Wednesday, July 15, 2009

Pse duhet votuar?

Loja pa fitues
Pse duhet votuar?
Megithëse qytetarët u dënuan nga presidenti dhe partitë politikë në koalicion që të dalin në votime në pikë të dimrit, vota e tyre do të përcaktojë rrjedhën e Kosovës për vitet e ardhshme. Janë shumë argumente pse më 15 nëntor duhet votuar dhe pse duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes
Shkruan: Burim Ramadani
I
Në mes të muajit nëntor të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë që me votën e tyre të vendosin për udhëheqjen e ardhshme komunale katërvjeçare. Megjithëse presidenti dhe partitë në koalicion qendror i kanë dënuar qytetarët që të votojnë në dimër (sidomos në rastet e balotazhit), kosovarët kanë para vetes një mori të gjerë të argumenteve përse duhet të dalin në votime dhe se si duhet ta përdorin të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e udhëheqjes gjatë viteve të ardhshme. Masiviteti i pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti, në realitet, do të dëshmonte interesimin e qytetarëve për të luajtur rolin e padiskutueshëm për zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, tashmë pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Dhe është e qartë se roli i qytetarit në vendim-marrje është një prej elementeve themelore të pamohueshme për zhvillimin e sistemit demokratik. Kosova synon që të arrijë stadet më të zhvilluara të demokratizimit, prandaj shoqëria nuk duhet të jetë indiferente ndaj tërë këtyre që po ndodhin gjatë viteve të fundit. Mënyra se si jemi nisur kah demokratizimi është duke u kritikuar nga secili mekanizëm ndërkombëtar. Të gjitha raportet ndërkombëtare dhe të shteteve të fuqishme kanë treguar për mangësi, korrupsion dhe krim të organizuar. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
II
Drejtimi që ka marrë Kosova në kuptimin e nivelit të qeverisjes që është duke u treguar gjatë kësaj kohe, në të vërtetë, paraqet një dilemë të madhe sa i përket demokracisë. Realisht, zhvillimi dhe demokratizimi i plotë i një shoqërie post-konfliktuoze është një proces i gjatë, i ndjeshëm dhe i karakterizuar nga shumë perngesa që burojnë nga vështirësitë e ndërrimit të mentalitetit. E njëjta po ndodh në Kosovën e këtyre muajve. Rezistenca për të ndërruar mentalitetin, frymën dhe modelin qeverisës të bazuar në sistemin e kaluar famëkeq komunist është duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit dhe shoqërisë. Keq-qeverisja e tashme është kthyer në një model edhe teorik se si shtetet dhe shoqëritë nuk duhet asnjëherë të lejojnë të ndodh nëse ato janë të orientuara kah demokracia. Kosova tashmë është shndërruar në një vend të pasigurt jo vetëm në aspektin ndër-etnik, por për më keq, pothuaj të gjitha strukturat e shoqërisë janë të pasigurta. Kosova është kthyer në një vend që kërcënon dhe linqon gazetarët, në një vend ku një grup njerëzish kontrollojnë fjalë e lirë, ndërmarrjet publike dhe bizneset e ndryshme rajonale. Kosova është kthyer në një vend ku të afrëmit e kryeministrit rrahin kundërshtarët politikë apo ‘penguesit’ e bizneseve të tyre të paligjshme. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
III
Rrënimi i të ardhmës së Kosovës është duke ndodhur për çdo ditë dhe në mënyrë sistematike. Qeveria e Kosovës, si prijëse dhe ekzekutuese e politikave dëmtuese të shtetit dhe shoqërisë, tërë kohën është munduar të ndërrojë temat e debatit publik. Ditëve të fundit, kjo logjikë ka eksaluar në shpifje për kërcënime dhe akuza të ulëta depresive. Realisht, kjo nuk i bën nder shtetit dhe shoqërisë, sikurse nuk i bën nder edhe zhvillimeve të nevojshme për ndërtimin e të ardhmes. Vjedhja skandalole në polici, ëpr shembull, është temë konkrete që kërkon përgjigje dhe kërkon përgjegjësi të lartë shtetërore e politike. Qeveria e Kosovë mundohet që përmes akuzave depresive të anashkalojë tema të tilla të rëndësishme. Edhe pas dy muajve prejse është bërë publike vjedhja e një sasie të madha të provave në dhomën e dëshmive në komandën kryesore të Policisë së Kosovës, asnjë rezultat nuk është vërejtur. Për më keq, qeveria e Kosovës ka vazhduar të ndërhyjë në mënyrë direkte për të bllokuar rezultatet e mundshme të këtij rasti përfaqësues të funksionimit të krimit të organizuar në Kosovë. Deri më tash, nuk kemi parë as shenjën më të vogël të ndjenjës së ndonjë përgjegjësie politike, profesionale apo morale. Kjo nuk është forma më e mirë e qeverisjes dhe për këtë qytetarët janë të vetëdijshëm tashmë. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
IV
Organizimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e idealit të funksionalizimit të demokracisë në një shtet. Prandaj, ky proces është jo i lehtë në parim dhe i penguar në rastin e Kosovës. Koalicioni qeverisës ka treguar shenja të qarta të politikës së tyre për të kontrolluar procesin e përgatitjeve për zgjedhjeve, sikurse në Komisionin Qendror Zgjedhor, po ashtu edhe në pjesët tjera, sikurse është çështja e certifikimit të zgjedhjeve apo caktimit të datës konsensuale për zgjedhje. Për këtë, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës duhet të jenë të njoftuar dhe të alarmuar. Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës dhe partitë politike kanë për detyrë të mundësojnë dhe inkurajojnë daljen sa më të madhetë votuesve në zgjedhjet e 15 nëntorit. Shteti nuk është pronë private e askujt dhe askush nuk mund as të pretendojë të sillet në mënyrë të tillë. Sovrani i shtetit të Kosovës është populli i Kosovës. Qytetarët kanë të drejtën, obligimin dhe fuqinë për të caktuar saktësisht drejtimin nga i cili duan të udhëheqen. Prandaj, është e pamoralshme nga koalicioni qeveritar që pretendon të imponojë pengesa sa më të mëdha para qytetarëve gjatë procesit të votimit, përfshirë këtu edhe pikën e dimrin për të votuar. Por, qytetarët e Kosovës duhet të jenë sa më masiv në zgjedhje dhe kjo është thirrja që duhet të bëjnë partitë politike. Vetëm qytetarët e Kosovës mund të ndërrojnë këtë mentalitet brutal të qeverisjes. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”)

No comments: