Friday, March 20, 2009

Në krah të Haradinajt


Në krah
të Haradinajt

Këshilli Drejtues i AAK’së miratoi sot në mesditë unanimisht vendimin e Kryetarit Ramush Haradinaj për ta emëruar Blerim Kuqin në postin e Sekretarit Organizativ dhe Burim Ramadanin në postin e Sekretarit të Përgjithshëm.




Ish Kryeshefi Ekzekutiv i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Blerim Kuqi dhe Këshilltari i tij Burim Ramadani, zyrtarisht, kaluan të mërkurën në partinë e Ramush Haradinajt, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.Kuqi mori postin e Sekretarit Organizativ, ndërkaq Ramadani atë të Sekretarit të Përgjithshëm të AAK’së. Ramush Haradinaj, në një konferencë për media pasi që Këshilli Drejtues miratoi unanimisht vendimet tij, u shpreh i kënaqur që ka sjellë në AAK dy figura të njohura të LDK’së. “Në Kosovë kemi shumë punë që na presin dhe punët në Kosovë nuk janë duke shkuar në rrugën e duhur. Roli i subjekteve politike është që të sjellin opsion për ta përmirësuar gjendjen në vend. Dhe duke njohur z. Blerim Kuqin, duke njohur kontributin e tij kombëtar, duke njohur kontributin e tij në demokraci dhe shtetndërtim, po ashtu duke njohur njohjet profesionale që ka z. Burim Ramadani, ne kemi vlerësuar si veprim të drejtë që ata të na bashkëngjiten”, tha Haradinaj. Gazetarëve ju ka drejtuar edhe Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, i cili duket të jetë meritor për sjelljen në këtë parti të Blerim Kuqit dhe Burim Ramadanit.“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për AAK’në. Ne këtë mënyrë bëjmë një hap shumë të rëndësishme në drejtim të përmirësimit të Aleancës”, tha ai. Më pas fjalën e kanë marrë edhe Kuqi dhe Ramadani.“Duhet ta pranoj se ka qenë një vendim shumë i vështirë për mua, por mendoj se është veprim i duhur”, tha Kuqi, duke shpjeguar më pas se pse kaloi në AAK. “Ju do të pyesni se pse e lëshova LDK’në? Dua të them vetëm dy fjalë; LDK’ja sot nuk ka Zot Shtëpie edhe është e futur në një gjumë të thellë”, tha Kuqi.Burim Ramadani, ndërkaq, ka thënë se AAK është një parti e hapur. “Jam i bindur se kjo derë e hapur për mua në këtë rast, është e hapur për të gjithë të rinj që duan të angazhohen dhe ata që kanë çfarë të japin për të mirën e përbashkët”, tha Ramadani. Disa orë para se të zyrtarizohet kalimi i Blerim Kuqit në AAK, ka reaguar edhe partia e tij e dikurshme, LDK’ja. Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri tha se ky është një vendimi individual.“Ky është një vendim individual i Blerimit. Këto kanë qenë lëvizje të pritur për motive të caktuara”, ka thënë shkurt Haziri.

No comments: