Sunday, September 30, 2007

Mbi 100 vjet muhaxhirë

Loja pa fitues

Mbi 100 vjet muhaxhirë

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojnë edhe për një qind vjet të tjera dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush është i pashmangshëm dhe duhet bërë realitet në këtë fundvit. Konflikti i shqiptarëve të Kosovës me shtetin serb ka filluar rreth 120 vjet më parë, pavarësimi i Kosovës të paktën ndal ekspansionin serb shekullor

Shkruan: Burim Ramadani
I
Para më se një shekulli, shqiptarët etnikë nga Kosova iu nënshtruan dhunës së mbretërisë serbe menjëherë gjatë dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Qytetet lindore të Kosovës u spastruan dhe në Kosovë u vendosen refugjatët, që edhe tash pas një qind vjetësh njihen si muhaxhirë. Rajonet tjera u përfshinë nga flakët, vrasjet, masakrat kolektive dhe dhunimet, duke vendosur kështu një pushtet ushtarak i cili në mënyra dhe kohë të ndryshme, ka vazhduar dhunën mbi shqiptarët e Kosovës për më shumë se një shekull të plotë. I njëjti sundim, të njëjtat qëllime, të njëjtat metoda u përdorën pothuaj gjatë tërë shekullit me synim të vetëm spastrimin e plotë dhe definitiv të shqiptarëve nga Kosova. Memorandumi i famshëm i Vasa Cubriloviqit, i vitit 1937, ishte dhe mbetet dokument zyrtar i qeverisë së Serbisë për strategjinë e zgjidhjes së problemeve me shqiptarët etnikë në Kosovë. Kjo strategji është e bazuar në metodat e përdorura në rajonin e Nishit, Leskovës dhe Prokuples, në vitet e 80-ta të shekullit të 19-të, ndërsa ishte tentuar më pas disa herë gjatë shekullit të 20-të, në përgjithësi pa suksesin e pritur.

II
Perceptimet e të dy popujve, sipas studiuesve, janë që konflikti mes tyre është historik dhe si i tillë ka filluar shumë shekuj më parë, duke kontestuar të drejtën historike, identitetin dhe vlerat e formimit kombëtar. Argumentet historike thonë se në mes të shekullit të 9-të deri në pjesën e parë të shekullit të 11-të ka ndodhur ekspansioni i parë i sllavëve në Kosovën atëherë të sunduar nga bullgarët. Sllavët e ardhur në Ballkan kah fillimi i shekullit të 7-të, derisa serbët u vendosën fillimisht në Rashkë dhe Mal të Zi, përsëriten ekspansionin në territorin e Kosovës edhe në fund të shekullit të 12-të. Pushtimi i parë i plotë i Kosovës nga ana e serbëve argumentohet të ketë ndodhur nga Zhupan Stefani, i cili një vit më pas u kurorëzua me rite fetare katolike si “Mbret i Serbëve”. Kah fundi i shekullit të 13-të, nën sundimin e Nemanjidit, u ndërtuan Manastiret serbe në Graçanicë, Deçan dhe Prizren, duke pasuar kështu valën e dytë të ekspansionit serb mbi Kosovën. Kulmi i shtetit mesjetar serb ishte prej mesit të shekullit të 13-të deri në mesin e shekullit të 14-të, nën Mbretërit Stefan, Urosh, Milutin dhe Dushan, ndërsa kryeqyteti i tyre ishte Shkupi.

III
Pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, ku ushtria otomane shpartalloi fuqinë ushtarake ballkanase të udhëhequr nga një serb, Kosova mbeti sërish nën sundimin e serbëve, porse në një format tjetër tashmë. Princërit serbë sunduan Kosovën për rreth 70 vjet si vasalë të otomanëve dhe hungarezëve, derisa edhe vetë kishin marrë pjesë në luftërat e otomanëve në pushtimin e pjesës tjetër të Ballkanit. Kështu ndodhi deri në vitin 1455, kur otomanët morën sundimin e drejtëpëdrejt mbi Kosovën dhe kjo zgjati deri në vitin 1912, kur Perandoria Osmane filloi të shpartallohej. Porse, përsëri ndodhi një tjetër ekspansion i serbëve mbi Kosovën, ekspansion ky që mund të përfundojë, të paktën në disa forma, pas rreth një shekulli, pra këtë fundviti, kur Kosova duhet ta shpallë pavarësinë e saj dhe kjo të njihet nga bota demokratike. Pavarësimi i Kosovës, pas përpjekjeve përmes një procesi ndërkombëtar, qartësisht paraqet të vetmen zgjidhje dhe për këtë përgatitjet duhet bërë deri në nivelin maksimal. Shqiptarët etnikë të Kosovës meritojnë të kenë shtetin e tyre dhe për të marrin obligime ndërkombëtare.

IV
Përkundër të gjitha përpjekjeve që ka bërë dhe mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare dhe bota demokratike Perëndimore, mundësia e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit mes shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe shtetit serb nuk duket gjëkundi. Për rreth dy vjet negociata serioze dhe domethënëse, pala kosovare ka bërë punë të shkëlqyer në kontributin e saj për përfundimin e konfliktit me shtetin serb dhe arritjes së një shoqërie e shteti funksional të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur me palën serbe, ndërsa vazhdimi i takimeve për gjetjen e një statusi të marrëveshur mes palëve janë të kota dhe tension-ngritëse. Bashkësia ndërkombëtare duhet të llogaris në mënyrë të detajuar nivelin e tensionimeve në Kosovë, duke pasur parasysh deklaratat e përditshme kërcënuese që vijnë nga qarqet qeveritare dhe joqeveritare të Serbisë. Negociatat mund të vazhdojnë edhe për një qind vjet të tjera dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush është i pashmangshëm dhe duhet bërë realitet në këtë fundvit.

Botuar në “Zëri” më 01 tetor 2007, fq. 11

Monday, September 24, 2007

Konferenca për Kosovën - strategji pa rezultat

Loja pa fitues

Konferenca për Kosovën - strategji pa rezultat

Konferenca e mundshme për Kosovën do të kishte rezultat që përputhet me vullnetin e popullit për pavarësi vetëm nëse ajo dështon plotësisht. Pavarësia e Kosovës nuk guxon të vihet në pikëpyetje dhe zgjidhja duhet të bazohet në deklaratën e presidentin Bush të dhënë në Tiranë më 10 qershor të këtij viti

Shkruan: Burim Ramadani

I
Përfundimi i konflikteve në vende dhe kohë të ndryshme është realizuar përmes formave dhe strategjive të ndryshme, të cilat kanë pasuar ose edhe janë përmbyllur me konferenca. Ballkani, si rajon i njohur për luftërat e para dy dekadave dhe për çështje kombëtare të pazgjidhura ndër shekuj, ka përjetuar strategjinë e konferencave për përfundimin e konfliktit. Në vitin 1995 dhe më 1999 bashkësia ndërkombëtare ka provuar të sjell në një tavolinë të përbashkët palët në konflikt dhe rezultatet nga ato tentativa megjithëse janë të debatueshme, janë po ashtu të prekshme. Në rastin e parë, Konferenca në Dejton për Bosnjën dhe Hercegovinën kishte dhënë një rezultat të brishtë, tejet të ndërlikuar dhe të pashpresë (të pa shans) për qëndrueshmëri afat-gjate. Në rastin e dytë, Konferenca në Rambuje për Kosovën kishte dështuar, porse edhe dështimi i saj ishte një mënyrë për të çuar drejt zgjidhjes sado të përkohshme të konfliktit në Kosovë. Janë të njohura elementet që shtynë në dështimin e kësaj Konference, sikurse edhe debatet deri në nivel akuzash për sjelljen dhe qëndrimin e palës kosovare në atë ngjarje.

II
Procesi për përcaktimin e statusit final të Kosovës tashmë pothuaj se është harruar se kur ka filluar. Mbi dy vjet më parë puna dhe angazhimi i palës kosovare në përmbushjen e standardave për Kosovën ishte vlerësuar dhe u dha sinjali për pjekjen e kushteve për fillimin e përcaktimit të statusit. Të gjitha përgatitjen u bënë dhe pala kosovare ishte ndoshta më e entuziazmuara - me të drejtë, sepse po përcaktohet e ardhmja e të gjitha gjeneratave të qytetarëve të këtij vendi. Sidoqoftë, ashtu sikurse filloi me angazhim, konstruktivitet dhe pozitivitet ky proces zgjati deri në muajt e fundit të pjesës së parë të këtij viti. Me propozimin e Marti Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës nga një mision i Bashkimit Evropian, bashkësia ndërkombëtare u gjet përball një reagimi të fuqishëm të një prej superfuqive politike, ekonomike dhe ushtarake të botës, Federatës Ruse. Nga kjo kohë, procesi u fut në një rreth vicioz dhe të pastrategji për të dalë nga ai. Funksionimi i treshes ndërkombëtare nuk është gjë tjetër pos një shtyrje e kohës së duhur për pavarësimin e Kosovës, duke ngritur tensionet në vend dhe rajon.

III
Përpjekjet për organizimin e një konference të mundshme në fund të procesit të angazhimeve shtesë për statusin e Kosovës janë të gjykuara të mos jenë frytdhënëse. Megjithëse këto përpjekje mund të përfundojnë me një organizim të tillë, rezultati i saj është pothuaj se i ditur. Teoritikisht dhe realisht janë pesë rezultate të mundshme që do të dalin nga një konferencë e tillë. Së pari, palët të “pajtohen” për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas Planit të Ahtisarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Së dyti, palët të “pajtohen” për përcaktimin e përkohshëm të një statusi të veçantë që do të mund të funksiononte si shtet brenda kufijve të paprekur të Serbisë. Së treti, palët të “pajtohen” për krijimin e ndonjëfarë Konfederate midis Kosovës dhe Serbisë, që përsëri do të ishte zgjidhje e përkohshme. Së katërti, që palët të “pajtohen” për ndarjen e jashtme ose të brendshme të Kosovës me kusht që pjesa tjetër të njihet si e pavarur. Së pesti, që palët të pajtohen për të mos u pajtuar, përkatësisht që Konferenca të dështojë në pozicionet që ka filluar. Rezultati i fundit është më e mundshmja, më e mira dhe e vetmja që do të ndodh.

IV
Pajtueshmëria midis palëve për statusin është e paarritshme dhe në fund të fundit e panevojshme. As ndonjë konferencë e çfarëdo niveli të mundshëm nuk do të arrinte këtë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të duhej fare të merrte parasysh opsionin për ndonjë mbyllje të palëve në një vend për t’u pajtuar mbi statusin. Kjo nuk do të sillte asgjë të re në procesin për statusin, vetëm se do të shkaktonte shtyrje dhe sigurisht edhe tensione më të mëdha në Kosovë dhe në rajon. Tipet e Rambujesë apo Dejtonit do të përfundonin pa zgjidhje praktike. Pala kosovare nuk ka dhe nuk do të ketë hapësirë për tërheqje nga Plani i Ahtisarit, përveç nëse kjo tërheqje do të shkonte në drejtim të përmirësimit të kushteve për pavarësimin e Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk guxon të vihet në pikëpyetje dhe zgjidhja duhet të bazohet në deklaratën e presidentin Bush të dhënë në Tiranë më 10 qershor të këtij viti. Prandaj, pjesëmarrja e kosovarëve në një konferencë të mundshme nuk nënkupton gjetjen e një zgjidhje të përbashkët në kurriz të Planit të Ahtisarit. Konferenca e mundshme për Kosovën do të kishte rezultat që përputhet me vullnetin e popullit për pavarësi vetëm nëse ajo dështon plotësisht.

Botuar më 24 shtator 2007 në “Zëri”, fq. 11

Wednesday, September 19, 2007

Nacionalizmi që kolapson Serbinë

Loja pa fitues

Nacionalizmi që kolapson Serbinë

Serbia ka dy rrugë përpara: të shkojë kah BE-ja dhe NATO-ja apo të kolapsojë plotësisht pas pak vjetësh. Të dy këto rrugë Serbia duhet t’i bëjë e vetme, pa Kosovën. Janë rreth 20 vjet që lidershipi serb ka një politikë aktive në kundërshtim të hapur të politikës dhe vlerave fundamentale Perëndimore. Vetëm një pjesë e margjinalizuar e politikanëve në Serbi kanë kuptuar djallëzitë e nacionalistëve, por zëri i tyre ose është i padëgjueshëm ose është i shantazhuar

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kryeministri i Serbisë, radikali i mbështjellë me lojërat e proceseve demokratike, Vojisllav Koshtunica, këto ditë ka deklaruar se shteti i tij nuk duhet të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike NATO. Ai ka arsyetuar qëndrimin e tij me faktin se NATO paskësh bombarduar pa të drejtë dhe më pas qenka vendosur po ashtu pa të drejtë në një pjesë të territorit të Serbisë. Kjo deklaratë e bërë publike nga vetë Koshtunica nuk është vetëm një budallallëk apo naivitet politik i kreut të qeverisë serbe. Është qëndrim dhe vullnet politik i shumicës së lidershipit politik të Serbisë, vend ky që është duke e vënë veten në teh të shpatës së ngritur nga elita e tij politike nacionaliste edhe pas rreth shtatë vjetësh prejse është rrëzuar nga pushteti ‘vëllau’ i Sadam Huseinit, Sllobodan Millosheviq. Politika e autoriteteve të Beogradit nga viti 2001 është edhe më tutje një vazhdimësi e asaj të para këtij viti, ndërsa kohës së fundit tendencat dhe orientimet drejt politikës së para vitit 1999 janë publike. Jo vetëm kryeministri serb tashmë përfaqëson linjën radikale në pushtet. Janë edhe disa ministra të qeverisë së tij që ka bërë të njëjta deklarata.

II
Kthimi i fjalorit politik të Serbisë në atë të para vitit 2001 nuk ka shkaktuar ndonjë befasi në Kosovë dhe tek populli shqiptar në përgjithësi. Shqiptarët e kanë pasur e vazhdojnë ta kenë të qartë se çka mund të pritet nga autoritetet e Beogradit dhe këtë e kanë thënë hapur tërë kohën. Qëndrimi i elitës shqiptare se pos ndryshimit të emrave në lidershipin e Serbisë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim tjetër duket se megjithatë nuk janë marrë aq seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare, në veçanti nga disa vende të Bashkimit Evropian. Arsyet për këtë mund të jenë të ndryshme, porse sidoqoftë reagimi jo i duhur i bashkësisë ndërkombëtare në raport me Koshtunicët nuk ndryshon terrenin. Realiteti në mënyrë të pamohueshme është i tillë dhe dëshmon për ri-sipërfaqësimin e nacionalizmit të verbuar në kuptimin më negativ tek udhëheqja e atjeshme. Evropianët duket se nuk e kanë kuptuar në masën e duhur këtë, prandaj disa vende brenda Bashkimit hezitojnë të marrin qëndrime të qarta dhe aktive. Laramania evropiane është e domosdoshme të ndërrojë stadin e relacioneve me Serbinë, të qartësojë pozicion.

III
Kundërshtimi i vlerave demokratike Perëndimore të ri-bëra tashmë politikë shtetërore të Serbisë ka zënë shkas në procesin e statusit final të Kosovës, përkatësisht pavarësimit të Kosovës. Kjo do të se orientimi i politikës serbe në themel është anti-Perëndimor. Në relacionet e forcave në sistemin ndërkombëtar, pozicionimi kundër vlerave Perëndimore demokratike domosdoshmërisht kthen një vend, në këtë rast Serbinë, në një mbështetës dhe anëtarë të klubit të vendeve drejt kolapsimit ekonomik dhe politik. Në këtë klub të udhëhequr nga askush, nuk bën pjesë Rusia e cila megjithë vështirësitë e ndryshme mbetet një bashkëpunëtor strategjik i Bashkimit Evropian. Porse, vendet e pazhvilluara sikurse Serbia nuk kanë privilegjet e Rusisë dhe në të njëjtën kohë e kanë pothuaj të pamundur të funksionojnë si satelitë dhe vasal të Federatës Ruse. Serbia ka dy rrugë përpara: të shkojë kah BE-ja dhe NATO-ja apo të kolapsojë plotësisht pas disa vjetësh. Të dy këto rrugë Serbia duhet t’i bëjë e vetme, pa Kosovën. Pavarësimi i Kosovës në asnjë opsion nuk mund të bllokohet nga Serbia.

IV
Krijimi i opinionit dhe politikës anti-Perëndimore në Serbi nuk është angazhim i shkurtër në kohë. Janë rreth 20 vjet që lidershipi serb është përkushtuar në një politikë aktive në kundërshtim të hapur të Perëndimit, jo vetëm të politikës, por edhe vlerave fundamentale Perëndimore. Një pjesë e margjinalizuar e politikanëve në Serbi kanë kuptuar djallëzitë e nacionalistëve, por zëri i tyre ose është i padëgjueshëm ose është i shantazhuar. Nuk ka shantazh më të madh që vjen nga vetë popullata sesa ekzistimi i një Partie Radikale që kontrollon 40 për qind të Parlamentit serb. Kësaj i shtohet edhe një përqindje tjetër e lartë e partisë së Koshtunicës, duke bërë kështu shumicën absolute në legjislativin e Serbisë. Porse, një gjë duket të jetë e papërcaktuar në mendjen e këtyre politikanëve symbyllur: kah do të shkojë Serbia dhe cila do të jetë perspektiva e popullit serb? Niveli shumë i ulët i zhvillimit ekonomik në Serbi tregon për drejtimin kah kolapsi nëse vazhdohet në këtë orientim, derisa politika tregon shenja kah askund. Kjo, sipas disa njohësve të rrjedhave, do të thotë se politikanët serbë janë të humbur në hapësirë.

Botuar më 17 shtator 2007 në “Zëri”, fq. 14

Mesazhi kombëtar i Shqipërisë

Loja pa fitues

Mesazhi kombëtar i Shqipërisë

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë në krye me presidentin Topi ka dhënë mesazh të fuqishëm për tendencat e ndryshme rreth pjesës shqiptare të okupuar rreth një shekull më parë. Kosova, sipas interpretimit të mesazhit të Topit, sa mund të jetë çështje e Serbisë është po aq edhe çështje e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Ballkan

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shqiptarët janë faktor stabiliteti në Ballkan, porse në rast të destabilizimit të rajonit reagimi i tyre do të jetë i përbashkët dhe i drejtëpëdrejt. Ky mund të jetë interpretimi, ndoshta pak më emocional, i reagimit të fundit të shtetit shqiptar përmes kreut të vendit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë të bërë pak ditë më parë në Tiranë. Megjithëse debati mund të jetë i gjatë dhe i ndryshëm rreth asaj se çfarë qëndrimi dhe angazhimi do të mund të kishte Shqipëria në mënyrë që të jetë lojtar më i drejtëpërdrejt në procesin e statusit të Kosovës, fjalitë e fundit që dolën nga presidenti Bamir Topi janë më shumë se një sinjal apo mesazh rreth tendencave të ndryshme ndaj pavarësimit të Kosovës. Në kohën kur ndarja e Kosovës filloi të diskutohej hapur dhe, në kundërshtim me Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit, filloi të mos përjashtohej si opsion për zgjidhjen e konfliktit, reagimet mbarëshqiptare ishin në linjë të njëjtë në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Preshevë. Të deklaruar qartë se ky opsion hap domosdoshmërisht rivijëzimin e kufijve në Ballkan, shqiptarët në mbarë trojet etnike kishin të njëjtën përgjigje si komb i vetëm dhe unik. Reagimi i tillë ka pasur ndikim dhe pa kurrfarë dyshimi ka vlerë historike kombëtare.

II
Shpeshherë kemi dëgjuar pretendimet politike të brendshme dhe të jashtme për funksionimin e Kosovës krejt ndarazi prej Shqipërisë, sikurse prej vendeve të tjera të rajonit. Kjo në vështrimit politik shtetëror dhe qytetar mund të arsyetohet dhe të ketë bazë racionale politike, porse një kusht i rëndësishëm për realizimin e kësaj politike mbetet mosdiskutimi i identitetit të përbashkët kombëtar të shumicës së popullit të Kosovës me bashkëkombësit shqiptarë në shtetet tjera të Ballkanit. Është fakt se shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë traditë dhe histori që është e ndryshme për rreth një qind vjet. Përkatësisht, dy pjesët e kombit shqiptar kanë përjetuar dhe zhvilluar kultura të ndryshme shtetërore dhe kanë pasur aspirata të ndryshme nga njëra-tjetra për rreth një shekull prej se Kosova është okupuar me forcë dhe dhunë nga Serbia në vitet 1912-13. Sidoqoftë, identitetet megjithëse janë të ndryshueshme dhe fleksibile, ato kanë fuqinë e bashkimit të grupeve të mëdha të njerëzve të cilët gjejnë dhe ndjejnë elemente të përbashkëta. Identitetet janë edhe më të fuqishme në rastet kur kujtesa kolektive për periudha edhe më të hershme se një shekull është e padiskutueshme në mesin e atij kolektiviteti.

III
Shumëkush do të donte që gjërat të mos ishin kështu, derisa ka edhe të atillë që me racionalitet e shohin ekzistencën e shtetit shqiptar si armën më të fortë për mbështetjen e aspiratave të popullit të Kosovës. Një kolegë imi boshnjak më pat thënë kohë më parë se po të kishin boshnjakët një shtet të tillë kombëtar, Bosnja e Hercegovina do të ishte krejt ndryshe. Ai kishte të drejtë edhe pse nuk merrte fare parasysh historinë e vuajtjet e shqiptarëve andej e këndej kufirit. Në të njëjtën kohë, fqinjët tjerë që kanë shprehur rezerva deri vonë rreth shtetësisë së Kosovës kanë pasur një pikëpamje të njëjtë, atë të krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Faktit të dy shteteve shqiptare i është shtuar edhe përkrahja e fuqishme dhe partneriteti i shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy këto elemente kanë qenë dhe deri në një masë vazhdojnë të jenë shqetësuese për fqinjët tanë sllavë, të cilët tashmë ekzistojnë në disa shtete të brishta dhe të lodhura ekonomikisht, duke përfshirë këtu edhe vet Serbinë. Tek e fundit, këto janë dy pikat ku u dhemb më së shumti fqinjëve tanë, gjë që mund të kuptohet kur merret parasysh fakti se shqiptarët janë i vetmi komb në Ballkan që është plotësisht i ndryshëm nga të gjithë në rajon.

IV
Shqipëria ka pasur dhe ka rol historik në kohën që tashmë po kalon Kosova. Pak kohë para pavarësimit të pjesës që deri vonë kishte mbetur nën pushtetin e egër serb, autoritetet e Shqipërisë i janë kthyer politikës aktive kombëtare. Mbledhja e para pak ditëve e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë në krye me presidentin Topi ka dhënë mesazh të fuqishëm për tendencat e ndryshme rreth pjesës shqiptare të okupuar rreth një shekull më parë. Kosova, sipas interpretimit të mesazhit të transmetuar prej Topit në Tiranë, sa mund të jetë çështje e Serbisë është po aq edhe çështje e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Ballkan. Një politikë e tillë aktive kombëtare ka qenë elementi mungoi për disa vjet. Që prej vitit 1999, kur Kosova u çlirua me ndihmën e NATO-s e po ashtu edhe të shtetit shqiptar, autoritetet në Tiranë hezituan në deklaroheshin pro një politike mobilizuese kombëtare rreth Kosovës. Arsyet mund të jenë të ndryshme dhe në to nuk mund të përjashtohet edhe përgjegjësia e politikës kosovare. Sido që të jetë, tashmë më shumë se asnjëherë më parë një gjë është e qartë. Shqipëria dhe Kosova duhet të jetojnë bashkë, ani pse si dy shtete. Kombi unik shqiptar nuk duhet vënë asnjëherë në pikëpyetje.



Botuar në të përditshmen “Zëri” në Prishtinë, më 10 shtator 2007, fq.
Për shkak të interesimit të mediave të shkruara, ky koment është botuar edhe në të përditshmen e Tiranës, “Gazeta Shqip”, më 11 shtator 2007, fq. 10 dhe 11
, si dhe u ribotua në të përditshmen “Infopress” në Prishtinë më 12 shtator 2007, fq. 9.

Përsëri pavarësia?

Loja pa fitues

Përsëri pavarësia?

Këngëtarë, turma, muzikë patriotike dhe tallava, emra dëshmorësh, krenim me atdheun, përurime, krekosje, lëvdime dhe akuza do të shohim e dëgjojmë gjatë kësaj fushate. D.m.th asgjë nuk ka ndryshuar, është përsëritje e fushatave të deritashme. Dhe, pika kryesore e debateve do të jetë prapë pavarësia e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Komunikimi i vendimit të shefit të UNMIK-ut për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale ka qartësuar dhe përmbyllur tash për tash njërën prej dilemave me të cilën janë marrë jo vetëm elitat dhe shoqëria civile, por edhe pleqtë në oda. Për javë të tëra dilema e datës dhe mbajtjes së zgjedhjeve ishte kthyer në një lloj debati në nivele të ndryshme të shoqërisë kosovare. Të ballafaquar me pengesa dhe njëlloj ngecje në agjendën ndërkombëtare të procesit të pavarësimit të vendit, kosovarët kthyen sy e vesh kah një proces tjetër, atë të zgjedhjeve. Janë vërejtur gjatë kësaj kohe tri nivele strukturash që kanë pasur qëndrime të dallueshme e të ndryshme sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve. Një strukturë donte të mbahen zgjedhjet, një strukturë tjetër ishte kundër plotësisht, por nuk ishte konfortabile ta thoshte këtë hapur dhe një masë tjetër, në mënyrë krejt të qartë, nuk kishte as çka të humbte e as çka të fitonte nga ky proces. Pa hyr në debatin ekzakt rreth përbërjes së dy strukturave të para, është e dukshme se kur flitet në këtë kontekst për strukturën e tretë kemi të bëjmë me qytetarët.

II
Katër palë zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovën e pas vitit 1999 kanë dëshmuar për një pjekuri të qytetarëve në mbarëvajtjen e procesit, megjithëse ka pasur incidente të ndryshme të izoluara. Në anën tjetër, në përgjithësi, përveç zgjedhjeve të para në vitin 2000, të tjerat kanë të qenë më të parashikueshme edhe sa i përket rezultateve të tyre. Sidoqoftë, zgjedhjet e sivjeme (nëse ato do të mbahen) janë më të ndryshme në këtë aspekt dhe tashmë duket se është e vështirë të bëhen llogaritë e sakta rreth përfundimit të procesit në kuptimin e konvertimit të votave të qytetarëve në mandate. Nuk ka ndodhur asnjë hulumtim kredibil i opinionit që do të mund që sadopak të jepte një llogari fillestare të besueshme rreth pozicionit të partive politike në peshoren e votave. Porse, sistemi i votimit të tashëm është më i komplikuari në zgjedhjet e deritashme që janë mbajtur në Kosovë. Edhe praktikisht është më vështirë të votohet në tri nivele: për Kuvend, për kryetarë komunash dhe Kuvende Komunale. Pos të tjerash, kjo merr edhe shumë kohë për një qytetar, ndërsa radhët e gjata mund të ndikojnë në dekurajimin e qytetarëve për të dalë në votime.

III
Kundrejt pretendimeve për befasimin nga ana e partive të reja, rrethanat e krijimit të tyre dhe mënyra e funksionimit të tyre megjithatë duket se nuk do të ndikojnë ndryshime të mëdha të skenës politike kosovare. Tri partitë më të mëdha politike të vendit (LDK, PDK dhe AAK) do të mbeten edhe pas këtyre zgjedhjeve udhëheqëse të proceseve dhe sigurisht disa prej tyre edhe të institucioneve vendore. Ndërkaq, nivelit të përfaqësimit të dy partive të reja LDD dhe AKR, duket se do t’i bashkëngjitet edhe Ora, e cila tash për tash është parti parlamentare. Pragu prej 5 për qind për përfaqësimin e partive në Kuvendin e Kosovës do të jetë një shkallë jolehtë e kalueshme për këto tri parti, të cilat megjithatë pretendojnë për shtrirje më të gjerë në popullatë. Nuk do të ishte befasi nëse ndonjëra prej këtyre partive apo edhe të tria këto do të mbeten pa u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës dhe zhvillimet e ardhshme në vend do t’i përcjellin nga familja e partive jashtë-parlamentare. Sistemi i komplikuar i votimit në këto zgjedhje jep disa përparësi partive të mëdha dhe personaliteteve udhëheqëse të tyre për të kaluar befasitë.

IV
Korniza e zhvillimeve të proceseve zgjedhore në Kosovë mbetet në përgjithësi një rreth i përsëritur dhe pothuaj e njëjta gjë do të shihet edhe gjatë kësaj fushate. Këngëtarë, turma, muzikë patriotike dhe tallava, emra dëshmorësh, krenim me atdheun, përurime, krekosje, lëvdime dhe akuza do të shohim e dëgjojmë gjatë kësaj fushate. D.m.th asgjë nuk ka ndryshuar, është përsëritje e fushatave të deritashme. Dhe, pika kryesore e debateve do të jetë prapë pavarësia e Kosovës, që në fakt është çështja kryesore dhe vitale për qytetarët e Kosovës. në të vërtetë, fushata që duhet zyrtarisht të fillojë pas pak javësh, ka filluar shumë më herët. Kjo fushatë ka filluar me debatet e ‘dirigjentit’ të PDK-së dhe është vazhduar më pas me ‘ecësin’ e Ora-s nëpër fshatrat e Kosovës. Dirigjimet dhe ecjet janë patjetër nisje klasike e fushatës parazgjedhore, gjë që megjithatë nuk është e sigurt nëse do të arrijë deri te kutitë e votimit. Pavarësisht se çka thuhet, fushata për zgjedhjet ka ndikuar në fokusimin e të gjithëve mbi pavarësinë dhe kjo është qartësisht e vërejtshme. Vetëm shikonit edicionet e lajmeve në televizione dhe bindeni.

Botuar më 03 shtator 2007, në “Zëri”, fq.

Rusia dhe konfliktet e ngrira

Loja pa fitues

Rusia dhe konfliktet e ngrira

Cili do të jetë reaksioni i shtyrë nga tërheqja e mundshme e pazhurmshme e Rusisë dhe hapat e ardhshëm të politikës së jashtme ruse sa i përket disa rajoneve me të cilat Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë mbetet të shihet pas disa muajsh kur Kosova do të pavarësohet me apo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkruan: Burim Ramadani

I
Rikthimi i kundërshtimeve dhe pozicioneve të ngurta të këtyre muajve në politikën ndërkombëtare, përkatësisht midis dy fuqive më të mëdha të kohës, SHBA-ve dhe Federatës Ruse, ka ngritur dilemat rreth thellimit të brishtësisë së funksionimit të sistemit aktual botëror. Në diskursin akademik kjo çështje po merr trajtesa nga më të ndryshmet. Varësisht nga përcaktimi teorik i autorëve ndërkombëtarë, edhe tezat e tyre akademike janë të qasjeve të veçanta. Studiuesit e orientimit liberal mundohen ta përshkruajnë dhe analizojnë këtë gjendje si të tensionimeve për shkaqe e objektiva të ndryshme të cilat fundi i fundit nuk kanë të bëjnë me një gjendje që është kaluar rreth njëzet vjet më parë. Ata theksojnë bashkëpunimin midis të këtyre fuqive, duke u munduar të karakterizojnë këto marrëdhënie si vetëm të tensionuara, por të pafuqishme për të shkaktuar ndonjë krizë të re. Me qasje krejtësisht tjetër analizohet gjendja nga studiuesit e orientimit realist, të cilët pa ndonjë hezitim të madh theksojnë se marrëdhëniet e tashme mes SHBA-ve dhe Rusisë bëjnë fazën e parë të rikthimit të Luftës së Ftohtë.

II
Rusia ka kthyer pozitën prej faktori në politikën ndërkombëtare dhe atë rajonale, ndërsa meritat në shikim të parë i jepen presidentit aktual, Vladimir Putin, i cili është në përfundim të mandatit të dytë në krye të Kremlinit dhe Kushtetuta nuk i lejon konkurrim për mandat të tretë. Një hulumtim opinioni këtyre ditëve tregon se rusët e rëndomtë do të votonin me shumicë nëse presidenti aktual rikandidohet pas një kohe, madje shumica e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese vetëm për t’i lejuar presidentit aktual të mbetet në fron. Pavarësisht se vullneti i qytetarëve në politikën e brendshme dhe përfaqësim nuk duhet etiketuar, fakti i gatishmërisë së qytetarëve rus për të vazhduar me të njëjtën tempo sikurse këtyre tetë vjetëve paralajmëron vullnetin për kontinuitet të zhvillimeve me dy epiqendra në kuptimin e fuqive kryesore botërore. Forcimi i ekonomisë ruse është evident, porse kthimi i namit për fuqinë ushtarake dhe ndikimi i politikës së jashtme në rajon dhe në botë kanë ringjallur krenarinë gjysmë të humbur të rusëve pas rreth dy dekadash me radhë.

III
Reluktanca dhe bllokimi i deritashëm rus ndaj pavarësisë së Kosovës ka treguar rolin që Rusia ka në sistemin ndërkombëtar të kësaj kohe. Analizat e shumta që i janë bërë politikës së tashme ruse ndaj çështjes së Kosovës megjithatë konkludojnë se momentet e fundit do të karakterizohen nga një tërheqje jo shumë të vërejtshme të Rusisë. Porse, dy aspektet e paqartësuara të tyre kanë të bëjnë me atë se cilat janë momentet e fundit të këtij procesi të stërzgjatur mbi Kosovën dhe çfarë ndikimi në anën legale të sistemit ndërkombëtar do të ketë tërheqja e mundshme e pazhurmshme e Rusisë. Cili do të jetë reaksioni i shtyrë nga kjo dhe hapat e ardhshëm të politikës së jashtme ruse sa i përket disa rajoneve me të cilat Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë mbetet të shihet pas disa muajsh kur Kosova do të pavarësohet me apo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Abhazia, Trandsnistria, Nagorno Kharabah dhe Osetia Jugore kërkojnë e gëzojnë mbështetjen e Rusisë, pavarësisht se këto marrëdhënie nuk mund të krahasohen me ato të Kosovës me Perëndimin, sikurse që këto vende nuk mund të krahasohen me Kosovën.

IV
Relacionet e politikës ruse me Ballkanin dhe vendet e veçanta në këtë rajon tashmë nuk duken dhe nuk analizohen si vitale për shtetin më të madh territorialisht në botë. Sidoqoftë, nuk është e qartë plotësisht pse Rusia është kundër “krijimit të një precedenti” në pavarësimin e Kosovës, kur merret parasysh mbështetja që Rusia i jep aspiratave politike të të ashtuquajturave konflikte të ngrira. Janë tri shpjegime të ndryshme ose të përbashkëta për bllokimin e procesit nga ana e Rusisë. Së pari, Rusia mundohet të rikthejë rolin prej faktori në politikën ndërkombëtare. Së dyti, dëshiron të mbajë status kuo-në në disa prej konflikteve të ngrira. Dhe, së treti, duke bërë këtë, Rusia synon të pamundësojë shtrirjen e NATO-s edhe nga ana jug-perëndimore e kufirit rus. Kjo sidomos ka të bëjë me Gjeorgjinë dhe Azerbejxhanin. I pari vend ortodoks dhe i dyti me shumicë muslimane, mëse 99 për qind e popullatës së atjeshme dëshiron të anëtarësohet në NATO, porse problemet me integritetin territorial dhe konfliktet e ngrira të këtyre shteteve pamundësojnë përmbushjen e standardeve të NATO-s. Rusia mundohet të mbetet fuqi, siç është në disa aspekte.

Botuar në “Zëri” më 27 gusht 2007, fq.8

Lufta e nënkryetarëve

Loja pa fitues

Lufta e nënkryetarëve

Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit 2007 do të karakterizohet nga fuqia dhe ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në duar dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash

Shkruan: Burim Ramadani

I
A mund të imagjinoni se si do të duket fushata zgjedhore nëse përfundimisht vendoset që zgjedhjet qendrore dhe lokale të mbahen në këtë fundnëntor? Ndoshta vendimi për çështjen e zgjedhjeve do të merret së shpejti, por sidoqoftë mbetet krejtësisht e pakuptimtë një fushatë për kërkimin e votave të qytetarëve nga partitë apo subjektet politike të cilat as nuk kanë filluar përgatitjet për hartimin e strategjive të tyre elektorale. Tre muaj para se të dalin para kutive të votimit (nëse zgjedhjet mbahen), qytetarët kosovarë ose votuesit potencialë nuk kanë idenë se çka po ndodh dhe çka ofrojnë subjektet politike kryesore të vendit. Partitë kryesore të vendit janë bërë pothuaj të njëjta në organizim, funksionim, dinamikë dhe ruajtje të status kuos së brendshme. Për të qenë korrekt, disa lëvizje krejtësisht të margjinalizuara duken më të ndryshme se subjektet tjera politike, porse shtrirja e tyre në vota është dhe mbetet mëse e ngushtë. Megjithatë, shqetësimet e deritashme të paraqitura sa i përket unitetit politik kosovar duket se mund të zvogëlohen – nënkryetarët e partive politike do të marrin fushatën në duar.

II
Ashpërsia e debateve që karakterizojnë normalisht fushatat zgjedhore në vendet me orientim demokratik ka një koncept dhe bazë programore, megjithëse nuk mungojnë edhe aspektet personale. Në Kosovë, fatkeqësisht, koncepti dhe programi pothuaj nuk ekzistojnë. E vetmja gjë që mbetet për t’u futur në debatet e fushatës është aspekti personal i elitave. Edhe këtë vit do të dëgjojmë e shohim qëndrime dhe qasje të njëjta sikurse në katër palë zgjedhjet e deritashme. Niveli i debatit thuaja se nuk do të lëvizë nga vendi krahasuar me tre vjet më parë, kur partitë politike kryesore të vendit dolën nga bashkëqeverisja e shterpët për të krijuar një raport të ri të forcave në Kuvend. Një ndryshim i prekshëm në këtë fushatë është roli i nënkryetarëve dhe grupeve që do t’i mbështesin. Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit do të karakterizohet nga fuqia e ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në dorë dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash.

III
Aktivitetet do të mbeten në supet e nënkryetarëve, por rreth tyre sivjet do të shohim të moderuarit. Dorën në zemër, do të mund të jemi dëshmitarë të debateve interesante midis dyshave që më pak ose më shumë janë njësha të partive. Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, do të ketë përballë homologun e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fatmir Limajn. Të dy figurat njihen për ashpërsi politike. Derisa shefat do të përmbahet deri në një masë në mënyrë që të ruhet uniteti aq i nevojshëm politik dhe qytetar i Kosovës, nënkryetarët do të mbështeten nga ata që shihen në opinion si më të moderuar. Eqrem Kryeziu mund të llogaris në Nekibe Kelmendin, Fadil Feratin dhe Ramë Manajn, ndërsa Fatmir Limaj mund të llogaris në Hajredin Kuçin, Bajram Rexhepin e Enver Hoxhajn. Pavarësisht nëse paraqiten bashkë apo jo në fushatë zgjedhore, këto personalitete do të mbajnë barrën kryesore për të folur në emër të partisë përkatëse. Do të vërehet një fanatizëm i theksuar këtyre zyrtarëve ndaj partive politike, edhe pse njihen si më të moderuarit.

IV
Asnjëherë në historinë e varfër të demokracisë kosovare nuk ka pasur zgjedhje më të parëndësishme në kuptimin e interesit të qytetarëve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se ndryshimet që mund të ndodhin në raportin e forcave në institucionet vendore nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në jetën e qytetarit të thjeshtë. Po ashtu, nuk do të ketë pothuaj kurrfarë ndikimi as në procesin për pavarësimin e vendit. Tek e fundit, edhe vetë shefi i Ekipit Negociator do të mbetet i njëjti, duke pasur parasysh dispozitat e Kornizës Kushtetuese dhe parashikimet për rezultatet e zgjedhjeve. Nëse flasim nga prizmi i përbërjes së negociatorëve, mund të vërejmë se fushata mjaft shumë do të udhëhiqet nga njerëzit që kanë marrë pjesë në takimet e Vjenës. Kjo fuqizon qëndrimin e partitë kosovare nuk kanë kapacitete për të zhvilluar dy procese në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, me këto zgjedhjeve, koalicionet nuk janë të paparashikueshme, porse ndarja e posteve kryesore të institucioneve varet në masë të madhe nga përqindja e votave që marrin partitë. Nënkryetarët me bollëk të partive do të mbeten përsëri pjesa më e fuqishme e tyre.

Botuar në “Zëri” më 20 gusht 2007, fq. 8