia dhe
vlerat e saj janë themeli i Bashkimit Evropian dhe themeli i bashkëpunimit
ndërmjet vendeve evropiane. Për më tepër, demokracia është garancia e vetme që
ne mund të jetojmë mirë në shtetin tonë, në Kosovën tonë. Që askush nuk do të
na i shkel liritë dhe të drejtat, që askush nuk do të mund të na e ndalojë
prosperitetin individual dhe kolektiv. Garanci që askush nuk do të na kthejë në
komunizëm, apo të na çojë në fashizëm.
Nuk dua që kjo të shkatërrohet. Për asnjë çmim. Kosova
duhet të jetojë sa të ketë njerëz në të. Si shtet i pavarur, sovran dhe
demokratik. Si shtet i konsoliduar, me sundim të ligjit, me Kushtetutë të
pakontestuar nga asnjë grup etnik, fetar apo politik, me zhvillim ekonomik, me
arsim modern, me sistem të zhvilluar shëndetësor, me identitet kulturor, me
sport konkurrues në botë, me arkitekturë të re dhe me kushte shumë të mira
jetese për të gjithë qytetarët.
Dua që Kosova, shteti im, të konkurrojë jo vetëm me
rajonin, por edhe me vendet e zhvilluara evropiane. Madje, edhe studentët
gjermanë apo francezë të aplikojnë për të studiuar në universitetet e Kosovës.
Ku do të marrin dije dhe ku do të konkurrojnë me brezin e vet kudo nëpër botë.
Dua që futbollistët italianë, gjermanë, brazilianë dhe argjentinas të vijnë për
të luajtur në klubet profesionale të futbollit në Kosovë. Qoftë te Prishtina,
te Trepça e Mitrovicës, Liria e Prizrenit apo Ballkani i Suharekës.
Dua që Kosova, shteti im, të ketë përfaqësinë kryesore
për rajonin tonë të prodhimit të BMW-së, të Mercedesit apo të Volvosë. Të jetë
qendra rajonale e energjetikës dhe të prijë në listat për minierat e mineralet.
Të arrijë nivelin më të lartë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për kokë
banori dhe që këtu të punësohen me dhjetëra mijëra qytetarë të vendeve të
tjera, qoftë të Botës së Tretë apo edhe të vendeve të zhvilluara. Që turizmi të
jetë atraktiv për amerikanët e për evropianët.
Ekzistenca e shtetit të Kosovës nuk rrezikon askënd.
Nuk shkatërron asnjë lloj përkatësie. Nuk dëmton integrimet brendakombëtare.
Nuk vë në mëdyshje të qenit shqiptar, për shembull. Por, e njëjta gjë vlen edhe
për qytetarët e Kosovës me përkatësi tjetër kombëtare.
Secili njeri ka identitet të shumëfishtë. Cilido prej
identiteteve nuk duhet përdorur për të përçarë. Përkundrazi, njerëzit kanë
shumë identitete të përbashkëta.
Një njeri mund të jetë në të njëjtën kohë shqiptar:
shqiptar i Kosovës, dukagjinas, pejan, baranas, prishtinas, mashkull, katolik,
luftëtar, profesor, bletar, baba dhe vëlla. Kjo nuk do të thotë se njëri prej
identiteteve duhet t’i shkatërrojë të tjerët. Të gjitha këto shtresa të
identitetit e përbëjnë një njeri.
Tekefundit, identiteti ka dy pjesë: si ndihesh vetë dhe
si të shohin të tjerët. Mund të ndihesh mashkull, por të tjerët të të shohin si
femër. Mund të ndihesh kosmopolitan, por të tjerët mund të të shohin si një
provincialist të pandreqshëm.
Identiteti ynë kombëtar nuk është rrezikuar nga shteti
i Kosovës. Përkundrazi, shteti i Kosovës forcon dukshëm edhe identitetin tonë
kombëtar.
Nuk ka nevojë të mënjanosh përkatësinë kombëtare
shqiptare, që të punosh për konsolidimin e shtetit të Kosovës. Që të
angazhohesh që në Kosovë të mos ketë korrupsion dhe krim të organizuar. Apo, që
të kesh një plan konkret dhe të detajuar për të vendosur sundimin e ligjit në
agjendë prioritare qeverisëse.
Nuk ka nevojë të mënjanosh përkatësinë kombëtare shqiptare,
që të ndërtosh një Kosovë konkurruese me rajonin dhe me Evropën. Që të rinjtë e
Kosovës të arsimohen mirë dhe të jenë më të përgatitur profesionalisht se brezi
i tyre në Spanjë apo në Austri.
Prandaj, debatet që tentojnë të trajtojnë ekzistencën e
shtetit të Kosovës si rrezik për identitetin kombëtar shqiptar, janë
artificiale, të pasakta dhe jozhvillimore. Janë edhe injorante. Synojnë të
ndalojnë çdo përpjekje për dashurinë ndaj Kosovës, shtetit tonë. Pasojnë me
mungesë angazhimi të sinqertë për të ndërtuar dhe për të konsoliduar vendin
tonë, për të vendosur rend e ligj dhe lojalitet ndaj shtetit. Ndikojnë në
thellimin e përçarjes, në kohën kur më së shumti na duhet tejkalimi i
armiqësive ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme etnike.
Nuk janë tradhtarë ata që e duan shtetin e Kosovës. Ata
që përpiqen ta fuqizojnë shtetin e Kosovës. Ta bëjnë shtetin më të mirë e më të
zhvilluar në botë.
Nuk janë tradhtarë ata që luftojnë armiqtë e Kosovës.
Që ndërtojnë argumentet politike për të zmbrapsur çfarëdo tentimi të Serbisë
për shuarjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Mbi të gjitha, shteti i Kosovës ka nevojë për dashurinë
e njerëzve për të. Për vullnetin që ta bëjmë shtetin ku të gjithë mund të
jetojmë të lumtur.
(“Zëri”, 13 dhjetor 2012)
No comments:
Post a Comment