Monday, August 13, 2007

Shterpësimi ndikues i procesit

Loja pa fitues

Shterpësimi ndikues i procesit

Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë

Shkruan: Burim Ramadani

I
Shterpësia politike dhe e kësaj faze të angazhimeve shtesë për gjetjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës nuk do ndonjë profeci duke u nisur nga fakti për pozicionet e palëkundura të palëve në konflikt. Qëndrimet e tyre mbeten të qarta dhe diametralisht të kundërta sa i përket vetë substancës apo statusit. Ndërsa, në të njëjtën kohë ekziston një kundërshtim i hapur midis dy fuqive më të mëdha në politikën ndërkombëtare, derisa qëndrimet e vendeve tjera, më shumë apo më pak dhe me pak përjashtime, variojnë dhe kryesisht sa i përket asaj se cilën rrugë duhet ndjekur për vendosjen dhe implementimin e zgjidhjes. Sidoqoftë, relacionet në politikën ndërkombëtare pamundësuan që gjatë verës së këtij viti Kosova të legalizojë pavarësinë e vet faktike, ndërsa fati i kësaj dhe çfarëdo ideje tjetër për procesin e statusit do të çojë në krijimin e një shteti të ri në Ballkan. Janë tri realitete të cilat tashmë më shumë se kurrë kanë ndikim të perceptueshëm dhe real mbi rrugën e shtetësisë. Në të tri këto nivele çështja kosovare ka nivelin e lartë të vëmendjes, edhe në nivelin ndërkomëbëtar, rajonal dhe vendor.

II
Shtyrja e legalizimit të realitetit politik dhe shoqëror në Kosovë, përkatësisht pavarësimit, nuk ka kontribuar në politikat e sigurisë dhe në gjendjen e sigurisë në përgjithësi. Zhvillimet ndërkombëtare, rajonale dhe vendore i japin një ngarkesë tjetër të veçantë gjendjes tejet të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Angazhimet e mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sjelljen dhe zhvillimin e paqes në pjesë të ndryshme të botës duhet kuptuar si një përpjekje e përkushtuar e administratës amerikane për krijimin e ambientit paqësor, prosperues dhe bashkëpunues në gjithë botën përmes përhapjes së demokracisë si sistem që është dëshmuar të ketë shmangur konflikte dhe luftëra midis shteteve. Në anën tjetër, angazhimet e Federatës Ruse, megjithëse mund të thuhet se nuk kanë qëllime plotësisht të kundërta ndaj kësaj, kryesisht fokusohen në ruajtjen e gjendjes së këtillë çfarë është sot në shumë vende apo regjione konfliktuoze në të gjitha pjesët e botës. E ballafaquar me një ekspanzion veprimesh amerikane, Rusia pretendon të ndikojë në mosndryshimin e gjendjes ekzistuese në disa vende të ndryshme të botës.

III
Shqiptarët të ndarë në mënyrë të pavullnetshme para rreth një shekulli, pa ndonjë rrahagjoksje tashmë kanë pozicionin më të mirë që kanë pasur ndonjëherë gjatë këtij qindvjeçari. Faktori shqiptar në Ballkan dhe rrjedhimisht në Evropë është kthyer në një faktor të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm stabiliteti, pa përkushtimin e të cilëve rajoni nuk do të arrinte qetësinë e shumëpritur. Pavarësimi i Kosovës krijon një realitet tjetër dhe kjo do të thotë fuqizon në shkallë shumë më të lartë rëndësinë e një kombi që është pothuaj i vetëm krejtësisht i dallueshëm nga të gjitha kombet tjera përrreth. Zhvillimi i partneritetit kosovaro-shqiptar në të gjitha fushat e jetës është një element që do të ndihmojë në ndryshimin e relacioneve dhe konstilacioneve në Ballkan. Ky në fakt është edhe shqetësimi më i madh i shumë vendeve fqinje. Madje, njerëz të këtyre vendeve e mendojnë dhe e thonë këtë privatisht. Megjithëse Kosova është e përkushtuar në krijimin e shoqërisë multi-etnike dhe të bazuar në identitet qytetar, fqinjtë e shohin shtetin e ri si të dytin të shqiptarëve në Ballkan dhe shqetësohen pa të drejtë.

IV
Shpërfillja që Rusia i bën përpjekjeve ndërkombëtare për realizimin e zgjidhjes së vetme për Kosovës, pavarësisë së saj, nuk janë paqëllimta dhe si të tilla janë në bashkëpunim intelegjent me Beogradin. Gjendja në terren nuk do të duhej të goditej nga lëkundjet nxitëse që mund të vijnë nga faktorë dhe aktorë të ndryshëm nga brenda apo jashtë Kosove. Veprimet e mundshme brenda Kosovës që kanë për qëllim destabilizimin, duhet të kenë përgjigjje të qartë dhe të prerë të shumicës shqiptare. Kosova nuk është në pozicion të përshtatshëm politik gjatë këtyre negociatave apo angazhimeve shtesë, prandaj rrjedhimisht veprime të pamatura kanë ndikim në përkeqësimin e imazhit të Prishtinës në këtë proces. Një gjë nuk duhet vënë në dyshim se kthim mbrapa nën autoritetin e Beogradit, zgjidhje kundër vullnetit të popullit apo thënë më shkurt çdo gjë nën pavarësinë e Kosovës është e papranueshme, e parealizueshme dhe dhunërezultuese. Prishtina zyrtare dhe populli i Kosovës e kanë bërë këtë të qartë, sikurse edhe përkushtimin e tyre në procesin ndërkombëtar të pavarësisë.

Botuar në “Zëri” më 13 gusht 2007, fq. 11

No comments: