Sunday, August 30, 2009

Gjashtë pikat e Kroit

Loja pa fitues
Gjashtë pikat e Kroit
E ardhmja e Kroit të Vitakut, Mitrovicës dhe Kosovës duhet të qartësohet. Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se cili është vullneti i qeverisë së tyre në raporte me probleme që ata ballafaqohen për çdo ditë. Kthimi në shtëpitë e tyre është një e drejtë e pakontestueshme dhe bazike. Plani gjashtë pikësh i pranuar nga liderët institucionalë, nuk ofron zgjidhje reale dhe tash po vërehen produktet e tij
Shkruan: Burim Ramadani
I
Manovrimet politike brenda Kosovës për përfitime të zyrtarëve të lartë institucionalë janë intensifikuar. Por, jo edhe ato që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës. Tashmë fatkeqësisht duket se çka është interesi i një grupi të caktuar të individëve në krye të institucioneve, nuk është edhe interesi i qytetarëve të vendit. Realisht, kjo lloj ndarjeje midis interesit të udhëheqjes dhe qytetarëve të një vendi është treguar e dëmshme në shumë shtete të botës. Madje, kjo lloj historie është parë jo vetëm në kohën e fundit të ekzistencës së shtetit modern. Edhe në periudhat e kaluara qysh prej mijëra vjetësh, udhëheqja e masës ka ndodhur të veprojë në kundërshtim me interesat e pjesëtarëve të masës apo një grupi të caktuar të asaj mase. Pavarësisht një kohe që është dashur të kalojë dhe përpjekjeve për të përmirësuar sistemin, këto lloj regjimesh janë dëshmuar se kanë fundin e vet të natyrshëm. Jemi dëshmitarë edhe të rasteve të shumta kohës së fundit në politikën kosovare, ku liderët institucionalë pozicionohet në kundërshtim të plotë me interesat dhe vullnetin e qytetarëve të vendit. Edhe në siguri, edhe në ekonomi, edhe në kulturë liderët institucionalë i kanë kthyer shpinën asaj që kërkohet nga qytetarët.
II
Ambienti i krijuar në pjesë të ndryshme të Kosovës gjatë këtyre viteve dallon në mënyrë të pakontestueshme nga pjesët tjera të vendit. Madje, situata jo vetëm që vazhdon të jetë e rëndë, por ajo nuk karakterizohet nga ndonjë përmirësim i dukshëm. Më konkretisht, situata e pas-shpalljes së pavarësisë së Kosovës është edhe më e rëndë në veriun e vendit sesa që ishte para pak kohësh. Përkeqësimi i zhvillimeve në pjesën veriore të Kosovës nuk dëshmojnë për ndonjë zhvillim të shpejtë pozitiv për qytetarët e asaj pjese dhe për vendin në përgjithësi. Kroi i Vitakut është shembulli që në mënyrë më konkrete përafaqëson realitetin që po ndodh në Kosovë dhe në veçanti në pjesën veriore. Banorët e pafajshëm shqiptarë të asaj pjese edhe më tutje ballafaqohen me probleme të mëdha themelore për jetën normale të njerëzve. Rindërtimi i shtëpive të tyre nuk është i mundshëm në këtë ambient të këtillë të krijuar gjatë kësaj kohe të fundit. Kjo është shkaktuar nga mungesa e vullnetit të gjetjes së zgjidhjes së problemeve të krijuara deri më tash për vite në atë pjesë të vendit. Tashmë, pas pavarësimit të Kosovës dhe vendosjes së EULEX-it në vend, nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme për të ndaluar qytetarët e vendit të kthehen në trojet e tyrë në Kroin e Vitakut apo kudo tjetër.
III
Rreziqet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës në pjesën e veriut të Kosovës janë të shumta. Jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet tjera janë të rrezikuara në jetën e tyre të përditshme. Ata, tashmë një ditë para fillimit të vitit shkollor, nuk kanë vetëm çështjen e librave shkollorë apo mësimdhënies. Problemi në atë pjesë të Kosovës është problem që ka të bëjë me mungesën e sundimit të ligjit, forcimit të mekanizmave të sigurisë, vendosjes dhe zhvillimit të sistemit doganor, pikave kufitare, sigurisë publike, sigurisë së rrugëve, invetsmin në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shtrirjen e autoritetit shtetëror ligjor. Të gjitha këto përpjekje të shtetit të Kosovës do të mundësonin pa dyshim shuarjen e strukturave paralele ekzistuese në atë pjesë të Kosovës. Jemi dëshmitarë të forcimit ë po ndodh tek strukturat paralele. Serbia është duke vazhduar investimin e vet financiar dhe njerëzor në zhvillimin e strukturave ilegale paralele, duke synuar kështu bërjen jofunksionale të shtetit dhe shoqërisë kosovare. Kjo, normalisht, duhet të ndalohet pa marrë parasysh investimin që kërkohet të bëhet nga qeveria e Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar prezent në Kosovë.
IV
E ardhmja e Kroit të Vitakut, Mitrovicës dhe Kosovës duhet të qartësohet. Qytetarët e Kosovës duhet të dinë se cili është vullneti i qeverisë së tyre në raporte me probleme që ata ballafaqohen për çdo ditë. Kthimi në shtëpitë e tyre është një e drejtë e pakontestueshme dhe bazike për zhvillimin e një shteti dhe sistemi demokratik në kohën moderne. Qeveria dhe institucionet tjera të vendit, duke përfshirë kryetarin dhe kuvendin, duhet të jenë më pragmatik, konkret dhe të vullnetshëm për të zgjidhur problemet. Duhet të pajtohemi me konstatimet dhe analizat se veriu i Kosovës nuk është një problem specifik i Kosovës, por është vetë esenca e mosarritjes së autoritetit dhe funksionalitetit shtetëror të Kosovës. Plani gjashtë pikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, nuk ofron ndonjë zgjidhje reale për këtë çështje. E keqja më e madhe është se liderët instituiconale të Kosovës e kanë pranuar këtë plan dhe tashmë ne po shohim problemet e mëdha që po ndodhin. Edhe sa i përket zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, edhe sa i përket çështjeve të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me sigurinë e vendit, Plani i Ban Ki-Moonit i pranuar nga liderët institucionalë ka nisur të prodhojë problemet e mëdha. EULEX-i, në këtë kuadër, duhet të veprojë sipas mandatit që ka marrë për sipër. Misioni evropian ka ardhur në Kosovë për të vendosur sundimin e ligjit dhe ndërhyrë aty ku Qeveria e Kosovës nuk mundet. Prandaj, e tëra që kërkohet edhe nga banorët e Kroit të Vitakut, edhe nga politika konstruktive në Kosovë është që të ketë ligj dhe rend.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 31 gusht 2009, fq.

Wednesday, August 26, 2009

Aventura e Protokollit

Loja pa fitues
Aventura e Protokollit
Reagimi i liderëvve të institucioneve të Kosovës ndodhi, sikurse zakonisht, pas publikimit të këtij procesi në mediat kosovare. Fatkeqësisht, duket se edhe ky reagim ka qenë një lojë politike për konsum të brendshëm të liderëve institucionalë. Së pari, institucionet e Kosovës duket se kanë qenë të njoftuara për këtë Protokoll dhe nuk e kanë ndalur atë më parë. Së dyti, liderët institucionalë e kanë pranuar Planin 6 pikësh të Ban Ki-Moonit, plan që mban Serbinë në lojë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Protokolli i bashkëpunimit midis EULEX-it dhe MUP-it të Serbisë tronditi opinionin publik në Kosovë. Pas një kohe qetësie të publikut sa i përket problemeve midis Kosovës dhe Serbisë në raport me EULEX-in, evropianët provuan edhe një aventurë të re: atë të formalizimit të bashkëpunimit me shtetin fqinj agresor. Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Drejtësi, EULEX, pas më pak se një vit prej se është vendosur në Kosovë, ka dëshmuar ndjeshmërinë e vet politike në raport me Serbinë, e cila vazhdon të luajë rol tejet destruktiv sa i përket Kosovës, misioneve ndërkombëtare këtu dhe vet serbëve kosovarë. Reagimi i liderëvve të institucioneve të Kosovës ndodhi, sikurse zakonisht, pas publikimit të këtij procesi në mediat kosovare. Nuk do shumë analizë për të parë se ky reagim ka qenë edhe një lojë politike për konsum të brendshëm të liderëve institucionalë. Së pari, institucionet e Kosovës duket se kanë qenë të njoftuara për qëllimin e arritjes së dakordancës për nënshkrimin e një protokolli për bashkëpunim midis EULEX-it dhe Serbisë. Së dyti, liderët institucionalë e kanë pranuar të ashtuquajturin Plani 6 pikësh i Ban Ki-Moonit, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Sipas Planit fatkeq të Ban Ki-Moonit, Serbisë i është ruajtur roli i një lloj vendimmarrësi në Kosovë, me theks të veçantë në çështjet që kanë të bëjnë me serbët kosovarë. Kjo ishte pranuar në muajt e fundit të vitit të kaluar nga ana e liderëve kosovarë, të cilët më pas zhvilluan fushatë politike për konsum të brendshëm në kundërshtim të atij Plani.
II
Ushtrimi i kompetencave që ka EULEX-i në detyrën e vet në Kosovë duhet të fillojë për së mbari, ashtu sikurse ka nevojë Kosova, shoqëria kosovare dhe e ardhmja demokratike. Prandaj, EULEX-i duhet të fokusohet në pjesët që kanë rëndësi tejet të madhe për ndërtimin e një sistemi të përparuar demokratik në vend. Dosjet që ka trashëguar për një numër të madh problemesh të rënda në vend, kërkesat publike të Kosovës për një mori çështjesh që duhet të ndërhyjë EULEX-i, sikurse edhe ndihmën profesionale që evropianët është e nevojshme të japin për mekanizma të caktuar për sundimin e ligjit në Kosovë. Përkatësisht, ndihma profesionale në trajnim, profesionalizim dhe pajisje që EULEX-i mund të jep për Policinë e Kosovës është shumë më e dobishme për Kosovën sesa çfarëdo lloj aktiviteti politik që misioni bën në Kosovë. Thjesht, evropianët në Kosovë kanë çfarë të punojnë. Vetëm korrupsioni apo kriminaliteti paraqesin çështje tejet të gjëra për të cilat Kosova ka nevojë për ndihmën profesionale të evropianëve. Apo, tenderomania ka nevojë për shërim me ilaçe të sjella nga Bashkimi Evropian përmes EULEX-Pharm.
III
Serbia që prej kohësh është duke treguar se nuk ka pësuar asnjë zhvillim të vetëm politik në raport me Kosovën. Politika e saj në kontinuitet ka qenë dhe ështëv negative dhe agresive ndaj Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe pas të ashtuquajturave ndryshime demokratike në qeverisjen e atjeshme pak kohë pas çlirimit të Kosovës. Në realitet, e njëjta frymë, e njëjta logjikë ka vazhduar edhe gjatë viteve të tjera. Edhe situata e re që u krijua në Kosovë gjatë procesit të pavarësimit të vendit, edhe pas shpalljes së pavarësisë, roli i Serbisë ka vazhduar të jetë në kundërshtim me zhvillimet pozitive të mundshme në Kosovë. Konkretisht, strukturat paralele në Kosovë financohet dhe mbahen në të gjitha aspektet nga Qeveria e Serbisë. Edhe të ashtuquajturat zgjedhje lokale në Kosovë kanë sfiduar në masë të madhe procesin e ndërtimit dhe konsolidimit të demokratizimit në Kosovë. Këtu ka rol dhe duhet të ketë ndikim edhe EULEX-i edhe institucionet e Kosovës, nëse qëllimi i përbashkët vazhdon të jetë zhvillimi i demokracisë dhe jetës normale për çdo qytetar. Për të ndërtuar dhe përmirësuar jetën e kosovarëve, institucionet e Kosovës patjetër se duhet ndërruar qajsen dhe mënyrën e veprimit. Politikat mosvepruese të institucioneve të Kosovës duhet të marrin fund, sepse kjo logjikë qeverisëse ka dëmtuar zhvillimet pozitive në vend.
IV
Iniciativat e EULEX-it për të siguruar bashkëpunim me MUP-in e Serbisë duhet të ndërprehet për të paktën tri arsye. Së pari, EULEX-i nuk mund të negociojë dhe nënshkruajë në emër të Kosovës me asnjë shtet tjetër për çështjë të karakterit biletaral, pa marrë autorizimin politik dhe publik të institucioneve të Kosovës. Pavaraësisht interpretimeve të mundshme, kjo nuk ndikon aspak pozitivisht në zhvillimet e brendshme dhe të të jashtme të Kosovë. Thjesht, EULEX-i duhet të ketë të qartë se koha e UNMIK-ut ka kaluar dhe nuk mund të kthehet në këtë formë. Së dyti, nuk mund të ketë asnjë lloj bashkëpunimi të vërtetë dhe korrekt me Qeverinë e Serbisë, sepse politika e saj nuk ka ndryshuar asnjëherë nga politika e udhëhequr nga Millosheviqi. Prandaj, në këtë pozicion, që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, Serbia do të bëjë vetëm obstrukcione në raport me çfarëdo mundësie zhvillimi në Kosovë. Së treti, e ardhmja e Ballkanit nuk është në vendosjen e pozicioneve barrikaduese midis shteteve dhe popujve. Realisht, zhvillimi i demokracisë, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë nuk mund të ndodh pa njohjen e secilit për secilin në bazë të aktualitetit politik në terren. Raporti i forcave në Ballkan ka ndryshuar në masë të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit, sidomos në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës, dhe në vitin 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO. Kjo duhet kuptuar nga të gjithë. Kjo duhet kuptuar edhe nga vet lidershipi institucional i Kosovës.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 24 gusht 2009, fq. 9

Monday, August 17, 2009

Riprovokimi përmes zgjedhjeve

Loja pa fitues

Riprovokimi përmes zgjedhjeve
Organizimi i të ashtuquajturave zgjedhje lokale të parakohme në ‘dy komuna serbe’ në Kosovë është dashur të parandalohet nga komuniteti ndërkombëtar prezent në Kosovë dhe nga qeveria e vendit. Mbrojtja e qytetarëve serbë të Kosovës duhet të bëhet edhe në raport me Serbinë. Kjo është detyrë e shtetit të Kosovës dhe detyrë e misioneve ndërkombëtare në vend
Shkruan: Burim Ramadani
I
Para pak më shumë se një viti, Serbia organizoi zgjedhjet lokale të saj në territorin e Kosovës. Më 11 maj 2008, qeveria e Serbisë mbajti zgjedhjet për të ashtuquajturat komuna të Kosovës. Atë kohë, u nxitën reagime të shumta, kryesisht duke e vlerësuar këtë veprim si provokimin më të rëndë të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së saj rreth tre muaj më parë. Situata e atëhershme ishte sfiduese për shtetin e sapoformuar, duke dëshmuar kështu për problemet dhe vështirësitë e vazhdueshme që do të ballafaqohej Kosova për shkak të politikave të papërmirësuara të Serbisë. Kjo edhe ndodhi. Gjatë tërë kësaj kohe, Serbia ka provokuar në mënyra të ndryshme Kosovën, me qëllim të vënies në pikëpyetje autoritetin dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës. E ashtuquajtura Bashkësia e Komunave Serbe të Kosovës, pas zgjedhjeve ilegale të 11 majit 2008, u formua në frymën e njëjtë të sfidimit të Prishtinës zyrtare. Vendosja e misionit evropian për drejtësi dhe polici ishte sfida e radhës, duke treguar kështu se roli i Serbisë në zhvillimet brenda Kosovës nuk kishte përfunduar. Sidoqoftë, rreth një vit më vonë, Serbia vazhdon provokimin e situatës në Kosovë, përmes organizimit tashmë të ‘zgjedhjeve të parakohshme komunale’.
II
Reprizra e këtij provokimi, në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën metodë, ndodh pak javë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Po ashtu, ky ripropovikim përmes organizimit të zgjedhjeve lokale ndodh pak ditë pas shpalljes së emërimit të Ekipit Përgatitor Komunal për Komunën e Graçanicës, komunë kjo që pritet të krijohet bazuar në dispozitat Kushtetutese dhe ligjore të Kosovës së pavarur. Sikurse është e qartë, përcaktimet ligjore për projektin e decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja me shumicë serbe është derivat i Planit të Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Duke ofruar një gamë të gjerë të kompetencave për vetë-qeverisjen lokale në duar të popullatës së këtushme, projekti i decentralizimit prentendon të përmirësojë raportet ndër-etnike në Kosovë. Kjo përmes involvimit dhe integrimit të elitës politike dhe popullatës serbe të Kosovës në ndërtimin e sistemit të decentralizuar të shtetit të Kosovës. Sidoqoftë, që prej fillimit ishte e qartë se pozicioni i serbëve kosovarë është vështirë të ndryshohet nëse nuk arrihet përmirësim i politikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës. Kjo edhe po tregohet të jetë e vërtetë për shkak të ndërhyrjes së fuqishme që politika destruktive e Beogradit po bën në zhvillimin e jetës së serbëve lokalë të Kosovës.
III
Organizimi i të ashtuquajturave zgjedhje lokale të parakohme në ‘dy komuna serbe’ në Kosovë është dashur të parandalohet nga komuniteti ndërkombëtar prezent në Kosovë, si dhe nga qeveria e vendit. Normalisht se në këtë kuadër nuk duhet të mendohet menjëherë
në metodën e përdorimit të forcës, por janë disa mënyra përmes të cilave institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë kanë mundur të ndikojnë dhe të moslejojnë mbajtjen e tyre. Për shembull bllokimi i të gjitha hapësirave ku mendohet se do të organizohen zgjedhjet, apo moslejimi i kalimit të fletëvotimeve nga Serbia në Kosovë dhe lëvizjes së kutive nëpër Kosovë. Kjo nuk është aspak metodë e përdorimit të forcës, por është thjesht ndalim i kontrabandës me vota. Por, për këtë duhet pasur vullnet politik dhe institucional, sikurse edhe pajtueshmëri me misionet ndërkombëtare që kanë për detyrë ndihmën në zhvillimin dhe funksionalizimin e mekanizmave të sundimit të ligjit në Kosovë. Një politikë e tillë nuk duhet të shihet si e pamundshme, sepse rezultati i saj do të mund të ishte i dobishëm për zhvillimin normal të shtetit të Kosovës. Mbrojtja e qytetarëve serbë të Kosovës duhet të bëhet edhe në raport me Serbinë, pavarësisht nëse kjo duket paradoksale në shikim të parë. Kjo është detyrë e shtetit të Kosovës dhe detyrë e misioneve ndërkombëtare në vend.
IV
Vendosja e shtetit të Kosovës para akteve të tilla që shkelin në mënyrë të fuqishme sovranitetin shtetëror nuk është ndonjë risi. Që prej shpalljes së pavarësisë së vendit, autoritetet qeveritare nuk kanë arritur të shtrijnë kontrollin ligjor në tërë territorin e Kosovës. Pikat dogonare dhe kufitare në kufirin verior me Serbinë u dogjën nga ana e ekstremistëve serbë pak ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Pjesa e shtetit kosovar mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë ka mbetur plotësisht jashtë kontrollit ligjor të shtetit të Kosovës, derisa jeta atje nuk i gjason me asgjë jetës në pjesët tjera të vendit. Krimi i organizuar dhe kontrabanda, në anën tjetër, kanë gjetur hapësirën më të nevojshme për t’u zhvilluar në nivelin më të lartë të parë ndonjëherë në Kosovë. Mund të vlerësohet se veriu i Kosovës është bërë tash sa kohë një ‘planet’ i krimit të organizuar dhe kontrabandës. Sa për ironi, ky aspekt i bashkëpunimit nuk dëmtohet fare nga politika dhe etnia, respektivisht shqiptarët dhe serbët janë mjaft të afërt në bizneset e tyre joligjore. Por, situata nuk është me e mirë as në disa pjesë tjera të Kosovës. Enklavat e popullatës serbe në qendër dhe në lindje /të Kosovës janë zhvilluar edhe më tutje gjatë kësaj kohe, duke mos pasur kontrollin e duhur ligjor të shtetit të ri. Kufiri i Kosovës është bërë lehtë i tejkalueshëm për kontrabandistët jo vetëm në veri, por edhe në pjesët tjera, sidomos në lindje. Kjo dëshmon Serbia është duke vazhduar politikën e aktivitetet e veta në dëm të shtetit të Kosovës, duke ballafaquar autoritetet e këtushme me sfida të rënda që kërkojnë qasje gjithëpërfshirëse të bazuar në sundim të ligjit.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 17 gusht 2009, fq 1 dhe 11

Thursday, August 13, 2009

PDK dhe Internacionalja Socialiste

PDK-ja dhe Internacionalja Socialiste

Të shpallësh dhe të mbrosh me arrogancë shkeljen e konkurrencës së lirë përmes ‘tenderit të mishit’, të shtypësh fjalën e lirë, të angazhohesh për ‘drejtësi sociale’, dhe të marrësh pjesë e të aplikosh për anëtarësim në Internacionalen Socialiste, nuk të lë të jesh i djathtë. PDK-ja e sotme nuk ka pse të mohojë orientimin dhe traditën e majtë. Nëse dikush aty nuk ndihet i majtë, është mirë të rishqyrtojë pozicionin e vet

Shkruan: Burim RAMADANI

Politika kosovare, sikurse edhe Kosova në tërësi, ka hyrë në një fazë të re. Si shoqëri dhe si shtet, ne tashmë jemi përballë prioritetizimit të nevojave ndryshe nga vitet e kaluara.
Sikurse është e qartë, zhvillimet shoqërore dhe politike mund të jenë të shpejta, konstante dhe të ngadalshme. Kjo varet në masë të madhe nga rrethanat, koha dhe vendi, por në mënyrë përcaktuese varet nga njerëzit. Kosova ka nevojë të madhe për zhvillim të përgjithshëm, pra në të gjitha fushat e jetës. Realisht, parakushtet bazike janë të volitshme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shpejtë të Kosovës. Këtu sigurisht përfshihet ndërtimi i shtetit funksional, sundimi i ligjit, demokratizimi i shoqërisë, profilizimi dhe modernizimi i partive politike, konsolidimi i shoqërisë civile, zhvillimi ekonomik dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës. Të gjitha këto kërkojnë dije, mund, energji, angazhim dhe substancë, por mbi të gjitha kërkojnë vullnet politik të elitës.
E njëjta ndodh edhe me partitë politike, si organizime vullnetare me mision ndërtimin dhe udhëheqjen e qeverisjes së niveleve të ndryshme. Kosova, tashmë rreth një vit e gjysmë pas pavarësisë, duket se është drejtuar kah një proces tejet i rëndësishëm i zhvillimit dhe përparimit shoqëror. Ky proces është profilizimi dhe modernizimi i partive politike. Duhet thënë qartë se ky do të jetë një proces jo i lehtë dhe i kushtueshëm në aspektin e investimeve të burimeve njerëzore, përvojës dhe konsulencës së jashtme. Por, sigurisht se do të pajtohemi të gjithë se kjo është e domosdoshme nëse duam që të ndërtojmë ardhmërinë tonë Perëndimore.
I dukshëm është fakti se disa parti politike në Kosovë do të kenë vështirësi më të mëdha në konceptimin, modelimin dhe zbatimin e profilizimit dhe modernizimit të brendshëm të tyre, derisa disa parti të tjera kanë premisa më të mira të këtij drejtimi.

Është, po ashtu, e dukshme se ka parti politike që kanë vendosur tashmë linjat e qarta të rrugës që duan ta ndjekin dhe po bëjnë veprime konkrete në atë drejtim, sikurse është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Cili është në të vërtetë orientimi i AAK-së?
Si parti politike, AAK-ja është duke kaluar me sukses fazën e reformave të brendshme kuadrovike, pas atyre strukturore. Ndryshimi dhe zhvillimi ka ndodhur në AAK, prandaj kjo parti është e përgatitur për të ndryshuar dhe zhvilluar Kosovën. Si parti e orientuar kah qendra e djathtë, AAK-ja ka vendosur katër aspekte domethënëse përcaktuese konceptuale në të cilat bazon vizionin e saj: 1) zhvillimi i demokracisë dhe besimi në vlerat e saj; 2) ekonomia e tregut të lirë dhe konkurrenca e lirë; 3) afirmimi i vlerave kombëtare, shtetërore dhe të traditës; si dhe 4) integrimi euro-atlantik i Kosovës.
Të katër këto aspekte, paraqesin bazamentin e fuqishëm për zhvillimin e AAK-së në drejtim të familjes së madhe të partive të djathta tek shqiptarët dhe Perëndimi. Planet qeverisëse të AAK-së, që janë hartuar e po avancohen për çdo ditë e më shumë nga ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, nuk shkelin asnjëherë dhe në asnjë mënyrë parimet përcaktuese konceptuale partiake, të bazuara në orientimin e djathtë. Aspekti i përcaktimeve në kuadër të ekonomisë, normalisht, është prijës në politikat dhe vizionin e konsoliduar tashmë të AAK-së.
Si parti dinamike që është, AAK-ja nuk ka qasje statike ndaj probleme. Në krahasim me qeverinë e tashme nacionale, AAK-ja dallon në parim nga qasja se si duhet zhvilluar proceset, përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe zgjidhur problemet.

Por, përderisa AAK-ja me vizionin e ri dhe ndryshimet që kanë ndodhur është në orientim të qartë ideologjik të djathtë dhe po ashtu ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike të kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, dhe me tri parti tjera shqiptare të djathta (në Maqedoni, Preshevë dhe Kosovë), disa parti tjera kosovare ende nuk kanë qartësuar as për veten e vet se cili është orientimi që do ta marrin.
Madje, ka edhe aso parti politike që kanë kontradikta tepër të mëdha mes asaj që ndjejnë se janë dhe asaj që synojnë të jenë. Për më tepër, ka edhe aso parti politike që kanë probleme të mëdha konceptuale mes individëve që përfaqësojnë partinë në publik. E tërë kjo tregon për një gjendje jo të lakmueshme të shumë partive politike në Kosovë, të cilat kanë dëshmuar deri më tash se janë udhëhequr dhe qëndrojnë bashkë vetëm mbi interesin për të qenë në pushtet.
Për modelin e fundit, më së miri mund të merret shembull Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Njerëzit kryesorë të saj tashmë kanë hyrë në një fazë ku duket se pos interesit të pushtetit nuk i mban më asgjë tjetër afër njëri-tjetrit. As vlerat, as koncepti, as ideologjia, as e ardhmja.
Për shkak të kësaj gjendjeje, tashmë ka filluar që edhe në opinion të shihet përplasje e fuqishme konceptuale të njerëzve të partisë. Disa në PDK thonë se “ne jemi të majtë dhe angazhohemi për drejtësi sociale”, ndërsa të tjerët thonë se “jemi të djathtë, sepse po privatizojmë çdo gjë”, derisa të tjerët marrin pjesë në Interancionalen Socialiste (në Panel të njëjtë me Edi Ramën dhe Boris Tadiqin) që në vitin 2006.

Për ata që kanë harruar (apo edhe bëhen si të tillë), duhet ritheksuar faktin se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e Internacionales Socialiste, mbajtur më 30 dhe 31 janar 2006 në Athinë. Përpos faktit se vet pjesëmarrja ka treguar qartë orientimin e kësaj partie, zëdhënësja e atëhershme e PDK-së, Vlora Çitaku, më 6 shkurt 2006, në gazetat e përditshme kosovare, pati thënë: “Programi dhe koncepti ideologjik i PDK-së është shumë i përafërt me përfaqësueset më të denja të socialdemokracisë evropiane… PDK në këtë drejtim i ka intensifikuar hapat e bashkëpunimit me këto parti, por edhe me vetë Internacionalen Socialiste, në të cilën edhe ka aplikuar për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota”. Ky konstatim asnjëherë nuk është përgenjështruar nga PDK-ja, as kur ka qenë në opozitë, as sot në qeveri.

Madje, gjatë kohës së qeverisë së tashme, kanë ndodhur veprime që të fusin frikën e të jetuarit në një shtet normal demokratik (edhe nëse qeveria është e majtë). I tillë është vendimi për monopolizimin e importit të produkteve me origjinë shtazore, i njohur në opinion si ‘tenderi i mishit’. Realisht thënë, për njerëzit e formuar dhe të informuar shqetësimi më i madh nuk ka qenë vendimi për të shpallur një tender të tillë, sado që ka shkaktuar dridhje tek mijëra familje dhe dhjetëra biznese kosovare. Tepër shqetësues ka qenë fakti se në Kosovë ende (edhe në vitin 2009) ekziston mentaliteti i tenderit të mishit, logjika e qeverisjes së monopolit, logjika e shkeljes të të gjitha standardeve dhe kritereve të ekonomisë së tregut të lirë, kurajo për të mbytur konkurrencën, logjika e dhunimit të të gjitha të arriturave të deritashme të Kosovës në bashkëpunim me vendet perëndimore. Kjo logjikë është tmerruese, jo vetëm shpallja e tenderit si veprim.


Madje, për të ofenduar inteligjencën e qytetarëve të Kosovës, njerëz që marrin këso lloj vendimesh komuniste dhe që mbrojnë me arrogancë ato, deklarohet se bëjnë politika të djathta. Kjo, dukshëm, nuk është mënyra më e mirë e të bërit politikë.
Të shpallësh dhe të mbrosh me arrogancë shkeljen e konkurrencës përmes ‘tenderit të mishit’, të shtypësh fjalën e lirë, të angazhohesh për ‘drejtësi sociale’, dhe të marrësh pjesë e të aplikosh për anëtarësim me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste, nuk të lë të jesh i djathtë.
PDK-ja e sotme nuk ka pse të mohojë orientimin dhe traditën e majtë. Nëse dikush aty nuk ndihet i majtë, është mirë të rikonsiderojë pozicionin e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 14 gusht 2009, fq.11.

E ardhmja integruese

Loja pa fitues
E ardhmja integruese
Politika e udhëhequr mbi parimin e territoreve ka sjellë gjenocid, spastrim etnik dhe deportim në Ballkan. Agjendat integruese janë treguar më shumë të dobishme. Rajoni ballkanik duhet të drejtohet kah e ardhmja evropiane dhe agjendat integreuese zhvillimore.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Efekti i propozimit publik për një mënyrë tjetër të zgjidhjes së konfliktit në Ballkan ka nxitur një dilemë jo të re: a është zgjidhja e problemeve në Ballkan ndërrimi i kufijve në bazë të parimit etnik? Kjo është dilemë që duket se ka ekzistuar një kohë të gjatë në mentalitetin e vendimmarrësve të ndryshëm të popujve të caktuar në Ballkan dhe si e tillë deri më tash nuk ka sjellë ndonjë zhvillim pozitiv në rajon. Për më tepër, sikurse është e qartë, Ballkani është përcjell me luftëra të gjata, gjenocide dhe spastrime etnike me qëllim të zgjidhjes së konflikteve midis kombeve. Së fundmi, vitet e 90-ta të shekullit të kaluar kanë dëshmuar për dhunë të pakontrollueshme të udhëhequr nga një politikë e bazuar plotësisht në kundërshtimin e ekzistencës së etnive dhe kombeve tjera në fqinjësi. Kjo politikë, e ideuar dhe udhëhequr për dekada të tëra nga kasta e politikës gjenocidiale të Serbisë, ka shkaktuar dhmibje të mëdha në rajonin e Ballkanit, duke përdorur metodat më të rënda të gjenocidit, spastrimit etnik dhe deportimit. Këto metoda dhe ky mentalitet është dëshmuar si jo i dobishëm për bashkë-ekzistencën e kombeve në fqinjësi, ndërsa ka kthyer Ballkanin në një rajon të trazuar nga ndjenja nacionaliste e manipuluar me vite.
II
Territori pa diskutim se është një prej elementeve më të rëndësishme të ekzistencës së kombit dhe ekzistencës së shtetit. Por, qëllimi politik nga territorit gjatë historisë është treguar të jetë një prej pikave më të ndjeshme të jetesës ndërmjet fqinjëve. Dhe, në pothuaj të gjitha kohërat e zhvillimit të njerëzimit, një prej arsyeve kryesore që ka sjellë dhunë dhe luftëra ka qenë pikërisht qëllimi i zotërimit të sa më shumë territoreve. Kjo sado që duket të ishte një politikë e tejkaluar, vazhdon të ekzistojë edhe më tutje në qarqe të ndryshme. Madje, jo vetëm elita politike nacionaliste të kombeve të ndryshme në Ballkan argumentojnë se këto lloj politikash janë të nevojshme për zgjidhjen e konfliktit të stërgjatur nacional në Ballkan. Ditëve të fundit, propozimi i një kongresmeni amerikan ka shkaktuar reagime të ndryshme, herë herë emocionale. Kongresmeni propzoi se zgjidhja më e mirë e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë është shkëmbimi i territoreve, përkatësisht shkëmbimi i një pjesë të veriut të Kosovës me luginën e Preshëves në jug të shtetit serb. Menjëherë reaguan elitat politike të vendeve të ndryshme. Ata që janë në gjendjen më të rëndë ekzistuese e përkrahën, por të tjerët e kundërshtuan atë. Madje, disa thanë se kjo na largon nga Bashkimi Evropian dhe integrimet ndërkombëtare në përgjithësi.
III
Natyra e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje konflikti ka treguar rezultate të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Por, kohët moderne nuk japin ndonjë shembull të pastër suksesi. As në Evropë, as në pjesë të ndryshme të Afrikës e as në Azi nuk ka ndonjë shembull suksesi të kësaj kohe. Madje, edhe zhvillimet në Gjeorgji paraqesin konflikt të pastër etnik për territor. Në kontekstin e Ballkanit, një metodë e tillë e zgjidhjes së konfliktit është e tejkaluar dhe minon arritjet e deritashme në modernizimin e rajonit. Zhvillimi i këtij koncepti në të vërtetë shkatërron të gjithë konceptin dhe modelin e ndërtuar deri më tash. Gjatë këtyre dy dekadave të fundit, investimi i madh i bashkësisë ndërkombëtare, vendeve perëndimore dhe elitave politike është bërë në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve integruese si në aspektin lokal dhe atë rajonal, duke i hapur kështu rrugë integrimeve euro-atlantike. Po ashtu, investim i rëndësishëm është bërë edhe në ndërtimin e modelit qytetar të zgjidhjes së konflikteve me qëllim të shmangies së parimit etnik të bërjes së politikës. Rasti i Kosovës është i bazuar në një model të këtillë. Shteti i Kosovës është i bazuar në ekzistencën e komuniteteve të ndryshme brenda shoqërisë, të cilat kanë të garantuara ligjërisht të drejtat dhe identitetin e tyre.
IV
Interesi nacional i secilit shtet në Ballkan në kohën e tashme lidhet me politikat e mira fqinjësore, bashkëpunimn rajonal dhe integrimet euro-atlantike. Kjo në realitet do të duhej të ishte edhe agjenda e elitës së secilit shtet ballkanik. Agjendat e tilla nuk janë të etabluara ende mirë brenda elitave politike të kombeve të ndryshme. Si pasojë e kësaj qasjeje, edhe më tutje rajoni ballkanik nuk ka të zgjidhur konfliktin etnik për territor midis Serbisë dhe shumicës shqiptare në Kosovë. Madje, kjo politikë e udhëhequr nga parimet etnike për territor dëmtojmë edhe më tutje rrugën e zhvillimit të shtetit të Kosovës. Dhe, duhet thënë qartë në të gjitha rastet se politika e tillë e udhëhequr nga elitat nacionaliste të Serbisë janë të të njëjtës frymë me politikat gjenocidiale që ka zbatuar Millosheviqi. Politika e udhëhequr nga parimi i kontrollit të territorit ka sjellë gjenocid, spastrim etnik dhe deportim. Me një fjalë, dhimbje të pakontrollueshme ndër kombe. Prandaj, ushqimi i ambicieve të këtilla nacionaliste të Serbisë nuk ndikon në zhvillime pozitive në Ballkan. Edhe po të merrej si i qëlluar propozimi për shkëmbim territoresh, zhvillimi i tij në praktikë do të kërkonte edhe një valë të re dhune, deportimi dhe dhimbjeje. Rajoni ballkanik duhet njëherë e mirë të drejtohet kah e ardhmja evropiane dhe agjendat integreuese zhvillimore.
Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri", më 10 gusht 2009, fq. 11

Sunday, August 2, 2009

Si të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar?

Loja pa fitues
Si të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar?
Me krijimin e shtetit, edhe mekanizmat për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në dorën e qeverisë, që do të thotë se edhe përgjegjësia politike e qytetare është mbi udhëheqjen institucionale. Qeveria duhet të ndërmerr hapa të shpejtë dhe të fuqishëm nëse dëshiron të shpëtojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Formulat ekzistojnë, ato duhet të zbatohen me përkushtim
Shkruan: Burim Ramadani
I
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë është bërë domosdoshmëri e padiskutueshme nëse vendi dëshiron të zhvillohet drejt të ardhmes evropiane dhe demokratike. Pak më shumë se dhjetë pas luftës dhe fillimit të jetës së re në Kosovë, institucionet publike janë mbërthyer në nivelin më të avancuar të korrupsionit të deritashëm, duke e kthyer atë nga keqpërdorimit dhe aferat korruptive individuale në sistem korruptiv të dëmshëm të tashmen dhe të ardhmen. Por, korrupsioni nuk është e vetmja dukuri negative në vend. Krimi i organizuar është një tjetër zhvillim negativ, i cili duhet se është më i theksuar tash kur Kosova ka fituar mundësinë e qeverisjes së vetes. Pas shpalljes së pavarësisë, disa raporte ndërkombëtare kanë gjetur mangësi të mëdha të shtetit në aspektin e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar. Madje, Kosova është cilësuar si çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore. Sigurisht se këto dukuri negative nuk janë zhvilluar vetëm në periudhën e pas-shpalljes së pavarësisë, dhe do të ishte gabim nëse kjo çështje trajtohen në atë mënyrë. Pa dyshim se zhvillimi i krimit të organizuar ka kërkuar një periudhë më të gjatë, madje më shumë se dhjetë vjetët e pas-luftës. Porse, me krijimin e shtetit, edhe mekanizmat për luftimin e krimit të organizuar janë në dorën e qeverisë së vendit, që do të thotë se edhe përgjegjësia politike, qytetare dhe kombëtare është mbi udhëheqjen institucionale.
II
Urgjenca e fillimit të një trajtimi ndryshe dhe të vendosur në lufttimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshin të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit. Normalisht se përgjegjësia kryesore e kësaj domosdoshmërie bie mbi qeverinë e Kosovës, si institucioni më i lartë ekzekutiv vendor. Nuk është se institucionet tjera dhe shoqëria civile janë pa përgegjësi, por aspekti ekzekutiv rëndon plotësisht mbi qeverinë e një vendi. Dhe, për të gjithë ata që duan të punojnë në të mirë të vendit dhe shoqërisë, në të mirë të së tashmes dhe të ardhmes, veprimet që duhet të ndërmerren qysh në fillim të qasjes së re janë krejtësisht të qarta. Çka duhet bërë në të vërtetë për të hapur rrugën që të fillojë vendosmërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? Përpos vullnetit të qartë dhe të theksuar politik për të bërë këtë, qeveria e vendit duhet që: të bëjë funksionalizimin e të gjitha mekanizmave të zbatimit të ligjit; të ndërtojë një qasje të posaçme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; të miratojë dhe zbatojë ligjet, strategjitë dhe planet e veprimit për sektorët veç e veç; në mënyrë të veçantë të zhvillojë Policinë e Kosovës, duke ndikuar në profesionalizimin e mëtejshëm dhe autonominë operative të Policisë; të ndërtojë Policinë Kufitare; të aplikojë parimin “Zero tolerancë” për të gjitha profesionet e zbatimit të ligjit; si dhe të qartësojë politikat dhe veprimet për parandalimin dhe reduktimin e krimit.
III
Formula të rëndësishme dhe efikase për luftimin e qartë dhe të fuqishëm të korrupsionit në mënyrë të ndarë nga dukuritë tjera negative janë provuar si të suksesshme në vende të ndryshme të botës. Së fundmi, disa vende të rajonit kanë treguar përparim të dukshëm në zvogëlimin e korrupsionit. Është tejet e rëndësishme që, përpos tjerash, një shtet të largojë dhe zhduk sistemin korruptiv të ndërtuar gjatë kohës. Rasti i tashëm i Kosovës është i ndjeshëm dhe duhet të trajtohet si shtet ku është instaluar sistemi korruptiv institucional. Prandaj, qeveria kosovare duhet që të ndërmerr hapa të shpejtë dhe të fuqishëm nëse dëshiron të shpëtojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Kështu, qeveria duhet që sa më shpejtë që është e mundur të: zvogëlojë shpenzimet qeveritare; zhvillojë dhe ristrukturojë sistemin e regjistrimit të pasurive të patundshme; shtrijë në të gjitha nivelet procesin e tenderimeve on-line dhe të vendosen xhirimet në hapjet e secilit tender; të reformojë të gjitha procedurat në të gjithë sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni; sikurse edhe të rris në mënyrë të dukeshme (realisht të vendos fillimin) transparencën në të gjitha nivelet vendim-marrëse dhe shpenzuese të buxhetit të Kosovës.
IV
Trajtimi i krimit të organizuar është çështje tjetër që kërkon vullnet, guxim, dije dhe përkushtim institucional dhe individual të udhëheqjes së shtetit. Kjo, mbi të gjitha, kërkon shmangien e çfarëdo lloj përzierje të vet udhëheqjes shtetërore në veprimet që përfshihen, ndihmojnë apo nuk pengojnë zhvillimin e krimit të organizuar. Prandaj, institucionet e vendit duhet që sa më parë që është e mundur të: rris buxhetin për të ardhurat e punëtorëve dhe profesionistëve brenda mekanzimave të zbatimit të ligjit; investojë fuqishëm në pajisjet teknike profesionale të nevojshme; funksionalizojë sigurimet e nevojshme për pjesëtarët e mekanzimave të zbatimit të ligjit; investojë në trajnimet më të avancuara për pjesëtarët e mekanzimave të zbatimit të ligjit; anëtarësojë Kosovën në strukturat rajonale dhe ndërkombëtare të luftimit të krimit të organizuar; si dhe të prijë në iniciativat rajonale për luftimin e krimit të organizuar. Përpos kësaj, duhet që definitivisht të aplikohet një parim që ka të bëjë me shmangien e përsëritjes së veprës penale nga të njëjtit zyrtarë apo qytetarë. Parimi “Zero tolerancë” duhet të futet në të gjitha profesionet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. Të dhënat kriminale/penale të personave të dënuar për shkak të ndonjë rasti të korrupsionit apo krimi të organizuar që është shkaktuar lidhur me profesionin e tyre nuk duhet të shlyhen asnjëherë. Mbajtja e dënimit nuk duhet të ketë efekt restaurues në ‘integritetin personal’ të personave përgjegjës për zbatimin e ligjit.
Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 3 gusht 2009, fq.

Po strategjia nacionale e sigurisë?

Po strategjia nacionale e sigurisë?
Është bërë e zankonshme tashmë që për secilin veprim të nevojshëm që duhet të ndërmerr Qeveria, opozita dhe shoqëria civile duhet të bëjë presion të pandalshëm. Ky është rasti edhe me Strategjisë Nacionale të Sigurisë
Shkruan: Burim Ramadani
Më shumë se një vit prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, jo të gjitha përgatitjet fillestare të shtetit janë bërë. Stadi i ri i zhvillimit të Kosovës paraqet nevojën për përgatitje ndaj proceseve të reja, sikurse edhe në aspektin e kompletimit të mekanizmave, trupave dhe dokumenteve të nevojshme për funksionimin e duhur si shtet i barabartë me shtetet tjera. Në këtë kuadër, është koha kur duhet filluar përgatitjet për të marrë përgjegjësitë edhe për sigurinë nacionale të Kosovës, si pjesë tejet e rëndësishme e autoritetit të secilit shtet në botë. Megjithëse, teoritikisht ka definime të ndryshme sa i përket sigurisë në përgjithësi, ajo që është në interes të secilit vend ka të bëjë me sigurinë nacionale. Tashmë edhe në Kosovë është koha të flitet për koncpetin e sigurisë nacionale. Me Kushtetutën e vendit janë përcaktuar qartë se do të themelohen institucionet dhe mekanizmat përkatës të kësaj fushe. Këshilli i Sigurisë së Kosovës (KSK), konkretisht, duhet të ketë rol të rëndësishëm në vlerësimin e sigurisë nacionale, si dhe hartimin e politikave të sigurisë nacionale. Nevoja për të funksionalizuar këtë Këshill është përcaktuese për zhvillimin e një shteti të kompletuar, ndërsa mungesa e këtij Këshilli ka vënë në pah mangësi të ndryshme në këtë aspekt. Ky Këshill është mbledhur deri më tash vetëm dt herë. Së pari, në mbledhjen konstituive dhe së dyti tre muaj më vonë, pas presionit publik të opozitës.
Çështjet që janë në përgjegjësi të KSK-së paraqesin shtylla kryesore për shtetin. E tillë është siguria nacionalel, e cila tradicionalisht është fokusuar në rend të parë mbi kërcënimet ndaj shtetit, dhe përgjigjja ndaj kësaj kishte të bënte kryesisht me kontrollin dhe përdorimin e forcave të armatosura. Derisa forcat e armatosura vazhdojnë të mbeten faktor i rëndësishëm kur vlerësohet sigura nacionale, në dekadat e fundit koncepti i sigurisë nacionale është zgjeruar dhe përfshinë edhe pjesë tjera të sigurisë që në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me presione ndër-shtetërore apo sfidime ushtarake ndaj sovranitetit dhe integritetit të një shteti. Kështu për shembull, tashmë mund të vlerësohet se sulmet ndaj sovranitetit nacional mund të vijnë edhe nga krimi i organizuar, konfliktet etnike dhe/apo religjioze, korrupsioni, kufijtë e pasigurt, migrimi ilegal, shkatërrimi i resurseve nacionale, profilerimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe, sigurisht, terrorizmi ndërkombëtar. Në përgjithësi, nuk ekziston një katalog i kërcënimeve ndaj shtetit, por shumë prej këtyre varen nga pozita gjeografike e shtetit, konstelacionet gjeopolitike dhe perspektivat gjeostrategjike. Kjo varet edhe nga madhësia dhe fuqia e shtetit.
Strategjisë nacionale të sigurisë shpeshherë i referohet edhe me termin “strategjia e madhe” dhe si e tillë ajo paraqet artin dhe shkencën e zhvillimit, integrimit dhe vendosjes së instrumenteve politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, ndërkombëtare dhe instrumente tjera të fuqisë dhe influencës nacionale për të siguruar objektivat politike në luftë dhe paqe. Strategjia nacionale e sigurisë duhet të jetë dhe të kuptohet si e ndarë nga strategjia ushtarake ose doktrina ushtarake e shtetit. Termi ‘strategjia nacionale e sigurisë’ përfshin një proces të planifikuar, sistematik dhe racional. Ajo, në fund të fundit, është një instrument i fokusimit afat-gjatë që ndihmon në drejtimin e ambientit të ardhshëm. Në mungesë të Strategjisë, nuk ka të ardhme të qartë dhe për këtë ne vet jemi dëshmitarë. Strategjia, me një fjali, është vendosja e mjeteve në dispozicion për të siguruar përfundimet e dëshiruara dhe kërkuara. Ajo është arti i kontrollit dhe përdorimit të resurseve të një vendi, përfshirë këtu forcën, drejt qëllimit që interesat vitale të jenë efektshmërisht të promovuara dhe sigurara kundrejt armiqve aktual, potencial apo të presupozuar.
Por, çka duhet të përfshijë Strategjia e Madhe e Kosovës?
Strategjia nacionale e sigurisë së Kosovës duhet të ketë parasysh karakteristkat aktuale në vend, në rajon dhe më gjerë. Qasja e cila teoritikisht shpjegohet si më e efektshme në hartimin e strategjisë së tillë është ajo ‘nga lart-posht’. Kjo qasje fillon me një seri pyetjesh, të cilave duhet dhënë përgjigje gjatë procesit të hartimit: Çka duam të bëjmë? Si e planifikojmë ta bëjmë? Çka synojmë të mbrojmë/ruajmë? Çka synojmë të kundërshtojmë? Çka kemi në dispozion? Çka mund të mos na përputhet? Pse duam t’i bëjmë këto? Duke u dhënë përgjigjje këtyre pyetjeve, gjatë procesit vërehen objektivat politike; ekzekutimet strategjike; kërcënimet, sfidat dhe mundësitë; mjetet; rreziqet; si dhe qëllimet strategjike të dëshiruara dhe të kërkuara. Sigurisht se ruajtja e integritetit territorial, lirisë, pavarësisë, institucioneve politike dhe nderit janë elemente fundamentale për mbijetesën e shtetit.
Por, shtetet e vogla (siç është Kosova) duhet të adresojnë po ashtu edhe çështjen e masës deri ku ato janë të gatshme të pranojnë restrikcionet në sovranitetin e tyre nacional në shkëmbim të sigurisë së përforcuar që arrihet përmes NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Për shkak të prezencës dhe kompetencave të ndjeshme që misionet ndërkombëtare kanë në Kosovë, sigurisht se kjo duhet të përfaqësohet në mënyrë të qartë në Strategjinë Nacionale të Sigurisë së Kosovës. Duke i dhënë një karakter më afat-shkurtër të strategjisë, KSK-ja duhet të vendos qëndrimet parimore të shtetit se prej kur synon të zhvillojë dhe ruajë sigurinë nacionale pa llogaritur në kapacitetet e tashme ndërkombëtare në vend.
Sidoqoftë, për të pasur të qartë Strategjinë, duhet qartësuar qëllimet e dëshiruara dhe të kërkuara. Apo, sikurse thuhet nga autorët që merren me këtë fushë: “Nëse nuk e dini se çka doni të bëni, nuk mund ta planifikoni si do ta bëni”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Botuar në "Koha DITORE" më 1 gusht 2009, fq. 11.

Friday, July 31, 2009

Prioriteti për sundim të ligjit

Loja pa fitues
Prioriteti për sundim të ligjit
Të vendosësh sundimin e ligjit si prioritet qeverisës do të thotë të mos shkelësh vet ligjin. Të vendosësh sigurinë e përgjithshme si prioritet qeverisës do të thotë të respektosh detyrën themelore shtetërore që secili institucion qeverisës ka.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Atëherë kur sundimi i ligjit nuk do të jetë çështje e përditshme diskutimi në Kosovë, atëherë mund të flitet për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi. Derisa është e kundërta dhe vazhdon kjo gjendje e rëndë në sektorin e sundimit të ligjit, kosovarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për sfidat që kanë përpara. Dhe, këto sfida për shtetin dhe qytetarët e Kosovës nuk janë të pakta. Deri më tash disa herë janë publikuar raporte nga organizata ndërkombëtare dhe shtete të fuqishme të botës për nivelin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë. Disa raporte e kanë vlerësuar Kosovën si çerdhe të trafikimit me qenie njerëzore, të tjera raporte kanë theksuar se kufijtë e Kosovës janë tepër të brishtë dhe si të tillë mund të kalohen pa ndonjë vështirësi nga grupe dhe individë të ndryshëm që i përkasin organizatave dhe lëvizjeve terroriste të botës. Të tilla raporte kanë konstatuar vështirësi dhe probleme domethënëse me të cilat përballet Kosova në këto drejtime. Po ashtu, raportet e tilla profesionale kanë paralajmëruar për sfidat dhe kërcënimet e mëdha që mund të përballet Kosova, sikurse edhe rajoni në vitet në vazhdim.
II
Asnjëherë deri më tash nuk është vërejtur se Qeveria e Kosovës, në përbërjen e tashme si qeveri e parë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, të ketë vendosur si prioritet sundimin e ligjit dhe sektorin e sigurisë në përgjithësi. Kjo normalisht se nuk është pranuar nga institucionet e vendit, por praktikisht është e qartë. Të vendosësh sundimin e ligjit si prioritet qeverisës, do të thotë të mos shkelësh vet ligjin. Të vendosësh sigurinë e përgjithshme si prioritet qeverisës, do të thotë të respektosh detyrën shtetërore që të kanë dhënë zgjedhësit. Të vendosësh si prioritet luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, do të thotë t’i qëndrosh i pastër përball këtyre dukurive kancerogjene. Por, kjo sigurisht se është vështirë të ndodh në këtë qeverisje dhe me këtë strukturë njerëzish, të cilët duket se janë përfshirë në të gjitha elementet e veta në këto lloj ‘biznesesh’. Për më tepër, as familjarët e afërm e të largët të kategorisë së caktuara udhëheqëse të vendit nuk janë përjashtuar nga mundësitë që i jep pushteti për t’u keqpërdorur. Kjo, realisht, dëmton vendit, shkatërron zhvillimin e mundshëm të qytetarëve dhe fundos të ardhmen prosperuese. Asnjë vend në botë deri më tash nuk ka mundur të qëndrojë funksional nëse udhëheqja e vet është përfshirë në mënyrë kaq të thellë në interesa personale apo grupore.
III
Kosova e këtyre ditëve ka nevojë për një qasje tjetër, përkatësisht qasje zhvillimore, prosperuese dhe të dobishme për të gjithë qytetarët e vendit. Pos grupeve të caktuara apo kategorive të veçanta që meritojnë tretman të posaçëm ligjor, qytetarët e vendit kanë nevojë për perspektivë të qartë evropiane, moderne dhe zhvillimore. Kjo e tashmja nuk është rruga e sigurt për të ardhmen. Këtë e ka dëshmuar edhe fakti se Kosova nuk shtë përfshirë fare në procesin e liberalizimit të vizave. Për më tepër, zyrtarët e lartë evropianë ia kanë thënë në sy Kosovës se duhet të plotësojë kriteret nëse dëshiron të përfshihet në këtë proces. Kështu ka thënë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana. Ai e theksoi këtë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e kryetarit të Kosovës. Por, as kryetari e as shefi i tij praktik, Kryeministri, nuk kundërshtuan qëndrimet e Solanës se ky proces kërkon punë teknike. E njëjta gjë vlen edhe për shumë drejtime tjera të rëndësishme për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve. Sundimi i ligjit dhe siguria e përgjithshme janë çështje që kërkojnë vullnet politik, dije dhe përkushtim. Të gjitha pengesat e mundshme janë plotësisht të tejkalueshme, ashtu sikurse i kanë tejkaluar shumë vende të botës.
IV
Aleanca për zhvillim është ajo që i duhet vendit. Kjo nënkupton dy qasje themelore. Së pari, bashkimin e kapaciteteve të përgjithshme të vendit. Këtu duhet të përfshihen të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po vazhdojnë të bëjnë këtë për vendin dhe të ardhmen. Po ashtu, në këtë aleancë duhet t’i jepet vend qendror edhe kapaciteteve të reja të vendit, të shkolluar në universitetet brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe të profesionalizuar në sektorë të ndryshëm të rëndësishëm për të ardhmen. Së dyti, orientimi i politikave zhvillimore është më se i domosdoshëm për qëllimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve të vendit dhe po ashtu ndërtimit të mundësive për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, shoqëror e politik. Por, kjo kërkon qartësi në vendosjen e prioriteteve dhe përkushtim në zbatimin e tyre. Patjetër se sundimi i ligjit është parakusht i domosdoshëm për të shtyrë proceset në drejtimet pozitive të vendit. Qasja e re qeverisëse duhet të bazohet në këtë aspekt, sepse ky është model që u tregua të jetë i suksesshëm për shumë vendeve të botës që kanë kaluar fazën e tranzicionit. Për më tepër, Kosova ka prezent edhe misione të duhura ndërkombëtare të cilat mund t’i ndihmojnë vendit në mënyrë të fuqishme. Por, për t’i vënë në lëvizje të gjitha kapacitetet e shtetit, duhet plotësuar një kusht: të qeveriset me mendje dhe duar të pastra.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 27 korrik 2009, fq. 13.

Sunday, July 19, 2009

Ku mbeti OKB-ja?



Loja pa fitues

Ku mbeti OKB-ja?

Kryeministri Thaçi pohoi se paska folur me politikanë të Serbisë dhe se ata i kanë thënë që shpejt do ta njohin Kosovën. Ndoshta, është mirë që kryeministri të flet me Serbinë edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mund të ndodh që ata kolegët e tij në Serbi t’i ndihmojnë edhe në këtë aspekt

Shkruan:
Burim Ramadani

I
Tashmë duket se liderët e institucioneve kanë harruar edhe ta përmendin mundësinë e anëtarësimit të Kosovën në OKB. Sigurisht se qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerëve të interesuar u kujtohet në mënyrë të pastër zotimet e zëshme të udhëheqjes institucionale të Kosovës se vendi do të anëtarësohet shumë shpejt ë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Madje, llogaritë e para publike të prijësve institucionalë u dhanë që pas shpalljes së pavarësisë së vendit, duke thënë se Kosova do të anëtarësohet në vjeshtën e vitit 2008 në OKB. Në atë periudhë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mbajtur sesionin e parë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së UNMIK-ut në një pozitë të paqartë dhe jofunksionale. A thua pse po ndodh kjo? Kjo ndodh për shkak se mungesës së kapaciteteve që diplomacia kosovare ka vënë në veprim. Pra, ajo duhet të shtojë qartësisht kapacitetet e saja vepruese dhe në të njëjtën kohë duhet të ndryshojë apo zhvillojë strategjinë e politikës së jashtme. Në këtë mënyrë do të mund të sigurohemi se janë duke u marrë veprimet e duhura që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Realisht, duhet të pajtohemi me konstatimet e shpeshta tashmë se Kosova është larg synimit të saj për të qenë anëtare e OKB-së. Por, dështimi konsiston në faktin se opinioni asnjëherë nuk ka parë qoftë një ekip të vetëm që merret vetëm me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

II
Urat e komunikimit midis vendeve dhe shteteve sovrane janë komplekse dhe si të tilla ato duhet trajtuar në mënyrë të sigurt, analizuar dhe profesionale. Vetë fakti se Kosova ka dhënë sinjalet se disa vende janë kualitative dhe të tjerat janë vetëm kuantitet në raport me Kosovën, tregon se realisht shteti i ri qysh në fillim ka shfaqur prepotencë dhe qasje indinjuese në marrëdhëniet e veta me botën. Realisht, udhëheqja institucionale e Kosovës duhet të merr mësimet nga këto gabime dhe ato të mos dëmtojnë edhe më tutje ecjen përpara të shtetit të Kosovës. Nëse diksuh sillet në formë prepotente në aspektin e politikës së brendshme dhe mundohet të gjejë fajtor kujdestar për secilin dështim apo veprim të gabueshëm, i njëjti nuk mund të sillet ashtu me shtetet tjera të botës. Kjo paraqet gabim strategjik dhe vendosje të hapave jo të duhur në këtë kohë. Opionionit i kujtohet rasti i arrestimit të tre agjentëve sekret të shtetit të Gjermanisë, i cili në të vërtetë ka shfaqur një skandal të llojit të vet dhe të paparë në relacionet e Kosovës me shtetet mike. Pas disa tentimeve për të mbajtur çështjen të pakthyeshme, disa javë pas ngjarjes kryetari i Kosovës i kërkoi falje Gjermanisë për lëshimin.


III
Rezultatet e munguara të shtetit të Kosovës dëshmon edhe një aspekt tjetër, liberalizimin e vizave. Derisa disa vende të rajonit tashmë kanë arritur t’u mundësojnë qytetarëve të tyre lëvizjen e lirë në BE, ndërsa disa shtete tjera pritet që këtë ta arrijnë gjatë vitit të ardhshëm, rasti i Kosovës bazuar në këtë dinamikë nuk duket pozitiv. Qeveria e Kosovës ka dështuar në fillimin e procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Dështimi ka komponentën politike dhe atë teknike. As nuk u tregua vullnet, dije e përkushtim të Kosovës, e as Brukseli nuk mbylli sytë në raport me Kosovën. Për më tepër, Qeveria e Kosovës asnjëherë deri më tash nuk doli të jep përgjigje të duhura para qytetarëve të Kosovës se përse vendi nuk u përfshi në këtë proces në këtë kohë. Të paktën, do të mund të thonin se kur mendohet apo kur analizohet se kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. Në qoftë se kjo kohë do të ishte pas një apo dhjetë vjetësh, qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar saktësisht. Rruga drejt BE-së, në fakt, është rrugë që forcon Kosovën, zhvillon vendin, përmirëson jetën e qytetarëve të vendit, sikurse edhe aftëson Kosovën që të jetë e barabartë me vendet e rajonit dhe të botës. Normalisht, për këtë është e nevojshme që Kosova ta vendos prioritet të vetin këtë aspekt. Sa më herët aq më mirë. Sa më shpejt aq më dobishëm për vendin.

IV
Përfundimisht, qytetarët e Kosovës kanë nevoja të ndryshme nga ato që janë vendosur në prioritete të këtij modeli të qeverisjes. Apo thënë më qartë, prioritetet e jetës së popullit të Kosovës nuk janë edhe prioritete të qeverisë. Pothuaj asnjëra nga brengat e qytetarëve nuk është përfshirë në prioritetet e punës së qeverisë së Kosovës. As liberalizimi i vizave, as mundësia për zhvillim ekonomik, as integrimet ndërkombëtare, as njohjet e shtetit të Kosovës, as siguria, as lëvizja e lirë, as shëndetësia, as pensionet, as zbutja e varfërisë, as krijimi i vendeve të reja të punës, as të drejtat e njeriut, as liria e shprehjes, as zhvillimi arsimor, as Kushtetutshmëria, as sundimi i ligjit, as lufta kundër korrupsiont e krimit të organizuar, e as anëtarësimi në OKB. Rruga drejt OKB-së duket se do të jetë rrugë e mundimshme. Ajo kërkon shumë punë, angazhim me përkushtim dhe zhvillim të brendshëm të vendit dhe demokracisë. Për këtë duhet punuar me miqtë e kombit. Ndër margaritarët e deklaratave, disa ditë më parë kryeministri Thaçi tha se paska folur me politikanë të Serbisë dhe ata i kanë thënë se shpejt do ta njohin Kosovën. Ndoshta, është mirë që kryeministri të flet me Serbinë edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mund të ndodh që ata kolegët e tij në Serbi t’i ndihmojnë edhe në këtë aspekt.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”

Botuar në “Zëri” më 20 korrik 2009, fq.

Saturday, July 18, 2009

Hajnia e harruar

Loja pa fitues
Hajnia e harruar
Qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës: humbja totale e besimit të publikut ndaj Policisë dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder dhe profesionalizëm
Shkruan: Burim Ramadani
I
Hajnia në qendër të komandës së Policisë së Kosovës tashmë duket se po shkon në histori. Më shumë se dy muaj pas njoftimit publik se është vjedhur Dhoma e Dëshmive të Departamentit të Krimit të Organizuar në Shtabin Qendror të Policisë së Kosovës, ende nuk është njoftuar për ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, deri më tash nuk është parë as ndonjë qasje profesionale dhe qasje e paanshme që do të duhej të shihnim. Përkundrazi, disa javë pas vjedhjes skandaloze dhe pas presionit publik të opozitës dhe profesionistëve, u njoftua për arrestimin e tre personave që ‘mund’ të kenë lidhje edhe me vjedhjen në polici. Por, brenda ditës tjetër personat u liruan nga ky aspekt i dyshimit, duke bërë kështu edhe më të komplikuar situatën rreth mundësisë së zbardhjes së rastit të rëndë skandaloz. Pa dashur që vlerësimet e tashme të pretendojnë politikat operative të Policisë së Kosovës, është mëse e qartë se qasja joserioze e ka dëmtuar në mënyrë të fuqishme hetimin rreth këtij rasti mafioz, që përfaqëson në mënyrë të saktë metodat e funksionimit të krimit të organizuar në një shtet. Me pak fjalë, ajo që po ndodh në këtë rast pas skandalit të madh është fakti se nuk ka pasur asnjëherë qasje profesionale dhe të paanshme të hetimeve, ka pasur mjegullim të hetimeve, jo transparencë dhe joefikasitet, ka pasur konflikt të pastër interesi, sikurse edhe mungesë vullneti politik nga qeveria për të bërë veprimet e nevojshme drejt zbardhjes së rastit.
II
Arritjet e deritashme të Policisë së Kosovë janë duke u vënë në pikëpyetje të fuqishme para syve të qytetarëve, opinionit të interesuar, mekanizmave ndërkombëtarë dhe shteteve të interesuara për bashkëpunim. Kjo është njëra prej pasojave më të mëdha të mundshme që shkaktohet për faktin se rasti skandaloz i vjedhjes në Policinë e Kosovës nuk është duke u trajtuar seriozisht dhe, si i tillë, nuk mund të zbardhet me këtë lloj qasjeje. Qeveritarët nuk hezituan që qysh prej fillimit të publikimit të këtij rasti të thonë se do të jetë vetë Policia ajo që do të merret, operojë, hetojë dhe zbardhë rastin e rëndë, por në të kundërtën ata ndikuan si është më së keqi që ky rast të mbetet në sirtaret e Policisë së Kosovës. Për më tepër dhe për më keq, qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës. Dëmi në këtë mes është humbja totale e besimit të publikut për Policinë e Kosoëvs, si dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder, profesionalitet dhe fanatizëm në detyrat policore. Të këtilla konstatime fatkeqe mund të dëgjosh për çdo ditë nga oficerë të thjeshtë policie e deri te oficerë menaxhues të Policisë së Kosovës. Kostoja e kësaj politike dëmtuese, dobësuese dhe shkatërruese të Policisë është e madhe për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Prandaj, kjo duhet të ndalet menjeherë.
III
Janë gati dhjetë vjet që është investuar në mënyrë të fuqishme në Policinë e Kosovës dhe sidomos në aspektin e rritjes dhe zgjerimit të besueshmërisë së publikut për Policinë. Tregimi më i suksesshëm i Kosovës, ashtu sikurse është vlerësuar Policia e Kosovës deri më tash, nuk është vënë asnjëherë nën presion të politikës dhe politikanëve për interesat e tyre personale apo grupore. Kjo mënyrë e qeverisjes së tashme në raport me Policinë e Kosovës është duke dëmtuar realisht shpirtin e Policisë së Kosovës, mundësisë së saj për zhvillim të brendshëm profesional, për performancë profesionale, sikurse edhe që dëmton vetë qëllimin fisnik të ekzistencës së forcës policore në një vend demokratik. Duke iu përzier jo vetëm në temat e mëdha që duhet të shtjellohen nga Policia, por duke iu përzier dhe intervenuar madje edhe në shqiptimin e tiketave në rrugët e Kosovës, qeveria dhe qeveritarët kosovarë janë duke ulur pashmangshmërisht vlerën e Policisë, aftësinë policore për veprim dhe zhvillimin e saj profesional. Duke cenuar për çdo ditë autonominë operative të Policisë së Kosovës, duke bllokuar iniciativën zhvillimore policore, duke pamundësuar aftësinë vendim-marrësë të Policisë së Kosovës, qeveria dhe qeveritarët aktualë kosovarë janë duke dobësuar thellësisht strukturën dhe institucionin policor të Kosovës. Kjo nuk është e paqëllimshme dhe pa dyshim se synimi është keqpërdorimi dhe kontrollimi i plotë i secilit veprim që do të drejtohej kah sundimi i ligjit.
IV
Nocioni i zhvillimit policor dëshmon të kundërtën e asaj që po ndodh në Kosovë. Zhvillimi policor në shtetet demokratike është i lidhur në mënyrë direkte me qasjen profesionale dhe të matur që ka politika për forcën apo shërbimin policor të vendit, sikurse edhe në raportet e qartësuara ligjore midis civilëve dhe uniformës. Në funksion të kësaj, civilët (qeveria) ka për detyrë t’i ofrojë mundësitë financiare dhe administrative për zhvillimin profesional të uniformës. Por, në Kosovë ka ndodhur pikërisht e kundërta. Qeveria e Kosovës i ka shkurtuar buxhetin Policisë së vendit për rreth pesë milionë dhe kjo ka shkaktuar dëmtim apo pamundësim të ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve kapitale të nevojshme brenda institucionit policor. Më tej, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e interesuar dhe nuk ka bërë asnjë hap konkret për zbatimin e Ligjit për Policinë. Madje, ka pasur shkelje flagrante të Ligjit për Policinë, sidomos në emërimet e stafit të lartë menaxhues brenda Policisë. Po ashtu, qeveria e Kosovës ka bllokuar me forcë iniciativat e sindikatës policore për të protestuar për shkak të mos rritjes së të ardhurave të zyrtarëve policorë. Për më shumë, dëmi që i është bërë policisë, të paktën, në aspektin e investimeve kapitale është theksuar edhe nga vetë përgjegjësi i sektorit të punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës gjatë një paraqitje të tij në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme në fillim të këtij viti.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 13 korrik 2009, fq. 1 dhe 11.