Sunday, March 22, 2009

Intervenimi i NATO-s, ndërtim i së ardhmes

Loja pa fitues
Intervenimi i NATO-s, ndërtim i së ardhmes
Dhjetë vjet më parë, Perëndimi dhe Pakti NATO ndërhynë ushtarakisht kundër ish-Jugosllavisë së mbetur për të ndalur strategjinë e dhunës së egër që zbatohej kundër popullit të Kosovës. Dhjetë vjet më pas, Kosova vazhdon të thellojë respektin për NATO-n, Perëndimin dhe vlerat demokratike. Ajo duhet të forcohet që, pas pak, të bëhet vetë pjesë e këtyre vlerave
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vendosmëria e pjesës demokratike të bashkësisë ndërkombëtare për të mos lejuar vazhdimin e politikës së spastrimit etnik dhe gjenocidit nga Serbia, si dhe shkeljen e egër e masive të të drejtës ndërkombëtare humanitare, rezultoi para dhjetë vjetësh me operacionin më të madh të Perëndimit në atë që sot në botën akademike njihet si ‘intervenim humanitar’. Jo shumë vjet më parë, Perëndimi, përkatësisht NATO-ja dhe BE-ja, u vunë para sfidës më të madhe parimore dhe humanitare. Serbia kishte fuqizuar në zbatim politikën shtetërore të mbrapshtë dhe në terren strategjinë e saj të dhunës, spastrimit etnik, deportimit masiv dhe gjenocidit, në mënyrë që të zgjidhte konfliktin në Kosovë. Pjesë të kësaj strategjie, në të vërtetë, u patën përdorur disa herë gjatë historisë së shekullit të kaluar, pavarësisht se atëherë ekzistonte shteti federal i Jugosllavisë. Kjo pjesë e strategjisë ishte shpërngulja masive e popullatës së etnisë shqiptare në Kosovës, si rrugë e insistuar nga qarqet nacionaliste serbe mbi udhëheqjen e atëhershme jugosllave. Sidoqoftë, vlerat e konsoliduara demokratike të Perëndimit i dhanë një shancë të fuqishme dhe domethënëse të ardhmes paqësore në Evropë, përfshirë këtu edhe rajonin Ballkanik, pa çka se konflikti politik nuk ka arritur të tejkalohet përfundimisht. Por, ajo që ka ndodhur në mënyrë të pakthyeshme për rajonin me intervenimin ndërkombëtar në Kosovë është lidhja e fuqishme mes Ballkanit dhe NATO-s, lidhje kjo që do të forcohet kur ky rajon të jetë në gjendje t’i bashkohet Paktit.
II
Bashkësia ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ndonjëherë në diskursin ditor të politikës (vendore apo ndërkombëtare) këto ngatërrohen. Me qëllim apo jo, shpesh kemi dëgjuar të thuhet se bashkësia ndërkombëtare përbën në të vërtetë të drejtën (ligjin) ndërkombëtare, apo edhe anasjelltas. Në fakt, këto të dyja funksionojnë në mënyrë të ndarë nga njëra-tjera, ndërkaq asnjëra nuk do të mund të ishte e qëndrueshme si e vetme. Por, në botën akademike ndërkombëtare, pyetjet kryesore të dekadës së fundit kanë të bëjnë me legjitimitetin dhe legalitetit e intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Intervenimi i NATO-s tashmë në teori njihet si ‘intervenim humanitar’ dhe kuptimi i përgjithshëm i termit ‘humanitar’ është përshkrimi i veprimeve që bëhen “duke pasur parasysh interesin e humanitetit apo njerëzimit; fokusimin për përmirësimin e jetës së njerëzve dhe zvogëlimin e vuajtjeve të atyre që kanë nevojë për ndihmë. Kuptimi i këtij termi në politikën moderne ndërkombëtare ka origjinën në Kodin Lieber të vitit 1863 të Presidentit amerikan Linkoln, po ashtu në Deklaratën e Shën Petersburgut dhe në Konventën e Katërt të Hagës me Regulloret e saj. Si një normë apo element i normave të të drejtës ndërkombëtare që e përbëjnë “humanitaren”, ky term asocion që nga Lufta e Dytë Botërore me një varg marrëveshjesh ndërkombëtare në formë të traktateve, konventave dhe protokolleve.
III
Vrulli i shkeljeve të të drejtës ndërkombëtare humanitare që ndodhi gjatë viteve të 1990-ta në ish-Jugosllavi patjetër se ka kërkuar një goditje të koordinuar ndërkombëtare. Dhe, është e qartë se cilat janë dokumentet bazike ndërkombëtare që merren me këtë fushë. Katër konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet e tyre të vitit 1977 bashkë me Konventën e Hagës, përcaktojnë se çka përbën një luftë; Konventa e Gjenocidit e vitit 1948 definon krimet e gjenocidit; si dhe Karta e Nuremburgut dhe Statuti i Romës is Gjykatës Ndërkombëtare Penale, më 17 korrik 1998, identifikojnë krimet kundër njerëzimit. Këto instrumente, bashkë me Deklaratën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, si dhe vlera të ndryshme themelore të artikuluara në Kartën e OKB-së, përfaqësojnë një kombimin të marrëveshjeve, parime dhe ‘norma shumë të zhvilluara të të drejtave të njeriut’ brenda të drejtës ndërkombëtare. Kohës së fundit, është argumentuar se “intervenimi humanitar është veprim i shteteve të përfshira në përdorimin e forcës së armatosur kundër një shteti tjetër pa pëlqimin e atij shteti, me apo pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me qëllim të parandalimit apo ndalimit të shkeljes së egër dhe masive të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare”. Jugosllavia është ballafaquar gjatë vitete të 90-ta me sanksione dhe pyetja kryesore që duhet të shtrohet në këtë mes është se përse nuk është intervenuar më herët kundër Serbisë dhe jo nëse intervenimi në Kosovë duhet të kishte autorizimin apo jo të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
IV
Bashkimi ushtarak i asaj kohe midis Perëndimit dhe kosovarëve ka ndodhur në terren, ndërsa bashkimi politik ka ndodhur për vite të tëra në Prishtinë e Perëndim. Porse, bashkimi më i rëndësishëm dhe kyç për të gjitha zhvillimet e tashme dhe të ardhme në raportet mes Kosovës dhe Perëndimit është ai i vlerave të përbashkëta, orientimit demokratik dhe integrimit të padiskutueshëm. Qytetarët e Kosovës janë po aq Perëndimorë sa të gjithë qytetarët evropianë dhe kjo bazohet në vlerën e tolerancës, drejtimin e palëkundshëm kah demokracia, liria, të drejtat e njeriut dhe prosperiteti. Kjo është pamja e vërtetë e kosovarëve dhe kjo duhet të jetë rruga për angazhimin e të gjitha energjive politike e shoqërore në Kosovë. Intervenimi i NATO-s në vitin 1999, pos që ka shpëtuar nga dhuna e të gjitha formave një popull të tërë, i ka dhënë një drejtim të shkëlqyeshëm të ardhmes së këtij rajoni, këtyre popujve, sikurse edhe qytetarëve të Kosovës. Dhjetë vjet më parë, Perëndimi dhe Pakti NATO ndërhynë ushtarakisht kundër ish-Jugosllavisë së mbetur për të ndalur strategjinë e dhunës së egër që zbatohej kundër popullit të Kosovës. Dhjetë vjet më pas, Kosova vazhdon të thellojë respektin për NATO-n, Perëndimin dhe vlerat demokratike. Detyra e padiskutueshme e Kosovës është forcimi sa më i shpejtë, që, pas pak, të bëhet vetë pjesë e këtyre vlerave.
Botuar në "Zëri" më 23 mars 2009, fq. 15.

No comments: