Saturday, November 28, 2009

Papjekuria politike

Loja pa fitues

Papjekuria politike

Lajmi për prishjen e koalicionit qeveritar për shkak se LDK-ja ka lidhur marrëveshje në disa komuna me AAK-në ka shfaqur edhe njëherë jostabilitetin e qeverisë Thaçi. Kjo ka treguar edhe se kryeministri Thaçi nuk është partner stabil as për faktorët vendorë dhe as për faktorët ndërkombëtarë. Thjesht, ka treguar papjekuri politike. Prandaj, zgjedhjet parlamentar duhet të mbahen menjëherë në pranverë

Shkruan: Burim Ramadani

I

Se ndryshimi që ndodhi ditëve të fundit në skenën politike ka pasur efekt të menjëhershëm, kjo është e pakontestueshme. Të gjithë jemi dëshmitarë dhe pamë qartë atë që u zhvillua pak netë më parë, kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) reagoi më në fund. Reagimi i udhëheqjes së partisë më të madhe në vend tregoi në realitet një gjendje të rëndë dhe jostabile të kësaj partie. Rezultatet e zgjedhjeve të 15 nëntorit kanë rikonfiguruar skenën politike, duke i dhënë një drejtim të qartë zhvillimeve të ardhshme politike në vend. Populli i Kosovës ka treguar se e ardhmja e vendit do të jetë e drejtuar nga e djathta politike dhe do të ndalë udhëtimin e vet nga elita politike që funksionon në bazë të mentalitetit ekstrem të majtë, komunist. Kjo duket se ka shkaktuar një goditje të rëndë të brendshme të PDK, goditje kjo që ka nxitur edhe reagimin e fundit të natës nga kjo parti. Lajmi për prishjen e koalicionit qeveritar për shkak se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lidhur marrëveshje në disa komuna me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shfaqur edhe njëherë jostabilitetin e qeverisë Thaçi. Por, kjo ka treguar edhe se kryeministri Thaçi nuk është partner stabil as për faktorët vendorë dhe as për faktorët ndërkombëtarë, që kanë investuar shumë në Kosovë. Thjesht, ka treguar papjekuri politike.

II

E ardhmja e Kosovës nuk mund të bazohet në duart e njerëzve që reagojnë pa ndonjë pjekuri politike. Fati i Kosovën dhe popullit të saj nuk mund të vendoset në emocionet apo nervozën e një grupi njerëzve, të cilët në rastin e humbjes së caktuar mundohet të djegin çdo gjë vetëm për të tejkaluar krizën e brendshme. Proceset në Kosovë janë ndërtuar me vjet të tëra të stabilitetit politik dhe me përkushtim të pakontestueshëm të forcave politike të vendit. Por, ato nuk guxojnë të lëvizen dhe të marrin kahjen e kundërt vetëm për shkak se një parti politike ka pësuar në zgjedhje ose nuk ka arritur atë që ka synuar. Në demokraci synimi i të gjitha partive politike dhe konkurrentëve në garë është fitorja e garës. Por, rezultatet e garës bazohen në aftësinë e subjekteve për t’u organizuar dhe për të bindur qytetarët që t’i japin besimin për periudhën e caktuar qeverisëse. Ndërsa, ato subjekte që nuk arrijnë synimet e veta duhet të analizojnë strategjinë e vetë, përbërjen, programin dhe qasjen ndaj zhvillimeve të përgjithshme në vend. Mirëpo, kjo duhet të bëhet në mënyrë të relaksuar dhe assesi të mos reagojë në mënyrë të atypëratyshme.

III

Liria e Kosovës është arritur me mund, sakrificë, gjak, ndjersë dhe përkushtim të fuqishëm të qytetarëve të vendit. Të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, është kërkuar punë jashtëzakonisht e madhe, bashkim vlerash dhe strategji të qartë për të ardhmen. Për shumë dekada, populli i Kosovës ka treguar kujdes të posaçëm në ruajtjen dhe mos-dëmtimin e proceseve të rëndësishme të vendit. Të tilla situata kanë ndodhur edhe gjatë viteve të 80-ta, viteve të paraluftës, gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, kur qytetarët i kanë dhënë mbështetje dhe kujdes të padiskutueshëm zhvillimeve të përgjithshme. Para një situate të këtillë të rëndësishme, Kosova ndodhet sërish. Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një sfidë e veçantë për Kosovën dhe si e tillë kjo situatë kërkon mobilizim të përgjithshëm politik. Para një sfide të këtillë Kosova nuk guxon të luajë lojën politike që dëmton të ardhmen dhe që ngushton mundësitë e suksesit të vendit. Por, reagimi emocional i PDK-së, e cila parti udhëheq edhe qeverinë e vendit, dëmtoi stabilitetin e deritashëm, ndërsa ka ngritur edhe më shumë shqetësimet e qytetarëve të Kosovës për rrugën që ka marrë politika e udhëhequr nga ky mentalitet qeverisës.

IV

Opsioni i ndryshimit në Kosova është dëshmuar të jetë i pranueshëm. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë dhe duan të kenë ndryshim. Ky mentalitet komunist i qeverisë së tashme është jashtëzakonisht i dëmshëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Dëmtimi i të ardhmës së Kosovës nuk duhet të vazhdojë edhe më tutje. Tek e fundit, kjo është përgjigjja që kanë dhënë qytetarët e Kosovës përmes votës së tyre. Kosova ka nevojë për një qeveri të orientuar kah politikat e djathta, përkatësisht partitë politike që janë të profilizuara si të djathta. Kosova ka nevojë për një politikë të qartë zhvillimore, e cila bazohet në drejtimin e qartë të rritjes ekonomike të vendit, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapjen e vendeve të reja të punës, zhdukjes së varfërisë ekstreme, zbutjes së varfërisë së përgjithshme, zhvillimit të arsimit cilësor, rindërtimin e sistemit shëndetësor, investimin e fuqishëm në kulturë, fuqizimin e rolit të rinisë dhe ndërkombëtarizimin e sportit. Për këtë, qytetarët e Kosovës kanë nevojë. Për këtë, qytetarët e Kosovës kanë dhënë votën e tyre. Rezultati i 15 nëntorit ka dëshmuar se është e patejkalueshme nevoja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare gjatë muajve të ardhshëm.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në "Zëri" më 25 nëntor 2009, fq. 11.


No comments: