Wednesday, September 19, 2007

Mesazhi kombëtar i Shqipërisë

Loja pa fitues

Mesazhi kombëtar i Shqipërisë

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë në krye me presidentin Topi ka dhënë mesazh të fuqishëm për tendencat e ndryshme rreth pjesës shqiptare të okupuar rreth një shekull më parë. Kosova, sipas interpretimit të mesazhit të Topit, sa mund të jetë çështje e Serbisë është po aq edhe çështje e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Ballkan

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shqiptarët janë faktor stabiliteti në Ballkan, porse në rast të destabilizimit të rajonit reagimi i tyre do të jetë i përbashkët dhe i drejtëpëdrejt. Ky mund të jetë interpretimi, ndoshta pak më emocional, i reagimit të fundit të shtetit shqiptar përmes kreut të vendit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë të bërë pak ditë më parë në Tiranë. Megjithëse debati mund të jetë i gjatë dhe i ndryshëm rreth asaj se çfarë qëndrimi dhe angazhimi do të mund të kishte Shqipëria në mënyrë që të jetë lojtar më i drejtëpërdrejt në procesin e statusit të Kosovës, fjalitë e fundit që dolën nga presidenti Bamir Topi janë më shumë se një sinjal apo mesazh rreth tendencave të ndryshme ndaj pavarësimit të Kosovës. Në kohën kur ndarja e Kosovës filloi të diskutohej hapur dhe, në kundërshtim me Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit, filloi të mos përjashtohej si opsion për zgjidhjen e konfliktit, reagimet mbarëshqiptare ishin në linjë të njëjtë në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Preshevë. Të deklaruar qartë se ky opsion hap domosdoshmërisht rivijëzimin e kufijve në Ballkan, shqiptarët në mbarë trojet etnike kishin të njëjtën përgjigje si komb i vetëm dhe unik. Reagimi i tillë ka pasur ndikim dhe pa kurrfarë dyshimi ka vlerë historike kombëtare.

II
Shpeshherë kemi dëgjuar pretendimet politike të brendshme dhe të jashtme për funksionimin e Kosovës krejt ndarazi prej Shqipërisë, sikurse prej vendeve të tjera të rajonit. Kjo në vështrimit politik shtetëror dhe qytetar mund të arsyetohet dhe të ketë bazë racionale politike, porse një kusht i rëndësishëm për realizimin e kësaj politike mbetet mosdiskutimi i identitetit të përbashkët kombëtar të shumicës së popullit të Kosovës me bashkëkombësit shqiptarë në shtetet tjera të Ballkanit. Është fakt se shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë kanë traditë dhe histori që është e ndryshme për rreth një qind vjet. Përkatësisht, dy pjesët e kombit shqiptar kanë përjetuar dhe zhvilluar kultura të ndryshme shtetërore dhe kanë pasur aspirata të ndryshme nga njëra-tjetra për rreth një shekull prej se Kosova është okupuar me forcë dhe dhunë nga Serbia në vitet 1912-13. Sidoqoftë, identitetet megjithëse janë të ndryshueshme dhe fleksibile, ato kanë fuqinë e bashkimit të grupeve të mëdha të njerëzve të cilët gjejnë dhe ndjejnë elemente të përbashkëta. Identitetet janë edhe më të fuqishme në rastet kur kujtesa kolektive për periudha edhe më të hershme se një shekull është e padiskutueshme në mesin e atij kolektiviteti.

III
Shumëkush do të donte që gjërat të mos ishin kështu, derisa ka edhe të atillë që me racionalitet e shohin ekzistencën e shtetit shqiptar si armën më të fortë për mbështetjen e aspiratave të popullit të Kosovës. Një kolegë imi boshnjak më pat thënë kohë më parë se po të kishin boshnjakët një shtet të tillë kombëtar, Bosnja e Hercegovina do të ishte krejt ndryshe. Ai kishte të drejtë edhe pse nuk merrte fare parasysh historinë e vuajtjet e shqiptarëve andej e këndej kufirit. Në të njëjtën kohë, fqinjët tjerë që kanë shprehur rezerva deri vonë rreth shtetësisë së Kosovës kanë pasur një pikëpamje të njëjtë, atë të krijimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Faktit të dy shteteve shqiptare i është shtuar edhe përkrahja e fuqishme dhe partneriteti i shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy këto elemente kanë qenë dhe deri në një masë vazhdojnë të jenë shqetësuese për fqinjët tanë sllavë, të cilët tashmë ekzistojnë në disa shtete të brishta dhe të lodhura ekonomikisht, duke përfshirë këtu edhe vet Serbinë. Tek e fundit, këto janë dy pikat ku u dhemb më së shumti fqinjëve tanë, gjë që mund të kuptohet kur merret parasysh fakti se shqiptarët janë i vetmi komb në Ballkan që është plotësisht i ndryshëm nga të gjithë në rajon.

IV
Shqipëria ka pasur dhe ka rol historik në kohën që tashmë po kalon Kosova. Pak kohë para pavarësimit të pjesës që deri vonë kishte mbetur nën pushtetin e egër serb, autoritetet e Shqipërisë i janë kthyer politikës aktive kombëtare. Mbledhja e para pak ditëve e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë në krye me presidentin Topi ka dhënë mesazh të fuqishëm për tendencat e ndryshme rreth pjesës shqiptare të okupuar rreth një shekull më parë. Kosova, sipas interpretimit të mesazhit të transmetuar prej Topit në Tiranë, sa mund të jetë çështje e Serbisë është po aq edhe çështje e Shqipërisë dhe kombit shqiptar në Ballkan. Një politikë e tillë aktive kombëtare ka qenë elementi mungoi për disa vjet. Që prej vitit 1999, kur Kosova u çlirua me ndihmën e NATO-s e po ashtu edhe të shtetit shqiptar, autoritetet në Tiranë hezituan në deklaroheshin pro një politike mobilizuese kombëtare rreth Kosovës. Arsyet mund të jenë të ndryshme dhe në to nuk mund të përjashtohet edhe përgjegjësia e politikës kosovare. Sido që të jetë, tashmë më shumë se asnjëherë më parë një gjë është e qartë. Shqipëria dhe Kosova duhet të jetojnë bashkë, ani pse si dy shtete. Kombi unik shqiptar nuk duhet vënë asnjëherë në pikëpyetje.



Botuar në të përditshmen “Zëri” në Prishtinë, më 10 shtator 2007, fq.
Për shkak të interesimit të mediave të shkruara, ky koment është botuar edhe në të përditshmen e Tiranës, “Gazeta Shqip”, më 11 shtator 2007, fq. 10 dhe 11
, si dhe u ribotua në të përditshmen “Infopress” në Prishtinë më 12 shtator 2007, fq. 9.

No comments: