Sunday, September 30, 2007

Mbi 100 vjet muhaxhirë

Loja pa fitues

Mbi 100 vjet muhaxhirë

Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojnë edhe për një qind vjet të tjera dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush është i pashmangshëm dhe duhet bërë realitet në këtë fundvit. Konflikti i shqiptarëve të Kosovës me shtetin serb ka filluar rreth 120 vjet më parë, pavarësimi i Kosovës të paktën ndal ekspansionin serb shekullor

Shkruan: Burim Ramadani
I
Para më se një shekulli, shqiptarët etnikë nga Kosova iu nënshtruan dhunës së mbretërisë serbe menjëherë gjatë dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Qytetet lindore të Kosovës u spastruan dhe në Kosovë u vendosen refugjatët, që edhe tash pas një qind vjetësh njihen si muhaxhirë. Rajonet tjera u përfshinë nga flakët, vrasjet, masakrat kolektive dhe dhunimet, duke vendosur kështu një pushtet ushtarak i cili në mënyra dhe kohë të ndryshme, ka vazhduar dhunën mbi shqiptarët e Kosovës për më shumë se një shekull të plotë. I njëjti sundim, të njëjtat qëllime, të njëjtat metoda u përdorën pothuaj gjatë tërë shekullit me synim të vetëm spastrimin e plotë dhe definitiv të shqiptarëve nga Kosova. Memorandumi i famshëm i Vasa Cubriloviqit, i vitit 1937, ishte dhe mbetet dokument zyrtar i qeverisë së Serbisë për strategjinë e zgjidhjes së problemeve me shqiptarët etnikë në Kosovë. Kjo strategji është e bazuar në metodat e përdorura në rajonin e Nishit, Leskovës dhe Prokuples, në vitet e 80-ta të shekullit të 19-të, ndërsa ishte tentuar më pas disa herë gjatë shekullit të 20-të, në përgjithësi pa suksesin e pritur.

II
Perceptimet e të dy popujve, sipas studiuesve, janë që konflikti mes tyre është historik dhe si i tillë ka filluar shumë shekuj më parë, duke kontestuar të drejtën historike, identitetin dhe vlerat e formimit kombëtar. Argumentet historike thonë se në mes të shekullit të 9-të deri në pjesën e parë të shekullit të 11-të ka ndodhur ekspansioni i parë i sllavëve në Kosovën atëherë të sunduar nga bullgarët. Sllavët e ardhur në Ballkan kah fillimi i shekullit të 7-të, derisa serbët u vendosën fillimisht në Rashkë dhe Mal të Zi, përsëriten ekspansionin në territorin e Kosovës edhe në fund të shekullit të 12-të. Pushtimi i parë i plotë i Kosovës nga ana e serbëve argumentohet të ketë ndodhur nga Zhupan Stefani, i cili një vit më pas u kurorëzua me rite fetare katolike si “Mbret i Serbëve”. Kah fundi i shekullit të 13-të, nën sundimin e Nemanjidit, u ndërtuan Manastiret serbe në Graçanicë, Deçan dhe Prizren, duke pasuar kështu valën e dytë të ekspansionit serb mbi Kosovën. Kulmi i shtetit mesjetar serb ishte prej mesit të shekullit të 13-të deri në mesin e shekullit të 14-të, nën Mbretërit Stefan, Urosh, Milutin dhe Dushan, ndërsa kryeqyteti i tyre ishte Shkupi.

III
Pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, ku ushtria otomane shpartalloi fuqinë ushtarake ballkanase të udhëhequr nga një serb, Kosova mbeti sërish nën sundimin e serbëve, porse në një format tjetër tashmë. Princërit serbë sunduan Kosovën për rreth 70 vjet si vasalë të otomanëve dhe hungarezëve, derisa edhe vetë kishin marrë pjesë në luftërat e otomanëve në pushtimin e pjesës tjetër të Ballkanit. Kështu ndodhi deri në vitin 1455, kur otomanët morën sundimin e drejtëpëdrejt mbi Kosovën dhe kjo zgjati deri në vitin 1912, kur Perandoria Osmane filloi të shpartallohej. Porse, përsëri ndodhi një tjetër ekspansion i serbëve mbi Kosovën, ekspansion ky që mund të përfundojë, të paktën në disa forma, pas rreth një shekulli, pra këtë fundviti, kur Kosova duhet ta shpallë pavarësinë e saj dhe kjo të njihet nga bota demokratike. Pavarësimi i Kosovës, pas përpjekjeve përmes një procesi ndërkombëtar, qartësisht paraqet të vetmen zgjidhje dhe për këtë përgatitjet duhet bërë deri në nivelin maksimal. Shqiptarët etnikë të Kosovës meritojnë të kenë shtetin e tyre dhe për të marrin obligime ndërkombëtare.

IV
Përkundër të gjitha përpjekjeve që ka bërë dhe mund të bëjë bashkësia ndërkombëtare dhe bota demokratike Perëndimore, mundësia e një marrëveshjeje për përfundimin e konfliktit mes shqiptarëve etnikë të Kosovës dhe shtetit serb nuk duket gjëkundi. Për rreth dy vjet negociata serioze dhe domethënëse, pala kosovare ka bërë punë të shkëlqyer në kontributin e saj për përfundimin e konfliktit me shtetin serb dhe arritjes së një shoqërie e shteti funksional të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur me palën serbe, ndërsa vazhdimi i takimeve për gjetjen e një statusi të marrëveshur mes palëve janë të kota dhe tension-ngritëse. Bashkësia ndërkombëtare duhet të llogaris në mënyrë të detajuar nivelin e tensionimeve në Kosovë, duke pasur parasysh deklaratat e përditshme kërcënuese që vijnë nga qarqet qeveritare dhe joqeveritare të Serbisë. Negociatat mund të vazhdojnë edhe për një qind vjet të tjera dhe rezultati i vetëm i tyre është mos arritja e marrëveshjes. Prandaj, pavarësimi i Kosovës sipas deklaratës së presidentit Bush është i pashmangshëm dhe duhet bërë realitet në këtë fundvit.

Botuar në “Zëri” më 01 tetor 2007, fq. 11

No comments: