Wednesday, September 19, 2007

Rusia dhe konfliktet e ngrira

Loja pa fitues

Rusia dhe konfliktet e ngrira

Cili do të jetë reaksioni i shtyrë nga tërheqja e mundshme e pazhurmshme e Rusisë dhe hapat e ardhshëm të politikës së jashtme ruse sa i përket disa rajoneve me të cilat Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë mbetet të shihet pas disa muajsh kur Kosova do të pavarësohet me apo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Shkruan: Burim Ramadani

I
Rikthimi i kundërshtimeve dhe pozicioneve të ngurta të këtyre muajve në politikën ndërkombëtare, përkatësisht midis dy fuqive më të mëdha të kohës, SHBA-ve dhe Federatës Ruse, ka ngritur dilemat rreth thellimit të brishtësisë së funksionimit të sistemit aktual botëror. Në diskursin akademik kjo çështje po merr trajtesa nga më të ndryshmet. Varësisht nga përcaktimi teorik i autorëve ndërkombëtarë, edhe tezat e tyre akademike janë të qasjeve të veçanta. Studiuesit e orientimit liberal mundohen ta përshkruajnë dhe analizojnë këtë gjendje si të tensionimeve për shkaqe e objektiva të ndryshme të cilat fundi i fundit nuk kanë të bëjnë me një gjendje që është kaluar rreth njëzet vjet më parë. Ata theksojnë bashkëpunimin midis të këtyre fuqive, duke u munduar të karakterizojnë këto marrëdhënie si vetëm të tensionuara, por të pafuqishme për të shkaktuar ndonjë krizë të re. Me qasje krejtësisht tjetër analizohet gjendja nga studiuesit e orientimit realist, të cilët pa ndonjë hezitim të madh theksojnë se marrëdhëniet e tashme mes SHBA-ve dhe Rusisë bëjnë fazën e parë të rikthimit të Luftës së Ftohtë.

II
Rusia ka kthyer pozitën prej faktori në politikën ndërkombëtare dhe atë rajonale, ndërsa meritat në shikim të parë i jepen presidentit aktual, Vladimir Putin, i cili është në përfundim të mandatit të dytë në krye të Kremlinit dhe Kushtetuta nuk i lejon konkurrim për mandat të tretë. Një hulumtim opinioni këtyre ditëve tregon se rusët e rëndomtë do të votonin me shumicë nëse presidenti aktual rikandidohet pas një kohe, madje shumica e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht për mundësinë e ndryshimeve kushtetuese vetëm për t’i lejuar presidentit aktual të mbetet në fron. Pavarësisht se vullneti i qytetarëve në politikën e brendshme dhe përfaqësim nuk duhet etiketuar, fakti i gatishmërisë së qytetarëve rus për të vazhduar me të njëjtën tempo sikurse këtyre tetë vjetëve paralajmëron vullnetin për kontinuitet të zhvillimeve me dy epiqendra në kuptimin e fuqive kryesore botërore. Forcimi i ekonomisë ruse është evident, porse kthimi i namit për fuqinë ushtarake dhe ndikimi i politikës së jashtme në rajon dhe në botë kanë ringjallur krenarinë gjysmë të humbur të rusëve pas rreth dy dekadash me radhë.

III
Reluktanca dhe bllokimi i deritashëm rus ndaj pavarësisë së Kosovës ka treguar rolin që Rusia ka në sistemin ndërkombëtar të kësaj kohe. Analizat e shumta që i janë bërë politikës së tashme ruse ndaj çështjes së Kosovës megjithatë konkludojnë se momentet e fundit do të karakterizohen nga një tërheqje jo shumë të vërejtshme të Rusisë. Porse, dy aspektet e paqartësuara të tyre kanë të bëjnë me atë se cilat janë momentet e fundit të këtij procesi të stërzgjatur mbi Kosovën dhe çfarë ndikimi në anën legale të sistemit ndërkombëtar do të ketë tërheqja e mundshme e pazhurmshme e Rusisë. Cili do të jetë reaksioni i shtyrë nga kjo dhe hapat e ardhshëm të politikës së jashtme ruse sa i përket disa rajoneve me të cilat Rusia ka lidhje të drejtpërdrejtë mbetet të shihet pas disa muajsh kur Kosova do të pavarësohet me apo pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Abhazia, Trandsnistria, Nagorno Kharabah dhe Osetia Jugore kërkojnë e gëzojnë mbështetjen e Rusisë, pavarësisht se këto marrëdhënie nuk mund të krahasohen me ato të Kosovës me Perëndimin, sikurse që këto vende nuk mund të krahasohen me Kosovën.

IV
Relacionet e politikës ruse me Ballkanin dhe vendet e veçanta në këtë rajon tashmë nuk duken dhe nuk analizohen si vitale për shtetin më të madh territorialisht në botë. Sidoqoftë, nuk është e qartë plotësisht pse Rusia është kundër “krijimit të një precedenti” në pavarësimin e Kosovës, kur merret parasysh mbështetja që Rusia i jep aspiratave politike të të ashtuquajturave konflikte të ngrira. Janë tri shpjegime të ndryshme ose të përbashkëta për bllokimin e procesit nga ana e Rusisë. Së pari, Rusia mundohet të rikthejë rolin prej faktori në politikën ndërkombëtare. Së dyti, dëshiron të mbajë status kuo-në në disa prej konflikteve të ngrira. Dhe, së treti, duke bërë këtë, Rusia synon të pamundësojë shtrirjen e NATO-s edhe nga ana jug-perëndimore e kufirit rus. Kjo sidomos ka të bëjë me Gjeorgjinë dhe Azerbejxhanin. I pari vend ortodoks dhe i dyti me shumicë muslimane, mëse 99 për qind e popullatës së atjeshme dëshiron të anëtarësohet në NATO, porse problemet me integritetin territorial dhe konfliktet e ngrira të këtyre shteteve pamundësojnë përmbushjen e standardeve të NATO-s. Rusia mundohet të mbetet fuqi, siç është në disa aspekte.

Botuar në “Zëri” më 27 gusht 2007, fq.8

No comments: