Thursday, March 19, 2009

Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konsociacionale


Një variant i pavarësisë së Kosovës sipas parimeve konsociacionale

Skënder Zogaj

(Burim Ramadani :”Shteti i komuniteteve (Në zbatim të modelit Ahtisaari”, botoi “Zëri”, Prishtinë 2009)

19 mars 2009
www.botasot.info/home.php?category=15&id=9905

Libri “Shteti i komuniteteve” (Në zbatim të modelit Ahtisaari) është një analizë e thuktë teorike e projektit ndërkombëtar të propozuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në prizmin e implementimit të Pavarësisë së Kosovës.
Në shërbim të këtij qëllimi është në tavolinë “Plani i Ahtisaarit”, një substancë ligjore (dhe kushtetuese) tashmë e aprovuar nga institucionet e Kosovës si dokumenti bazik sipas të cilit duhet të realizohet shtet-bërja dhe funksionalizimi i Republikës së Kosovës së pavarur, e cila aspiron të bëhet shtet funksional, modern, bashkëkohor dhe i mirëfilltë demokratik. Kjo aspiratë tashmë është krejtësisht dhe plotësisht e kushtëzuar nga receta e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës gjë që, mënyra e implementimit të këtij plani është çështja që kërkon zgjidhje...
Burim Ramadani është nga të parët autorë në Kosovë që i rreket “Planit të Ahtisarit” dhe me insistim studimor e hulumton zbatueshmërinë e këtij plani, duke analizuar pikat kyçe të tij, në prizmin e gjetjes së rrugës dhe mënyrave më të mira e më të favorshme të implementimit të këtij Plani në Kosovën e Pavarur. I preokupuar me çështjen e shtet-ndërtimit dhe të funksionalizimit të shtetit të Pavarur të Kosovës, autori në këtë studim ekspediton dokumentin e propozuar të Ahtisarit, në bazë të parimeve konsociacionale dhe përvojës së aplikimit të saj në vende të ndryshme të botës, me probleme të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me Kosovën.
Ky përcaktim i autorit nuk është i rastësishëm, por i bazuar në faktin se, studimi i demokracive konsociacionale ka rezultuar eksperimentime të suksesshme në Austri, Belgjikë, Zvicër, Holandë etj. Autori kornizën teorike për trajtimin e problemit të shtet-ndërtimit të Kosovës sipas modelit të Ahtisarit e ndërlidhë në “Demokracinë konsociacionale” (demokracia jo-konkurruese), teori e re që për herë të parë hyn në botën akademike shqiptare të Kosovës, dhe që autori e sjell jo nga kërshëria për të bërë teorizim, por nga dëshira dhe shpresa e mirë se, kjo teori mund të jetë e vlershme, apo edhe e domosdoshme të zbatohet në Kosovë, siç preferojnë shumë nga studiuesit e famshëm aktualë botërorë. “Hapja e sprovës” me konsociacionalizëm sipas autorit Ramadani është në pajtim të fortë me frymën që zë fill nga “... fundi i tetorit të vitit 2005, kur Sekretari OKB-së, Kofi Annan, i rekomandon Këshillit të Sigurimit të OKB-së hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës” e deri të sintetizimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Modeli i qeverisjes konsociacionale në studimin e Ramadanit reflekton “demokracinë që është e paalternativë” dhe në zbatim të rekomandimeve nga Plani i Ahtisarit sugjerohet varianti konkret i SHTETIT TË KOMUNITETEVE, ku bazament është Demokracia konsociacionale.
Që në hyrje të librit “Shteti i komuniteteve” është Korniza teorike e cila reflekton pikëpamjen fundamentale të Arend Lijphartit, i cili shpjegon se: “Qëllimi bazik i demokracisë konsociacionale (demokracisë pushtetndarëse) është të bëjë të mundur që demokracia të funksionojë në shoqëritë me ndarje të thella” dhe decidivisht thotë: “Unë mendoj se konociacionalizmi është i domosdoshëm për Kosovën.”
Në këtë rrafsh autori ep argumentin e tij “se rrjedhat politike dhe përcaktimet kushtetuese në Kosovën e passhpalljes se pavarësisë paraqesin një demokraci konsociacionale ose pushtetndarëse” dhe me përkushtim studimor thekson nevojat, mundësitë politike e ligjore dhe vështirësitë për zbatimin e konsociacionalizmit në shtetndërtimin e Kosovës, të bazuar në të drejtat dhe garancitë kushtetuese e politike: me kushtetutën si strategji për “ujdi etnike” në ndarjen e pushtetit, ne sistemin elektoral, në të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve, që do të trajtësoheshin me implementimin e një decentralizimi të gjerë dhe pak a shumë të veçantë sikurse edhe vet pavarësia e Kosovës.
Libri ka lëndë të pasur dhe të ngjeshur përmbajtjesore, shtrirje të rrjedhshme dhe të sinkronizuara mirë të gjymtyrëve tematike, që zhvillohen përmes analizës sintetike të gërshetimit të argumenteve teorike, që reflektojnë dhe supozimeve konkrete të një varianti të mundshëm në zbatimit të modelit të Ahtisarit në Kosovë. Hyrja adekuate metodologjike-shkencore, e shquan dhe e bën këtë libër një doracak me vlera të shumëfishta për të gjitha kategoritë e lexuesve, sidomos për ata që pretendojnë një fokusim më serioz në problemin shumë kompleks dhe çështjet shumë të ndjeshme të shtetbërjes së Kosovës sot. Pa fije dyshimi aventura e guximshme në këtë libër është dëshmi e mirëfilltë se Burim Ramadani me shumë sukses, ndër të parët në Kosovë që del me një kontribut konkret për t’i dhënë mundësi gjetjes së zgjidhjeve adekuate dhe të qëndrueshme pavarësisë së Kosovës.

No comments: