Monday, December 7, 2009

Sa shumë punë për EULEX-in!

Loja pa fitues

Sa shumë punë për EULEX-in!

“The Young Europeans” duket se dinë të prodhojnë kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik, korrupsion dhe krim të organizuar. Me mungesën e vullnetit politik të qeverisë së vendit, EULEX-i duhet të merr rol shumë të fuqishëm. Si misioni më i madh në historinë e BE-së, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej në Kosovë, por as në Bruksel

Shkruan: Burim Ramadani

I

Lajmet e fundit që dalin nga Kosova nuk janë pozitive. Vendet e rajonit, vendet mike Perëndimore, opinioni publik ndërkombëtar, sikurse edhe institucionet e organizatat ndërkombëtare janë ‘bombarduar’ nga lajmet negative nga Kosova. “The Young Europeans” (“Evropianët e rinj”) duket se dinë të prodhojnë këto kohëve të fundit vetëm dridhje, tensione, jostabilitet politik dhe pamundësi zhvillimi. Vetëm po të analizohet periudha e shkurtër pas zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit të këtij viti, mund të konstatohet për sinjale tejet shqetësuese që Kosova dërgon tek opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar. Brenda më pak se tri javësh, nga shteti i ri kanë ardhur tri lajme negative. Së pari, Qeveria e Kosovës prishet në gjysmë të natës për shkak se udhëheqja e partisë prirëse të koalicionit është emocionuar pas ndonjë gote alkool dhe është mbushur me inat ndaj partnerit qeverisës. Më pas, të nesërmen në mëngjes, çdo gjë u ‘rregullua’, porse askush nuk mori vesh si dhe përse. Së dyti, një ish-agjent i Shërbimit (privat) Informativ të PDK-së deklaron për përfshirjen e figuarave të rëndësishme politike të Qeverisë në urdhërdhënien për vrasjen e kundërshtarëve politik. Së treti, Kosova nuk është bashkëpunuese sikurse duhet me misionin EULEX dhe për këtë shkak Këshilli i Ministrave të BE-së duhet të ndërhyjë publikisht.

II

E vërteta e popullit të Kosovës është ndryshe nga ajo që është e vërteta për Qeverinë e Kosovës. Derisa qytetarët e Kosovës janë njerëz bashkëpunues dhe mirënjohës për ndihmën e madhe ndërkombëtare që është dëshmuar gjatë këtyre viteve, Qeveria e Kosovës kritikohet pikërisht në këtë aspekt. Mirënjohja që populli i Kosovës i ka bërë gjatë kësaj periudhe figurave të mëdha ndërkombëtare është e vërejtshme në tërë vendin. Shtatore dhe buste janë ndërtuar për burrështetas të vendeve Perëndimore, sikurse rrugë dhe shkolla janë emërtuar me emra të tjerë. Madje, edhe fëmijët kosovarë mbajnë emrat sikurse Bill Klinton, Medlin Ollbrajt apo Toni Bler. Kjo e vërtetë ndryshon edhe sa i përket vullnetit politik për të ndërtuar shtet të fuqishëm të bazuar në rend dhe ligj, ekonomi të zhvilluar, liri, të drejta të njeriut, ndërtimin e demokracisë dhe integrimet evropiane. Të gjitha këto fusha janë pikërisht ato për të cilat Kosova ka nevojë më së shumti, derisa për fat të keq aty është shënuar regresi më i madh. Qeveria aktuale e Kosovës ka shënuar rekord të mungesës së vullnetit politik për të luftuar dukuritë negative, duke u kthyer kështu në stimulues dhe lehtësues të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

III

Shpërputhja e madhe midis vullnetit politik të institucioneve qeveritare të Kosovës, përkatësisht mungesës së këtij vullneti, dhe problemeve tejet të mëdha sa i përket sundimit të ligjit në vend, tregon për nevojën e padiskutueshme për ndryshim të qartë të drejtimit. Dhe, për këtë duhet të merr rol shumë të fuqishëm EULEX-i. Si misioni më i madh në historinë e Bashkimit Evropian, dështimi i EULEX-it nuk do të mund të falej as në Bruksel, por as në Kosovë. Tek e fundit, zotërimi i kapaciteteve profesionale të EULEX-it duhet të drejtohet kah zgjidhja e probleme të mëdha në fushën të cilën misioni e mbulon. I tillë është edhe rasti i fundit i hapjes së “Kutisë së Pandorës” rreth atyre që quhen krime politike në Kosovën e pasluftës. EULEX-i duhet të jetë vërtetë i shpejtë, profesional, i guximshëm dhe i përkushtuar në mënyrë që situata të mund të menaxhohet në mënyrën më të mirë. Destabiliteti politik dhe qytetar i Kosovës është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet vendit gjatë kësaj faze të ndjeshme, kur Kosova përballet me padinë e Serbisë neo-Millosheviqiane në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

IV

Interesi i Kosovës nuk mbrohet vetëm në rastet e rënda të zhvillimeve të fundit që u paraqitën në opinionin publik. Kosova ka edhe shumë probleme dhe vështirësi të mëdha për të cilat është i nevojshëm përkushtimi dhe angazhimi i fuqishëm profesional i EULEX-it. Qytetarët e Kosovës ende nuk kanë vërejtur vendosmërinë e EULEX-it në vendosjen e kontrollit ligjor në një pjesë të madhe të territorit shtetëror. Veriu i Kosovës edhe më tutje mbetet jashtë çfarëdo mekanizmi ligjor, ndërsa situata atje është duke u keqësuar edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, kontrabanda është rritur pa ndonjë pengesë gjatë këtyre dy vjetëve, derisa krimi i organizuar rajonal gjen në Kosovë strehim të pandëshkueshëm. Kosova mbetet edhe më tej çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore, edhe pse për këtë vendi ka marrë kritika të fuqishme nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit. Korrupsioni është bërë dukuri ‘normale’ në qeverisjen e vendit, ku një kilometër asfalt kushton deri në disa miliona euro. Të gjitha këto, por edhe probleme tjera, kanë nevojë për zgjidhje që mund të vijë nga vendosmëria e EULEX-it. Francezi Iv de Kermabo, shefi i këtij misioni, do të kthehej hero të Kosovës nëse do të tregonte përkushtim dhe guxim për t’u përballë me këto zhvillime negative. Dhe, ai nuk e ka të vështirë: vetëm duhet të veprojë ashtu sikurse do të vepronte në shtetin e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Shkrimi është bërë enkas për “Zërin”

Botuar në "Zëri" më 8 dhjetor 2009, fq. 24.

No comments: