Tuesday, April 29, 2008

Sfida e rëndë e zgjedhjeve

Loja pa fitues

Sfida e rëndë e zgjedhjeve

Arsyetimet e ndryshme për zgjedhjen e reagimit të butë si strategji nuk janë të bazuara në një analizë të mirëfilltë për veprimet që do të mund të merrte Kosova në mënyrë që këto zgjedhje të paktën të deligjitimohen, diskreditohen, të dekodohen dhe të dobësohet efekti praktik i tyre. Në fakt, kahja që do të merr Serbia pas këtyre zgjedhjeve do të mund të ndikojë në ndryshimin e përgjithshëm të politikave në rajon

Shkruan: Burim Ramadani

I
Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë ka nxjerrë vendimet përgatitore për administrimin e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë. Kosova përfshihet brenda këtij procesi. Nga ana e Serbisë, territori i Kosovës fqinje, tashmë shtet i pavarur, vazhdon të llogaritet brenda kufijve të saj shtetëror. Pak ditë para se të mbush tre muaj jetë si shtet i pavarur dhe i njohur nga një numër shtetesh me fuqi botërore, Kosova do të ketë ballafaqimin më të rëndë dhe më sfidues në raport me agresionin politik dhe kushtetues të Serbisë: zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Politika kosovare do të mund të tregojë dhëmbët apo të heshtë para kësaj situate, sidoqoftë, e vërteta është se procesi elektoral i Serbisë në Kosovës do të mund të ndërrojë në masë tejet të madhe gjendjen e përgjithshme në terren. Sikurse aspekti politik, edhe ai i sigurisë dhe kahjet për zhvillimet e mëtutjeshme në Kosovë do të mund të pësojnë një goditje të fuqishme, që do të kishte pasoja vërtetë negative. Zhvillimet e pas 11 majit në asnjë mënyrë nuk do të mund të jenë të lehta dhe në fakt ato do të rëndohen në masë shumë më të madhe.

II
Kosova ka deklaruar pavarësinë e vet më 17 shkurt (rreth tre muaj më parë) dhe politika kosovare duhet të sillet në raport të plotë me këtë shpallje. Arsyetimet e ndryshme për zgjedhjen e heshtjes si strategji nuk janë të bazuara në një analizë të mirëfilltë për veprimet që do të mund të merrte Kosova në mënyrë që këto zgjedhje të paktën të deligjitimohen, diskreditohen, të dekodohen dhe të dobësohet efekti praktik i tyre. Tek e fundit, kush mund të kundërshtojë implementimin e një kërkese të përkushtuar dhe të vendosur të Kosovës që të ndalohet hyrja e politikanëve të Serbisë për të zhvilluar fushatën e egër parazgjedhore në Kosovë. Ka fakte të mjaftueshme për të bërë një kërkesë të tillë. Manipulimi i ndjenjave të qytetarëve të Kosovës me elemente të politikës naciste është dhe duhet të jetë i patolerueshëm për shtetin e Kosovës. Me vetë shpalljen e shtetësisë, politika duhet të sillet si shtet. Përndryshe, askush në botë nuk do të kishte shtetin e vetë për t’u sjellë si të pashtet. Revolta e mundshme e qytetarëve të shumicës shqiptare do të mund të sjellte pasoja edhe më të mëdha për të ardhmen politike.

III
Konkurrenca e partive politike në Serbi për zgjedhjet aq shumë të përfolura të 11 majit nuk ka të bëjë pothuaj aspak me atë që në shtetet demokratike quhet ofertë për lehtësimin dhe zhvillimit e jetës së votuesit – qytetarit. Duke përcjellë fushatën parazgjedhore të grupimeve politike në Serbi, vështirë se mund të flitet për plane të rëndësishme ekonomike, sociale apo drejt demokratizimit. Debati i atjeshëm është mbuluar i pothuaj tëri me çështjen e Kosovës, përkatësisht me atë se kush do të mund ta kthejë Kosovën brenda Serbisë dhe se kush është duke penguar më shumë njohjen e shtetit të ri nga vendet sovrane në botë. Vetëm çështja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, për shembull, vë në pah shumë elemente ultra-nacionale të skenës politike në Serbi. E gjithë kjo situatë është e reflektuar ekstremisht tek një numër i madh i serbëve të Kosovës, të cilët tashmë gjenden në një konfuzitet të nivelit të lartë sa i përket të ardhmes së tyre. Oferta e institucioneve të Kosovës për të rritur cilësinë e jetës së tyre duhet të jetë e theksuar, e përcjellë me veprime dhe kështu do të mund që sadopak të ketë ndikim.

IV
Kahja që do të merr Serbia pas këtyre zgjedhjeve do të mund të ndikojë në ndryshimin e përgjithshëm të politikave në rajon, sikurse edhe në ato midis rajonit dhe botës. Pozicioni i serbëve të Kosovës në këtë kuadër duhet të jetë i mbikëqyrur dhe i shtyrë për të kontribuar në stabilitet drejt demokratizimit. Pikërisht ky është një prej fakteve tejet të rëndësishme për të argumentuar kundërshtimin e plotë të agresionit kushtetues, politik dhe praktik të Serbisë ndaj Kosovës. Edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare që Serbia ka zhvilluar në Kosovë është dëshmuar se një shumicë e avancuar e votave të serbëve kosovarë kanë shkuar në favor të forcave politike radikale apo nacionaliste të Serbisë. Me këtë fakt rrëzohet edhe argumenti se Perëndimi është i interesuar t’i ndihmojë forcave demokratike të Serbisë për të fituar zgjedhjet e 11 majit. Votat e serbëve kosovarë nuk janë pjesë e kësaj ndihme të pretenduar. Ato janë e kundërta e demokratizimit të Serbisë. Veprimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejt i Kosovës dhe demokracive Perëndimore është nevojë e pashmangshme. Mallkimi i këtyre zgjedhjeve prek rajonin.

Botuar në “Zëri” më 28 prill 2008, fq. 10.

Monday, April 21, 2008

Nevoja për profilizim ideologjik

Loja pa fitues

Nevoja për profilizim ideologjik

Tashmë është koha e duhur për fillimin e profilizimit ideologjik të partive politike në Kosovë. Sidoqoftë, mungojnë shumë elemente paraprake që do të rregullonin ambientin e përgjithshëm. Për këtë shkak, identifikimi me liderin si më shumë sesa bartës i zgjedhur për të gjitha fushat e zhvillimit të partisë politike nuk është tejkaluar ende

Shkruan: Burim Ramadani

I
Disa muaj pas pavarësimit të Kosovës, sikurse edhe rikonfigurimit të skenës politike në Kosovë, duhet të fillojë faza më e rëndësishme për partitë politike kosovare. Ajo ka të bëjë me fillimin e vërtetë të profilizimit të ideologjisë politike që këto parti do të avokojnë apo përfaqësojnë në sistemin politik vendor. Duke qenë e qartë se ky zhvillim nuk mund të perceptohet si i lehtë, debati shoqëror në këtë drejtim është mëse i domosdoshëm. Në fakt, ideologjia si një koncept vërtetë kompleks, në vende të ndryshme të botës ka dëshmuar të jetë një nxitës i përhershëm për debate të nxehta politike, intelektuale dhe filozofike. Ndikimi i këtyre debate patjetër se ka shtrirje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë edhe tek qytetarët, për faktin e thjeshtë se ideologjia politike përfaqëson një bashkësi vlerash që drejtojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Megjithëse shumë shoqëri deri më tash kanë kaluar këtë fazë, debati mbetet prezent edhe në aspektin teorik, kryesisht duke definuar ideologjinë si një kornizë parimesh mbi të cilat zhvillohen politikat qeverisëse që përcaktojnë formën e zhvillimit.

II
Dominimi i liderit kundrejt partisë politike apo iniciativave të ndryshme është treguar të jetë i fuqishëm në të kaluarën jo të largët. Që prej fillimit të jetës politike plurale në Kosovën e pas vitit 1989, secili grup politik është ngritur, ka mbijetuar apo është ndëshkuar mbi bazën e liderit. Ai ambient është karakterizuar me luftën politike ndërmjet liderëve, disponimi i të cilëve ka ndikuar thellësisht në përcaktimin e disponimit të përgjithshëm midis elektoratit dhe anëtarësisë së partive politike. Rreth nëntë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shoqëria kosovare vazhdon të jetë e karakterizuar nga një popullizëm i liderëve kryesorë. Megjithëse karizma njihet si element përcaktues për fuqinë e udhëheqjes, shmangia e mbështetjes së plotë dhe të përhershme e grupit politik në një person të vetëm është sfidë që duhet të tejkalohet në shoqërinë kosovare. Kjo mund të bëhet përmes qartësimit të profilit ideologjik të grupeve politike, duke investuar shumë në përfaqësimin ekipor të parimeve të caktuara ideologjike në politikë. E kaluara populiste nuk duhet të jetë synim i vazhdueshëm.

III
Ditët e sotme paraqesin një paqartësi të zbehtë midis popullizmit të liderit dhe orientimit krejt fillestar të disponimit të opinionit publik kah profili i bazuar partiak. E tashmja konfuze mund të vazhdojë edhe një kohë relativisht të shkurtër, për shkak se mund të vlerësohet se dëshira për të nisur punën mbi profilizim ekziston. Sidoqoftë, mungojnë shumë elemente paraprake që do të duhej të rregullonin ambientin e përgjithshëm për profilizimin e vërtetë dhe praktiko-programor të partive politike në Kosovë. Për këtë shkak, identifikimi me liderin si më shumë sesa bartës i zgjedhur për të gjitha fushat e zhvillimit të partisë politike nuk është tejkaluar ende. Sigurisht se kjo situatë mund të zgjas edhe për një periudhë të caktuar në nivel të tillë sikurse është tash, porse domosdoshmëria e zhvillimit programor është rritur në nivel vërtetë të lartë. Kjo domosdoshmëri ka të bëjë edhe me fillimin e debatit parimor mbi bazën ideologjike që përfaqësojnë grupimet politike në Kosovë. Roli i intelektualëve, studiuesve dhe vetë politikanëve në këtë proces është i pakrahasueshëm.

IV
Dilemat e mundshme rreth zhvillimeve të shoqërisë kosovare deri në një masë mund të jenë reale, nëse këtu merren për bazë elemente krejt specifike të qeverisjes dhe mentalitetit të menaxhimit në përgjithësi tek ne. Porse, shoqëritë janë të paragjykuara për t’u zhvilluar. Roli i udhëheqësve mbetet plotësisht në mundësinë e përshpejtimit apo të ngadalësimit të zhvillimit shoqëror. Në kohën e globalizmit, udhëheqësit nuk kanë fuqinë e ndaljes së ecjes shoqërore edhe nëse synojnë këtë. Shoqëritë kanë ligjshmëritë e veta që funksionojnë. Ato nuk janë norma të shkruara apo të ratifikuara në shumicën e rasteve. Frymëmarrja e shoqërive nuk është proces statik, mirëpo i përhershëm. Ajo vetëm gjen mënyrat e përshtatshme për të drejtuar gjërat përpara. Përplasjet e mundshme gjatë kohës janë në të vërtetë ngacmuese për rrugët alternative të domosdoshme. Prandaj, duke u nisur qoftë vetëm nga ky konstatim, e ardhmja e profilizuar programore e skenës politike kosovare nuk është në interes të vetëm ndonjë grupi të caktuar njerëzish që mundohen të investojnë në objektiva të përgjithshme shoqërore.

Botuar në “Zëri” më 21 prill 2008, fq.

Tuesday, April 15, 2008

Të burgosurit e së kaluarës

Loja pa fitues

Të burgosurit e së kaluarës
Tentimet e vazhdueshme të politikës së Serbisë për të minuar zhvillimet e shtetit të Kosovës duhet të përballen me vendosmëri politike, institucionale dhe bashkëpunuese me bashkësinë ndërkombëtare prezente në vend. Sfida më e madhe që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës duket se do të jetë organizimi i zgjedhjeve lokale të Serbisë. E kaluara mban të burgosur elitën politike serbe
Shkruan: Burim Ramadani
I
Të burgosurit e imagjinuar në alegorinë e Shpellës së Platonit, shikonin për vite të tëra të jetës së tyre hijet e projektuara në murin përballë tyre. Prapa tyre ekzistonte një zjarr i madh brenda hyrjes së Shpellës, gjë që shkaktonte reflektimin e gjërave të ndryshme në murin përballë tyre. Ky mur ishte e tëra që kishin parë ndonjëherë ata. Të burgosurit kurrë nuk shihnin objektet, njerëzit apo kafshët reale, por vetëm hijet e tyre. Ata as nuk mund të kuptonin apo të imagjinonin se në fakt shihnin vetëm hijet. Nuk mund të përceptonin të vërtetën. Në të kundërtën, realiteti ishte plotësisht i ndryshëm me atë që të burgosurit mund të shihnin dhe e tëra ishte skenari i hijëzuar i realitetit. Sado që mund të duket ambicioz një krahasim i tillë, ekziston një ndërlidhje praktike midis alegorisë së Shpellës që bën Platoni me atë që po ndodh në Serbi dhe rrjedhimisht edhe me shumicën e serbëve të Kosovës. Të gjendur sikur në përshkrimin filozofik të Platonit, lidershipi kombëtar serb është i burgosur, porse në këto moderne elita politike serbe është e burgosur e ultra-nacionalizmit dhe e të së kaluarës dhunënxitëse e gjakderdhëse. Edhe pas pothuaj një dekade, investimi për ndërrimin e orientimit mbetet në nivel të pamjaftueshëm.
II
Tmerrësisht i drejtuar kah kundërshtimi i secilit sukses të mundshëm dhe funksionimit të shtetit të Kosovës, lidershipi politik serb ka treguar në mënyrë të qartë se është ende larg përballjes normale me të vërtetën apo, sikurse thotë Plantoni duke folur për mendjen njerëzore, arritjes së njohjes. Moskuptimi i realitetit është parë në dekadat e fundit si një prej shkaktarëve të vuajtjeve të mëdha dhe të vazhdueshme të popujve që jetojnë në Ballkan. Këtij ‘trendi’ i ka prirë elita politike serbe e shtrirë në shumicën prej pjesëve të ish-Jugosllavisë, derisa udhëheqja e projektit symbullur ka ndodhur kryesisht nga Beogradi. Kjo ka ndodhur që prej përballjes me Slloveninë e deri në Kosovë, duke shkaktuar kështu katër luftëra të përgjakshme e të përcjella me spastrim etnik dhe gjenocid. Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, vendosjes së administratës ndërkombëtare në Kosovë dhe rënies së Millosheviqit, vlerësimet për demokratizimit të Serbisë nuk janë provuar të sakta. Negociatat mbi statusin e Kosovës dhe zhvillimet e pas-shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë dëshmuar për vazhdimin e politikës së vjetër serbe ndaj popujve tjerë në Ballkan dhe më specifikisht ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
III
Të kuptuarit e realitetit në fushën e politikës, filozofisë dhe ekonomisë është njëkohësisht edhe vizion. E kundërta do të thotë mungesë vizioni. Në kontekstin e nacionalizmit serb, kjo nënkupton mos-arritjen e ecjes së drejtë, qoftë edhe me dhimbje. Edhe në aspektin filozofik, Platoni tek Shpella e paraqet dhimbjen si evidente menjëherë pas lirimit të ndonjërit prej të burgosurve. Porse, pa tentuar përgjithësimin, shumica e serbëve jeton në errësirën e shpellës së Platonit. Ata kanë orientuar mendimet rreth botës së errësuar të hijeve, përkatësisht të së kaluarës. Edukimi, përkatësisht vizioni, është ai që drejton njerëzit për të dalë jashtë shpellës. Ndërlidhja midis edukimit dhe vizionit qëndron në faktin se edukimi nuk është thjeshtë çështje e nxënies së dijes një personi që nuk i zotëron ato, por është më tepër vizioni i dhënies së shikimit në sytë e tij. Shikimi drejt vlerave humane e demokratike është i domosdoshëm për elitës politike serbe në mënyrë që të arrijë zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit serb. Konkurrimi mes vete se kush është më nacionalist vazhdon të mbajë serbët të burgosur të së kaluarës. Veprimet e deritashme pas pavarësisë nuk janë shpresëdhënëse.
IV
Tentimet e vazhdueshme të politikës së Serbisë për të minuar zhvillimet e shtetit të Kosovës duhet të përballen me vendosmëri politike, institucionale dhe bashkëpunuese me bashkësinë ndërkombëtare prezente në vend. Sfida më e madhe që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës duket se do të jetë organizimi i zgjedhjeve lokale të Serbisë në pjesët e banuara me serbë të Kosovës. Kjo do të thotë cenim ekstrem i intergritetit dhe sovranitetit të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare, madje edhe shkelje e Rezolutës 1244 mbi të cilën mbështetet prezenca e OKB-së. Deklarimi i këtyre zgjedhjeve si jolegale nuk është ndonjë strategji që mund të jepte suksesin e duhur. Tek e fundit, institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do të detyroheshin që pak kohë më pas të legjitimojnë de fakto këto zgjedhje. Fituesi i një komune, për shembull, do të jetë pikë negociimi, jo për shkak të legalitetit, por për shkak të legjitimitetit. Bisedimet midis OKB-së dhe qeverisë së Serbisë mbi menaxhimin e situatës në hapësirat e banuara me serbë në Kosovë është një zhvillim me pasoja politike. Kjo do të duhej të ishte e papranueshme jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe bashkësinë ndërkombëtare.
Botuar në "Zëri" më 14 prill 2008, fq. 12.

Tuesday, April 8, 2008

Tregimi për luftëtarin

Loja pa fitues
Tregimi për luftëtarin
Luftëtari si i vetëm apo si lider ekipi, përballet me pothuaj gjithçka. Që nga më e lehta deri tek më e vështira, ballafaqimet e luftëtarit janë histori në vete. Valëzimi i arritjeve shfaq ndikimin e ndryshuar të tij gjatë kohës në shoqëri. Suksesi në rrugën që po lufton, varet nga shumë faktorë, por vetë luftëtari është më kryesori
Shkruan: Burim Ramadani
I
Fitorja e çdo beteje për luftëtarin është motivim për të vazhduar tutje. Motivimi i dalë nga sfida është shtyllë vullneti për të shtyrë proceset përpara, derisa nga ky vullnet në qendër të ekipit vihet vetë luftëtari. Betejat nuk përfundojnë asnjëherë dhe paraqesin sfida të vazhdueshme. Luftëtari si i vetëm apo si lider ekipi, përballet me pothuaj gjithçka. Që nga më e lehta deri tek më e vështira, ballafaqimet e luftëtarit janë histori në vete. Valëzimi i arritjeve shfaq ndikimin e ndryshuar të tij gjatë kohës në shoqëri. Suksesi në rrugën që po lufton, varet nga shumë faktorë, por vetë luftëtari është më kryesori. Ky mbase mund të jetë tregimi për Ramush Haradinajn, ish-komandant i Dukagjinit gjatë luftës në Kosovë, i cili dorëzoi mandatin e kryeministrit në vitin 2005 për të nisur pa dëshirën e tij betejën me Prokurorinë e Tribunalit të Hagës, duke triumfuar tri vjet më pas për t’u kthyer në atë që meritonte dhe për të cilën luftonte – Kosovën e pavarur. I kthyer në një situatë krejt të re të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-kryeministri vlerësohet të jetë një prej figurave më shpresëdhënëse të paktën në dinamizimin e jetës politike, reformimin e mentalitetit aktual qeverisës, thellimin e nevojës për profilizimin e partive politike, forcimin e zërit opozitar, forcimin e debatit politik dhe ballafaqimin me anti-vlerat.
II
Fillimi i menjëhershëm i angazhimeve me agjendë të ngjeshur të luftëtarit ka dhënë sinjalet e para për vazhdimin e dinamikës politike të ndërprerë në rrugë tri vjet më parë. Sido që të jetë, ish-kryeministri ka gjetur partinë e tij politike në opozitë, duke humbur kështu pjesëmarrjen e dukshme kështu pushtetin që kishte fituar pas marrëveshjes së tij me ish-presidentin e ndjerë Rugova në fund të vitit 2004. Ministrat që përfaqësonin partinë e Haradinajt në qeverinë e kaluar të Kosovës janë gjendur pa lider dhe përballë akuzave të rënda (e që shpeshherë nuk u kurseheshin as në aspektet familjare). Pothuaj të gjithë nga ta, sikurse edhe të partnerit në koalicion, kanë qenë në qendër të etiketimeve dhe sulmeve të pareshtura për gati tri vjet, duke ndikuar pa dyshim në uljen e besimit dhe perceptimit publik për ta dhe partinë. Sfida e parë për luftëtarin është pikërisht përballja me këtë situatë në ekipin e tij. Rregullimi i perceptimit publik dhe hapësira për njerëz të botës akademike dhe jetës publike do të duhej të jetë rruga e zgjedhur për të tejkaluar dhe kthyer në sukses perceptimin e përgjithshëm të krijuar përmes sharjeve dhe fyerjeve të pandalshme rreth tri vjeçare. Shkathtësitë e luftëtarit fillimisht duhet drejtuar në ndryshimin dhe përforcimin e qetë të ekipit, sikurse edhe promovimin e tij të duhur.
III
Fakti i prezencës së plotë dhe të lirë të ish-kryeministrit Haradinaj në jetën politike kosovare dhe rajonale pa dyshim se ka ndikim në zhvillimin e proceseve të përgjithshme dhe specifike politike. Prandaj, edhe opozita në Kosovë mund të ketë një shtytje të re për përforcim pas javës së kaluar. Në të vërtetë, që prej formimin të koalicionit aktual qeverisës, zëri opozitar ka qenë i mbytur, në rend të parë për shkak të mos-koordinimit të vetë partive që kanë mbetur të pa-përfshira në qeveri. I vetmi organizim opozitar ka qenë në zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, e cila padyshim se nuk mundte të arrinte ndonjë befasi. Sidoqoftë, pozicioni i partisë së ish-kryeministrit sikurse edhe partive tjera opozitare deri më tash është tejet i heshtur, pa ndonjë strategji të qartë të transmetimit të shqetësimeve të veta. Dhe, sikur edhe në praktikat e vendeve tjera, duke mos u përballur me opozitë të fortë, koalicioni qeveritar është ndier komod në punën e vet të ngadalshme. Madje, edhe instalimi i anti-vlerave dhe promovimi i tyre si vlera të reja ka qenë vërtetë i lehtë për t’u bërë, në mungesë të një opozite aktive. Porse, jemi dëshmitarë të instalimit të politikës së tillë qeverisëse, ku njerëzit shprehen në emër të luftës apo ndonjë aktivizmi tjetër vetëm për të ndikuar në vendim-marrje pavarësisht drejtimit që i japin më pas.
IV
Formulimi i politikave të qarta dhe precize për luftimin e dukurive negative në shoqërinë dhe institucionet kosovare mbetet një prej detyrave më kryesore të elitës politike vendore. Përkundër deklarimeve të shpeshta dhe të ndryshme publike rreth asaj që është bërë klishe “zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit”, efekti i ndryshimit të pushtetit gjatë këtij tremuajshi është vërejtur për të keq. Keqpërdorimi dhe korrupsioni është rritur me të madhe dhe kështu është e kundërta e gjithçkaje të propaganduar deri më tash. Infiltrimi i udhëheqjes politike në secilin konkurs dhe tender në Ministritë e qeverisë së Kosovës tashmë është instaluar si normë e pashkruar, por e mirë-praktikuar. Prandaj, duhet gjetur mënyrën më të mirë për t’u përballë me këtë dukuri negative që po thellohet dita-ditës. Prandaj, duhet gjetur kush mund ta bëjë këtë. I ballafaquar me beteja nga më të ndryshmet, akuza dhe lloj-lloj konstruksionesh, luftëtari tashmë mund të kthehet në protagonist të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zhvillimi i një politike për qeverisje të pastër dhe kundërshtim me forcën e ligjit të dukurive negative është prioritet për Kosovën në rrugën e re drejt integrimit evropian. Rruga e proceseve nuk ka të ndalur, ashtu siç nuk ndalet jeta. Luftëtari krahas të tjerëve është protagonist.
Botuar në "Zëri" më 7 prill 2008, fq. 13.
si dhe në "Gazeta Shqip" në Tiranë, më 9 prill 2008, fq. 9