Monday, September 24, 2007

Konferenca për Kosovën - strategji pa rezultat

Loja pa fitues

Konferenca për Kosovën - strategji pa rezultat

Konferenca e mundshme për Kosovën do të kishte rezultat që përputhet me vullnetin e popullit për pavarësi vetëm nëse ajo dështon plotësisht. Pavarësia e Kosovës nuk guxon të vihet në pikëpyetje dhe zgjidhja duhet të bazohet në deklaratën e presidentin Bush të dhënë në Tiranë më 10 qershor të këtij viti

Shkruan: Burim Ramadani

I
Përfundimi i konflikteve në vende dhe kohë të ndryshme është realizuar përmes formave dhe strategjive të ndryshme, të cilat kanë pasuar ose edhe janë përmbyllur me konferenca. Ballkani, si rajon i njohur për luftërat e para dy dekadave dhe për çështje kombëtare të pazgjidhura ndër shekuj, ka përjetuar strategjinë e konferencave për përfundimin e konfliktit. Në vitin 1995 dhe më 1999 bashkësia ndërkombëtare ka provuar të sjell në një tavolinë të përbashkët palët në konflikt dhe rezultatet nga ato tentativa megjithëse janë të debatueshme, janë po ashtu të prekshme. Në rastin e parë, Konferenca në Dejton për Bosnjën dhe Hercegovinën kishte dhënë një rezultat të brishtë, tejet të ndërlikuar dhe të pashpresë (të pa shans) për qëndrueshmëri afat-gjate. Në rastin e dytë, Konferenca në Rambuje për Kosovën kishte dështuar, porse edhe dështimi i saj ishte një mënyrë për të çuar drejt zgjidhjes sado të përkohshme të konfliktit në Kosovë. Janë të njohura elementet që shtynë në dështimin e kësaj Konference, sikurse edhe debatet deri në nivel akuzash për sjelljen dhe qëndrimin e palës kosovare në atë ngjarje.

II
Procesi për përcaktimin e statusit final të Kosovës tashmë pothuaj se është harruar se kur ka filluar. Mbi dy vjet më parë puna dhe angazhimi i palës kosovare në përmbushjen e standardave për Kosovën ishte vlerësuar dhe u dha sinjali për pjekjen e kushteve për fillimin e përcaktimit të statusit. Të gjitha përgatitjen u bënë dhe pala kosovare ishte ndoshta më e entuziazmuara - me të drejtë, sepse po përcaktohet e ardhmja e të gjitha gjeneratave të qytetarëve të këtij vendi. Sidoqoftë, ashtu sikurse filloi me angazhim, konstruktivitet dhe pozitivitet ky proces zgjati deri në muajt e fundit të pjesës së parë të këtij viti. Me propozimin e Marti Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës nga një mision i Bashkimit Evropian, bashkësia ndërkombëtare u gjet përball një reagimi të fuqishëm të një prej superfuqive politike, ekonomike dhe ushtarake të botës, Federatës Ruse. Nga kjo kohë, procesi u fut në një rreth vicioz dhe të pastrategji për të dalë nga ai. Funksionimi i treshes ndërkombëtare nuk është gjë tjetër pos një shtyrje e kohës së duhur për pavarësimin e Kosovës, duke ngritur tensionet në vend dhe rajon.

III
Përpjekjet për organizimin e një konference të mundshme në fund të procesit të angazhimeve shtesë për statusin e Kosovës janë të gjykuara të mos jenë frytdhënëse. Megjithëse këto përpjekje mund të përfundojnë me një organizim të tillë, rezultati i saj është pothuaj se i ditur. Teoritikisht dhe realisht janë pesë rezultate të mundshme që do të dalin nga një konferencë e tillë. Së pari, palët të “pajtohen” për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas Planit të Ahtisarit për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Së dyti, palët të “pajtohen” për përcaktimin e përkohshëm të një statusi të veçantë që do të mund të funksiononte si shtet brenda kufijve të paprekur të Serbisë. Së treti, palët të “pajtohen” për krijimin e ndonjëfarë Konfederate midis Kosovës dhe Serbisë, që përsëri do të ishte zgjidhje e përkohshme. Së katërti, që palët të “pajtohen” për ndarjen e jashtme ose të brendshme të Kosovës me kusht që pjesa tjetër të njihet si e pavarur. Së pesti, që palët të pajtohen për të mos u pajtuar, përkatësisht që Konferenca të dështojë në pozicionet që ka filluar. Rezultati i fundit është më e mundshmja, më e mira dhe e vetmja që do të ndodh.

IV
Pajtueshmëria midis palëve për statusin është e paarritshme dhe në fund të fundit e panevojshme. As ndonjë konferencë e çfarëdo niveli të mundshëm nuk do të arrinte këtë. Bashkësia ndërkombëtare nuk do të duhej fare të merrte parasysh opsionin për ndonjë mbyllje të palëve në një vend për t’u pajtuar mbi statusin. Kjo nuk do të sillte asgjë të re në procesin për statusin, vetëm se do të shkaktonte shtyrje dhe sigurisht edhe tensione më të mëdha në Kosovë dhe në rajon. Tipet e Rambujesë apo Dejtonit do të përfundonin pa zgjidhje praktike. Pala kosovare nuk ka dhe nuk do të ketë hapësirë për tërheqje nga Plani i Ahtisarit, përveç nëse kjo tërheqje do të shkonte në drejtim të përmirësimit të kushteve për pavarësimin e Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk guxon të vihet në pikëpyetje dhe zgjidhja duhet të bazohet në deklaratën e presidentin Bush të dhënë në Tiranë më 10 qershor të këtij viti. Prandaj, pjesëmarrja e kosovarëve në një konferencë të mundshme nuk nënkupton gjetjen e një zgjidhje të përbashkët në kurriz të Planit të Ahtisarit. Konferenca e mundshme për Kosovën do të kishte rezultat që përputhet me vullnetin e popullit për pavarësi vetëm nëse ajo dështon plotësisht.

Botuar më 24 shtator 2007 në “Zëri”, fq. 11

No comments: