Sunday, March 8, 2009

Çoroditja e Universitetit të Prishtinës

Loja pa fitues

Çoroditja e Universitetit të Prishtinës

UP-ja e ndodhur në një kohë ngërçi menaxherial dhe krize identiteti, ku e ka futur udhëheqja e tashme, duket se do të ketë nevojë për disa vjet që të këndellet në mënyrë të plotë dhe të arrijë standard të nivelit të rajonit. Përgjegjësia për këtë gjendje duhet të kërkohet dhe ‘metrat e shtuara katrore’ nuk janë të padukshme
Shkruan: Burim Ramadani

I
Veçantitë e Kosovës nuk kanë të përfunduar. Ashtu sikurse nuk kanë të përfunduar edhe nevojat e mëdha të Kosovës për të ecur përpara, zhvilluar sistemin e përgjithshëm, konsoliduar demokracinë dhe arritur integrimet ndërkombëtare. Por, ajo që po shohim gjatë këtyre viteve është pikërisht e kundërta e asaj që do të duhej të shihnin. Arsimi i lartë është njëra prej fushave ku gjendja nuk është më e mira dhe Universiteti i Prishtinës është institucioni që të vë në pozitë për të qarë me zë. Gjendja e rëndë që ka kapluar Universitetin e Prishtinës nuk është e re, por viteve të fundit ajo ka degraduar në shkallë të jashtëzakonshme, duke bërë kështu shembullin e radhës se si nuk duhet punuar në Kosovë. Udhëheqja e viteve të fundit e UP-së jo vetëm se nuk ka treguar aftësi për të zhvilluar një sistem bashkëkohor edhe në Kosovë, por është futur edhe më thellë se paraardhësit e tyre në frenimin, bllokimin dhe shkatërrimin e çfarëdolloj nisme, ndryshimi, ecje përpara apo zhvillimi. Kjo udhëheqje e korruptuar e viteve të fundit është dashur të jetë subjekt i ndëshikimit ligjor dhe politik, nëse dikush ka menduar të ndalë tatëpjetën që ka marrë UP-ja.

II
Bllokimi i secilës nismë normale dhe legjitime, kontrolli i çfarëdo gjëje nga lart dhe plotësimi i interesave personale të udhëheqjes kanë qenë karakteristikat kryesore të mënyrës së menaxhimit të UP-së në vitet e fundit. Kur kësaj i shtojmë edhe korrupsionin e sistematizuar aty, atëherë është e qartë se si është “zhvilluar” UP-ja këtyre viteve. Byfetë e Fakulteteve kanë qenë dhe kanë mbetur aksioni i vetëm i “reformës” në UP dhe kjo fatkeqësisht nuk është përcjell as edhe me një element të vetëm domethënës. Çdo gjë ka vazhduar sikurse më herët, madje edhe shumë më keq. Por, cilat janë karakteristikat kryesore të mosndryshimit? Ligjëruesit dhe asistentët janë pranuar vetëm në bazë të njohjes dhe interesit personal të udhëheqjes (një kohë të gjatë edhe të partisë udhëheqëse politike të tashme); listat e studentëve janë “plotësuar” sipas qejfit, interesit personal të udhëheqjes dhe sipas intervenimeve partiake; bursat e ofruara nga universitetet e jashtme janë ndarë sipas lidhjeve të udhëheqjes dhe familjarëve të udhëheqësve politik; notat kanë vazhduar të jepen nëpër kabinete; etj. Kjo është gjendje e mjerueshme.

III
Veç këtyre karakteristikave, studentët nuk kanë gëzuar fare mbështetjen e universitetit të tyre. Ka pasur raste gjatë këtyre viteve kur studentët janë bllokuar të bashkëpunojnë me profesorë apo universitete të famshme botërore. Dhe, kjo bie ndesh plotësisht me proklamimin e udhëheqjes së tashme se është e moderuar dhe bashkëkohore. Nëse është dashur një letër e thjeshtë konfirmimi nga ana e udhëheqjes së UP-së për një profesor akademik të njohur ndërkombëtar që ai të angazhohet për mentor ose bashkë-mentor të punimeve diplomuese të studentëve, kjo nuk ka ndodhur dhe në këtë formë është bllokuar mundësia e tillë. Për më tepër, është plotësisht e çuditshme kur profesori i njohur ndërkombëtar nuk kërkonte as edhe një obligim nga Universiteti i Prishtinës. Krejt çka duhej ishte një letër e thjeshtë konfirmimi se UP-ja i mundëson atij të angazhohet sipas marrëveshjes që ai ka bërë me studentin në fjalë. Kjo nuk ka ndodhur. Kjo, në fakt, është bllokuar pikërisht nga njerëz që e kanë gojën përplot me reforma, shiten si të dijshëm dhe të moderuar në opinionin publik, por që në realitet i kanë shkaktuar dëme tejet të mëdha Universitetit të Prishtinës, studentëve dhe të ardhmes së shoqërisë.

IV
Bazuar në gjendjen e paprecendentë të krijuar viteve të fundit, Universiteti i Prishtinës është tepër larg të qenit një institucion kredibil. Janë shuar të gjitha shpresat që gjatë kësaj kohe të ketë pasur ndonjëherë ide të mira për të zhvilluar universitetin. Ide të “mira” duket se ka pasur vetëm në raste personale, kur udhëheqjes i është dashur rritja e metrave katrore dhe të tilla drejtime. Numri i studentëve, cilësia e ligjërimit dhe procesit mësimor, institutet shkencore apo hulumtuese, shkëmbimi i përvojave të stafit akademik dhe studentëve, revistat akademike, angazhimet profesionale dhe zhvillime të këtilla do të mbeten të shihen nëse mund të realizohen nga udhëheqja e ardhshme e UP-së. E tashmja, asgjë nga këto nuk i bërë, e duket se as që i ka menduar në të vërtetë. Sidoqoftë, UP-ja e ndodhur në një kohë ngërçi menaxherial dhe krize identiteti, ku e ka futur udhëheqja e tashme, duket se do të ketë nevojë për disa vjet që të këndellet në mënyrë të plotë dhe të arrijë standard të nivelit të rajonit. Në të njëjtën kohë, shoqëria kosovare duhet të kërkojë përgjegjësi për këtë gjendje të rëndë në UP. Përgjegjësia nuk është e pamatshme në këtë rast. ‘Metrat e shtuara katrore’ nuk janë të padukshme.
Botuar në “Zëri” më 9 mars 2009, fq. 10.

No comments: