Monday, October 5, 2009

Disa minuta për katër vjet

Loja pa fitues
Disa minuta për katër vjet
Kosova, në gjendjen çfarë është sot, ka nevojë për këtë ditën solemne të zgjedhjeve dhe qytetarët është e nevojshme të shfrytëzojnë këtë ditë. Disa minuta të votimit në ditën e caktuar, kanë rëndësinë e katër vjetëve të ardhshme të qeverisjes dhe zhvillimit të jetës së tyre. Ura lidhëse midis qytetarit dhe shtetit (apo zyrtarit publik) është institucioni më demokratik i kohës sonë: vota.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Tendencat e shoqërive post-konfliktuoze dhe post-komuniste në drejtim të zhvillimit të demokracisë jo rrallëherë janë përballë me probleme dhe vështirësi të mëdha. Këto paraqesin pengesa të fuqishme sidomos në zhvillimin e mentalitetit të ri qeverisës, të bazuar tashmë në standarde, kritere dhe qëllime krejt të ndryshme në aspektin parimor dhe atë praktik. Tek e fundit, nuk është lehtë të ndërrohet mentaliteti i një strukture të gjerë të shoqërisë që është ndërtuar apo ndikuar për disa dekada. E tillë është edhe situata në Kosovë, për shkak të një beteje midis mentalitetit me orientim të qeverisjes demokratike, në njërën anë, dhe mentalitetit me tendenca të sundimit qeveritar, në anën tjetër. Kjo shumë herë edhe nuk është publike apo vizibile edhe për faktin se elementet e tilla nuk janë interesante për opinionin publik të politikës ditore. Ka edhe më keq. Shpeshherë, opinioni publik as nuk servohet me të vërtetën apo zhvillimin/debatin e caktuar, pikërisht si pasojë e ekzistencës së mentalitetit jodemokratik. Realisht, kjo betejë nuk është e lehtë dhe është e përditshme. Madje, nuk do mend se edhe brenda një mentaliteti ka betejë të tillë dhe varësisht nga shumica e pjesëtarëve të atij mentaliteti, është ndërtuar edhe vizioni apo logjika qeverisëse. Rasti më eklatant është qeverisja e tashme, e një mentaliteti klanor dhe të përputhshëm me sistemin komunist, pavarësisht se edhe brenda këtij formacioni ka njerëz që nuk gjejnë veten fare aty. Ata tashmë kanë filluar të flasin në rrethe të ndryshme rreth kësaj beteje,
II
Ëndërra e shumë gjeneratave për të ndërtuar lirinë e më pas shtetin e Kosovës u arrit në pjesën e parë të vitit të kaluar. Kjo e arritur historike për qytetarët e Kosovës nuk ka sesi të mos ndikojë në zhvillimet e përgjithshme në të gjitha fushat e jetës së re. Nuk ka dyshim se mundi, gjaku dhe përkushtimi i madh drejt këtij qëllimi ka dhënë rezultatet për krijimin e shtetit të ri. Dhe, me këtë periudhë apo zhvillim historik, shoqëria kosovare ka hyrë në një fazë për të cilën ka ëndërruar për dekada të tëra. Kjo është faza e ndërtimit dhe zhvillimit të lirisë, individualitetit, të drejtave qytetare dhe mundësinë për ndërtimin e të ardhmes bazuar në intereset dhe perspektivën e vet. Normalisht se ky ka qenë momenti më i ndritur i historisë së Kosovës, kur definitivisht qytetarëve të vendit i është mundësuar ofrimi i një sistemi të plotë shtetëror që garaton dhe promovon vlerën e të qenit qytetar. Por, mundësia e zhvillimit të këtij sistemi varet nga shumë faktorë dhe këta faktorë janë kryesisht vendor. Qeverisja e vendit është padyshim elementi kryesor i të gjitha zhvillimeve të nevojshme të vendit, duke përfshirë edhe mundësinë e zhvillimit dhe promovimit të demokracisë. Kjo, për fat të keq, është kthyer në një prej problemeve kryesore në Kosovë, ndërsa qeverisja e këtillë është thyer në pengesën më të madhe për të zhvilluar këtë. Pos, problemeve dhe vështirësive konceptuale qeverisëse, tashmë Kosova ka po ashtu vështirësinë e përfshirjes së qytetarëve të të gjitha komuniteteve në vendimmarrje, që është edhe një shenjë e mungesës së vizionit qeverisës.
III
Domosdoshmëria e komunikimit të të zgjedhurit dhe përzgjedhurit publik me qytetarin është vlerë në sistemin demokratik. Shoqëria kosovare, e drejtuar kah demokratizimi i saj, ka shumë për të bërë në këtë aspekt. Nëse dikush dëshiron të arrijë një stad të avancar të jetës së vet, atëherë domosdoshmërisht duhet të punojë dhe mundohet shumë për ta bërë atë. E tillë është gjendja me shoqërinë kosovare, përkatësisht raportin midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve kosovarë. Deri më tash është dëshmuar se ky mentalitet qeverisës nuk ka fare të bëjë me demokracinë apo zhvillimin e demokracisë si sistem. Nëse analizohen dhe krahasohen vendet në rajon, atëherë është e qartë se ku gjendet Kosova. Nuk ka nevojë të krahasohet me vendet që tashmë kanë bërë traditë në demokraci. Por, edhe në Maqedoninë fqinje, ministri i Transportit ofroi dorëheqjen për shkak të një aksidenti në trafikun ujor që i ndodhi një numri turistësh bullgarë. Ndërsa në Kosovë, në qendër të Prishtinës, në dhomën ‘më të sigurt’ të Policisë së shtetit janë vjedhur dëshmitë dhe një sasi e madhe e drogës, por ministri i Punëve të Brendshme është larg të qenit i vetëdijshëm për obligimin moral, politik dhe qytetar që ka. Secilit i kujtohet se një ministër tjetër i Punëve të Brendshme pati dhënë dorëheqje në shkurt të vitit 2007 për shkak të përgjegjësisë morale që ndjente për diçka që nuk ishte në përgjegjësinë e tij. Por, situata e tashme dëshmon për një kthi mbrapa që po ndodh në Kosovë dhe ky është rreziku më i madh i shoqërisë kosovare.
IV
Ura lidhëse midis qytetarit dhe shtetit (apo zyrtarit publik) është institucioni më demokratik i kohës sonë: vota. E tëra që një qytetar duhet të bëjë, duke përjashtuar format revolucionare, është votimi në momentin e caktuar. Realisht, në demokraci dita e votimit është ditë solemne dhe qytetarët e vendit demokratik festojnë atë ditë. Është e qartë arsyeja prapa kësaj logjike. Ajo është dita kur qytetari vlerëson zhvillimet e deri atëhershme dhe në të njëjtën kohë merr vendim për periudhën e ardhshme, kryesisht katër vjeçare. Prandaj, roli i qytetarit atë ditë është vendimtar për shumë zhvillime të ardhshme në jetën e tij, familjen, rrethin, shtetin dhe shoqërinë e tij. Prandaj, edhe përgjegjësia personale qytetare është më e rritur atë ditë, por edhe solemniteti i asaj dite arrin stadin më të madh. Kosova, në gjendjen çfarë është sot, ka nevojë për këtë ditë solemne dhe qytetarët e Kosovës është e nevojshme të shfrytëzojnë këtë ditë. Disa minuta të votimit në ditën e caktuar, kanë rëndësinë e katër vjetëve të ardhshme të qeverisjes, sikurse edhe zhvillimit të jetës së tyre. Katër vjet nuk janë pak. Disa shtete të Evropës Qendror dhe Lindore janë bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s për periudhën katër vjeçare të punës së tyre. Disa vende të Evropës Jug-Lindore i kanë mundësuar qytetarëve të vet lirinë e lëvizjes pa viza për një punë të madhe brenda një mandati qeverisës. Kjo duhet të ndodh edhe me Kosovës. Por, për këtë janë qytetarët që vendosin. Dita solemne e tyre është katër vjetëshi në komunën e tyre, në jetën e tyre.
Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, shkrimi është bërë enkas për “Zëri”
Botuar në "Zëri" më 5 tetor 2009, fq. 13

No comments: