Monday, September 28, 2009

Morali dhe parimet e politikës

Loja pa fitues
Morali dhe parimet e politikës
Organizimi i shoqërisë në drejtim të duhur varet nga njerëzit me vullnet të mirë, të guximshëm dhe të përkushtuar, ndërsa e kundërta ndikohet nga njerëzit pa vizion, të paditur dhe me agjenda që shkojnë në kundërshtim me interesin publik. Ata që thonë se ‘politika nuk ka moral dhe parime’, realisht nuk kanë moral dhe parime në jetën e vet
Shkruan: Burim Ramadani
I
Natyra e zhvillimeve politike e shoqërore të brendshme të një shteti apo shoqërie, dëshmon për orientimin që ka marrë ai shtet apo ajo shoqëri. Po ashtu, këto zhvillime të brendshme dëshmojnë edhe për nivelin e përgatitjes intelektuale, morale dhe qytetare të elitës politike udhëheqëse të një shteti e shoqërie. Kosova nuk është përjashtim në këtë aspekt. Secili veprim apo aktivitet i brendshëm i aspektit politik dhe shoqëror, por edhe ekonomik, dëshmon drejtimin apo rrugën që është duke zhvilluar shteti. Kështu ndodh për të gjitha zhvillimet, qofshin ato për nevoja të konsumit politik apo për nevoja të ndërtimit a ndryshimit të strukturës së brendshme shoqërore e politike. E njëjta situatë paraqitet edhe për përfaqësimin individual të elitës politike apo politikanëve të një vendi. Në këtë kontekst, mund të merret si i mirëqenë një konstatim i një prej njohësve të mirë të situatës politike në Kosovë, kur thotë se “Kosova mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian atëherë kur qytetarët e vendit binden se kanë një gjeneratë politikanësh që mund ta udhëheqin presidencën e radhës të BE-së”. Kjo, pra, duket qartë se varet në mënyrë të plotë nga kapacitetet dhe zhvillimet e brendshme të Kosovës, për të cilat ka pasur pak përkushtim gjatë viteve të fundit.
II
Deri më tash, në Kosovë i është kushtuar pak kujdes zhvillimeve të brendshme që ndikojnë në ndërtimin e viziont dhe orientimit të shtetit dhe shoqërisë. Realisht thënë, nuk ka pasur madje as ndonjë debat të thelluar dhe të strukuruar nevojshëm për çështjen e ndikimit të zhvillimeve të brendshme në zhvillimet e jashtme të vendit. Ekzistojnë shumë argumente dhe raste kur Kosova është dashur të kujdeset në mënyrë të fuqishme dhe të përkushtuar në ndërtimin e zhvillimeve pozitive të jashtme bazuar në punën dhe përkushtimin për përparimin e brendshëm shtetëror dhe shoqëror. Më konkretisht, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mund të jepte sinjale të qarta dhe të forta për ndërtimin e një shteti ligjor në Kosovën e pas shpalljes së pavarësisë. Thënë të drejtën, jo shumë kujdes i ishte kushtuar këtij sektori edhe në kohën e para-pavaësisë së vendit, duke pasur kështu probleme dhe vështirësi në përcaktimin e plotë se kush dhe sa është përgjegjës ligjor për këtë çështje. Por, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Kosova do të mund të kthehej në mënyrë pozitive në ballinat e gazetave prestigjioze ndërkombëtare dhe ndër lajmet kryesore të mediumeve televizive që kanë ndikim të padiskutueshëm sot në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kosova ka qenë në këto pozicione disa herë gjatë historisë së fundit, prandaj është mundur të kthehej edhe më pozitivisht.
III
Rrallë, por me ndikime vendimtare, shoqëria kosovare, përkatësisht populli dhe elita politike ka marrë veprime të cilat kanë ndryshuar në mënyrë të plotë pozicionin e Kosovës në raport me rajonin dhe botën. Situata të tilla janë përcjellë me kujdes dhe interesim të veçantë nga bashkësia ndërkombëtare dhe opinioni publik ndërkombëtar. Të tilla situata kanë qenë edhe lëvizja për rezistencë paqësore sipas modelit të durimit, edhe lëvizja për luftën çlirimtare në Kosovë në fund të dekadës së kaluar, edhe vendimi për angazhimin e Kosovës në negociatat për statusin e Kosovës nën ombrellën e OKB-së gjatë viteve 2006-2008, sikurse edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Secilit në Prishtinë e në Kosovë i kujtohet interesimi i jashtëzakonshëm i mediave të huaja, me ndikim të pakontestueshëm në ndërtimin e opinionit publik ndërkombëtar, në kohën e negociatave dhe më pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Por, më shumë se një vit e gjysmë prej atij momente, Kosova është harruar apo ‘zhdukur’ nga ballinat dhe lajmet kryesore ndërkombëtare, duke i dhënë kështu grushtin më të fortë mundësisë për rritjen e përkahjes së opinionit publik ndërkombëtar për shtetin e ri. Jo vetëm se ka mundur dhe duhet të përmirësohet kjo situatë, por qeveria dhe institucionet e vendit e kanë për obligim qytetar dhe kombëtar të kujdesen për ruajtjen dhe zhvillimin e imazhit të Kosovës në të gjitha aspektet.
IV
Organizimi i shoqërisë në drejtim të duhur varet nga njerëzit me vullnet të mirë, të guximshëm dhe të përkushtuar, ndërsa organizimi i shoqërisë në drejtime të gabuara ndikohet nga njerëzit pa vizion, të paditur dhe me agjenda që shkojnë në kundërshtim me interesin publik. Kjo, realisht, është mënyra më e duhur e shpjegimit të zhvillimeve në Kosovën e sotme. Pothuaj se asnjë veprim apo politikë qeveritare nuk i mundëson qytetarit të Kosovës për të ndier veten krenar dhe të jetë i fuqishëm në besimin e tij se elita politike institucionale e sotme mund të të zhvillojë vendit dhe shoqërinë. Madje, për më keq, çdo gjë që mund të ndikojë negativisht në shtetin e Kosovës, elita udhëheqëse institucionale nuk heziton ta shpallë të vdekur, të tejkaluar apo të mbyllur. Por, pas pak kohe, qytetarët e Kosovës e shohin dhe ndjejnë të kundërtën. Me këtë dëshmohet po ashtu për mungesën totale të debatit në shtetin dhe shoqërinë kosovare as për temat më të rëndësishme që ndikojnë në jetën e shtetit të ri. E njëjta mungesë debati vërehet qartë edhe sa i përket çështjeve të tjera të jetës së përditshme. Përkundër insistimit të ndonjë zëri të paktë opozitar për tema të caktuara që i mundojnë qytetarët e Kosovës, zhvillimi i mëtejshëm apo përcjellja e temës së caktuar nuk ndodh. E tillë është situata me vjedhjen e madhe në policinë e Kosovës, temë e cila u ngrit në publik nga opozita rreth pesë muaj më parë, por nuk është përcjell me asnjë veprim qoftë edhe moral. Kjo tregon se politikanë të shumtë në Kosovë veprojnë sipas sentencës së gabuar se “politika nuk ka moral dhe parime”. Politikanët që mendojnë dhe veprojnë ashtu, realisht nuk kanë moral dhe parime në jetën e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 28 shtator 2009, fq. 11.

No comments: