Monday, May 5, 2008

Definimi i interesit nacional

Loja pa fitues

Definimi i interesit nacional

Me shpalljen e Planit të Ahtisarit si interes nacional i Kosovës bëhet plotësisht e qartë se ky Plan në asnjë element nuk mund të ndryshojë për shkak të ideve apo nismave të ndryshme që dikujt mund t’i bien ndërmend për të joshur serbët e Kosovës apo Serbinë. Pasojat e të kundërtës mund të jenë të drejtuar kah humbja e kohës për Kosovën (sikur në dy vjetët e para me Standardet) dhe zgjerimin e Planit të Ahtisarit si strategji për zgjidhjen e konfliktit etnik në Kosovë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Pas rreth tre muaj prej se Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, korniza e zhvillimeve të brendshme politike dhe të sigurisë ka mbetur e paqartë dhe e brishtë. Madje, për më tepër, nuk është qartësuar as përkushtimi i drejtimit të lëvizjes së shoqërisë kosovare në kuptimin e identifikimit të guximshëm të interesit nacional të Kosovës të paktën në një periudhë afat-shkurtër apo afat-mesme. Sikurse secila organizatë e profilit të caktuar, edhe shteti (si organizatë e kompletuar dhe e autorizuar për përdorim legjitim të forcës) duhet të ketë të përcaktuar qartë objektivat që dëshiron të arrijë, si dhe mënyrat apo rrugët nëpër të cilat duhet kaluar me përkushtim. Objektivat kryesore të shtetit më pas shpallen interes nacional dhe si të tilla mbrohen fuqishëm nga tendencat e ndryshme që vijnë nga brenda apo jashtë-institucionale dhe nga vendet tjera. Në fakt, interesi nacional mbrohet ndaj interesave nacionale të shteteve tjera të çfarëdo niveli qofshin tendencat e tilla. Parakusht i domosdoshëm për definimin e interesit nacional është vetë kuptimi i plotë i objektivit në mënyrë që të përcaktohet edhe mënyra e arritjes.

II
Pyetja që mund të shtrohet në këtë konteskt është e thjeshtë dhe si e tillë kërkon edhe përgjigje adekuate dhe më pas qartësim të rrugës përpara. Cili është në të vërtetë interesi nacional i Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit më 17 shkurt të vitit 2008? Padyshim se funksionalizimi i shtetit, forcimi i paqes dhe ndërtimi i demokracisë është përgjigja e parë dhe e vetme që mund jepet në cilindo nivel. Atëherë, duhet të shihet objektivisht bazën e shpalljes së pavarësisë dhe obligimeve që kemi marrë si shtet për të ardhmen. Propozimi Gjithëpërfshirës i Ahtisaarit në këtë kuptim është baza dhe synimi i të gjithave që duhet të ndodhin pas 17 shkurtit, përkatësisht pas aktit më të madh historik të Kosovës. Me qëllim të krijimit të të gjitha mekanizmave të duhur dhe të domosdoshëm për të arritur atë që është paraparë në Planin e Ahtisarit, Kosova duhet ta ketë të qartë nuk ka përse të paraqiten dyshime ndaj këtij Plani. Tek e fundit, gati një qind për qind e Kuvendit të Kosovës e ka miratuar këtë plan, duke marrë në të njëjtën kohë të gjitha obligimet që përcaktohen për funksionimin e mëtejshëm të Kosovës.

III
Për të përcaktuar Planin e Ahtisarit si interes nacional të Kosovës, duhet përmbushur dy parakushte themelore. Së pari, duhet të kuptohet nga vetë ne pa mëdyshje se Kosova do të lëviz në drejtimin e përmbushjes së obligimeve të Planit dhe si të tilla këto obligime duhet të kthehen në angazhime të plota të vendit, përkatësisht në top-agjendën e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë kosovare. Së dyti, duhet të bëhet plotësisht e qartë se interesi nacional i Kosovës (Plani i Ahtisarit) në asnjë element nuk mund të ndryshojë për shkak të ideve apo nismave të ndryshme që dikujt mund t’i bien ndërmend për të joshur serbët e Kosovës apo Serbinë në rrugën e saj drejt askundit, por as prej nesh. Me shpalljen e Planit të Ahtisarit si interes nacional të Kosovës jepet mesazhi i fuqishëm nga Prishtina për të ndalur të gjitha përpjekjet e kujtdo qofshin pë t’u futur në ndonjë aventurë të re sikurse është rasti i fundit i filluar nga zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Zhan Mari Geno, për të zhvilluar bisedime me Serbinë për çështje që i takojnë Kosovës. Në këtë mënyrë, edhe oferta për serbët e Kosovës nuk do të mund fare të zgjerohej.

IV
Pasojat e të kundërtës mund të jenë të drejtuar kah humbja e kohës për Kosovën dhe zgjerimin e Planit të Ahtisarit si strategji për zgjidhjen e konfliktit etnik në Kosovë. Nëse institucionet e Kosovës nuk do të angazhohen me kohë në krijimin e mekanizmave, trupave, strategjive dhe planeve për implementimin e Planit të Ahtisarit, kjo do të shkaktonte një status-kuo të paqartësisë politike të Kosovës për aq kohë sa nuk ka veprime konkrete. E njëjta kishte ndodhur për më shumë se dy vjet (2002-2004) kur institucionet e Kosovës nuk kuptuan se ‘Standaret për Kosovën’ është strategjia dalëse për të filluar bisedimet mbi statusin e vendit. Kjo pati shkaktuar humbje në kohë, sepse në fund të fundit përsëri është dashur që të punohet me kapacitet të plotë në përmbushjen e standardeve. Pasoja e dytë ka të bëjë me idetë dhe nismat për të bërë kompromise të reja në raport me serbët e Kosovës dhe qeverinë e Serbisë me qëllim të përmirësimit të raporteve ndër-etnike. Status-kuoja nuk mund të zgjas shumë, prandaj njerëz në nivele të ndryshme do të mendonin për tejkalimin e situatës. Kjo nuk duhet lejuar. Kështu, ngritja e Planit të Ahtisarit në nivel të interesit nacional do të mundësonte Kosovën të mos shkojë asnjë hap prapa.

Botuar në “Zëri” më 5 maj 2008, fq. 9.

1 comment:

Anonymous said...

Good words.