Wednesday, September 19, 2007

Lufta e nënkryetarëve

Loja pa fitues

Lufta e nënkryetarëve

Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit 2007 do të karakterizohet nga fuqia dhe ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në duar dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash

Shkruan: Burim Ramadani

I
A mund të imagjinoni se si do të duket fushata zgjedhore nëse përfundimisht vendoset që zgjedhjet qendrore dhe lokale të mbahen në këtë fundnëntor? Ndoshta vendimi për çështjen e zgjedhjeve do të merret së shpejti, por sidoqoftë mbetet krejtësisht e pakuptimtë një fushatë për kërkimin e votave të qytetarëve nga partitë apo subjektet politike të cilat as nuk kanë filluar përgatitjet për hartimin e strategjive të tyre elektorale. Tre muaj para se të dalin para kutive të votimit (nëse zgjedhjet mbahen), qytetarët kosovarë ose votuesit potencialë nuk kanë idenë se çka po ndodh dhe çka ofrojnë subjektet politike kryesore të vendit. Partitë kryesore të vendit janë bërë pothuaj të njëjta në organizim, funksionim, dinamikë dhe ruajtje të status kuos së brendshme. Për të qenë korrekt, disa lëvizje krejtësisht të margjinalizuara duken më të ndryshme se subjektet tjera politike, porse shtrirja e tyre në vota është dhe mbetet mëse e ngushtë. Megjithatë, shqetësimet e deritashme të paraqitura sa i përket unitetit politik kosovar duket se mund të zvogëlohen – nënkryetarët e partive politike do të marrin fushatën në duar.

II
Ashpërsia e debateve që karakterizojnë normalisht fushatat zgjedhore në vendet me orientim demokratik ka një koncept dhe bazë programore, megjithëse nuk mungojnë edhe aspektet personale. Në Kosovë, fatkeqësisht, koncepti dhe programi pothuaj nuk ekzistojnë. E vetmja gjë që mbetet për t’u futur në debatet e fushatës është aspekti personal i elitave. Edhe këtë vit do të dëgjojmë e shohim qëndrime dhe qasje të njëjta sikurse në katër palë zgjedhjet e deritashme. Niveli i debatit thuaja se nuk do të lëvizë nga vendi krahasuar me tre vjet më parë, kur partitë politike kryesore të vendit dolën nga bashkëqeverisja e shterpët për të krijuar një raport të ri të forcave në Kuvend. Një ndryshim i prekshëm në këtë fushatë është roli i nënkryetarëve dhe grupeve që do t’i mbështesin. Fushata për zgjedhjet e mundshme të nëntorit do të karakterizohet nga fuqia e ashpërsia politike e nënkryetarëve të partive kryesore. Në ‘mungesë’ të kryetarëve, të cilët duhet të kontribuojnë në unitetin qytetar, nënkryetarët do të kenë lojën në dorë dhe ata do të shpalosin çka kanë për të thënë për vete dhe të tjerët. Dhe, nënkryetarë ka sa të duash.

III
Aktivitetet do të mbeten në supet e nënkryetarëve, por rreth tyre sivjet do të shohim të moderuarit. Dorën në zemër, do të mund të jemi dëshmitarë të debateve interesante midis dyshave që më pak ose më shumë janë njësha të partive. Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, do të ketë përballë homologun e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Fatmir Limajn. Të dy figurat njihen për ashpërsi politike. Derisa shefat do të përmbahet deri në një masë në mënyrë që të ruhet uniteti aq i nevojshëm politik dhe qytetar i Kosovës, nënkryetarët do të mbështeten nga ata që shihen në opinion si më të moderuar. Eqrem Kryeziu mund të llogaris në Nekibe Kelmendin, Fadil Feratin dhe Ramë Manajn, ndërsa Fatmir Limaj mund të llogaris në Hajredin Kuçin, Bajram Rexhepin e Enver Hoxhajn. Pavarësisht nëse paraqiten bashkë apo jo në fushatë zgjedhore, këto personalitete do të mbajnë barrën kryesore për të folur në emër të partisë përkatëse. Do të vërehet një fanatizëm i theksuar këtyre zyrtarëve ndaj partive politike, edhe pse njihen si më të moderuarit.

IV
Asnjëherë në historinë e varfër të demokracisë kosovare nuk ka pasur zgjedhje më të parëndësishme në kuptimin e interesit të qytetarëve. Të gjithë janë të vetëdijshëm se ndryshimet që mund të ndodhin në raportin e forcave në institucionet vendore nuk do të kenë kurrfarë ndikimi në jetën e qytetarit të thjeshtë. Po ashtu, nuk do të ketë pothuaj kurrfarë ndikimi as në procesin për pavarësimin e vendit. Tek e fundit, edhe vetë shefi i Ekipit Negociator do të mbetet i njëjti, duke pasur parasysh dispozitat e Kornizës Kushtetuese dhe parashikimet për rezultatet e zgjedhjeve. Nëse flasim nga prizmi i përbërjes së negociatorëve, mund të vërejmë se fushata mjaft shumë do të udhëhiqet nga njerëzit që kanë marrë pjesë në takimet e Vjenës. Kjo fuqizon qëndrimin e partitë kosovare nuk kanë kapacitete për të zhvilluar dy procese në të njëjtën kohë. Sidoqoftë, me këto zgjedhjeve, koalicionet nuk janë të paparashikueshme, porse ndarja e posteve kryesore të institucioneve varet në masë të madhe nga përqindja e votave që marrin partitë. Nënkryetarët me bollëk të partive do të mbeten përsëri pjesa më e fuqishme e tyre.

Botuar në “Zëri” më 20 gusht 2007, fq. 8

No comments: