Monday, December 28, 2009

2009 – vit me vlerësim negativ

2009 – vit me vlerësim negativ
Burim Ramadani
Janë një varg argumentesh që të çojnë në vlerësim negativ për vitin 2009. Të gjitha këto arsye kanë adresë të qartë, përgjegjësi të përcaktuar, shkaqe dhe qëllime, si dhe ka pasur mundësi reale për t’u shmangur. Për 2 deri në 4 minuta, mund të renditen 24 argumentet kryesore të vlerësimit negativ për vitin 2009
Viti që po lëmë pas mund të vlerësohet si vit i rëndë. Për shumë arsye, Kosova, institucionet shtetërore, qytetarët e saj dhe partnerët ndërkombëtarë nuk mund të krenohen me atë që kaloi. Rrjedha e zhvillimeve ishte shumë më e keqe sesa edhe më pesimistët kanë pritur. Ky vlerësim negativ është i pakontestueshëm sa i përket rolit që kanë luajtur institucionet e shtetit gjatë këtyre dymbëdhjetë muajve. Përkatësisht, dëmit që i është shkaktuar Kosovës gjatë kësaj periudhe nga vetë ata që do të duhej të ruanin dhe promovimin interesin e vendit.
Por, tjetër vlerësim duhet të jepet për popullin e Kosovës, që tregoi edhe njëherë e mirë për nivelin e lartë të durimit dhe qetësisë së dëshmuar karshi problemeve të mëdha me të cilat ballafaqohet për çdo ditë. Qytetarët e Kosovës edhe gjatë vitit 2009 nuk vendosën emocionin përpara proceseve politike, edhe pse (dorën në zemër) nuk ka qenë e lehtë të ruhet qetësia.
Jo shumë lajme të mira kanë dalë nga Kosova apo janë dhënë brenda Kosovës gjatë këtij viti. Ky konstatim mund të jetë i përbashkët si në sytë e qytetarëve, po ashtu edhe në sytë e botës. Kosova ka pasur një vit me plotë dëmtim, harxhim dhe kthim prapa.
Janë një varg argumentesh që të çojnë në vlerësime të këtilla negative. Të gjitha këto arsye kanë adresë të qartë, përgjegjësi të përcaktuar, shkaqe dhe qëllime, si dhe ka pasur mundësi reale për t’u shmangur. Për 2 deri në 4 minuta, mund të renditen 24 argumentet kryesore të vlerësimit negativ për vitin 2009:
1. Shteti nuk është funksionalizuar. Qytetarët e Kosovës nuk kanë arritur të shohin atë që quhet “dora e shtetit” në asnjërën prej fushave të jetës së përditshme, në kuptimin e përmirësimit të kushteve të jetesës. Thjesht, shteti i Kosovës është shpallur në shkurt të vitit 2008, por ai nuk është ndërtuar përbrenda. Kosova ka vazhduar të ketë probleme të njëjta (por të thelluara tashmë) edhe dy vjet pas pavarësisë. Populli i Kosovës nuk është ndier më krenar as gjatë vitit 2009, përkundër është turpëruar nga niveli i lartë i zhvillimeve negative që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe të rëndë për jetën dhe xhepin e tyre.
2. Institucionet jostabile. Kosova është ballafaquar me probleme në stabilitetin e institucioneve të veta shtetërore. Qeveria e Kosovës ka vazhduar të kontrollojë plotësisht Kuvendin e Kosovës, duke bërë kështu që mekanizmat ndërkombëtarë të kritikojnë pandalshëm humbjen e pavarësisë së degëve të qeverisjes në demokraci. Edhe gjyqësori është ndikuar nga politika e qeverisë, ndërsa mekanizmat e rinj shtetëror (shumë të nevojshëm) nuk janë krijuar fare. Para së gjithash, Agjencia Kosovare për Inteligjencë dhe mekanizmat tjerë kanë mbetur nën fatin e kohës dhe individëve të caktuar.
3. Njohjet e shtetit kanë ngecur. Gjatë vitit 2009 Kosova nuk është ‘vërshuar’ nga njohjet ndërkombëtare të shtetit ashtu sikurse ishte premtuar dhe parashikuar nga qeveria e Kosovës. Numri nuk ka arritur ende 65-shin, edhe përkundër faktit se kryeministri i Kosovës, Thaçi, thoshte se shtetet e botës po bëjnë garë kush ta njeh e para Kosovën. Mirëpo, si për inati, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë lobimet dhe as strategjitë e nevojshme për të lobuar për njohjen e shtetit të Kosovës. As gjatë vitit 2009 nuk kemi parë ndonjë ofensivë diplomatike të Kosovës nëpër botë, edhe pse Serbia nuk është ndalur pothuajse asnjë ditë.
4. Siguria e brishtë. Nuk është arritur që vitit 2009 të përmbyllë edhe problemet e shumta të sigurisë që ka Kosova. Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është shkelur për çdo ditë, ndërsa qeveria e Kosovës ka qëndruar indiferente ndaj kësaj. Veriu i Kosovës ka mbetur plotësisht jashtë kontrollit ligjor të shtetit, derisa qytetarët shqiptarë të asaj pjese janë detyruar edhe më tutje të lëshojnë apo të shesin shtëpitë e veta. Siguria publike është keqësuar, sidomos me vjedhjen e shumë bankave në qendër të kryeqytetit.
5. Autoriteti i shtetit i cunguar. Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës nuk mund të qëndrojnë, vizitojnë apo të punojnë qoftë për pak minuta në rreth 30 për qind të territorit të vendit. Qytetarët e komunitetit serb vazhdojnë jetën me ‘targa’ të Serbisë dhe shteti i Kosovës nuk ekziston për këto pjesë të territorit. Gjithçka është Serbi sapo të kalosh Urën e Ibrit në mes të Mitrovicës.
6. Strukturat paralele vazhdojnë qetësisht. Askush nga institucionet kompetente të shtetit të Kosovës nuk ka tentuar, planifikuar apo shkatërruar strukturat paralele të shtetit të Serbisë në Kosovë as gjatë vitit 2009. Madje, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar financiarisht rindërtimin e një ambulance të menaxhuar nga strukturat paralele serbe në rrethinën e Dardanës. Dokumentet e Serbisë lëshohen edhe më tutje në mes të Prishtinës.
7. Kufijtë më të pasigurtit në rajon. Kosova nuk ka arritur që gjatë vitit 2009 të ndërtojë sistemin e vetë të rregullt të menaxhimit të kufirit të saj. Kufijtë e Kosovës janë cilësuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit si kufijtë më të pasigurt në rajon. Bordi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit nuk është funksionalizuar pothuaj fare gjatë këtij viti, derisa ky është një prej kushteve kryesore për integrimet evropiane.
8. Veriu pa pika kufitare dhe pa dogana. Kosova ka vazhduar të humbë miliona e miliona euro për çdo javë për shkak të moskthimit të pikave kufitare dhe pikave doganore në veri të vendit. Që nga shkurti i vitit 2008, policët kosovarë dhe doganierët e Kosovës nuk kanë mundur të kryejnë detyrën e tyre në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit. Madje, as prezenca e EULEX-it nuk është shfrytëzuar për të arritur përmirësim dhe sundim të ligjit në këtë aspekt.
9. EULEX-i jofunksional. Gjatë vitit 2009 është parë vetëm vendosja fizike e misionit evropian për sundim të ligjit në Kosovës (EULEX), por jo edhe funksionalizimin e plotë të tij. Apo thënë më ndryshe, nuk është parë asnjë rezultat i punës së policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it as në veri të Kosovës, as në pjesët tjera të vendit. As në Mitrovicë, as të Prishtinë, përkundër nevojës së pakontestueshme për veprime të shpejta dhe energjike të ndërkombëtarëve përgjegjës për sundim të ligjit.
10. Korrupsioni në kulm. Gjatë vitit 2009, Kosova ka kaluar të gjitha nivelet e korrupsionit që është parë ndonjëherë në vend. Qeveria e Kosovës është kthyer në adresën kryesore të korrupsionit, derisa Komisioni Evropian në Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2009 se Kosova po afrohet “zaptimit të shtetit” nga ana e qeveritarëve të tashëm.
11. Krimi i organizuar në bashkë-jetesë me qeverinë. Kosova është kritikuar gjatë këtij viti edhe për mos-luftimin e krimit të organizuar në vend, që ka arritur të lulëzojë pa ndonjë pengesë nga Qeveria e vendit. Që nga trafiqet e ndryshme e deri te krimi i organizuar financiar, Kosova ka arritur të jetë ‘parajsë’ për bosët e mëdhenj që po fuqizohen tërë kohën. Si e tillë, Kosova është konstatuar se nuk përmbush kriteret e Bashkimit Evropian për luftën kundër krimit të organizuar.
12. Policia e vjedhur. Kosova është dëmtuar pothuajse në mënyrë të pandreqshme edhe në një institucion tjetër vital të shtetit: Policinë. Më 25 prill është njoftuar se Dhoma e Dëshmive e Policisë së Kosovës është vjedhur, ndërsa sot e asaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi as profesionale, as morale dhe as politike. Pengimi nga ana e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e rastit më të rëndë të vjedhjes në Kosovë ka shkaktuar humbjen e fuqishme të besimit të qytetarëve tek uniformat policore në vend.
13. ‘Reformat’ në institucione. Kosova ka vazhduar të sheh “reformat” në institucionet kryesore të shtetit, derisa me mentalitetin e tashëm qeverisë këto nënkuptojnë largimin e njerëzve të “papërshtatshëm” dhe zëvendësimin e tyre me militantë partiakë, dajë, teze e halla të qeveritarëve. Kjo ka bërë që administrata e Kosovës të jetë jofunksionale, joprofesionale dhe e politizuar. Edhe për këtë, Komisioni Evropian ka hedhur një grumbull kritikash në drejtim të qeverisë.
14. Kosova e kritikuar. Gjatë vitit 2009, nuk ka lënë institucion apo organizatë ndërkombëtare që nuk ka kritikuar Kosovën për mënyrën e qeverisjes në vend. Të gjithë ata që janë marrë me hulumtime, vlerësime apo analiza të rajonit të Ballkanit, kanë vënë Kosovën në vendin e fundit sa i përket zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore, sikurse edhe të procesit të integrimeve evropiane.
15. Qytetarët e Kosovës të izoluar. Gjatë vitit 2009 ka ndodhur edhe izolimi më i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Kosovës në raport me vendet e rajonit. Derisa Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë arritur që t’i mundësojnë qytetarëve të tyre qarkullimin e lirë pa viza për në vendet e Bashkimit Evropian, dhe Shqipëria e Bosnja dhe Hercegovina do ta bëjnë këtë në vitin 2010, Kosova ka mbetur plotësisht mbrapa për shkak të padijenisë dhe neglizhencës së qeverisë së vetë.
16. Drejtësia e politizuar. Kosova nuk bërë ndonjë hap pozitiv gjatë vitit 2009 as në aspektin e zhvillimit të sistemit të drejtësisë. Prokuroritë dhe gjyqet e Kosovës mbeten edhe më tutje vrima të zeza sa i përket avancimit të shpejtë dhe të nevojshëm të zhvillimeve të përgjithshme në vend.
17. Ekonomia ka kolapsuar. Gjatë vitit 2009 ekonomia e Kosovë ka kaluar nga niveli i krizës në kolaps. Dhjetëra e qindra biznese në Kosovës mbyllen brenda muajit, derisa ekonomia joformale ka zënë frymën zhvillimit normal të bizneseve në vend. Në Kosovë, bilanci tregtar midis importit dhe eksportit nuk është përmirësuar fare gjatë vitit 2009, derisa CEFTA ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë sipërmarrësit dhe tregtarët vendorë.
18. Shëndetësia në koma. Vitit 2009 nuk ka sjellë pothuajse asnjë përmirësim në sistemin shëndetësore të Kosovës. Thjesht, shëndetësia në Kosovës nuk mund ta shërojë as veten, e lëre më qytetarin e Kosovës. Mungesa e furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore të nevojshme, edhe më tutje shkel të gjitha limitet e mundshme për të arritur nivelin minimal të funksionimit të sistemit shëndetësor. Ndërsa, 44 eurot për punëtorët shëndetësorë duket se janë harruar fare nga Qeveria e Kosovës.
19. Arsimi i shkatërruar dhe arsimtarët e drekuar. Sistemi arsimor në Kosovës ka pësuar goditjet e radhës gjatë vitit 2009, derisa arsimtarët janë “qarrosur” me dreka e darka të Qeverisë. Reformat në arsim mbeten edhe më tutje vetëm një ëndërr për kosovarët, derisa MASHT-i është drejtuar i tëri në Zyrën e vet të Prokurimit për të vendosur për tenderët për ndërtimin e objekteve. Në Kosovë gjatë vitit 2009 ka pasur ndërtim të objekteve, por jo ndërtim të shkollave. Arsyet janë të dukshme, ato financiare. Shumë punë për EULEX-in dhe vendorët mund të ketë në dokumentacionin e kësaj Ministrie.
20. Asfalti i gropuar. Viti 2009 ka vënë në pah edhe prishjen totale të manipulimit me shtrimin e asfaltit në Kosovë. Qeveria që identifikonte veten si “Qeveri e Asfaltit” tash mund të identifikohet si “Qeveri e Gropave Milionëshe”. Asfalti në Kosovë kushton më shtrenjtë se në vendet Perëndimore, derisa qëndrueshmëria e tij nuk kalon periudhën dy-tre mujore. Kushdo që merr qeverinë e Kosovës, duhet të rishtrojë këto rrugë. Dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës nga Ministria e Asfaltit është jashtëzakonisht i madh.
21. Mediat e shkelura. Kosova gjatë këtij viti është ballafaquar me shkeljet më të rënda të lirisë së shprehjes që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Dhjetë vjet më vonë, media në Kosovës është vendosur nën trysni të paparë, përderisa kjo ka shkaktuar reagimin e shumë instancave ndërkombëtare.
22. Kultura e humbur. Gjatë vitit 2009 nuk mund të flitet fare për kulturën. As nuk pati buxhet, e as nuk pati kreativitet. Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtij viti, që në fakt do të thotë se ka ndodhur mbytja e jetës shpirtërore të kosovarëve.
23. Sporti i harruar. Qeveria e Kosovës duket se ka harruar fare ta fus sportin në ndonjërën prej prioriteteve të veta të punës. Gjatë vitit 2009 sporti i Kosovës ka vazhduar tatëpjetën. Madje, nuk është folur asnjëherë në nivele të larta politike çështja e ngritjes së cilësisë së sportit apo të ndërkombëtarizimit të tij.
24. “Zgjedhjet” për demokracinë e përmbytur. Kosova në fund të vitit 2009 ka përmbytur edhe demokracinë e vet. Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit dhe balotazhi më 13 dhjetor kanë treguar se Kosova nuk është as afër ndërtimit të demokracisë. Dy partitë në pushtet (PDK dhe LDK) detyrohen të përsërisin zgjedhjet në disa komuna, për shkak të vjedhjes së manipulimit të votës së lirë të qytetarit.
Ëh. Edhe kjo na u deshtë!
(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës - AAK)
Botuar më 25 dhjetor 2009, në

Saturday, December 19, 2009

Zanzibar demokraci, zanzibar zgjedhje

Vështrim

Zanzibar demokraci, zanzibar zgjedhje

Kosova po jeton në “zanzibar demokraci” dhe kështu ka mbajtur “zanzibar zgjedhje”. Larg standardeve, pa vullnet politik institucional, pa përgatitje të duhura, pa përgjegjësi shtetërore. Nga shantazhet e kryeministrit deri te importimi i modelit Edi Rama në Gjakovë, demokracia në Kosovë u dëmtuar sërish

Shkruan: BURIM RAMADANI

Procesi zgjedhor në Kosovë është përcjell i tëri me shumë dilema, dyshime të mëdha dhe mos-besim të fuqishëm. Kjo si pasojë e tri elementeve kryesore. Së pari, për shkak të mos-gatishmërisë politike institucionale të liderëve të vendit (presidentit dhe kryeministrit) për përgatitjet e duhura politike dhe teknike. Së dyti, për shkak të mungesës së madhe të transparencës kaq shumë të nevojshme në Kosovë. Dhe, së treti, për shkak të vendimmarrjes së papërgjegjshme gjatë këtyre mujave të fundit.

Presidenti dhe kryeministri talleshin me të tjerët, tash ata mbetën të tallurit

Në periudhën e përgatitjeve për zgjedhje është jashtëzakonisht e nevojshme transparenca dhe vendimmarrja e përgjegjshme. Kjo jo vetëm sa për të plotësuar një formalitet, por për të arritur vërtetë përmbushjen e standardeve të nevojshme për një proces të suksesshëm dhe të garantuar. Prej këtu mund të fillojmë analizën kur flasim për zgjedhjet e posapërfunduara në Kosovë. Kjo kërkohej edhe në Kosovë që nga muajt prill dhe maj të këtij viti. Por, assesi të ndodhte. Të gjithëve na kujtohet si partitë politike opozitare (dhe në veçanti AAK-ja) është dashur të bëjnë presion të madh publik madje vetëm për të filluar konsultimet e para për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në muajt e parë të pranverës 2009 nuk ka pasur gatishmëria politike për përgatitjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, derisa në të njëjtën kohë, sikurse ju kujtohet, Komisioni Qendror Zgjedhor ishte plotësisht jo-funksional. Për më tepër, kryesuesi i KQZ-së kishte dhënë dorëheqje dhe kryeshefi ekzekutiv nuk ishte zgjedhur ende.
Në fund të pranverës, askush nuk dinte se si do të organizoheshin zgjedhjet. Të gjithë (ndoshta jo bash të gjithë) ishin të frikësuar dhe shqetësuar me atë që do të mund të ndodhte në këto zgjedhje për shkak të mos-përgatitjes së duhur teknike dhe politike. Kjo ka qenë një prej elementeve përse procesi është përcjellë tërë kohën me dilema të shumta, gjë që vazhdon të ndodh edhe më tutje.
Sidoqoftë, në muajt e para-verës disa takime konsultative u mbajtën. Nuk pati mirëkuptim as për datën e zgjedhjeve. Opozita dhe shoqëria civile kërkoi zgjedhje në tetor dhe nëntor, por PDK dhe LDK vendosën që ato të mbahen në nëntor dhe dhjetor. Madje, tallën mendimin e kundërt. Pra, edhe vendimi për datën e zgjedhjeve ishte i njëanshëm. Lëre më të tjerat.
Aspekti politik kishte adresë të qartë (Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës) dhe kjo ndikonte edhe në aspektin e përgatitjeve teknike, përkatësisht në KQZ dhe Sekretariatin e KQ-së. As kërkesa për kamera në vendvotime nuk u pranua. Madje, opinioni publik u mashtrua disa herë. Të gjitha partitë dolën se janë pro vendosjes së kamerave, por PDK-ja bashkë me minoritetet dhe kryesuesen e KQZ-së votoi kundër, ndërsa AKR-ja në votimin e parë nuk u paraqit fare.
Sido që të jetë, mesi i tetorit, sipas vendimit të kryetarit të shtetit, ishte periudha kur do të duhej të fillonte fushata për zgjedhjet lokale. Por, deri atëherë edhe kryetari dhe kryeministri ishin përfshirë në fushatë. Njëri duke inauguruar parqe në kryeqytet e tjetri duke kaluar secilën ditë në terren.
Edhe për çështjen e kohëzgjatjes së fushatës pati mospajtime. Derisa vetë patën filluar fushatën, dy udhëheqësit e shtetit (dhe partive në koalicion qeveritar) kërkonin dhe insistonin që fushata të zgjaste 21 ditë në vend të 30 ditëve që është paraparë me ligj. Me qëndrimin e qartë të dy partive opozitare, kjo tentativë për shkelje ligji u anulua.
Më tutje, kemi parë një fushatë tejet interesante, me akuza të rënda midis partnerëve të koalicionit qendror dhe në njëjtën kohë edhe fushatë paradoksale. Kryeministri Thaçi u akuzua nga partneri i vet në koalicion për logjikë dhe veprime komuniste, për diktaturë në miniaturë, për të qenit karikaturë në atë logjikë, për korrupsion, për krim të organizuar, për veprimtarinë negative të shërbimit të tij privat SHIK, për terrorizimin e qytetarëve të Prishtinës, e për çka jo. Por, kryeministri kishte filluar një logjikë tjetër: atë të premtimit të shumave tepër të mëdha për komunat, nëse aty do të fitonin kandidatët e partisë së tij. Për më shumë, ai kërcënonte dhe shantazhonte qytetarët dhe bizneset nëpër komuna të ndryshme nëse nuk do të fitonin të përzgjedhurit e tij për ato komuna. Një rast i këtillë i rëndë ishte në Suharekë, ku kryeministri Thaçi shprehte hapur këtë logjikë dhe mentalitet shantazhi.

Sovrani dhe verdiktin e vet. MOS PREK!

Sovrani dha verdiktin e vet. Këtë fjali jemi mësuar ta dëgjojmë secilën herë që ka zgjedhje. Por, kësaj duhet t’i shtojmë edhe dy fjalë: Sovrani dha verdiktin e vet. MOS PREK! Mirëpo, ky nuk është rasti i Kosovës. Shumë e shumë keqpërdorime të ndryshme morën hov. Ku më shumë e ku më pak, vota e qytetarit ishte në mëshirën e njerëzve ‘vullnetarë’ të grupeve të caktuara brenda partive politike.
Sidoqoftë, janë disa elemente negative kanë përcjellë këtë proces zgjedhor në Kosovë. Madje, këto elemente mbesin gjurmë të kqija edhe për periudhat e ardhshme zgjedhore.
Së pari, procesi ishte i papërgatitur mirë dhe me shumë dilema. Edhe vetë partitë politike dhe garuesit në këto zgjedhje nuk kanë besuar në proces. Certifikimi i zgjedhjeve nuk është mundësuar të bëhet në përputhje me Planin e Ahtisaarit dhe për këtë adresa kryesore është presidenti dhe kryeministri i vendit. Po ashtu, edhe në këto zgjedhje pastrimi i listave ka qenë një prej të metave kryesore.
Së dyti, është përdorë dhunë në periudhën e zgjedhjeve. Kandidati për kryetar të Mitrovicës është sulmuar me armë, derisa objekti i Komunës së Gjakovës është sulmuar me armë automatike nga një person i cili ishte pjesë e ekipit elektoral të kundër-kandidates. Dhuna në Deçan është një tjetër rast i rëndë gjatë kësaj periudhe.
Së treti, gjatë këtyre zgjedhjeve është futur “në lojë” edhe kërcënimi dhe shantazhimi i bizneseve dhe qytetarëve. Kryeministri ka kërcënuar dhe shantazhuar bizneset dhe qytetarët në komuna të ndryshme me mos-investim të ndonjë centi nëse nuk fitojnë kandidatët e partisë së tij, sikurse është rasti në Suharekë.
Së katërti, në këtë proces është parë tentimi për të importuar modelin e Edi Ramës, që u tentua të aplikohet në Gjakovë. Rasti i kësaj komune ishte një konspiracion i ndërtuar qartë midis Thaçit, Pacollit dhe SHIK-ut, ndërsa protesta e qytetarëve e “vetëorganizuar” kishte me motot e njëjta sikurse të Edi Ramës në kohën kur Behgjet Pacolli qëndronte në protestën e Ramës në Tiranë.
Së pesti, involvimi i Policisë në zgjedhje. Edhe uniformat e policisë janë involvuar në dëmitimin e procesit dhe kjo është dëmi më i madh që i ka shkaktuar kjo logjikë qeverisëse Policisë së Kosovës.
Së gjashti, zgjedhjet me “ushtri” për mbrojtjen e votës. UMV (Ushtria për Mbrojtjen e Votës) është nevojitur secilit garues për të ruajtur vullnetin e qytetarëve nga manipulimi i votave dhe nga presioni i madh ndaj votuesve.
Së shtati, jostabiliteti institucional gjatë periudhës së zgjedhjeve. Menjëherë pas rundit të parë, më 19 nëntor nga Zanzibari u njoftua opinioni publik se Qeveria e Kosovës është prishur.
Të gjitha këto tregojnë për dëmtimin e madh që i është bërë demokracisë në Kosovë. Të gjitha këto tregojnë se Kosova po jeton në “Zanzibar demokraci”, prandaj edhe ka pasur “Zanzibar zgjedhje”.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Kohën Ditore”

Botuar në “Koha DITORE” më 22 dhjetor 2009, fq. 11.

Wednesday, December 16, 2009

Çfarë zgjedhjesh patëm?

Loja pa fitues

Çfarë zgjedhjesh patëm?

Humbja e mundshme e PDK-së në Prizren dhe humbja e konstatuar e kandidatëve të LDK-së dhe PDK-së në Suharekë (edhe të bashkuar në rundin e dytë në atë komunë), është dëshmi e fuqishme për ndryshime të mëdha. Ndryshime këto që do të shpejtojnë në javët e ardhshme, për të rezultuar me zgjedhjet nacionale në vitin 2010.

Shkruan: Burim Ramadani

I
Transparenca dhe vendimmarrja e përgjegjshme në periudhën e përgatitjeve për zgjedhje është jashtëzakonisht e nevojshme. Kjo kërkohej edhe në Kosovë që nga muajt prill dhe maj të këtij viti. Por, assesi të ndodhte. Madje, duhej që partitë opozitare të shkruajnë letra zyrtare për të kërkuar fillimin e konsultimeve për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kështu mund të konstatohet gatishmëria politike e përgatitjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, derisa në të njëjtën kohë Komisioni Qendror Zgjedhor ishte plotësisht jo-funksional. Për më tepër, kryesuesi i KQZ-së kishte dhënë dorëheqje dhe kryeshefi ekzekutiv nuk ishte zgjedhur ende. Askush nuk dinte se si do të organizoheshin zgjedhjet në fund të pranverës së këtij viti. Të gjithë (ndoshta jo bash të gjithë) ishin të frikësuar dhe shqetësuar me atë që do të mund të ndodhte në këto zgjedhje për shkak të mos-përgatitjes së duhur teknike dhe politike. Aspekti politik kishte adresë të qartë dhe kjo ndikonte edhe në aspektin e përgatitjeve teknike. As kamerat në vendvotime nuk u lejuan. Madje, opinioni u mashtrua disa herë. Sidoqoftë, disa takime konusltative u mbajtën. Nuk pati mirëkuptim për datën e zgjedhjeve. Opozita dhe shoqëria civile kërkoi zgjedhje në tetor dhe nëntor, por PDK dhe LDK vendosën që ato të mbahen në nëntor dhe dhjetor. Madje, tallën mendimin e kundërt. Pra, edhe vendimi për datën e zgjedhjeve ishte i njëanshëm. Lëre më të tjerat.

II
Mesi i tetorit, sipas vendimit të kryetarit të shtetit, ishte periudha kur do të duhej të fillonte fushata për zgjedhjet lokale. Por, deri atëherë edhe kryetari dhe kryeministri ishin përfshirë në fushatë. Njëri duke inauguruar parqe të vogla në kryeqytet e tjetri duke kaluar secilën ditë në terren. Edhe për çështjen e kohëzgjatjes së fushatës pati mospajtime. Derisa vetë patën filluar fushatën, dy udhëheqësit e shtetit (dhe partive në koalicion qeveritar) kërkonin dhe insistonin që fushata të zgjaste 21 ditë në vend të 30 ditëve që është paraparë me ligj. Me qëndrimin e qartë të dy partive opozitare, kjo tentativë për shkelje ligji u anulua. Më tutje, kemi parë një fushatë tejet interesante, me akuza të rënda midis partnerëve të koalicionit qendror dhe në njëjtën kohë edhe fushatë paradoksale. Kryeministri Thaçi u akuzua nga partneri i vet në koalicion për logjikë dhe veprime komuniste, për diktaturë në miniaturë, për të qenit karikaturë në atë logjikë, për korrupsion, për krim të organizuar, për veprimtarinë negative të shërbimit të tij privat SHIK, për terrorizimin e qytetarëve të Prishtinës, e për çka jo. Por, kryeministri kishte filluar një logjikë tjetër: atë të premtimit të shumave tepër të mëdha për komunat, nëse aty do të fitonin kandidatët e partisë së tij. Për më shumë, ai kërcënonte dhe shantazhonte qytetarët dhe bizneset nëpër komuna të ndryshme nëse nuk do të fitonin të përzgjedhurit e tij për ato komuna. Një rast i këtillë i rëndë ishte në Suharekë, ku kryeministri Thaçi shprehte hapur këtë logjikë dhe mentalitet shantazhi.

III
E tëra që kishte ndodhur deri më 15 nëntor rezultoi me ndryshim të skenës politike në Kosovë. Vota e qytetarëve të Kosovës tregoi një drejtim të ri që ka marrë vullneti politik në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arriti një nivel që nuk ishte parë deri në këto zgjedhje në Kosovë. Numri i përgjithshëm i votave për AAK-në është dyfishuar, sikurse është dyfishuar edhe përqindja dhe numri i komunave nën qeverisjen e kandidatëve të AAK-së. Ndërsa, dy partitë politike që qeverisin Kosovën në nivel qendror kanë marrë goditje të fuqishme në numër të caktuar të komunave. Përderisa kanë ruajtur apo kanë rritur në një masë numrin e përgjithshëm të votave në nivel të Kosovës, PDK dhe LDK janë goditur në Prizren dhe Suharekë, në Kamenicë dhe Klinë, Pejë dhe Gjakovë, Obiliq dhe Mitrovicë e në komuna të tjera. Ndërsa, zgjedhjet e 15 nëntorit i kanë dhënë një goditje të fuqishme AKR-së së Pacollit dhe LDD-së së Dacit, parti këto të cilat arritën një marrëveshje/koalicion duke pasur një numër të kandidatëve të përbashkët për kryetarë komunash. Sidoqoftë, menjëherë pas rundit të parë të këtyre zgjedhjeve, kemi parë një zhgënjim dhe mos-arritje të suksesit të planifikuar në bazë të një konspiracioni të ndërtuar nga kryeministri Thaçi, Behgjet Pacolli dhe SHIK-u në Gjakovë. Ky zhgënjim u manifestua edhe me protesta në rrugë, duke sjellë kështu modelin e “demokracisë së Edi Ramës” nga Tirana në Gjakovë. Për më shumë, Pacolli kishte marrë pjesë po ato ditë në protestën e Ramës në Tiranë.

IV
Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash erdhi pas një konstatimi të ndryshimit të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Tri partitë kryesore në vend u futën në rundin e dytë me shumicën e komunën, derisa koalicioni AKR-LDD kishte tri kandidatura të tilla në balotazh. Edhe përgatitjet teknike dhe politike vazhduan të jenë të papërshtatshme për këtë periudhë. Qysh më parë ishte qartësuar nevoja që balotazhi të mbahej më shpejt dhe të mos kërkonte një periudhë një mujore, sikurse që ndodhi. Kryeministri Thaçi pothuajse nuk u kthye fare në zyrën e tij në Kryeministri, derisa në Prishtinë ligjin e ‘bënte’ dhe ‘tallej me të’ Nazim Bllaca, një ish-agjent i shërbimit privat të kryeministrit, i njohur si Shërbimi Informativ i Kosovës. Rritja e tensioneve në radhët e qytetarëve të Kosovës ishte e jashtëzakonshme dhe është nevojitur një investim tepër i madh i partive të përgjegjshme politike në mënyrë që të ruhet qetësia, pjekuria dhe maturia e qytetarëve të vendit. Kështu është ruajtur stabiliteti i vendit, derisa normalisht në periudhën e ardhshme këto tema të rënda duhet të vazhdohen para drejtësisë për t’i dhënë përgjegjësinë secilit individ për veprimet që ka bërë. Sidoqoftë, rezultatet e rundit të dytë karakterizohen sërish me Prizrenin dhe Suharekën. Humbja e mundshme e PDK-së në Prizren dhe humbja e konstatuar e LDK-së dhe PDK-së në Suharekë (deri në një masë të bashkuara në rundin e dytë në atë komunë), është dëshmi e fuqishme për ndryshime të mëdha. Ndryshime këto që do të shpejtojnë në javët e ardhshme, për të rezultuar me zgjedhjet nacionale në vitin 2010.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”


Botuar në “Zëri” më 18 dhjetor 2009, fq. 25

Monday, December 7, 2009

Sa shumë punë për EULEX-in!

Loja pa fitues

Sa shumë punë për EULEX-in!

“The Young Europeans” duket se dinë të prodhojnë kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik, korrupsion dhe krim të organizuar. Me mungesën e vullnetit politik të qeverisë së vendit, EULEX-i duhet të merr rol shumë të fuqishëm. Si misioni më i madh në historinë e BE-së, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej në Kosovë, por as në Bruksel

Shkruan: Burim Ramadani

I

Lajmet e fundit që dalin nga Kosova nuk janë pozitive. Vendet e rajonit, vendet mike Perëndimore, opinioni publik ndërkombëtar, sikurse edhe institucionet e organizatat ndërkombëtare janë ‘bombarduar’ nga lajmet negative nga Kosova. “The Young Europeans” (“Evropianët e rinj”) duket se dinë të prodhojnë këto kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik dhe pamundësi zhvillimi. Vetëm po të analizohet periudha e shkurtër pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit të këtij viti, mund të konstatohet për sinjale tejet shqetësuese që Kosova dërgon tek opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar. Brenda më pak se tri javësh, nga shteti i ri kanë ardhur tri lajme negative. Së pari, Qeveria e Kosovës prishet në gjysmë të natës për shkak se udhëheqja e partisë prirëse të koalicionit është emocionuar pas ndonjë gote alkool dhe është mbushur me inat ndaj partnerit qeverisës. Më pas, të nesërmen në mëngjes, çdo gjë u ‘rregullua’, porse askush nuk mori vesh si dhe përse. Së dyti, një ish-agjent i Shërbimit (privat) Informativ të PDK-së deklaron për përfshirjen e figuarave të rëndësishme politike të Qeverisë në urdhërdhënien për vrasjen e kundërshtarëve politik. Së treti, Kosova nuk është bashkëpunuese sikurse duhet me misionin EULEX dhe për këtë shkak Këshilli i Ministrave të BE-së duhet të ndërhyjë publikisht.

II

E vërteta e popullit të Kosovës është ndryshe nga ajo që është e vërteta për Qeverinë e Kosovës. Derisa qytetarët e Kosovës janë njerëz bashkëpunues dhe mirënjohës për ndihmën e madhe ndërkombëtare që është dëshmuar gjatë këtyre viteve, Qeveria e Kosovës kritikohet pikërisht në këtë aspekt. Mirënjohja që populli i Kosovës i ka bërë gjatë kësaj periudhe figurave të mëdha ndërkombëtare është e vërejtshme në tërë vendin. Shtatore dhe buste janë ndërtuar për burrështetas të vendeve Perëndimore, sikurse rrugë dhe shkolla janë emërtuar me emra të tjerë. Madje, edhe fëmijët kosovarë mbajnë emrat sikurse Bill Klinton, Medlin Ollbrajt apo Toni Bler. Kjo e vërtetë ndryshon edhe sa i përket vullnetit politik për të ndërtuar shtet të fuqishëm të bazuar në rend dhe ligj, ekonomi të zhvilluar, liri, të drejta të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe integrimet evropiane. Të gjitha këto fusha janë pikërisht ato për të cilat Kosova ka nevojë më së shumti, derisa për fat të keq aty është shënuar regresi më i madh. Qeveria aktuale e Kosovës ka shënuar rekord të mungesës së vullnetit politik për të luftuar dukuritë negative, duke u kthyer kështu në stimulues dhe lehtësues të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

III

Shpërputhja e madhe midis vullnetit politik të institucioneve qeveritare të Kosovës, përkatësisht mungesës së këtij vullneti, dhe problemeve tejet të mëdha sa i përket sundimit të ligjit në vend, tregon për nevojën e padiskutueshme për ndryshim të qartë të drejtimit. Dhe, për këtë duhet të merr rol shumë të fuqishëm EULEX-i. Si misioni më i madh në historinë e Bashkimit Evropian, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej as në Bruksel, por as në Kosovë. Tek e fundit, zotërimi i kapaciteteve profesionale të EULEX-it duhet të drejtohet kah zgjidhja e probleme të mëdha në fushën të cilën misioni e mbulon. I tillë është edhe rasti i fundit i hapjes së “Kutisë së Pandorës” rreth atyre që quhen krime politike në Kosovën e pasluftës. EULEX-i duhet të jetë vërtetë i shpejtë, profesional, i guximshëm dhe i përkushtuar në mënyrë që situata të mund të menaxhohet në mënyrën më të mirë. Destabiliteti politik dhe qytetar i Kosovës është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit gjatë kësaj faze të ndjeshme, kur Kosova përballet me padinë e Serbisë neo-Millosheviqiane në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

IV

Interesi i Kosovës nuk mbrohet vetëm në rastet e rënda të zhvillimeve të fundit që u paraqitën në opinionin publik. Kosova ka edhe shumë probleme dhe vështirësi të mëdha për të cilat është i nevojshëm përkushtimi dhe angazhimi i fuqishëm profesional i EULEX-it. Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë vërejtur vendosmërinë e EULEX-it në vendosjen e kontrollit ligjor në një pjesë të madhe të territorit shtetëror. Veriu i Kosovës edhe më tutje mbetet jashtë çfarëdo mekanizmi ligjor, ndërsa situata atje është duke u keqësuar edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, kontrabanda është rritur pa ndonjë pengesë gjatë këtyre dy vjetëve, derisa krimi i organizuar rajonal gjen në Kosovë strehim të pandëshkueshëm. Kosova mbetet edhe më tej çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore, edhe pse për këtë vendi ka marrë kritika të fuqishme nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit. Korrupsioni është bërë dukuri ‘normale’ në qeverisjen e vendit, ku një kilometër asfalt kushton deri në disa miliona euro. Të gjitha këto, por edhe probleme tjera, kanë nevojë për zgjidhje që mund të vijë nga vendosmëria e EULEX-it. Francezi Iv de Kermabo, shefi i këtij misioni, do të kthehej hero të Kosovës nëse do të tregonte përkushtim dhe guxim për t’u përballë me këto zhvillime negative. Dhe, ai nuk e ka të vështirë: vetëm duhet të veprojë ashtu sikurse do të vepronte në shtetin e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në "Zëri" më 8 dhjetor 2009, fq. 24.

Qeveria “Bllaca”

Qeveria “Bllaca”

Pavarësisht nëse e besojmë apo jo vërtetësinë e rrëfimeve të një ish-agjenti të SHIK-ut, Nazim Bllaca, kjo nuk e ndryshon themelimin e asaj që është duke e thënë ai: Ekzistencën e SHIK-ut, pjesën e veprimtarisë kriminale të SHIK-ut dhe dëmtimin e njerëzve të Kosovës gjatë këtyre viteve

BURIM RAMADANI

Tronditja ende nuk ka kaluar. Nazim Bllaca shokoi të gjithë. Qytetarët e Kosovës kanë mbetur këto javë të tronditur, të shokuar dhe të shqetësuar me zhvillimet e fundit në vend. Madje, shumë njerëz kanë qëndruar zgjuar deri në orët e vona pas mesnatës për të parë nëse do të publikohen edhe ndonjë CD tjetër që dëshmon apo pretendon të dëshmojë krime tjera.

E tërë kjo që po ndodh mund të konstatohet se paraqet situatën më të rëndë në Kosovën e pasluftës. Ëshë hapur tema më e rëndë, më e ndjeshme dhe më e dhimbshme e Kosovës së pas-vitit 1999. Populli i Kosovës e ka të qartë se kjo situatë nuk është as humor i zi, as tendencë për të arritur qëllime politike të ndokujt. Por, kjo na kujton edhe njëherë se në çfarë periudhash të rënda ka kaluar populli i Kosovës gjatë këtyre vjetëve. Rruga e Kosovës për të arritur shtetësinë ka kaluar nëpër shumë sfida të mëdha, ka kërkuar shumë mund, shumë ndjersë, shumë sakrificië, shumë gjak, shumë njerëz.

Populli i Kosovës nuk ka kaluar si është më së miri as pas vitit 1999, kur situata politike kishte marrë dimensione të reja. Kundërshtitë politike që kishin filluar menjëherë pas luftës nuk kanë qenë të lehta për ndjenjat e qytetarëve të Kosovës. Ishte investuar shumë për të përçarë popullin e Kosovës në bazë të grupimeve politike, duke mos kursyer as konstatimet për vërtetësinë kombëtare të liderëve të partive konkurruese.

Porse, pavarësisht nëse ne e besojmë apo nuk e besojmë vërtetësinë e rrëfimeve që po bën një ish-agjent i SHIK-ut, Nazim Bllaca, kjo nuk e ndryshon themelimin e asaj që është duke e thënë ai: Ekzistencën e SHIK-ut, veprimtarinë kriminale të SHIK-ut dhe dëmtimin e njerëzve të Kosovës gjatë këtyre viteve.

Qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se një grup i caktuar i njerëzve të Kosovës, që u bashkuan në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), patën themeluar Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK), si një shërbim intelegjent ‘privat’, duke shkelur kështu të gjitha normat e funksionimit normal të demokacisë. Ky shërbim ka vazhduar të punojë për interesat e udhëheqjes së lartë të PDK-së, derisa nuk kanë paraqitur asnjëherë ndonjë raport publik për punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve. Për më tepër, një numër jo i vogël i qytetarëve të Kosovës nuk kanë pasur fare idenë e kush janë këta njerëz, çka bëjnë, me kë punojnë, për kë punojnë, kur kanë filluar të punojnë, ku i kanë marrë burimet financiare dhe çka i kanë ndihmuar Kosovës këta njerëz? Këto dhe shumë e shumë pyetje tjera ngriten sa herë që është folur dhe flitet për SHIK-ut dhe rolin e këtij shërbimi në zhvillimet në Kosovë.

Rasti i Nazim Bllacës ka ofruar informata të reja për qytetarët e Kosovës. Ata tashmë të tronditur dhe të shokuar, nuk kanë sesi të mirëkuptojnë atë që ka ndodhur apo pretendohet të ketë ndodhur. Ka dëshmuar se Qeveria e tashme është e udhëhequr nga njerëzit e SHIK-ut, roli i të cilëve në Kosovë nuk duket të ketë pasur vetëm tregime pozitive. Institucionet e Kosovës janë vërshuar nga njerëzit e këtij shërbimi menjëherë pas gjysmës së vitit të kaluar. Madje, edhe institucionet tejet vitale për shtetin, sikurse është Këshilli i Sigurisë së Kosovës, është mbushur me njerëz të këtillë, të cilët vazhdojnë të ruajnë strukturën e shërbimit të tyre privat, ilegal.

Por, çka është e rëndësishme në këto momente të vështira për Kosovën?

Së pari, është vendimtare se si do të menaxhohet në vazhdimësi kjo situatë e rëndë dhe jostabile në të cilën është vënë Kosova nga ky mentalitet qeverisës. Zhvillimet e fundit kanë treguar se institucionet e Kosovës nuk paraqesin adresën se ku do të mbështetej dhe besohej menaxhimi i një situate të këtillë. Sepse, vetë njerëzit që udhëheqin këto institucione janë po ashtu të dyshuar, të akuzuar publikisht apo të prekur nga ajo që deklarohet nga Nazim Bllaca. Si mund të menaxhojë një situatë të këtillë ku akuzohet SHIK-u për vepra të caktuara kriminale dhe krim të organizuar, derisa një numër ministrash, zëvendës-ministra, këshilltarësh e punëtorësh kanë qenë dhe janë në shërbim të SHIK-ut? Madje, ka të atillë që edhe e kanë konfirmuar publikisht këtë. Prandaj, roli i EULEX-it është vendimtar dhe i pakontestueshëm sa i përket mundësisësë menaxhimit të situatës. Veprimet e shpejta që duhet të ndërmerren nga misioni i EULEX-it janë të domosdoshme.

Së dyti, qytetarët e Kosovës nuk duhet të lëndohen dhe të dëmtohen për shkak të tërë këtyre zhvillimeve të fundit. Kosova duhet të ruajë sigurinë e qytetarëve të vet. Asgjë nuk është më e vlefshme se jeta e njeriut dhe si e tillë kjo nuk guxon të vihet në pikëpyetje apo rrezikim. Qytetarët e Kosovës kaë dhënë shumë për vendin, për qëllimin tonë të përbashkët, shtetin e Kosovës.

Në vlugun e zhvillimeve të këtilla apo daljes së mundshme në sipërfaqe të zhvillimeve të mëhershme në Kosovë, qytetarët e Kosovës duhet të ruajnë maturinë, pjekurinë politike dhe qetësinë. Institucionet e Kosovës dhe partitë politike duhet të jenë tepër të kujdesshme për të mos nxitur përçarje midis popullit dhe mos politizuar këto çështje të rënda për vendin.

Ndërsa, përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi pjesën kryesore e qeverisë së tashme, disa prej të cilëve nuk hezitojnë të konfirmojnë lidhjet dhe shërbimin që kanë bërë në SHIK. Pos skandaleve të shumta që e kanë përcjellë gjatë këtyre dy vjetëve, Qeverisë së Kosovës populli i ka dhënë edhe një epitet tjetër: Qeveria Bllaca.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)


Botuar në "Koha DITORE" më 7 dhjetor 2009, fq. 12

Saturday, November 28, 2009

Pse duhet mbajtur zgjedhjet nacionale?

Loja pa fitues

Pse duhet mbajtur zgjedhjet nacionale?

Janë një mori arsyesh pse duhet mbajtur zgjedhjet nacionale në pranverën e vitit të ardhshëm. Por, mbi të gjitha është fakti se kjo qeveri ka humbur kredibilitetin, besimin, mbështetjen dhe më nuk është parnter stabil as i vendorëve dhe as i ndërkombëtarëve. Kosova s’ka nevojë që të dënohet për shkak të vendimmarrjes emocionale të një personi apo një grupi të caktuar

Shkruan: Burim Ramadani

I

Shpejtësia e zhvillimeve politike të përgjithshme në Kosovë ka pasur si shtysë të pakontestueshme zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Analiza që duhet bërë rreth këtyre zhvillimeve duhet patjetër të bazohet në ndryshimin e numrave dhe pozicioneve të subjekteve politike për herë të parë në Kosovën e pavarur. Kjo anazilë përfshin po ashtu gjendjen e tashme në të cilën ndodhet Kosova, duke pasur parasysh të gjitha sfidat dhe kërcënimet e shumta ndaj sigurisë së përgjithshme, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, procesit të rëndësishëm të integrimeve ndërkombëtare, raporteve me vendet fqinje dhe të ardhmës së përgjithshme të qytetarëve të vendit. Në kuadër të kësaj, duhet parë edhe mundësinë e ndikimit të fuqishëm të veprimeve të mundshme ligjore të organeve të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, të cilat duket se janë më afër se asnjëherë më parë. Kosova është e mbushur me veprime që shkelin ligjin me dy këmbët, krimin e organizuar dhe me historinë e dhunës politike që ka ndodhur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

II

Kosova e pas-zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit nuk është më e njëjta. Politika e brendshme, përkatësisht skena politike është rikonfiguruar dhe ajo më nuk paraqet të njëjtën situatë së më parë. Ndryshimi i raportit të forcave midis subjekteve politike ka dëshmuar se qytetarët e Kosovës nuk mendojnë njëjtë sikur deri më tash. Besimi i qytetarëve përmes votës së lirë është parakushti kryesor vendimtar për pozicionin që i përcaktohet secilit subjekt politik në demokraci. Kështu, zgjedhjet e 15 nëntorit 2009 kanë treguar vullnetin e qytetarëve të Kosovës kundër politikave të udhëhequra nga kryeministri Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Në këtë mënyrë mund të shpjegohet rikthimi i pjesshëm i besimit të qytetarëve tek Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në Prishtinë, përmes një strategjie të suksesshme të prof. Isa Mustafës. Ndërkaq, rritja më e madhe e besimit të qytetarëve të Kosovës është dëshmuar për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo që është treguar më e avancuara sa i përket procesit të reformave të brendshme strukturore, kapaciteteve njerëzore dhe politikave të saja të qarta për zhvillimin e jetës së qytetarëve të vendit. E udhëhequr nga kryeministri më i suksesshëm i vendit, Ramush Haradinaj, AAK-ja me kujdes ka zhvilluar agjendën më precize politike, duke u kthyer kështu në partinë më moderne në Kosovë.

III

Organizimi i zgjedhjeve nacionale në pranverën e vitit të ardhshëm është i pashmangshëm. Janë një mori arsyesh pse duhet mbajtur zgjedhjet nacionale në pranverën e vitit të ardhshëm. Këto arsye kanë të bëjnë edhe me raportin midis partnerëe në koalicionin qeveritar, në zhvillimet e brendshme të këtyre partive, por edhe në besimin që qytetarët e Kosovës kanë për subjektet politike veç e veç. Por, mbi të gjitha është fakti se kjo qeveri ka humbur kredibilitetin, besimin, mbështetjen dhe më nuk është parnter stabil as i vendorëve dhe as i ndërkombëtarëve. Zhvillimet e natës (për të cilat të gjithë qeshin ditën) kanë vënë në pah një aspekt tjetër të panjohur publikisht të udhëheqjes së tashme të qeverisë: jostabilitetin, papjekurinë politike, ndjenjën e hakmarrjes dhe vendimmarrjen emocionale. Me këto karakteristika, as Obama dhe as Sarkozi nuk do të llogariteshin më si partner të qëndrueshëm për zhvillimet në raportet me shtetet, organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Për më keq, Kosova ndodhet në një situatë të brishtë të ekonomisë dhe sigurisë, prandaj partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare në të dy këto fusha është i pakontestueshëm. Secili që luhat partneritetin me miqtë ndërkombëtarë, normalisht se luhat edhe pozicionin e Kosovës dhe për këtë shkak humb realisht aftësinë për t’u konsideruar si palë e dobishme dhe stabile në zhvillimet e mëtejme. Kosova nuk ka nevojë që për shkak të një personi apo grupi të vihet në pozitë të të dënuarit.

IV

Itinerari i zhvillimeve të ardhshme mund të vijëzohet që nga ditët e sotme. Së pari, duhet të organizohet rundi i dytë në njëzet komuna të Kosovës, ku kryesisht garojnë PDK, AAK dhe LDK, ndësra në pak komuna edhe LDD dhe AKR. Rundi i dytë pritet t’i jep edhe një goditje të fuqishme PDK-së, e cila duket se do të humb edhe të paktën katër-pesë komuna që janë udhëhequr nga kandidatët e tyre gjatë këtyre dy vjetëve të fundit. Kjo do të mund të shkaktojë edhe një dridhje të fuqishme brenda koalicionit të tashëm qeveritar për shkak të rikthimit të mundshëm të LDK-së në Prizren. Ajo që është evidente është fakti se udhëheqja e LDK-së në Prizren njihet si krahu më anti-PDK i kësaj partie. Kur kësaj i shtohet edhe pozicioni që ka marrë udhëheqja e Prishtinës në raport me PDK-në e Thaçit atëherë është e pashmangshme përplasja e re midis partnerëve të koalicionit. Pas kësaj, kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duhet të mbledh të gjitha subjektet politike në një takim konsultativ për të analizuar kohën e përshtatshme për organizimin e zgjedhjeve nacionale. Në javët e para të vitit 2010, kryetari Sejdiu (pas konsultimeve të nevojshme) duhet të shpallë zgjedhjet nacionale për muajin prill apo maj. Pas zgjedhjeve nacionale, Kosova do të mund të ketë një partner stabil dhe të qëndrueshëm për zhvillimet e ardhshme për sigurinë e përgjithshme, zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”


Botuar në "Zëri" më 30 nëntor 2009, fq.

Papjekuria politike

Loja pa fitues

Papjekuria politike

Lajmi për prishjen e koalicionit qeveritar për shkak se LDK-ja ka lidhur marrëveshje në disa komuna me AAK-në ka shfaqur edhe njëherë jostabilitetin e qeverisë Thaçi. Kjo ka treguar edhe se kryeministri Thaçi nuk është partner stabil as për faktorët vendorë dhe as për faktorët ndërkombëtarë. Thjesht, ka treguar papjekuri politike. Prandaj, zgjedhjet parlamentar duhet të mbahen menjëherë në pranverë

Shkruan: Burim Ramadani

I

Se ndryshimi që ndodhi ditëve të fundit në skenën politike ka pasur efekt të menjëhershëm, kjo është e pakontestueshme. Të gjithë jemi dëshmitarë dhe pamë qartë atë që u zhvillua pak netë më parë, kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) reagoi më në fund. Reagimi i udhëheqjes së partisë më të madhe në vend tregoi në realitet një gjendje të rëndë dhe jostabile të kësaj partie. Rezultatet e zgjedhjeve të 15 nëntorit kanë rikonfiguruar skenën politike, duke i dhënë një drejtim të qartë zhvillimeve të ardhshme politike në vend. Populli i Kosovës ka treguar se e ardhmja e vendit do të jetë e drejtuar nga e djathta politike dhe do të ndalë udhëtimin e vet nga elita politike që funksionon në bazë të mentalitetit ekstrem të majtë, komunist. Kjo duket se ka shkaktuar një goditje të rëndë të brendshme të PDK, goditje kjo që ka nxitur edhe reagimin e fundit të natës nga kjo parti. Lajmi për prishjen e koalicionit qeveritar për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lidhur marrëveshje në disa komuna me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shfaqur edhe njëherë jostabilitetin e qeverisë Thaçi. Por, kjo ka treguar edhe se kryeministri Thaçi nuk është partner stabil as për faktorët vendorë dhe as për faktorët ndërkombëtarë, që kanë investuar shumë në Kosovë. Thjesht, ka treguar papjekuri politike.

II

E ardhmja e Kosovës nuk mund të bazohet në duart e njerëzve që reagojnë pa ndonjë pjekuri politike. Fati i Kosovën dhe popullit të saj nuk mund të vendoset në emocionet apo nervozën e një grupi njerëzve, të cilët në rastin e humbjes së caktuar mundohet të djegin çdo gjë vetëm për të tejkaluar krizën e brendshme. Proceset në Kosovë janë ndërtuar me vjet të tëra të stabilitetit politik dhe me përkushtim të pakontestueshëm të forcave politike të vendit. Por, ato nuk guxojnë të lëvizen dhe të marrin kahjen e kundërt vetëm për shkak se një parti politike ka pësuar në zgjedhje ose nuk ka arritur atë që ka synuar. Në demokraci synimi i të gjitha partive politike dhe konkurrentëve në garë është fitorja e garës. Por, rezultatet e garës bazohen në aftësinë e subjekteve për t’u organizuar dhe për të bindur qytetarët që t’i japin besimin për periudhën e caktuar qeverisëse. Ndërsa, ato subjekte që nuk arrijnë synimet e veta duhet të analizojnë strategjinë e vetë, përbërjen, programin dhe qasjen ndaj zhvillimeve të përgjithshme në vend. Mirëpo, kjo duhet të bëhet në mënyrë të relaksuar dhe assesi të mos reagojë në mënyrë të atypëratyshme.

III

Liria e Kosovës është arritur me mund, sakrificë, gjak, ndjersë dhe përkushtim të fuqishëm të qytetarëve të vendit. Të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, është kërkuar punë jashtëzakonisht e madhe, bashkim vlerash dhe strategji të qartë për të ardhmen. Për shumë dekada, populli i Kosovës ka treguar kujdes të posaçëm në ruajtjen dhe mos-dëmtimin e proceseve të rëndësishme të vendit. Të tilla situata kanë ndodhur edhe gjatë viteve të 80-ta, viteve të paraluftës, gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, kur qytetarët i kanë dhënë mbështetje dhe kujdes të padiskutueshëm zhvillimeve të përgjithshme. Para një situate të këtillë të rëndësishme, Kosova ndodhet sërish. Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një sfidë e veçantë për Kosovën dhe si e tillë kjo situatë kërkon mobilizim të përgjithshëm politik. Para një sfide të këtillë Kosova nuk guxon të luajë lojën politike që dëmton të ardhmen dhe që ngushton mundësitë e suksesit të vendit. Por, reagimi emocional i PDK-së, e cila parti udhëheq edhe qeverinë e vendit, dëmtoi stabilitetin e deritashëm, ndërsa ka ngritur edhe më shumë shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për rrugën që ka marrë politika e udhëhequr nga ky mentalitet qeverisës.

IV

Opsioni i ndryshimit në Kosova është dëshmuar të jetë i pranueshëm. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë dhe duan të kenë ndryshim. Ky mentalitet komunist i qeverisë së tashme është jashtëzakonisht i dëmshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Dëmtimi i të ardhmës së Kosovës nuk duhet të vazhdojë edhe më tutje. Tek e fundit, kjo është përgjigjja që kanë dhënë qytetarët e Kosovës përmes votës së tyre. Kosova ka nevojë për një qeveri të orientuar kah politikat e djathta, përkatësisht partitë politike që janë të profilizuara si të djathta. Kosova ka nevojë për një politikë të qartë zhvillimore, e cila bazohet në drejtimin e qartë të rritjes ekonomike të vendit, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapjen e vendeve të reja të punës, zhdukjes së varfërisë ekstreme, zbutjes së varfërisë së përgjithshme, zhvillimit të arsimit cilësor, rindërtimin e sistemit shëndetësor, investimin e fuqishëm në kulturë, fuqizimin e rolit të rinisë dhe ndërkombëtarizimin e sportit. Për këtë, qytetarët e Kosovës kanë nevojë. Për këtë, qytetarët e Kosovës kanë dhënë votën e tyre. Rezultati i 15 nëntorit ka dëshmuar se është e patejkalueshme nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare gjatë muajve të ardhshëm.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në "Zëri" më 25 nëntor 2009, fq. 11.


Sunday, November 8, 2009

Zhurma para ndryshimit

Loja pa fitues
Zhurma para ndryshimit
Udhërrëfyesi për tejkalimin e problemeve të shumta të qytetarëve të Kosovës nuk është dhënë nga partitë politike në pushtet. PDK dhe LDK në këto zgjedhje kanë hyrë me shumë mangësi programore, derisa situata në të cilën ndodhet Kosova është jashtëzakonisht e rëndë. Qeveria e vendit është zhytur në korrupsion të paparë deri më tash jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan dhe më gjerë.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Zhvillimi i fushatës së deritashme për zgjedhjet e 15 nëntori është karakterizuar nga zhurma e nxehtë e pa-përmbajtje midis partnerëve në koalicion, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Po ashtu, kjo fushatë u karakterizua me një qasje profesionale dhe ofertuese e partisë kryesore opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka treguar deri më tash pjekuri dhe seriozitet udhëheqës. Ndërsa, partitë tjera opozitare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) nuk janë parë të kenë pasur vizion dhe strategji të qartë të fushatës. Partitë e vogla, në anën tjetër, janë treguar të kujdesshme për t’u fokusuar kryesisht në qasjen e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta në Kosovë dhe duke hezituar të futen në debatet e nxehta parazgjedhore. Këtu bën përjashtim Partia Liberale e Kosovës, e cila definitivisht ka dëshmuar joseriozitetin e vet dhe mungesën e arsyes së ekzistencës së saj si parti politike, derisa bën me formulime romantike fton qytetarët të votojnë për partitë tjera. Ora, PSD, PSK e të tjera kanë dëshmuar realisht vullnetin e tyre për të ofruar zgjidhje për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
II
Udhërrëfyesi i tejkalimit të problemeve të shumta të jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës nuk është dhënë nga partitë politike në pushtet. PDK dhe LDK në këto zgjedhje kanë hyrë me shumë mangësi programore, derisa situata në të cilën ndodhet Kosova është jashtëzakonisht e rëndë. Qytetarët e Kosovës përballen me varfërinë në rritje, nivelin e lartë të varfërisë ekstreme, nivelit enorm të papunësisë, mungesës së perspektivës së qartë për zhvillimin e gjithanshëm të jetës së tyre. Për këto, partitë në pushtet do të duhej të ofronin zgjidhje konkrete, strategji zhvillimore dhe të hapnin rrugën për zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Por, përkundrazi, partitë kryesore në pushtet kanë treguar deri më tash të kundërtën e pritjeve të qytetarëve. Qeveria e vendit është zhytur në korrupsion të paparë deri më tash jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan dhe më gjerë. Qeveria e Kosovës ka vënë vendin në nivelin më keq të mundshëm sa i përket imazhit të Kosovën nëpër botë. Po ashtu, krimi i organizuar ka arritur shkallën kërcënuese ndaj të ardhmes së vendit. Ndërhyrja në drejtësi, shkelja e fjalës së lirë dhe politikat e gabuara ekonomike kanë dëmtuar edhe më shumë Kosovën dhe të ardhmen e saj.
III
Rezultatet e këtyre zgjedhjeve pritet t’i japin ndëshkimin fillestar mentalitetit të rëndë qeverisës së Kosovës. Kjo është faza e parë e reagimit të qytetarëve të Kosovës ndaj të gjitha zhvillimeve negative që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe gati dyvjeçare qeverisëse. Partitë në pushtet nuk kanë treguar se mund dhe se kanë vizion për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë që e ka kapluar. Apo thënë më mirë, nuk kanë mundësi për nxjerrë Kosovën nga kriza në të cilën e kanë vënë vet gjatë kësaj periudhe. Qytetarët e Kosovës janë edhe më të varfër derisa mbi gjysmë milioni euro nga një Ministri janë shpenzuar për darka dhe dreka gjatë periudhës së parë të këtij viti. Qytetarët e Kosovës janë edhe më të papunë, derisa disa ministri të qeverisë së Kosovës i kanë dhënë 164 milionë euro në procedurë një-burimore. Kjo do të thotë se rreth 15 për qind e Buxhetit të Kosovës janë dhënë nëpër miq të ministrave pa çarë fare kokën e çfarë thotë ligji. Ky fakt është vështirë të gjendet kudo nëpër botën e sotme, derisa raportet ndërkombëtare kanë dhënë shenja të qarta të mbylljes së derës për Kosovën nën këtë mentalitet qeverisës. Komisioni Evropian ka shfaqur shqetësimet më të rënda deri më tash për nivelin e madh të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.
IV
Masa e ndryshimit të politikës në Kosovë mund të fillojë të kornizohet me zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti. Kosova ka nevojë për ndryshim të kësaj gjendjeje dhe ky ndryshim mund të vijë vetëm nga ekipet që kanë vizion, plan dhe strategji se si të arrijnë këtë. Ky ndryshim është tejet i nevojshëm për shkak se vendit i është pamundësuar zhvillimi, i është ndalur rruga e ndërtimit të demokracisë dhe liritë themelore të njeriut janë kërcënuar në thelb. Prandaj, faza e parë e ndëshkimit të këtij mentaliteti janë zgjedhjet lokale, në të cilat vota e qytetarit pritet të vendosur për ndryshime. Të gjitha analizat dhe hulumtimet e opinionit publik tregojnë për një rritje të besimit të qytetarëve të Kosovës tek adresa e vetme aktuale për largimin e këtij mentaliteti, që është AAK dhe kandidatët e saj për kryetarë të komunave në Kosovë. Rikonfigurimi i skenës politike në Kosovës do të udhëheq po ashtu vendit drejt zgjedhjeve parlamentare të domosdoshme për Kosovën, të cilat pritet të mbahen në vitin e ardhshëm. Kjo do të shkaktojë edhe një dridhje të fuqishme sa i përket ndëshkimit të këtij mentaliteti qeverisës, duke i dhënë Kosovën hapësirën për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në “Zëri” më 9 nëntor 2009, fq.

Tuesday, November 3, 2009

Milionat e fushatës

Loja pa fitues
Milionat e fushatës
Të ndërtosh strategjinë për fushatë zgjedhore, nuk do të thotë të ndërtosh strategjinë për të mashtruar popullin. Të promovosh vlerat e subjektit të caktuar politik, nuk do të thotë të hedhësh gurë e dru mbi të tjerët apo të mohosh të gjitha vlerat tjera në skenën politike. Vlera promovohet, mungesa e saj mbulohet me mashtrime milionëshe.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Miliona e miliona euro janë premtuar. Tashmë ka arritur afër një miliardë euro ‘fondi’ i themeluar gjatë fushatës zgjedhore. Dhe, e tërë kjo po ndodh vetëm për gjatë dhjetë ditëve të para të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009. Për më tepër, këto premtime dhe ky “fond fushator” po bëhen nga kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është autoriteti kryesor përgjegjës apo adresa kyçe për atë që ndodh në vend. Me të drejtë në opinion ngriten pyetje të shumta të cilat kërkojnë përgjigje të qartë dhe të shpejtë. Por qytetarët e Kosovës duket se nuk do të marrin fare përgjigje. Askush nuk e di ku do te merren këto para, si është bërë planifikimi, për cilat projekte do të përdoren ato miliona, çfarë zhvillimi ekonomik do të gjeneronin këto investime, cila është ndarja kohore e këtyre investimeve e shumë e shumë dilema tjera. Ndërkohë ‘fondi’ po vazhdon të rritet, kryeministri premtoi 170 milionë në Prizren e 155 në Pejë, 120 në Gjilan e 80 në Lipjan. Sigurisht se mund të ketë ngjallur edhe ndonjë xhelozi të atypëratyshme, por me kalimin e kohës të gjitha këto komuna do të shohin se kaluan ëndrrat e fushatës. Të gjitha këto premtime po bëhen pa kurrfarë bashkëpunimi me qytetarët e vendit.
II
Ura e bashkëpunimit midis qeverisë së vendit, përkatësisht elitës politike institucionale, dhe qytetarëve të Kosovës ishte luhatur fuqishëm qysh më parë. Më vonë ajo u rrëzua, ndërsa u shkatërrua gjatë këtyre muajve të qeverisjes së keqe në vend, derisa gjatë ditëve të fushatës po ndodh diçka tjetër: elita udhëheqëse institucionale mundohet të krijojë një urë qokollade të bashkëpunimit me qytetarë, tashmë duke i premtuar qindra miliona euro vetëm nëse votojnë për partitë e caktuara. Vërehet se qeveritarët e sotëm qëndrojnë larg vendeve të tyre të punës duke u vënë në shëbim të interesit të ngushtë partiak dhe për këtë është dëshmi raporti i Komisionit Europian, si dhe analiza e IFIMES-it slloven. Të dy këto dokumente konstatojnë mungesën e plotë të përparimit në Kosovë, ngecjen në poceset integruese, korrupsionin e lartë, krimin e organizuar dhe tenderomaninë. Kjo realisht është Kosova nën udhëheqjen e këtij mentaliteti qeverisës, prandaj ndryshimi është i domosdoshëm, ndryshim ky që ndërton urën e bashkëpunimit midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Distanca e tashme midis tyre po shkatërron të ardhmen e përbashkët dhe nuk garanton politika të bazuara në interesat e vet qytetarëve. Elita politike duhet më në fund të kuptojë se udhëheqja e vendit është mbi të gjitha shërbim ndaj qytetarëve dhe jo mashtrim.
III
Të ndërtosh strategjinë për fushatë zgjedhore, nuk do të thotë të ndërtosh strategjinë për të mashtruar popullin. Të promovosh vlerat e subjektit të caktuar politik, nuk do të thotë të hedhësh gurë e dru mbi të tjerët apo të mohosh të gjitha vlerat tjera në skenën politike. Prandaj, strategjistët me përvojë të dëshmuar në fushatat politike zgjedhore kryesisht pretendojnë të zhvillojnë konceptin e promovimit të një vlere, një ekipi, një koncepti apo programi politik qeverisës. Dhe, kjo përdoret apo preferohet të zbatohet në rastet kur subjekti politik apo kandidati i caktuar përfaqëson vlera të konsoliduara dhe si të tilla ato përbëjnë armët e forta gjatë garës zgjedhore. Në rastet tjera, sigurisht, duhet ndërruar strategjinë e bërjes së fushatës, duke kaluar kështu në një stad tjetër që nuk përkon me promovim të një vlere të caktuar, por ka qëllimin e dëmtimit apo shkatërrimit politik të kundërshtarit. Kjo strategji realisht është duke u përdorur në garën për qytetin e Prishtinës, sikurse edhe në garën për pjesë të ndryshme të Kosovës. Këtë strategji, pa qenë saktësisht e pritshme, janë duke e zbatuar PDK dhe LDK, dy partitë politike të cilat ndajnë pushtetin në nivel qendror, në disa raste edhe në atë lokal. Kjo sigurisht shtron shumë dilema rreth seriozitetit dhe sinqeritetit të politikanëvë të të dyja partive të cilat tash e sa muaj bashkëjetojnë.
IV
Interesi nacional i shtetit dhe interesi i përgjithshëm publik janë mbi të gjitha dy komponentet të cilat secili prej elitës politike duhet t’i ketë parasysh. Këto duhet të merren në konsiderim serioz gjatë të gjitha fazave të politikë-bërjes, si në planifikim, ashtu edhe në detajizim, strategjinë implementuese dhe planin e veprimit për implementimin e secilës politikë. Kjo realisht nuk duket se paraqet mënyrën se si punon qeverisja e tashme (nëse mund të thuhet ‘punon’). Agjendat ditore përcaktojnë politikat që ndjek qeveria, ndërsa mungesa e dokumenteve nacionale edhe më tutje nuk adresohet. Milionat që premtohen gjatë fushatës në të vërtetë duhet të zënë vend në një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik të Kosovës në tërësi dhe komunave veç e veç, si një prej strategjive më të nevojshme për të ardhmen e vendit.
Së shpejti mund të dëgjojmë nga qeveria edhe premtime tjera joserioze sikurse ndonjë shpërndarje masive të barnave për popullatë, derisa QKUK-ja vazhdon të jetë në krizë për to. Të njejtit mentalitet i përkasin edhe premtimet qindra milionëshe nëpër komuna. Kjo duhet ndalur dhe duhet ndryshuar njëhere e mirë. Kosova ka nevojë për zhvillim, demokraci, konsolidim, integrim dhe perspektivë. Populli i Kosovës nuk ka nevojë për mashtrime të këtilla. Ndryshimi vjen nga një mentalitet tjetër, ai i përkushtimit dhe punës së pandërprerë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 26 tetor 2009, fq. 19.

Demokraci apo diktaturë?

Loja pa fitues
Demokraci apo diktaturë?
Kjo nuk është Kosova për të cilën gjenerata të tëra janë munduar dhe kanë sakrifikuar çdo gjë apo për të cilën bijë e bija të këtij vendi kanë dhënë jetën e tyre. Kjo nuk është Kosova për të cilën aleatët tanë ndërkombëtar kanë bombarduar Serbinë dhe kanë investuar shuma të konsiderueshme të të hollave nga taksapaguesit e shteteve të tyre. Kjo Kosovë nën diktaturë po zhgënjen secilin.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Harresa e gabimeve të së kaluarës shkakton përsëritjen e tyre edhe në të tashmen dhe të ardhmen. Ky konstatim është ndër më të njohurit në secilën lëmi të jetës. Dhe, jo vetëm në Kosovë, ky konstatim vlen për të gjitha drejtimet e jetës së qytetarëve të një vendi, qoftë në aspektin politik, apo në atë ekonomik, shoqëror e kulturor. Në veçanti, shtetet dhe shoqëritë në tranzicion përballen me këtë rrezik shumëfish më shumë sesa vendet të cilat kanë arritur të konsolidojnë demokracinë dhe të funksionalizojnë mekanizmat demokratik shtetëror. Kosova është duke u ballafaquar me këtë. Qytetarët e Kosovës kanë parë gjatë këtyre dy vjetëve një shembull të paprecedent në vend. Po ashtu i paprecedent është edhe shembulli i fushatës së tashme elektorale e disa individëve dhe partive politike, të cilëve nuk u ka mbetur gjë tjetër pos shfrytëzimit të çdolloj mundësie vetëm e vetëm të ‘shpërlajnë trurin’ qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në vitin 2007 ka bombarduar mendjen dhe sytë e qytetarëve të Kosovës, duke i bërë një presion të jashtëzakonshëm përmes marketingut miliona eurosh. Por, përveç shpenzimeve të mëdha të padeklaruara, PDK-ja ka mashtruar qytetarët e Kosovës se gjoja kishte planin për zhvillimin e Kosovës, gjë që u pa të ishte e pavërtetë qysh në fillimin e qeverisë së kryesuar nga Hashim Thaçi.
II
Ashpërsia që po karakterizon debatin e tashëm, përkatësisht fushatën elektorale midis kandidatëve për kryetar të Prishtinës është mëse e rëndësishme dhe duhet të analizohet. Por, kjo mund të bëhet më së miri vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve dhe shpalljes së fituesit të mandatit për të udhëhequr komunën e Prishtinës për katër vjetët e ardhshme. Agresiviteti i Astrit Salihut, kandidatit për kryetar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duket se tashmë ka filluar të dekodohet në mënyrë të qartë nga qytetarët e Prishtinës dhe Kosovës. Votuesit e kanë kuptuar fare mirë se e tërë loja e Salihut dhe PDK-së ka për qëllim të arrijë dy efekte elektorale. Së pari, kjo është në të vërtetë përpjekje e PDK-së për t’u tërhequr apo distancuar nga çdo gjë që është bërë në Prishtinë dhe posaçërisht nga ato për të cilat opinioni publik është kritik. Kjo nuk është e vlefshme pikërisht për faktin se PDK udhëheq tash qeverinë nacionale të vendit dhe është po ashtu në koalicion qeverisës në nivel lokal në Prishtinë. Së dyti, Astrit Salihut i është dashur të del nga anonimiteti sa i përket opinionit në Prishtinë, në mënyrë që të arrijë një shkallë më të lartë të gjasave për të mbledhur votat e herës së kaluar që PDK-ja kishte në Prishtinë, kur për herë të tretë pati kandiduar Fatmir Limaj, tashmë ministër i Transportit në Qeverinë e Kosovës.
III
Janë shumë arsye ato që e mbajnë të gjallë shpresën që Kosova do të arrijë të tejkalojë sfidën e madhe që ka përpara. Kjo sfidë është pikë kyçe për mundësitë e përparimit politik, shoqëror dhe ekonomik të Kosovës për vitet e ardhshme. Realisht, duhet thënë me zë të lartë se Kosova përballet me dy koncepte qeverisëse, me dy mentalitete të udhëheqjes politike, me dy mënyra se si do të merr drejtim vendi. I pari është demokracia, që është i lidhur ngusht me aspiratën dhe vullnetin e populltit të Kosovës. Dhe, opsioni i dytë është diktatura, gjë që është duke marrë hov tashmë, sidomos në muajt e fundit të qeverisjes së Hashim Thaçit. Të gjitha raportet ndërkombëtare si të institucioneve po ashtu të organizatave të ndryshme kanë konstatuar tendencën e rëndë të qeverisë së tashme të Kosovës për të shkelur fuqishëm atributet kryesore të demokracisë dhe për të pamundësuar ekzistimin dhe funksionimin normal të mekanizmave balancues të demokracisë. Kjo, realisht, nuk është Kosova për të cilën gjenerata të tëra janë munduar dhe kanë sakrifikuar çdo gjë që kanë pasur. Kjo nuk është Kosova për të cilën bijë e bija të këtij vendi kanë dhënë jetën e tyre. Kjo nuk është Kosova për të cilën aleatët tanë ndërkombëtar kanë bombarduar Serbinë dhe kanë investuar shuma të konsiderueshme të të hollave nga taksapaguesit e shteteve të tyre. Kjo Kosovë po zhgënjen secilin.
IV
Natyra e zhvillimeve politike dhe shoqërore në demokraci karakterizohet nga përfaqësimi i zërit të qytetarëve të një vendi sa i përket proceseve aty. Forma më e mirë se përfaqësimit të këtij zëri është përmes votës së lirë të qytetarëve të vendit, duke i dhënë mundësinë atyre vetë të zgjedhin mënnyrën dhe rrugën e qeverisjes për periudhën e ardhshme kohore. Kosova tashmë ka përpara mundësinë që të zgjedh njërin prej dy drejtimeve: të zhvillohet kah demokracia apo të mbetet në diktaturën që tashmë ka filluar të zhvillohet në Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tash është adresa më e mirë dhe më e saktë për rrugën e Kosovës në drejtim të zhvillimit të konceptit demokratik dhe fuqizimit të të gjitha mekanizmave të demokracisë. Kjo parti e reformuar dhe zhvilluar përbrenda është në gjendje të reformojë shumë aspekte të nevojshme në vend dhe të zhvillojë Kosovën në mandatin e ardhshëm. Institucionet ndërkombëtare do të kenë një partner të fuqishëm për të zhvillura proceset demokratike në Kosovë, duke pasur AAK-në në krye të qeverisjes. Kjo për faktin se AAK është ndryshuar dhe zhvilluar, si dhe ka alternativë të qartë për zhvillimin e Kosovën.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 2 nëntor 2009, fq. 14.

Wednesday, October 21, 2009

Rrëfimi i Isa Mustafës

Loja pa fitues
Rrëfimi i Isa Mustafës
Për kushtet e LDK-së së Fatmir Sejdiut, kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa, ka bërë kryengritje brenda koalicionit PDK-LDK. Ai tha se Kosova udhëhiqet nga Qeveria e krimit, SHIK-ut, terrorit, diktaturës dhe korrupsionit. Sigurisht, Memli Krasniqi do të thoshte se Isa Mustafa iu bashkua “akuzave qesharake” të AAK-së. Në të vërtetë, ai iu bashkua zërit të arsyes në shpjegimin e realitetit. Realitet ky që mund të ndërrohet vetëm nga AAK-ja. Edhe në Prishtinë, edhe në Kosovë
Shkruan: Burim Ramadani
I
Në ditët e para të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, kanë ndodhur shumë gjëra. Madje, thënë realisht, ka pasur shumë ngjarje dhe veprime që pakkush i ka pritur. Kjo sigurisht se lidhet drejtëpërdrejt me fjalimet, rrëfimet, akuzat dhe kërcënimet e politikanëve kosovarë. Mbi të gjitha, rrëfimet, akuzat dhe kërcënimet publike që po ndodhin midis partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK duket se po shkaktojnë hapjen e “Kutisë së Pandorës” rreth asaj se cila është gjendja reale në këtë ‘martesë’ të panatyrshme partiake. Këta politikanë që kryesisht i takojnë kreut të PDK-së dhe LDK-së, duket se kanë vendosur që definitivisht të shfaqin në opinion urrejtjen e vërtetë që ekziston midis elektoratit tradicional të këtyre dy partive poltike. Njëra anë PDK-ja kërcënon qytetarët me mosinvestime nëse partiashët e saj nuk fitojnë, dhe në anën tjetër një zë i LDK-së thotë se përballet me Qeverinë e diktaturës në miniaturë. Megjithëse ende publiku nuk e ka qartë nëse kjo që po ndodh tash është strategji e saktë partiake apo është një shmangie e padëgjueshme nga marrëveshja e shkruar midis partnerëve të koalicionit, situata e tashme midis dy partive duket se po merr një dimension të ri. Dhe, në realitet, ky dimension i ri mund të ketë njërin prej këtyre dy përfundimeve: ose do të shkatërrojë koalicionin, ose do të çojë njërën prej partive drejt zhdukjes definitive për shkak të shkeljes së vazhdueshme nga partia tjetër.
II
Demokracia në Kosovës është e rrezikuar fuqishëm. Kjo është konstatuar me të drejtë shumë herë nga partia lidere e opozitës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile dhe organizatat e institucionet ndërkombëtare. Raportet e fundit ndërkombëtare, sikurse ai i Komisionit Evropian, tregon për një situatë tepër të rëndë në të cilën ndodhet sistemi në Kosovë. Rrezikimi i këtillë i demokracisë, që po ndodh gjatë këtyre muajve qeverisjeje të pas 2007-ës, është konstatuar qartë (së fundmi) edhe nga Isa Mustafa, kryetar aktual i Komunës së Prishtinës dhe kandidat i LDK-së për t’u rizgjedhur për një mandat tjetër. Ai është rrëfyer ditëve të fundit për problemet me të cilat është përballë gjatë këtyre dy vjetëve, ndërsa ka i drejtuar akuza të rënda kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Partia e Isa Mustafës është pjesë e koalicionit qeverisës në nivel nacional, duke udhëhequr kështu një numër të madh të ministrive dhe duke pasur postin e zëvendës-kryeministrit. Për më tepër, LDK-ja ka dhënë edhe presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu. Ky i fundit duket se është vënë në shërbim të qartë interesave të partisë udhëheqëse të koalicionit, PDK-së, duke i humbur kështu dinjitetin në secilin nivel të elektoratit dhe lidershipit të LDK-së.
III
Rrëfimi i Isa Mustafës nuk duhet të kalojë pa u vërejtur. Rrëfimi i Isa Mustafës nuk duhet të kufizohet vetëm në kornizat e fushatës zgjedhore. Aq më shumë, kur përmbajtja e rrëfimit të tij është vërtetë trishtuese për secilin njeri normal në Kosovë. Çdo qytetar i Prishtinës dhe Kosovës, që mendon të vazhdojë jetën në shtetin e ri, sigurisht se duhet të rimendojë pozicionin e vet në shoqëri. Dhe, ky pozicion mund të ndërrohet me aktivizim, me rol në vendimmarrje, me votë. Por, cili është ky realitet? Isa Mustafa bëri hapin e duhur për të përshkruar atë që po ndodh në Kosovë. Rrëfeu për terrorin që SHIK-u i PDK-së po i bën qytetarëve të Prishtinës. Rrëfeu për bllokadën që po i bën Qeveria e Krimit qytetarëve dhe Komunës së Prishtinës. Rrëfeu për diktaturën në miniaturë që po ndodh në Kosovë. Rrëfeu për presionin dhe kontrollin që po i bëhet mediave. Rrëfeu për ndërhyrjen që po bëhet në gjyqësi. Rrëfeu për paditurinë e udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës. Dhe, ky është rrëfimi i kryetarit aktual të Prishtinës. Është rrëfimi i këshilltarit të presidentit të Kosovës. Është rrëfimi i anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Kujt duhet t’i shkojë së pari në vesh ky rrëfim? Pa dyshim, presidentit Fatmir Sejdiu.
IV
Ora e rrëfimit të së vërtetës duket se ka ardhur në Kosovës edhe përbrenda koalicionit qeveritar. Kjo duhet përshendetur. Madje, secili qytetar normal i këtij vendi do të priste që kjo situatë e re verbale të pasohet me situatë të re në veprime. Dhe, secili politikan serioz brenda koalicionit qeverisës duhet të rishqyrtojë pozicionin e vet në tërë këtë që po ndodh. Nuk ka dy të vërteta. Është vetëm një dhe ajo duhet të shpjegohet bazuar në fakte, të dhëna dhe praktika. Dhe, këto fakte i ka prezantuar për më shumë se një vit e gjysmë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Rrezikimi i demokracisë, SHIK-u, krimi i organizuar, terrori, kërcënimet, korrupsioni, kontrabanda, pasiguria, partizimi i institucioneve dhe gjëra të tjera negative janë ngritur si shqetësime të vazhdueshme nga kreu i AAK-së. Ndërsa, këtij zëri të së vërtetës iu shtua edhe një zyrtar i lartë i LDK-së. Thënë realisht, për kushtet e LDK-së së Fatmir Sejdiut, kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa, ka bërë kryengritje brenda koalicionit PDK-LDK. Ai tha se Kosova udhëhiqet nga Qeveria e krimit, SHIK-ut, terrorit, diktaturës dhe korrupsionit. Sigurisht se po të pyetej zëdhënësi skandaloz i Qeverisë, Memli Krasniqi, do të thoshte se Isa Mustafa iu bashkua “akuzave qesharake” të AAK-së. Në të vërtetë, ai iu bashkua zërit të arsyes në shpjegimin e realitetit. Realitet ky që mund të ndërrohet vetëm nga AAK-ja. Edhe në Prishtinë, edhe në Kosovë.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 19 tetor 2009, fq. 19.

Sunday, October 11, 2009

Zgjedhjet – testi i Kosovës

Loja pa fitues
Zgjedhjet – testi i Kosovës
Kosova ka nevojë të dëshmojë fuqishëm se ka arritur shkallë të avancuar të pjekurisë politike. Si vlerë e patejkalueshme e demokracisë, zgjedhjet duhet të jenë fer, të lira dhe demokratike. Qytetarët e Kosovës duhet të votojnë pa frikë për atë që dëshirojnë ta kenë në udhëheqje. Zgjedhjet janë test. Dhe, testi i këtillë duhet të rezultojë pozitiv. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me demokraci e jo në mentalitetin qeverisës të ‘tenderit të mishit’
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm pak disa javësh, populli i Kosovës do të shkojë para kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqjen e ardhshme komunale. Për një proces të këtillë të rëndësishëm, është investuar mjaft shumë mund, energji dhe mjete financiare. Gjatë një dekade pas çlirimit të Kosovës, qytetarët e vendit kanë përballë opsionin e zhvillimit të demokracisë në vend, duke ndëshkuar kështu mentalitetin e rëndë të qeverisjes aktuale në nivel qendror dhe në shumicën e komunave të Kosovës. Asnjëherë nuk mund të konstatohet se është arritur niveli më i lartë i demokracisë, porse as nuk guxon të tentohet të ketë kthim prapa në këtë zhvillim. Duke u bazuar në përgatitjet e tashme, duhet thënë qartë se shumë pikëpyetje dhe dilema mund të ngritën tashmë rreth një muaj para datës së 15 nëntorit 2009. Porse, mesazhi i përbashkët i secilit që synon demokratizimin e vendit është i lidhur me nevojën e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Kosova ka nevojë të dëshmojë fuqishëm se ka arritur shkallë të avancuar të pjekurisë politike. Si vlerë e patejkalueshme e demokracisë, zgjedhjet duhet të jenë fer, të lira dhe demokratike. Qytetarët e Kosovës duhet të votojnë pa frikë për atë që dëshirojnë ta kenë në udhëheqje. Zgjedhjet janë test. Dhe, testi duhet të rezultojë pozitiv. E ardhmja e Kosovës ndërtohet me demokraci.
II
Organizimi i zgjedhjeve në Kosovë, që nga paslufta, është karakterizuar me pjekuri politike. Pa i nënvlerësuar problemet që janë shfaqur gjatë zgjedhjeve të kaluara, mund të konstatohet se populli i Kosovës ka dëshmuar se është i orientuar kah demokracia dhe vlerat e saj. Nuk duhet të harrohet se në disa raste ka pasur incidente të panevojshme dhe dëmtuese gjatë viteve të kaluara. Të paktën një kryetar komune ishte vrarë gjatë festimit të fitores në vitin 2002, derisa probleme të natyrave më të lehta ishin shfaqur në disa pjesë të Kosovës. Më pas, në vitin 2007, Kosova u përballë me zgjedhje që u karakterizuan nga manipulimet e shumta të votës së lirë të qytetarit, të cilat krijuan një konstelacion të ri në skenën politike. Në disa komuna të vendit, u votua edhe për të vdekurit, edhe për diaspora. Kjo duhet të parandalohet dhe në asnjë mënyrë të mos lejohet për zgjedhjet e sivjetme. Kosova ka nevojë të dëshmojë fuqishëm se është nisur në rrugën e gjatë të demokratizimit të shoqërisë. Kosova ka nevojë të jetë e përkushtuar në respektimin dhe plotësimin e kritereve dhe vlerave më domethënëse të demokracisë. Një vlerë e tillë, faktikisht e patejkalueshme për nga rëndësia, është procesi zgjedhor i qetë, demokratik, i drejtë dhe i lirë.
III
Tentativat për demokratizimin e shoqërisë nuk janë asnjëherë të lehta dhe janë të treguar si sfiduese në vende të ndryshme të botës. Edhe gjatë dekadës së fundit, në pjesë të ndryshme të globit ka pasur probleme dhe vështirësi në këtë aspekt. Kryesisht vendet e Botës së Tretë vazhdojnë të përballen me probleme të dukshme në organizimin e zgjedhjeve fer, të lira dhe demokratike. Por, me të njëjtën situatë sfiduese janë përballë dhe vazhdojnë të përballen edhe vendet në zhvillim, derisa vendet e zhvilluara (Perëndimi) kanë tejkaluar tashmë nivelin e këtillë të rreziqeve ndaj demokracisë. Autorë të ndryshëm të sistemeve politike pajtohen në tezën se demokracia nuk është sistemi më perfekt i botës, por konstatojnë se është sistemi më i mirë që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e sistemeve politike. Si vlerë e re për shumë vende të botës, zgjedhjet janë parë të sfiduara nga mentalitetet e shkatërruese të autokracisë, diktaturës, tiranisë dhe hegjemonisë. Pra, të gjitha sistemet jodemokratike të shekujve të kaluar nuk kanë marrë asnjëherë parasysh vullnetin e lirë të popullit. Ky vullnet mund të shprehet përmes votës, dhe kjo formë e shprehjes është mënyra më e mirë dhe më demokratike për të vendosur për fatin e vet gjatë periudhave të caktuara qeverisëse.
IV
Ora e Kosovës është duke shkuar në drejtim të një procesi tejet të rëndësishëm për të treguar zhvillimet e ardhshme të vendit. Këto zhvillime politike dhe shoqërore nuk kanë të bëjnë vetëm me politikën e brendshme, përkatësisht vetëm me interesat dhe qëllimet e subjekteve politike që garojnë në këto zgjedhje. Realisht, duhet thënë qartë dhe fuqishëm se rëndësia më e madhe e këtyre zgjedhjeve është në faktin se ato do të shpalosin nivelin e pjekurisë politike të popullit dhe politikës së Kosovës, sikurse edhe drejtimin që ka marrë Kosova. Duke pasur parasysh se politika e tashme e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës është politikë e bazuar në mentalitetin autokratik të qeverisjes, populli i Kosovës është ai që do të duhej të vendos për të rikthyer rrugën kah demokracia. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që populli me votën e vet të ndëshkojë këtë nivel të qeverisjes së keqe dhe dëmtuese. Qytetarët e Kosovës mund të krijojnë një mundësi të fuqishme për të zhvilluar demokracinë në vend, duke ndëshkuar mentalitetin qeverisë së ‘tenderit të mishit’. Por, kjo duhet të bëhet përmes votës së lirë dhe të garantuar për qytetarin. Institucionet e Kosovës janë të obliguara me Kushtutetë dhe ligje të garantojnë secilin qytetar të vendit se ka të drejtë të zgjedhet dhe të zgjedhë. Ky është obligim dhe vlerë e demokracisë.
Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 12 tetor 2009, fq.10.

Monday, October 5, 2009

Disa minuta për katër vjet

Loja pa fitues
Disa minuta për katër vjet
Kosova, në gjendjen çfarë është sot, ka nevojë për këtë ditën solemne të zgjedhjeve dhe qytetarët është e nevojshme të shfrytëzojnë këtë ditë. Disa minuta të votimit në ditën e caktuar, kanë rëndësinë e katër vjetëve të ardhshme të qeverisjes dhe zhvillimit të jetës së tyre. Ura lidhëse midis qytetarit dhe shtetit (apo zyrtarit publik) është institucioni më demokratik i kohës sonë: vota.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Tendencat e shoqërive post-konfliktuoze dhe post-komuniste në drejtim të zhvillimit të demokracisë jo rrallëherë janë përballë me probleme dhe vështirësi të mëdha. Këto paraqesin pengesa të fuqishme sidomos në zhvillimin e mentalitetit të ri qeverisës, të bazuar tashmë në standarde, kritere dhe qëllime krejt të ndryshme në aspektin parimor dhe atë praktik. Tek e fundit, nuk është lehtë të ndërrohet mentaliteti i një strukture të gjerë të shoqërisë që është ndërtuar apo ndikuar për disa dekada. E tillë është edhe situata në Kosovë, për shkak të një beteje midis mentalitetit me orientim të qeverisjes demokratike, në njërën anë, dhe mentalitetit me tendenca të sundimit qeveritar, në anën tjetër. Kjo shumë herë edhe nuk është publike apo vizibile edhe për faktin se elementet e tilla nuk janë interesante për opinionin publik të politikës ditore. Ka edhe më keq. Shpeshherë, opinioni publik as nuk servohet me të vërtetën apo zhvillimin/debatin e caktuar, pikërisht si pasojë e ekzistencës së mentalitetit jodemokratik. Realisht, kjo betejë nuk është e lehtë dhe është e përditshme. Madje, nuk do mend se edhe brenda një mentaliteti ka betejë të tillë dhe varësisht nga shumica e pjesëtarëve të atij mentaliteti, është ndërtuar edhe vizioni apo logjika qeverisëse. Rasti më eklatant është qeverisja e tashme, e një mentaliteti klanor dhe të përputhshëm me sistemin komunist, pavarësisht se edhe brenda këtij formacioni ka njerëz që nuk gjejnë veten fare aty. Ata tashmë kanë filluar të flasin në rrethe të ndryshme rreth kësaj beteje,
II
Ëndërra e shumë gjeneratave për të ndërtuar lirinë e më pas shtetin e Kosovës u arrit në pjesën e parë të vitit të kaluar. Kjo e arritur historike për qytetarët e Kosovës nuk ka sesi të mos ndikojë në zhvillimet e përgjithshme në të gjitha fushat e jetës së re. Nuk ka dyshim se mundi, gjaku dhe përkushtimi i madh drejt këtij qëllimi ka dhënë rezultatet për krijimin e shtetit të ri. Dhe, me këtë periudhë apo zhvillim historik, shoqëria kosovare ka hyrë në një fazë për të cilën ka ëndërruar për dekada të tëra. Kjo është faza e ndërtimit dhe zhvillimit të lirisë, individualitetit, të drejtave qytetare dhe mundësinë për ndërtimin e të ardhmes bazuar në intereset dhe perspektivën e vet. Normalisht se ky ka qenë momenti më i ndritur i historisë së Kosovës, kur definitivisht qytetarëve të vendit i është mundësuar ofrimi i një sistemi të plotë shtetëror që garaton dhe promovon vlerën e të qenit qytetar. Por, mundësia e zhvillimit të këtij sistemi varet nga shumë faktorë dhe këta faktorë janë kryesisht vendor. Qeverisja e vendit është padyshim elementi kryesor i të gjitha zhvillimeve të nevojshme të vendit, duke përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit dhe promovimit të demokracisë. Kjo, për fat të keq, është kthyer në një prej problemeve kryesore në Kosovë, ndërsa qeverisja e këtillë është thyer në pengesën më të madhe për të zhvilluar këtë. Pos, problemeve dhe vështirësive konceptuale qeverisëse, tashmë Kosova ka po ashtu vështirësinë e përfshirjes së qytetarëve të të gjitha komuniteteve në vendimmarrje, që është edhe një shenjë e mungesës së vizionit qeverisës.
III
Domosdoshmëria e komunikimit të të zgjedhurit dhe përzgjedhurit publik me qytetarin është vlerë në sistemin demokratik. Shoqëria kosovare, e drejtuar kah demokratizimi i saj, ka shumë për të bërë në këtë aspekt. Nëse dikush dëshiron të arrijë një stad të avancar të jetës së vet, atëherë domosdoshmërisht duhet të punojë dhe mundohet shumë për ta bërë atë. E tillë është gjendja me shoqërinë kosovare, përkatësisht raportin midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve kosovarë. Deri më tash është dëshmuar se ky mentalitet qeverisës nuk ka fare të bëjë me demokracinë apo zhvillimin e demokracisë si sistem. Nëse analizohen dhe krahasohen vendet në rajon, atëherë është e qartë se ku gjendet Kosova. Nuk ka nevojë të krahasohet me vendet që tashmë kanë bërë traditë në demokraci. Por, edhe në Maqedoninë fqinje, ministri i Transportit ofroi dorëheqjen për shkak të një aksidenti në trafikun ujor që i ndodhi një numri turistësh bullgarë. Ndërsa në Kosovë, në qendër të Prishtinës, në dhomën ‘më të sigurt’ të Policisë së shtetit janë vjedhur dëshmitë dhe një sasi e madhe e drogës, por ministri i Punëve të Brendshme është larg të qenit i vetëdijshëm për obligimin moral, politik dhe qytetar që ka. Secilit i kujtohet se një ministër tjetër i Punëve të Brendshme pati dhënë dorëheqje në shkurt të vitit 2007 për shkak të përgjegjësisë morale që ndjente për diçka që nuk ishte në përgjegjësinë e tij. Por, situata e tashme dëshmon për një kthi mbrapa që po ndodh në Kosovë dhe ky është rreziku më i madh i shoqërisë kosovare.
IV
Ura lidhëse midis qytetarit dhe shtetit (apo zyrtarit publik) është institucioni më demokratik i kohës sonë: vota. E tëra që një qytetar duhet të bëjë, duke përjashtuar format revolucionare, është votimi në momentin e caktuar. Realisht, në demokraci dita e votimit është ditë solemne dhe qytetarët e vendit demokratik festojnë atë ditë. Është e qartë arsyeja prapa kësaj logjike. Ajo është dita kur qytetari vlerëson zhvillimet e deri atëhershme dhe në të njëjtën kohë merr vendim për periudhën e ardhshme, kryesisht katër vjeçare. Prandaj, roli i qytetarit atë ditë është vendimtar për shumë zhvillime të ardhshme në jetën e tij, familjen, rrethin, shtetin dhe shoqërinë e tij. Prandaj, edhe përgjegjësia personale qytetare është më e rritur atë ditë, por edhe solemniteti i asaj dite arrin stadin më të madh. Kosova, në gjendjen çfarë është sot, ka nevojë për këtë ditë solemne dhe qytetarët e Kosovës është e nevojshme të shfrytëzojnë këtë ditë. Disa minuta të votimit në ditën e caktuar, kanë rëndësinë e katër vjetëve të ardhshme të qeverisjes, sikurse edhe zhvillimit të jetës së tyre. Katër vjet nuk janë pak. Disa shtete të Evropës Qendror dhe Lindore janë bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s për periudhën katër vjeçare të punës së tyre. Disa vende të Evropës Jug-Lindore i kanë mundësuar qytetarëve të vet lirinë e lëvizjes pa viza për një punë të madhe brenda një mandati qeverisës. Kjo duhet të ndodh edhe me Kosovës. Por, për këtë janë qytetarët që vendosin. Dita solemne e tyre është katër vjetëshi në komunën e tyre, në jetën e tyre.
Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 5 tetor 2009, fq. 13