Sunday, August 2, 2009

Si të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar?

Loja pa fitues
Si të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar?
Me krijimin e shtetit, edhe mekanizmat për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në dorën e qeverisë, që do të thotë se edhe përgjegjësia politike e qytetare është mbi udhëheqjen institucionale. Qeveria duhet të ndërmerr hapa të shpejtë dhe të fuqishëm nëse dëshiron të shpëtojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Formulat ekzistojnë, ato duhet të zbatohen me përkushtim
Shkruan: Burim Ramadani
I
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë është bërë domosdoshmëri e padiskutueshme nëse vendi dëshiron të zhvillohet drejt të ardhmes evropiane dhe demokratike. Pak më shumë se dhjetë pas luftës dhe fillimit të jetës së re në Kosovë, institucionet publike janë mbërthyer në nivelin më të avancuar të korrupsionit të deritashëm, duke e kthyer atë nga keqpërdorimit dhe aferat korruptive individuale në sistem korruptiv të dëmshëm të tashmen dhe të ardhmen. Por, korrupsioni nuk është e vetmja dukuri negative në vend. Krimi i organizuar është një tjetër zhvillim negativ, i cili duhet se është më i theksuar tash kur Kosova ka fituar mundësinë e qeverisjes së vetes. Pas shpalljes së pavarësisë, disa raporte ndërkombëtare kanë gjetur mangësi të mëdha të shtetit në aspektin e parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar. Madje, Kosova është cilësuar si çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore. Sigurisht se këto dukuri negative nuk janë zhvilluar vetëm në periudhën e pas-shpalljes së pavarësisë, dhe do të ishte gabim nëse kjo çështje trajtohen në atë mënyrë. Pa dyshim se zhvillimi i krimit të organizuar ka kërkuar një periudhë më të gjatë, madje më shumë se dhjetë vjetët e pas-luftës. Porse, me krijimin e shtetit, edhe mekanizmat për luftimin e krimit të organizuar janë në dorën e qeverisë së vendit, që do të thotë se edhe përgjegjësia politike, qytetare dhe kombëtare është mbi udhëheqjen institucionale.
II
Urgjenca e fillimit të një trajtimi ndryshe dhe të vendosur në lufttimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshin të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit. Normalisht se përgjegjësia kryesore e kësaj domosdoshmërie bie mbi qeverinë e Kosovës, si institucioni më i lartë ekzekutiv vendor. Nuk është se institucionet tjera dhe shoqëria civile janë pa përgegjësi, por aspekti ekzekutiv rëndon plotësisht mbi qeverinë e një vendi. Dhe, për të gjithë ata që duan të punojnë në të mirë të vendit dhe shoqërisë, në të mirë të së tashmes dhe të ardhmes, veprimet që duhet të ndërmerren qysh në fillim të qasjes së re janë krejtësisht të qarta. Çka duhet bërë në të vërtetë për të hapur rrugën që të fillojë vendosmërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? Përpos vullnetit të qartë dhe të theksuar politik për të bërë këtë, qeveria e vendit duhet që: të bëjë funksionalizimin e të gjitha mekanizmave të zbatimit të ligjit; të ndërtojë një qasje të posaçme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; të miratojë dhe zbatojë ligjet, strategjitë dhe planet e veprimit për sektorët veç e veç; në mënyrë të veçantë të zhvillojë Policinë e Kosovës, duke ndikuar në profesionalizimin e mëtejshëm dhe autonominë operative të Policisë; të ndërtojë Policinë Kufitare; të aplikojë parimin “Zero tolerancë” për të gjitha profesionet e zbatimit të ligjit; si dhe të qartësojë politikat dhe veprimet për parandalimin dhe reduktimin e krimit.
III
Formula të rëndësishme dhe efikase për luftimin e qartë dhe të fuqishëm të korrupsionit në mënyrë të ndarë nga dukuritë tjera negative janë provuar si të suksesshme në vende të ndryshme të botës. Së fundmi, disa vende të rajonit kanë treguar përparim të dukshëm në zvogëlimin e korrupsionit. Është tejet e rëndësishme që, përpos tjerash, një shtet të largojë dhe zhduk sistemin korruptiv të ndërtuar gjatë kohës. Rasti i tashëm i Kosovës është i ndjeshëm dhe duhet të trajtohet si shtet ku është instaluar sistemi korruptiv institucional. Prandaj, qeveria kosovare duhet që të ndërmerr hapa të shpejtë dhe të fuqishëm nëse dëshiron të shpëtojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Kështu, qeveria duhet që sa më shpejtë që është e mundur të: zvogëlojë shpenzimet qeveritare; zhvillojë dhe ristrukturojë sistemin e regjistrimit të pasurive të patundshme; shtrijë në të gjitha nivelet procesin e tenderimeve on-line dhe të vendosen xhirimet në hapjet e secilit tender; të reformojë të gjitha procedurat në të gjithë sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni; sikurse edhe të rris në mënyrë të dukeshme (realisht të vendos fillimin) transparencën në të gjitha nivelet vendim-marrëse dhe shpenzuese të buxhetit të Kosovës.
IV
Trajtimi i krimit të organizuar është çështje tjetër që kërkon vullnet, guxim, dije dhe përkushtim institucional dhe individual të udhëheqjes së shtetit. Kjo, mbi të gjitha, kërkon shmangien e çfarëdo lloj përzierje të vet udhëheqjes shtetërore në veprimet që përfshihen, ndihmojnë apo nuk pengojnë zhvillimin e krimit të organizuar. Prandaj, institucionet e vendit duhet që sa më parë që është e mundur të: rris buxhetin për të ardhurat e punëtorëve dhe profesionistëve brenda mekanzimave të zbatimit të ligjit; investojë fuqishëm në pajisjet teknike profesionale të nevojshme; funksionalizojë sigurimet e nevojshme për pjesëtarët e mekanzimave të zbatimit të ligjit; investojë në trajnimet më të avancuara për pjesëtarët e mekanzimave të zbatimit të ligjit; anëtarësojë Kosovën në strukturat rajonale dhe ndërkombëtare të luftimit të krimit të organizuar; si dhe të prijë në iniciativat rajonale për luftimin e krimit të organizuar. Përpos kësaj, duhet që definitivisht të aplikohet një parim që ka të bëjë me shmangien e përsëritjes së veprës penale nga të njëjtit zyrtarë apo qytetarë. Parimi “Zero tolerancë” duhet të futet në të gjitha profesionet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. Të dhënat kriminale/penale të personave të dënuar për shkak të ndonjë rasti të korrupsionit apo krimi të organizuar që është shkaktuar lidhur me profesionin e tyre nuk duhet të shlyhen asnjëherë. Mbajtja e dënimit nuk duhet të ketë efekt restaurues në ‘integritetin personal’ të personave përgjegjës për zbatimin e ligjit.
Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 3 gusht 2009, fq.

Po strategjia nacionale e sigurisë?

Po strategjia nacionale e sigurisë?
Është bërë e zankonshme tashmë që për secilin veprim të nevojshëm që duhet të ndërmerr Qeveria, opozita dhe shoqëria civile duhet të bëjë presion të pandalshëm. Ky është rasti edhe me Strategjisë Nacionale të Sigurisë
Shkruan: Burim Ramadani
Më shumë se një vit prej hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, jo të gjitha përgatitjet fillestare të shtetit janë bërë. Stadi i ri i zhvillimit të Kosovës paraqet nevojën për përgatitje ndaj proceseve të reja, sikurse edhe në aspektin e kompletimit të mekanizmave, trupave dhe dokumenteve të nevojshme për funksionimin e duhur si shtet i barabartë me shtetet tjera. Në këtë kuadër, është koha kur duhet filluar përgatitjet për të marrë përgjegjësitë edhe për sigurinë nacionale të Kosovës, si pjesë tejet e rëndësishme e autoritetit të secilit shtet në botë. Megjithëse, teoritikisht ka definime të ndryshme sa i përket sigurisë në përgjithësi, ajo që është në interes të secilit vend ka të bëjë me sigurinë nacionale. Tashmë edhe në Kosovë është koha të flitet për koncpetin e sigurisë nacionale. Me Kushtetutën e vendit janë përcaktuar qartë se do të themelohen institucionet dhe mekanizmat përkatës të kësaj fushe. Këshilli i Sigurisë së Kosovës (KSK), konkretisht, duhet të ketë rol të rëndësishëm në vlerësimin e sigurisë nacionale, si dhe hartimin e politikave të sigurisë nacionale. Nevoja për të funksionalizuar këtë Këshill është përcaktuese për zhvillimin e një shteti të kompletuar, ndërsa mungesa e këtij Këshilli ka vënë në pah mangësi të ndryshme në këtë aspekt. Ky Këshill është mbledhur deri më tash vetëm dt herë. Së pari, në mbledhjen konstituive dhe së dyti tre muaj më vonë, pas presionit publik të opozitës.
Çështjet që janë në përgjegjësi të KSK-së paraqesin shtylla kryesore për shtetin. E tillë është siguria nacionalel, e cila tradicionalisht është fokusuar në rend të parë mbi kërcënimet ndaj shtetit, dhe përgjigjja ndaj kësaj kishte të bënte kryesisht me kontrollin dhe përdorimin e forcave të armatosura. Derisa forcat e armatosura vazhdojnë të mbeten faktor i rëndësishëm kur vlerësohet sigura nacionale, në dekadat e fundit koncepti i sigurisë nacionale është zgjeruar dhe përfshinë edhe pjesë tjera të sigurisë që në të shumtën e rasteve nuk kanë të bëjnë me presione ndër-shtetërore apo sfidime ushtarake ndaj sovranitetit dhe integritetit të një shteti. Kështu për shembull, tashmë mund të vlerësohet se sulmet ndaj sovranitetit nacional mund të vijnë edhe nga krimi i organizuar, konfliktet etnike dhe/apo religjioze, korrupsioni, kufijtë e pasigurt, migrimi ilegal, shkatërrimi i resurseve nacionale, profilerimi i armëve të shkatërrimit në masë dhe, sigurisht, terrorizmi ndërkombëtar. Në përgjithësi, nuk ekziston një katalog i kërcënimeve ndaj shtetit, por shumë prej këtyre varen nga pozita gjeografike e shtetit, konstelacionet gjeopolitike dhe perspektivat gjeostrategjike. Kjo varet edhe nga madhësia dhe fuqia e shtetit.
Strategjisë nacionale të sigurisë shpeshherë i referohet edhe me termin “strategjia e madhe” dhe si e tillë ajo paraqet artin dhe shkencën e zhvillimit, integrimit dhe vendosjes së instrumenteve politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, ndërkombëtare dhe instrumente tjera të fuqisë dhe influencës nacionale për të siguruar objektivat politike në luftë dhe paqe. Strategjia nacionale e sigurisë duhet të jetë dhe të kuptohet si e ndarë nga strategjia ushtarake ose doktrina ushtarake e shtetit. Termi ‘strategjia nacionale e sigurisë’ përfshin një proces të planifikuar, sistematik dhe racional. Ajo, në fund të fundit, është një instrument i fokusimit afat-gjatë që ndihmon në drejtimin e ambientit të ardhshëm. Në mungesë të Strategjisë, nuk ka të ardhme të qartë dhe për këtë ne vet jemi dëshmitarë. Strategjia, me një fjali, është vendosja e mjeteve në dispozicion për të siguruar përfundimet e dëshiruara dhe kërkuara. Ajo është arti i kontrollit dhe përdorimit të resurseve të një vendi, përfshirë këtu forcën, drejt qëllimit që interesat vitale të jenë efektshmërisht të promovuara dhe sigurara kundrejt armiqve aktual, potencial apo të presupozuar.
Por, çka duhet të përfshijë Strategjia e Madhe e Kosovës?
Strategjia nacionale e sigurisë së Kosovës duhet të ketë parasysh karakteristkat aktuale në vend, në rajon dhe më gjerë. Qasja e cila teoritikisht shpjegohet si më e efektshme në hartimin e strategjisë së tillë është ajo ‘nga lart-posht’. Kjo qasje fillon me një seri pyetjesh, të cilave duhet dhënë përgjigje gjatë procesit të hartimit: Çka duam të bëjmë? Si e planifikojmë ta bëjmë? Çka synojmë të mbrojmë/ruajmë? Çka synojmë të kundërshtojmë? Çka kemi në dispozion? Çka mund të mos na përputhet? Pse duam t’i bëjmë këto? Duke u dhënë përgjigjje këtyre pyetjeve, gjatë procesit vërehen objektivat politike; ekzekutimet strategjike; kërcënimet, sfidat dhe mundësitë; mjetet; rreziqet; si dhe qëllimet strategjike të dëshiruara dhe të kërkuara. Sigurisht se ruajtja e integritetit territorial, lirisë, pavarësisë, institucioneve politike dhe nderit janë elemente fundamentale për mbijetesën e shtetit.
Por, shtetet e vogla (siç është Kosova) duhet të adresojnë po ashtu edhe çështjen e masës deri ku ato janë të gatshme të pranojnë restrikcionet në sovranitetin e tyre nacional në shkëmbim të sigurisë së përforcuar që arrihet përmes NATO-s, BE-së dhe OKB-së. Për shkak të prezencës dhe kompetencave të ndjeshme që misionet ndërkombëtare kanë në Kosovë, sigurisht se kjo duhet të përfaqësohet në mënyrë të qartë në Strategjinë Nacionale të Sigurisë së Kosovës. Duke i dhënë një karakter më afat-shkurtër të strategjisë, KSK-ja duhet të vendos qëndrimet parimore të shtetit se prej kur synon të zhvillojë dhe ruajë sigurinë nacionale pa llogaritur në kapacitetet e tashme ndërkombëtare në vend.
Sidoqoftë, për të pasur të qartë Strategjinë, duhet qartësuar qëllimet e dëshiruara dhe të kërkuara. Apo, sikurse thuhet nga autorët që merren me këtë fushë: “Nëse nuk e dini se çka doni të bëni, nuk mund ta planifikoni si do ta bëni”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Botuar në "Koha DITORE" më 1 gusht 2009, fq. 11.

Friday, July 31, 2009

Prioriteti për sundim të ligjit

Loja pa fitues
Prioriteti për sundim të ligjit
Të vendosësh sundimin e ligjit si prioritet qeverisës do të thotë të mos shkelësh vet ligjin. Të vendosësh sigurinë e përgjithshme si prioritet qeverisës do të thotë të respektosh detyrën themelore shtetërore që secili institucion qeverisës ka.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Atëherë kur sundimi i ligjit nuk do të jetë çështje e përditshme diskutimi në Kosovë, atëherë mund të flitet për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi. Derisa është e kundërta dhe vazhdon kjo gjendje e rëndë në sektorin e sundimit të ligjit, kosovarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për sfidat që kanë përpara. Dhe, këto sfida për shtetin dhe qytetarët e Kosovës nuk janë të pakta. Deri më tash disa herë janë publikuar raporte nga organizata ndërkombëtare dhe shtete të fuqishme të botës për nivelin e sigurisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë. Disa raporte e kanë vlerësuar Kosovën si çerdhe të trafikimit me qenie njerëzore, të tjera raporte kanë theksuar se kufijtë e Kosovës janë tepër të brishtë dhe si të tillë mund të kalohen pa ndonjë vështirësi nga grupe dhe individë të ndryshëm që i përkasin organizatave dhe lëvizjeve terroriste të botës. Të tilla raporte kanë konstatuar vështirësi dhe probleme domethënëse me të cilat përballet Kosova në këto drejtime. Po ashtu, raportet e tilla profesionale kanë paralajmëruar për sfidat dhe kërcënimet e mëdha që mund të përballet Kosova, sikurse edhe rajoni në vitet në vazhdim.
II
Asnjëherë deri më tash nuk është vërejtur se Qeveria e Kosovës, në përbërjen e tashme si qeveri e parë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, të ketë vendosur si prioritet sundimin e ligjit dhe sektorin e sigurisë në përgjithësi. Kjo normalisht se nuk është pranuar nga institucionet e vendit, por praktikisht është e qartë. Të vendosësh sundimin e ligjit si prioritet qeverisës, do të thotë të mos shkelësh vet ligjin. Të vendosësh sigurinë e përgjithshme si prioritet qeverisës, do të thotë të respektosh detyrën shtetërore që të kanë dhënë zgjedhësit. Të vendosësh si prioritet luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative, do të thotë t’i qëndrosh i pastër përball këtyre dukurive kancerogjene. Por, kjo sigurisht se është vështirë të ndodh në këtë qeverisje dhe me këtë strukturë njerëzish, të cilët duket se janë përfshirë në të gjitha elementet e veta në këto lloj ‘biznesesh’. Për më tepër, as familjarët e afërm e të largët të kategorisë së caktuara udhëheqëse të vendit nuk janë përjashtuar nga mundësitë që i jep pushteti për t’u keqpërdorur. Kjo, realisht, dëmton vendit, shkatërron zhvillimin e mundshëm të qytetarëve dhe fundos të ardhmen prosperuese. Asnjë vend në botë deri më tash nuk ka mundur të qëndrojë funksional nëse udhëheqja e vet është përfshirë në mënyrë kaq të thellë në interesa personale apo grupore.
III
Kosova e këtyre ditëve ka nevojë për një qasje tjetër, përkatësisht qasje zhvillimore, prosperuese dhe të dobishme për të gjithë qytetarët e vendit. Pos grupeve të caktuara apo kategorive të veçanta që meritojnë tretman të posaçëm ligjor, qytetarët e vendit kanë nevojë për perspektivë të qartë evropiane, moderne dhe zhvillimore. Kjo e tashmja nuk është rruga e sigurt për të ardhmen. Këtë e ka dëshmuar edhe fakti se Kosova nuk shtë përfshirë fare në procesin e liberalizimit të vizave. Për më tepër, zyrtarët e lartë evropianë ia kanë thënë në sy Kosovës se duhet të plotësojë kriteret nëse dëshiron të përfshihet në këtë proces. Kështu ka thënë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana. Ai e theksoi këtë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e kryetarit të Kosovës. Por, as kryetari e as shefi i tij praktik, Kryeministri, nuk kundërshtuan qëndrimet e Solanës se ky proces kërkon punë teknike. E njëjta gjë vlen edhe për shumë drejtime tjera të rëndësishme për shtetin dhe të ardhmen e qytetarëve. Sundimi i ligjit dhe siguria e përgjithshme janë çështje që kërkojnë vullnet politik, dije dhe përkushtim. Të gjitha pengesat e mundshme janë plotësisht të tejkalueshme, ashtu sikurse i kanë tejkaluar shumë vende të botës.
IV
Aleanca për zhvillim është ajo që i duhet vendit. Kjo nënkupton dy qasje themelore. Së pari, bashkimin e kapaciteteve të përgjithshme të vendit. Këtu duhet të përfshihen të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po vazhdojnë të bëjnë këtë për vendin dhe të ardhmen. Po ashtu, në këtë aleancë duhet t’i jepet vend qendror edhe kapaciteteve të reja të vendit, të shkolluar në universitetet brenda dhe jashtë vendit, sikurse edhe të profesionalizuar në sektorë të ndryshëm të rëndësishëm për të ardhmen. Së dyti, orientimi i politikave zhvillimore është më se i domosdoshëm për qëllimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve të vendit dhe po ashtu ndërtimit të mundësive për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, shoqëror e politik. Por, kjo kërkon qartësi në vendosjen e prioriteteve dhe përkushtim në zbatimin e tyre. Patjetër se sundimi i ligjit është parakusht i domosdoshëm për të shtyrë proceset në drejtimet pozitive të vendit. Qasja e re qeverisëse duhet të bazohet në këtë aspekt, sepse ky është model që u tregua të jetë i suksesshëm për shumë vendeve të botës që kanë kaluar fazën e tranzicionit. Për më tepër, Kosova ka prezent edhe misione të duhura ndërkombëtare të cilat mund t’i ndihmojnë vendit në mënyrë të fuqishme. Por, për t’i vënë në lëvizje të gjitha kapacitetet e shtetit, duhet plotësuar një kusht: të qeveriset me mendje dhe duar të pastra.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 27 korrik 2009, fq. 13.

Sunday, July 19, 2009

Ku mbeti OKB-ja?



Loja pa fitues

Ku mbeti OKB-ja?

Kryeministri Thaçi pohoi se paska folur me politikanë të Serbisë dhe se ata i kanë thënë që shpejt do ta njohin Kosovën. Ndoshta, është mirë që kryeministri të flet me Serbinë edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mund të ndodh që ata kolegët e tij në Serbi t’i ndihmojnë edhe në këtë aspekt

Shkruan:
Burim Ramadani

I
Tashmë duket se liderët e institucioneve kanë harruar edhe ta përmendin mundësinë e anëtarësimit të Kosovën në OKB. Sigurisht se qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë të tjerëve të interesuar u kujtohet në mënyrë të pastër zotimet e zëshme të udhëheqjes institucionale të Kosovës se vendi do të anëtarësohet shumë shpejt ë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Madje, llogaritë e para publike të prijësve institucionalë u dhanë që pas shpalljes së pavarësisë së vendit, duke thënë se Kosova do të anëtarësohet në vjeshtën e vitit 2008 në OKB. Në atë periudhë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mbajtur sesionin e parë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së UNMIK-ut në një pozitë të paqartë dhe jofunksionale. A thua pse po ndodh kjo? Kjo ndodh për shkak se mungesës së kapaciteteve që diplomacia kosovare ka vënë në veprim. Pra, ajo duhet të shtojë qartësisht kapacitetet e saja vepruese dhe në të njëjtën kohë duhet të ndryshojë apo zhvillojë strategjinë e politikës së jashtme. Në këtë mënyrë do të mund të sigurohemi se janë duke u marrë veprimet e duhura që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Realisht, duhet të pajtohemi me konstatimet e shpeshta tashmë se Kosova është larg synimit të saj për të qenë anëtare e OKB-së. Por, dështimi konsiston në faktin se opinioni asnjëherë nuk ka parë qoftë një ekip të vetëm që merret vetëm me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

II
Urat e komunikimit midis vendeve dhe shteteve sovrane janë komplekse dhe si të tilla ato duhet trajtuar në mënyrë të sigurt, analizuar dhe profesionale. Vetë fakti se Kosova ka dhënë sinjalet se disa vende janë kualitative dhe të tjerat janë vetëm kuantitet në raport me Kosovën, tregon se realisht shteti i ri qysh në fillim ka shfaqur prepotencë dhe qasje indinjuese në marrëdhëniet e veta me botën. Realisht, udhëheqja institucionale e Kosovës duhet të merr mësimet nga këto gabime dhe ato të mos dëmtojnë edhe më tutje ecjen përpara të shtetit të Kosovës. Nëse diksuh sillet në formë prepotente në aspektin e politikës së brendshme dhe mundohet të gjejë fajtor kujdestar për secilin dështim apo veprim të gabueshëm, i njëjti nuk mund të sillet ashtu me shtetet tjera të botës. Kjo paraqet gabim strategjik dhe vendosje të hapave jo të duhur në këtë kohë. Opionionit i kujtohet rasti i arrestimit të tre agjentëve sekret të shtetit të Gjermanisë, i cili në të vërtetë ka shfaqur një skandal të llojit të vet dhe të paparë në relacionet e Kosovës me shtetet mike. Pas disa tentimeve për të mbajtur çështjen të pakthyeshme, disa javë pas ngjarjes kryetari i Kosovës i kërkoi falje Gjermanisë për lëshimin.


III
Rezultatet e munguara të shtetit të Kosovës dëshmon edhe një aspekt tjetër, liberalizimin e vizave. Derisa disa vende të rajonit tashmë kanë arritur t’u mundësojnë qytetarëve të tyre lëvizjen e lirë në BE, ndërsa disa shtete tjera pritet që këtë ta arrijnë gjatë vitit të ardhshëm, rasti i Kosovës bazuar në këtë dinamikë nuk duket pozitiv. Qeveria e Kosovës ka dështuar në fillimin e procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Dështimi ka komponentën politike dhe atë teknike. As nuk u tregua vullnet, dije e përkushtim të Kosovës, e as Brukseli nuk mbylli sytë në raport me Kosovën. Për më tepër, Qeveria e Kosovës asnjëherë deri më tash nuk doli të jep përgjigje të duhura para qytetarëve të Kosovës se përse vendi nuk u përfshi në këtë proces në këtë kohë. Të paktën, do të mund të thonin se kur mendohet apo kur analizohet se kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. Në qoftë se kjo kohë do të ishte pas një apo dhjetë vjetësh, qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar saktësisht. Rruga drejt BE-së, në fakt, është rrugë që forcon Kosovën, zhvillon vendin, përmirëson jetën e qytetarëve të vendit, sikurse edhe aftëson Kosovën që të jetë e barabartë me vendet e rajonit dhe të botës. Normalisht, për këtë është e nevojshme që Kosova ta vendos prioritet të vetin këtë aspekt. Sa më herët aq më mirë. Sa më shpejt aq më dobishëm për vendin.

IV
Përfundimisht, qytetarët e Kosovës kanë nevoja të ndryshme nga ato që janë vendosur në prioritete të këtij modeli të qeverisjes. Apo thënë më qartë, prioritetet e jetës së popullit të Kosovës nuk janë edhe prioritete të qeverisë. Pothuaj asnjëra nga brengat e qytetarëve nuk është përfshirë në prioritetet e punës së qeverisë së Kosovës. As liberalizimi i vizave, as mundësia për zhvillim ekonomik, as integrimet ndërkombëtare, as njohjet e shtetit të Kosovës, as siguria, as lëvizja e lirë, as shëndetësia, as pensionet, as zbutja e varfërisë, as krijimi i vendeve të reja të punës, as të drejtat e njeriut, as liria e shprehjes, as zhvillimi arsimor, as Kushtetutshmëria, as sundimi i ligjit, as lufta kundër korrupsiont e krimit të organizuar, e as anëtarësimi në OKB. Rruga drejt OKB-së duket se do të jetë rrugë e mundimshme. Ajo kërkon shumë punë, angazhim me përkushtim dhe zhvillim të brendshëm të vendit dhe demokracisë. Për këtë duhet punuar me miqtë e kombit. Ndër margaritarët e deklaratave, disa ditë më parë kryeministri Thaçi tha se paska folur me politikanë të Serbisë dhe ata i kanë thënë se shpejt do ta njohin Kosovën. Ndoshta, është mirë që kryeministri të flet me Serbinë edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Mund të ndodh që ata kolegët e tij në Serbi t’i ndihmojnë edhe në këtë aspekt.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”

Botuar në “Zëri” më 20 korrik 2009, fq.

Saturday, July 18, 2009

Hajnia e harruar

Loja pa fitues
Hajnia e harruar
Qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës: humbja totale e besimit të publikut ndaj Policisë dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder dhe profesionalizëm
Shkruan: Burim Ramadani
I
Hajnia në qendër të komandës së Policisë së Kosovës tashmë duket se po shkon në histori. Më shumë se dy muaj pas njoftimit publik se është vjedhur Dhoma e Dëshmive të Departamentit të Krimit të Organizuar në Shtabin Qendror të Policisë së Kosovës, ende nuk është njoftuar për ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, deri më tash nuk është parë as ndonjë qasje profesionale dhe qasje e paanshme që do të duhej të shihnim. Përkundrazi, disa javë pas vjedhjes skandaloze dhe pas presionit publik të opozitës dhe profesionistëve, u njoftua për arrestimin e tre personave që ‘mund’ të kenë lidhje edhe me vjedhjen në polici. Por, brenda ditës tjetër personat u liruan nga ky aspekt i dyshimit, duke bërë kështu edhe më të komplikuar situatën rreth mundësisë së zbardhjes së rastit të rëndë skandaloz. Pa dashur që vlerësimet e tashme të pretendojnë politikat operative të Policisë së Kosovës, është mëse e qartë se qasja joserioze e ka dëmtuar në mënyrë të fuqishme hetimin rreth këtij rasti mafioz, që përfaqëson në mënyrë të saktë metodat e funksionimit të krimit të organizuar në një shtet. Me pak fjalë, ajo që po ndodh në këtë rast pas skandalit të madh është fakti se nuk ka pasur asnjëherë qasje profesionale dhe të paanshme të hetimeve, ka pasur mjegullim të hetimeve, jo transparencë dhe joefikasitet, ka pasur konflikt të pastër interesi, sikurse edhe mungesë vullneti politik nga qeveria për të bërë veprimet e nevojshme drejt zbardhjes së rastit.
II
Arritjet e deritashme të Policisë së Kosovë janë duke u vënë në pikëpyetje të fuqishme para syve të qytetarëve, opinionit të interesuar, mekanizmave ndërkombëtarë dhe shteteve të interesuara për bashkëpunim. Kjo është njëra prej pasojave më të mëdha të mundshme që shkaktohet për faktin se rasti skandaloz i vjedhjes në Policinë e Kosovës nuk është duke u trajtuar seriozisht dhe, si i tillë, nuk mund të zbardhet me këtë lloj qasjeje. Qeveritarët nuk hezituan që qysh prej fillimit të publikimit të këtij rasti të thonë se do të jetë vetë Policia ajo që do të merret, operojë, hetojë dhe zbardhë rastin e rëndë, por në të kundërtën ata ndikuan si është më së keqi që ky rast të mbetet në sirtaret e Policisë së Kosovës. Për më tepër dhe për më keq, qeveritarët e tashëm duket se nuk kanë llogaritur dëmin e vërtetë që i shkaktohet institucionit të Policisë së Kosovës. Dëmi në këtë mes është humbja totale e besimit të publikut për Policinë e Kosoëvs, si dhe humbja e motivit të zyrtarëve policorë për të shërbyer me nder, profesionalitet dhe fanatizëm në detyrat policore. Të këtilla konstatime fatkeqe mund të dëgjosh për çdo ditë nga oficerë të thjeshtë policie e deri te oficerë menaxhues të Policisë së Kosovës. Kostoja e kësaj politike dëmtuese, dobësuese dhe shkatërruese të Policisë është e madhe për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Prandaj, kjo duhet të ndalet menjeherë.
III
Janë gati dhjetë vjet që është investuar në mënyrë të fuqishme në Policinë e Kosovës dhe sidomos në aspektin e rritjes dhe zgjerimit të besueshmërisë së publikut për Policinë. Tregimi më i suksesshëm i Kosovës, ashtu sikurse është vlerësuar Policia e Kosovës deri më tash, nuk është vënë asnjëherë nën presion të politikës dhe politikanëve për interesat e tyre personale apo grupore. Kjo mënyrë e qeverisjes së tashme në raport me Policinë e Kosovës është duke dëmtuar realisht shpirtin e Policisë së Kosovës, mundësisë së saj për zhvillim të brendshëm profesional, për performancë profesionale, sikurse edhe që dëmton vetë qëllimin fisnik të ekzistencës së forcës policore në një vend demokratik. Duke iu përzier jo vetëm në temat e mëdha që duhet të shtjellohen nga Policia, por duke iu përzier dhe intervenuar madje edhe në shqiptimin e tiketave në rrugët e Kosovës, qeveria dhe qeveritarët kosovarë janë duke ulur pashmangshmërisht vlerën e Policisë, aftësinë policore për veprim dhe zhvillimin e saj profesional. Duke cenuar për çdo ditë autonominë operative të Policisë së Kosovës, duke bllokuar iniciativën zhvillimore policore, duke pamundësuar aftësinë vendim-marrësë të Policisë së Kosovës, qeveria dhe qeveritarët aktualë kosovarë janë duke dobësuar thellësisht strukturën dhe institucionin policor të Kosovës. Kjo nuk është e paqëllimshme dhe pa dyshim se synimi është keqpërdorimi dhe kontrollimi i plotë i secilit veprim që do të drejtohej kah sundimi i ligjit.
IV
Nocioni i zhvillimit policor dëshmon të kundërtën e asaj që po ndodh në Kosovë. Zhvillimi policor në shtetet demokratike është i lidhur në mënyrë direkte me qasjen profesionale dhe të matur që ka politika për forcën apo shërbimin policor të vendit, sikurse edhe në raportet e qartësuara ligjore midis civilëve dhe uniformës. Në funksion të kësaj, civilët (qeveria) ka për detyrë t’i ofrojë mundësitë financiare dhe administrative për zhvillimin profesional të uniformës. Por, në Kosovë ka ndodhur pikërisht e kundërta. Qeveria e Kosovës i ka shkurtuar buxhetin Policisë së vendit për rreth pesë milionë dhe kjo ka shkaktuar dëmtim apo pamundësim të ngritjes së kapaciteteve dhe investimeve kapitale të nevojshme brenda institucionit policor. Më tej, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë e interesuar dhe nuk ka bërë asnjë hap konkret për zbatimin e Ligjit për Policinë. Madje, ka pasur shkelje flagrante të Ligjit për Policinë, sidomos në emërimet e stafit të lartë menaxhues brenda Policisë. Po ashtu, qeveria e Kosovës ka bllokuar me forcë iniciativat e sindikatës policore për të protestuar për shkak të mos rritjes së të ardhurave të zyrtarëve policorë. Për më shumë, dëmi që i është bërë policisë, të paktën, në aspektin e investimeve kapitale është theksuar edhe nga vetë përgjegjësi i sektorit të punëve të brendshme në qeverinë e Kosovës gjatë një paraqitje të tij në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Punë të Brendshme në fillim të këtij viti.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 13 korrik 2009, fq. 1 dhe 11.

Wednesday, July 15, 2009

Guximi i papërgjegjshmërisë

Loja pa fitues
Guximi i papërgjegjshmërisë
Vetëm mbi papërgjegjshmëri qytetare e politike, qeveria gjen guxim të vlerësojë se raportet e fundit ndërkombëtare cilësojnë Kosovën si të suksesshme. Për një vit e gjysmë, janë bërë shumë raporte që kritikojnë rëndë Kosovën. Pas “Freedom House”, së fundmi, gazeta “The Economist” shkroi për të tashmen e sakatosur dhe autoritare të Kosovës
Shkruan: Burim Ramadani
I
Rrumbullaksimi i përpjekjeve të një qeverie në drejtimet e caktuara mund të vlerësohet si i suksesshëm bazuar në dy aspekte kryesore. Së pari, jeta e qytetarëve të atij vendit duhet të ndryshojë apo të ndjejë pozitivisht përpjekjet e qeverisë për të përmirësuar realitetin. Dhe, së dyti, institucionet, organizatat dhe partnerët e përgjithshëm ndërkombëtarë duhet të vlerësojnë në mënyrë pozitive arritjet në drejtimet e duhura. Në rastet kur përpjekjet janë të paqena, pamjaftueshme apo të pasuksesshme, një qeveri apo një zyrtar qeveritar mund të merr guximin e papërgjegjshmërisë që të del para opinionit me konstatime të paqena pozitive për punët në drejtime të ndryshme. Porse, është detyrë qytetare e shtresës aktive e formacioneve politike legale dhe të rregullt, sikurse edhe shoqërisë civile, qytetarëve të ndërgjegjshëm dhe opinion-bërësve të ngrisin shqetësimet dhe vlerësimet e tyre për realitetin që ndodh në atë vend. Përndryshe, e tëra mbetet asgjë më shumë se një mashtrim, manipulim dhe e pavërtetë. Ky, në fakt, është shembulli i Kosovës. Derisa të gjitha elementet tregojnë për mos-arritje të ndonjë pozitiviteti në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të gjitha raportet ndërkombëtare janë negative, qeveria e vendit manipulon opinionin publik me interpretime të pasakta të këtyre raporteve. Të aftë për të lexuar vetë këto raporte ndërkombëtare, qytetarët e Kosovës sigurisht se në këtë mënyrë ofendohen publikisht.
II
E vërteta e raportit të fundit për Kosovën të “Freedom House”, të titullar Nations in Transit 2009, është e rëndë, ashtu sikurse është e rëndë gjendja politike, sociale, ekonomike dhe e sigurisë në vend. Por, kryeministri Thaçi nuk ngurroi që të ngutet e ta vlerësojë këtë raport si më pozitivin dhe më të suksesshmin. Ky raport, realisht, ngrit shqetësime të jashtëzakonshme sa i përket gjendjes së përgjithshme në Kosovës. Më konkresisht, te korrupsioni, në raportin e Freedom House ndër të tjera thuhet se “korrupsioni është ende shumë-përçuar dhe mbetet një prej probleme madhore të Kosovës. Kjo për shkak të mangësive legjislative dhe zbatimit të masave, mungesës së vullnetit politik dhe dobësisë së sistemit gjyqësor”. Për më shumë, aty thuhet se “Përpjekjet e qeverisë kundër korrupsionit kanë qenë të pamjaftueshme gjatë vitit 2008...”. Raporti konstaton se në Kosovë nuk ka vullnet politik për të luftuar këtë dukuri negative. “Përkundër përmirësimit në legjislacion, ekziston mungesë e përgjithshme e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin në Kosovë”. Te qeverisja lokale, në raport ndër të tjera thuhet se “Strukturat administrative paralele të sponzoruara nga Beogradi janë forcuar dhe veprojnë në shumicën e komunave të banuara me shumicë serbe, përfshirë këtu në fushën e drejtësisë, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe shërbimit postar”. Nëse ky është sukses për kryeministrin Thaçi, nuk është sukses për Kosovën.
III
Në të njëjtën kohë, mediat ndërkombëtare kanë filluar të tregojnë për atë që po ndodh në Kosovën e pavarur. “The Economist”, një gazetë e përjavshme në gjuhën angleze me ndikim të fuqishëm në politikën ndërkombëtare, ka botuar në fund të javës së kaluar një artikull që trajton Kosovën si vend jodemokratik. “The Economist” ka publikuar një artikull tepër kritikues ndaj Kosovës, përkatësisht qeverisë së Kosovës në raport me shkeljen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave. Me titullin “Pa kritika, ju lutem” artikulli në fjalë thotë ndër të tjera se “Bosat politikë në Kosovë ngacmojnë mediat e guximshme”. Me reputacionin botëror që ka, gazeta i ka treguar kështu tërë botës, organizatave dhe vendim-marrësve botërorë se në Kosovën e pavarur, Qeveria nuk lejon kritika dhe shkel lirinë e shprehjes. Përafërsisht në të njëjtën frymë është edhe raporti i fundit të “Freedom House”, që u cilësua nga kryeministri Thaçi si tejet i suksesshëm. Te pavarësia e mediave, në raport ndër të tjera thuhet se “mekanizmat legal dhe institucional nuk parandalojnë presionin mbi media”. Aty vlerësohet se “varësia e mediave nga forcat politike minon qëndrueshmërinë e mediave posaçërisht kur ka të bëjë me shpalljet (marketingun) publik si një nga burimet kryesore financiare të mediave”.
IV
Aktualiteti qeverisës në Kosovës, bazuar në shumë aspekte të zhvillimeve, është duke dëmtuar shtetin, shoqërinë dhe të ardhmen demokratike e perëndimore. Duke jetuar në Kosovë dhe punuar për Kosovën, secili qytetar i vendit është dëshmitar i një tendence të vazhdueshme të qeverisë së Kosovës për mashtrimin e opinionit publik në raport me zhvillimet reale që po ndodhin në vend. Në fakt, deklarimet ofenduese për inteligjencën e qytetarëve të Kosovës tashmë janë bërë një rutinë e punës dhe paraqitjeve publike të qeverisë dhe kryeministrit Thaçi. Kjo nuk i kontribuon të ardhmes së shtetit dhe shoqërisë. Kjo nuk i kontribuon zhvillimit të përgjithshëm demokratik dhe integrimeve evro-atlantike. Qytetarët e Kosovës duan të ndjejnë në jetën e tyre të përditshme përmirësimet që duhet të ndodhin. Që nga ruajtja e integritetit të shtetit e deri të ushqimi i sigurt (i pa-monopolizuar), që nga zhdukja e varfërisë ekstreme e deri te arsimi si shtyllë e zhvillimit ekonomik, janë obligime dhe përgjegjësi të pakontestuara të qeverisjes. Kosova ka nevojë për punë dhe veprime konkrete në funksionalizimin e saj, jo demagogji ofenduese dhe përçarëse. “Freedom House” me të drejtë ka konstatuar se Kosova përballet me sfida “sa i përket adresimit të korrupsionit shumë të përçuar, forcimit të institucioneve, krijimit të një Kosove të integruar, dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë”.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”)

E vërteta politike

Loja pa fitues
E vërteta politike
Kosova e këtyre ditëve nuk është peng e politikave të mëdha në raport me Serbinë apo pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur. Kosova nuk është peng e ndonjë padëgjueshmërie qytetare ndaj Qeverisë së shtetit. Përkundrazi, Kosova realisht është peng e mosefikasitetit të qeverisë së vendit në bërjen e politikave konkrete. Kosova është peng e padëgjueshmërisë së qeveritarëve ndaj qytetarëve të vendit
Shkruan: Burim Ramadani
I
A mund të përcaktohet qartë në shoqëri roli i të vërtetës politike apo, të paktën, asaj që besohet se është e vërteta? Si mund të avancohet niveli i ngritjes së presionit publik për zhvillimin e qeverisjes në vend? Realisht, shoqëritë demokratike i kanë të zhvilluara praktikat dhe mekanizmat e ngritjes së njohurive apo vetëdijësimit të opinionit publik për atë që ndodh apo mund të ndodh në vendin e tyre. Kjo sigurisht se është një prej të arriturave më të mëdha të zhvillimit të shtetit modern në kohët e demokracisë, sistem ky që mundëson ndikimin e qytetarëve në vendimmarrje në të gjitha nivelet. Në këtë kuadër, theksimi në publik i asaj që një individ ose një formacion i organizuar politik apo qytetar nuk duhet shikuar domosdo si pjesë e një fushate të organizuar kundër atij apo asaj në një pozitë të caktuar publike. Dhe këtu, roli i partive politike është rol prijës. Detyra e partive politike është të paraqesin vizionin për lehtësimin dhe zhvillimin e jetës së qytetarëve, sikurse edhe të thonë atë që besojnë se është e vërteta qeverisëse. Nëse problemi social është ekstrem, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse Kosova ka mbetur e izoluar dhe nuk është futur në liberalizimin e vizave, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse rrugët e shtruara me shumë bujë dhe shumë kosto po shkatërrohet ende pa u bërë gjysëm viti prej prerjes së shiritit, kjo nuk është akuzë opozitare. Nëse vjedhja në Dhomën e Dëshmive të Policisë nuk është zbardhur ende, kjo nuk është akuzë opozitare.
II
Atëherë kur vendimmarrësit politikë institucionalë të Kosovë të jenë në gjendje të dëgjojnë realisht zërin dhe brengat e qytetarëve të Kosovës, vetëm atëherë mund të fillohet diskutimi për shkallën e avancuar që kemi arritur në demokratizim. Kjo është çështja drejt të cilës është e nevojshme të kthehen sytë e qeveritarëve të tashëm, të cilët kanë lënë mënjanë intereat e qytetarëve, duke i shërbyer në formë të drejtëpërdrejt apo të tërthortë interesave të një klani të caktuar individësh. Ky klan është i lidhur ngusht më shumë skandale të mëdha të deritashme, që nga keqpërdorimi enrom i fondit për festën e shpalljes së pavarësisë, e deri tek vizitat përdyjavshme e shefit të qeverisë më Maqedoni apo Slloveni. Realisht, skandalet e kësaj qeverie nuk kanë të ndalur dhe si të tilla ato po dëmtojnë në mënyrë të fuqishme buxhetin e Kosovës. Për me tepër, qeverisja e këtillë është duke dëmtuar në formë të vrazhdtë imazhin e Kosovës në botë. Të gjitha raportet e mekanzimave, institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, sikurse edhe shteteve të caktuara perëndimore, kanë kritikuar fuqishëm Kosovën për mospërmbushje të kritereve dhe obligimeve shtetërore që ka tash në kohën e integrimeve rajonale e ndërkombëtare. Komisioni Evropian, OSBE-ja, Amnesty International, Transparency International, Human Rights Watch e shuëm organizata tjera ndërkombëtare kanë kritikuar Kosovën. Po ashtu, SHBA-të kanë kritikuar Kosovën dhe e kanë vlerësuar si “çerdhe” të trafikimit me qenie njerëzore.
III
Kosova e këtyre ditëve nuk është vetëm peng e politikave të mëdha në raport me Serbinë apo pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk na ka njohur. Kosova nuk është peng e ndonjë padëgjueshmërie qytetare ndaj Qeverisë së shtetit. Ajo që po ndodh tash është plotësisht e kundërta. Kosova realisht është peng e mosefikasitetit të qeverisë së vendit në bërjen e politikave konkrete. Kosova është peng e padëgjueshmërisë së qeveritarëve ndaj qytetarëve të vendit. Duke instaluar politikën e mosveprimit apo, thënë më direkt, duke mos bërë gtjë, qeveria e Kosovës është kthyer shpeshherë edhe në një pengesë të qartë për zhvillimin e fushave të ndryshme në vend. Më konkretisht, a mund të mendojë dhe pranojë dikush në Kosovë faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë gjetur ende udhëheqjen e Agjencisë Kosovare për Intelegjencë edhe tash pas rreth 15 muajsh prej se kur mund të bëhet kjo? Për vite të tëra, mungesa e një shërbimi intelegjent ka qenë vlerësuar si një prej pengesave dhe mungesave më të mëdha institucionale të Kosovës për të rritur nivelin e sigurisë së përgjithshme brenda vendit. Dhe, tashmë kur kjo do të mund të funksionalizohej për muaj të tërë, udhëheqësit kosovarë nuk mund të merren vesh për të emëruar stafin menaxhues të Agjencisë, për të filluar më pas rekrutimin e pjesëtarëve të shërbimit. Kjo është hiq më pak se një pengesë në zhvillimin e Kosovës, dhe është qartë se pengesa në këtë rast është qeveria.
IV
AAK-ja, si parti opizitare që po kthehet në lëvizje politike me mision funksionalizimin dhe evropianizimin e Kosovës, është aktive në drejtimin e saj të zgjedhur për të orfuar dy qasje themelore për opinionin publik. Së pari, AAK-ja është duke paraqitur në mënyrë të përhershme dhe gjithnjë më të fuqishme vizionin e ri për Kosovën funksionale dhe evropiane. Kjo është domethënëse për qytetarët e Kosovës, për shkak se vizioni i tillë është i bazuar pikërisht në interesat e qytetarëve. Së dyti, AAK-ja në mënyrë të qartë dhe të faktuar është duke ngirtur shqetësimet për të vërtetën qeverisëse në Kosovë, qeverisje që realisht dëmton dhe harxhon shtetin dhe qytetarin e Kosovës. Pavarësisht provokimeve të qarta qeveritare për tensionimin e situatës politike në vend, qytetarëve të Kosovës u intereson e vërteta e tashme dhe vizioni për të ardhmen. Si parti e debatit dhe së ardhmes, AAK-ja është duke kontribuar në identifikimin e të metave të sistemit të instaluar nga logjika e mosveprimit institucional, sikurse është duke ofruar vizionin e vet për të ardhmen e qytetarëve, shtetit dhe shoqërisë kosovare. E tillë duhet të zhvillohet skena politike në vend. E tillë duhet të jetë logjika integruese për shtetin e Kosovës. Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për nevojën e madhe që ka Kosova për t’u funksionalizuar si shtet. E ardhmja e re drejtohet me vizion të ri.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”)

Pse duhet votuar?

Loja pa fitues
Pse duhet votuar?
Megithëse qytetarët u dënuan nga presidenti dhe partitë politikë në koalicion që të dalin në votime në pikë të dimrit, vota e tyre do të përcaktojë rrjedhën e Kosovës për vitet e ardhshme. Janë shumë argumente pse më 15 nëntor duhet votuar dhe pse duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes
Shkruan: Burim Ramadani
I
Në mes të muajit nëntor të këtij viti, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë që me votën e tyre të vendosin për udhëheqjen e ardhshme komunale katërvjeçare. Megjithëse presidenti dhe partitë në koalicion qendror i kanë dënuar qytetarët që të votojnë në dimër (sidomos në rastet e balotazhit), kosovarët kanë para vetes një mori të gjerë të argumenteve përse duhet të dalin në votime dhe se si duhet ta përdorin të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen e udhëheqjes gjatë viteve të ardhshme. Masiviteti i pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti, në realitet, do të dëshmonte interesimin e qytetarëve për të luajtur rolin e padiskutueshëm për zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, tashmë pak më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Dhe është e qartë se roli i qytetarit në vendim-marrje është një prej elementeve themelore të pamohueshme për zhvillimin e sistemit demokratik. Kosova synon që të arrijë stadet më të zhvilluara të demokratizimit, prandaj shoqëria nuk duhet të jetë indiferente ndaj tërë këtyre që po ndodhin gjatë viteve të fundit. Mënyra se si jemi nisur kah demokratizimi është duke u kritikuar nga secili mekanizëm ndërkombëtar. Të gjitha raportet ndërkombëtare dhe të shteteve të fuqishme kanë treguar për mangësi, korrupsion dhe krim të organizuar. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
II
Drejtimi që ka marrë Kosova në kuptimin e nivelit të qeverisjes që është duke u treguar gjatë kësaj kohe, në të vërtetë, paraqet një dilemë të madhe sa i përket demokracisë. Realisht, zhvillimi dhe demokratizimi i plotë i një shoqërie post-konfliktuoze është një proces i gjatë, i ndjeshëm dhe i karakterizuar nga shumë perngesa që burojnë nga vështirësitë e ndërrimit të mentalitetit. E njëjta po ndodh në Kosovën e këtyre muajve. Rezistenca për të ndërruar mentalitetin, frymën dhe modelin qeverisës të bazuar në sistemin e kaluar famëkeq komunist është duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit dhe shoqërisë. Keq-qeverisja e tashme është kthyer në një model edhe teorik se si shtetet dhe shoqëritë nuk duhet asnjëherë të lejojnë të ndodh nëse ato janë të orientuara kah demokracia. Kosova tashmë është shndërruar në një vend të pasigurt jo vetëm në aspektin ndër-etnik, por për më keq, pothuaj të gjitha strukturat e shoqërisë janë të pasigurta. Kosova është kthyer në një vend që kërcënon dhe linqon gazetarët, në një vend ku një grup njerëzish kontrollojnë fjalë e lirë, ndërmarrjet publike dhe bizneset e ndryshme rajonale. Kosova është kthyer në një vend ku të afrëmit e kryeministrit rrahin kundërshtarët politikë apo ‘penguesit’ e bizneseve të tyre të paligjshme. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
III
Rrënimi i të ardhmës së Kosovës është duke ndodhur për çdo ditë dhe në mënyrë sistematike. Qeveria e Kosovës, si prijëse dhe ekzekutuese e politikave dëmtuese të shtetit dhe shoqërisë, tërë kohën është munduar të ndërrojë temat e debatit publik. Ditëve të fundit, kjo logjikë ka eksaluar në shpifje për kërcënime dhe akuza të ulëta depresive. Realisht, kjo nuk i bën nder shtetit dhe shoqërisë, sikurse nuk i bën nder edhe zhvillimeve të nevojshme për ndërtimin e të ardhmes. Vjedhja skandalole në polici, ëpr shembull, është temë konkrete që kërkon përgjigje dhe kërkon përgjegjësi të lartë shtetërore e politike. Qeveria e Kosovë mundohet që përmes akuzave depresive të anashkalojë tema të tilla të rëndësishme. Edhe pas dy muajve prejse është bërë publike vjedhja e një sasie të madha të provave në dhomën e dëshmive në komandën kryesore të Policisë së Kosovës, asnjë rezultat nuk është vërejtur. Për më keq, qeveria e Kosovës ka vazhduar të ndërhyjë në mënyrë direkte për të bllokuar rezultatet e mundshme të këtij rasti përfaqësues të funksionimit të krimit të organizuar në Kosovë. Deri më tash, nuk kemi parë as shenjën më të vogël të ndjenjës së ndonjë përgjegjësie politike, profesionale apo morale. Kjo nuk është forma më e mirë e qeverisjes dhe për këtë qytetarët janë të vetëdijshëm tashmë. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.
IV
Organizimi i zgjedhjeve të lira, të drejta dhe demokratike është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin e idealit të funksionalizimit të demokracisë në një shtet. Prandaj, ky proces është jo i lehtë në parim dhe i penguar në rastin e Kosovës. Koalicioni qeverisës ka treguar shenja të qarta të politikës së tyre për të kontrolluar procesin e përgatitjeve për zgjedhjeve, sikurse në Komisionin Qendror Zgjedhor, po ashtu edhe në pjesët tjera, sikurse është çështja e certifikimit të zgjedhjeve apo caktimit të datës konsensuale për zgjedhje. Për këtë, miqtë ndërkombëtarë të Kosovës duhet të jenë të njoftuar dhe të alarmuar. Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës dhe partitë politike kanë për detyrë të mundësojnë dhe inkurajojnë daljen sa më të madhetë votuesve në zgjedhjet e 15 nëntorit. Shteti nuk është pronë private e askujt dhe askush nuk mund as të pretendojë të sillet në mënyrë të tillë. Sovrani i shtetit të Kosovës është populli i Kosovës. Qytetarët kanë të drejtën, obligimin dhe fuqinë për të caktuar saktësisht drejtimin nga i cili duan të udhëheqen. Prandaj, është e pamoralshme nga koalicioni qeveritar që pretendon të imponojë pengesa sa më të mëdha para qytetarëve gjatë procesit të votimit, përfshirë këtu edhe pikën e dimrin për të votuar. Por, qytetarët e Kosovës duhet të jenë sa më masiv në zgjedhje dhe kjo është thirrja që duhet të bëjnë partitë politike. Vetëm qytetarët e Kosovës mund të ndërrojnë këtë mentalitet brutal të qeverisjes. Prandaj, duhet dalë në zgjedhje. Prandaj, duhet ndryshuar këtë mentalitet brutal të qeverisjes.

(Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”)

Kushtetuta e copëzuar

Loja pa fitues
Kushtetuta e copëzuar
Qytetarëve të Kosovës i kujtohet fare qartë deklaratat se Kushtetuta e Kosovës do të fillojë së zbatuari plotësisht në tërë territorin e Kosovës në orën 00:00 të datës 15 qershor 2008. Fatkeqësisht, të tilla deklarata dolën të jenë totalisht të pavërteta. Dhe, për më keq, kjo ndodh për shkak të mungesës së vendosmërisë dhe përkushtimit të elitës qeverisëse të Kosovës
Shkruan: Burim Ramadani
I
Shteti i Kosovës, pak javë pas lindjes më 17 shkurt 2008, u bë edhe me Kushtetutën e vet. Në fillim të prillit të vitit të kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën moderne të vendit, ndërsa ajo hyri në fuqi më 15 qershor 2008, përkatësisht tash një vit. Pak njerëz të Kosovës dyshuan në vullnetin e elitës udhëheqëse të shtetit, sikurse edhe në vullnetin e deputetëve për të respektuar në mënyrë të plotë, të pakundërshtueshme dhe të saktë dispozitat e Kushtetutës apo dokumentit më të lartë të shtetit. Megjithëse, duke pasur parasysh specifikat në rastin e Kosovës, Kushtetuta paraqet dokumentin më të lartë politik dhe juridik të vendit që vjen pas Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të ndërmjetësit ndërkombëtar, Martti Ahtisaari. Realisht, Kushtetuta e Kosovës bazohet në parime të zhvilluara bashkëkohore për ndarjen e pushtetit, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut, afirmimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, sikurse edhe trashëgiminë kulturore e fetare. Kushtetuta e Kosovës në një masë të gjerë shërben edhe për ofrimin e zgjidhjes së konliktit politik midis shumicës shqiptare dhe komunitetit serb, duke përcaktuar të drejta dhe garanci të gjera për serbët kosovarë. Në të vërtetë, Kushtetuta e Kosovës, shikuar nga ky aspekt, paraqet një strategji për ‘ujdi etnike’, duke synuar tejkalimin e përçarjes së thellë midis komuniteteve në konflikt.
II
Aktualiteti në terren tregon se jo gjithçka ka shkuar apo është duke shkuar në mënyrë të rregullt dhe siç do të duhej. Kushtetuta e Kosovës, ashtu sikurse edhe funksionaliteti i shtetit, është duke u ballafaquar me një varg sfidash, pengesash dhe problemesh, të cilat i kanë shkaktuar shtetit humbje të mëdha në shumë aspekte. Qytetarëve të Kosovës i kujtohet fare qartë deklaratat pompoze dhe të pasakta se Kushtetuta e Kosovës do të fillojë së implementuari në tërë territorin e Kosovës në orën 00:00 të datës 15 qershor 2008. Fatkeqësisht, të tilla deklarata dolën të jenë totalisht të pavërteta. Dhe, për më keq, kjo ndodhi dhe vazhdon të ndodh pikërisht për shkak të mungesës së vendosmërisë dhe përkushtimit të elitës qeverisëse të Kosovës. Një vit pas hyrjes në fuqi, Kushtetuta e Kosovës nuk zbatohet në rreth një të tretën e territorit të shtetit. Pjesa veriore e vendit, por edhe pjesë tjera të enklavizuara, nuk kanë fare të bëjnë me përcaktimet kushtetuese që ekzistojnë për pjesët tjera të banuara me shumicë shqiptare. Hapësirat e banuara me shumicë të komunitetit serb në Kosovë është më tutje refuzojnë të njohin apo pranojnë sistemin e ri të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar kështu
III
Madje, Kushtetuta e Kosovës ballafaqohet jo vetëm me sfida dhe pengesa të motiveve etnike, politikave të interferencave ndër-shtetërore apo tensioneve politike midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës. Në të vërtetë, Kushtetuta e Kosovës është shkelur dhe vazhdon të shkilet nga zyrtarët institucional vendorë për qëllime tepër të ngushta personale apo grupore. Realisht, vetëm kështu mund të shpjegohet formulimi jokushtetues i ‘ngrirjes’ së postit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga ana e kryetarit të Kosovës. Kreu i shtetit edhe më tutje vazhdon të ushtrojë detyrën e partisë dikur më të madhes në vend e tash partisë në shkatërrim definitiv. Pavarësisht se Kushtetuta është fare e qartë kur thotë se kryetari i shtetit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër, kreu i Kosovës realisht dëshmon edhe vet shkeljen e Kushtetutës saherë që flet për relacionet e tij me LDK-në, zhvillimet dhe ndërhyrjet e ndryshme atje. Kryetari i Kosovës, në një intervistë të dhënë një televizion vendor gjatë muajit të kaluar, madje është deklaruar edhe për të besimin e tij për rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, duke thënë se LDK-ja do të ketë këtë apo atë rezultat. Si kryetar i vendit dhe si simbol uniteti, komentet e këtilla janë të dëmshme për të ardhmen institucionale, politike, qytetare dhe shoqërore. Përndryshe, nëse për ‘simbolin e unitetit të Kosovës’ fituese e zgjedhjeve do të jetë LDK-ja, atëherë është obligim i tij që të njëjtin koment ta bëjë edhe Partinë Socialiste, atë Liberale apo të të Gjelbërve.
IV
E ardhmja e shteti dhe shoqërisë kosovare domosdoshmërisht varet edhe nga vullneti dhe vendosmëria politike e qytetare për respektimin e Kushtetutës së vendit. Sfidat dhe pengesat e tashme të karakterit etniko-politik duhet të adresohet qartë, dretjt dhe saktë, dhe si të tilla duhet të zgjidhen sa më shpejt që është e mundur. Në këtë kuadër, bashkëpunimi në nivel partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është i nevojshëm dhe rruga e përbashkët në këtë drejtim duhet të jetë rrugë e garancive së zbatueshmërisë së Kushtetutës. Aspekti tjetër i respektimit të Kushtetutës ka të bëjë me politikën e brendshme, përkatësisht interesat e brendshme individuale apo grupore. Në të vërtetë, i vetmi interes i shtetit dhe qytetarëve të Kosovës është respektimi i plotë i Kushtetutës, edhe në rastet kur ndonjëri prej nesh detyrohet të heq dorë nga ndonjë interes personal. Interesi i përbashkët është shumë më i rëndësishëm se ai personal apo grupor, dhe si i tillë është përcaktues mbi orientimet e caktuara personale. Tek e fundit, skandalet më të mëdha botërore ndodhin saherë që zyrtarët e lartë shtetëror shkelin Kushtetutën apo ligjet e vendit. E njëjta duhet të vlejë edhe për Kosovën, nëse duam të orientohemi drejt. Përndryshe, e tëra që ndodh është copëzimi apo bërja copë-copë) i Kushtetutës.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”

Thursday, June 11, 2009