Monday, September 21, 2009

Përditshmëria e padinjitetshme

Loja pa fitues

Përditshmëria e padinjitetshme

Duke vizituar lokalitete të ndryshme të Kosovës, mund të vërehet qartë se deri në çfarë mase është zbehur dinjiteti i njerëzve të Kosovës. Të lodhur nga papunësia, varfëria dhe mungesa e një sistemi funksional, qytetarët e Kosovës përballen me sfida dhe vështirësi tejet të mëdha në përditshmërinë e tyre. Populli i Kosovës nuk e ka merituar këtë. Përmirësimi i kësaj situate është obligim qytetar dhe kombëtar i elitës politike apo udhëheqjes së vendit

Shkruan: Burim Ramadani

I

A ka menduar ndokush që rreth dy vjet pas pavarësisë së vendit, jeta e përditshme e qytetarëve do të merr tatëpjetën? A ka menduar ndokush se në vitin 2009, qytetarët e Kosovës do të ballafaqohen me papunësi enorme, rritje të varfërisë ekstreme, mugesë të persepektivës ekonomike dhe gjendje të rënduar financiare në famijet kosovare? Sigurisht se janë të njohura përgjigjet në këto dhe shumë pyetje tjera që kanë të bëjnë me situatën social-ekonomike të qytetarëve të Kosovës. Duke udhëtuar në lokalitete të ndryshme të Kosovës, mund të vërehet qartë se deri në çfarë mase është zbehur dinjiteti i njerëzve të Kosovës. Të lodhur nga papunësia, varfëria dhe mungesa e një sistemi funksional, qytetarët e Kosovës realisht përballen me sfida dhe vështirësi tejet të mëdha në përditshmërinë e tyre. Në të vërtetë, populli i Kosovës ka merituar jetë më të mirë, zhvillim ekonomik, vende pune dhe hapësirë për të promovuar veten në të drejtim të avancimit të jetës së tyre. Është e qartë se problemet ekonomike në Kosovë nuk janë pasojë e një apo dy viti dhe nuk janë pasojë e një individi apo një grupi. Por, tejkalimi i gjendjes së rëndë ekonomike në të cilën kanë rënë qytetarët e Kosovës mund të bëhet vetëm me politika të qarta promovuese, nxitëse të zhvillimit dhe veprime bazuar në ato politike. Këto, fatkeqësisht, po mungojnë.

II

A ka menduar ndokush se rreth dy vjet pas pavarësisë së vendit, qytetarët e Kosovës do të dëgjojnë pothuaj për çdo ditë lajme për thyerje bankash? A ka menduar ndokush se në vitin 2009, qytetarët e Kosovës do të udhëhiqen nëpër komunat e tyre nga njerëz që për çdo ditë bien ndesh me ligjin në Kosovë, duke shkuar kështu herë në burg e herë në zyre të komunës? Siguria publike në Kosovës është degraduar gjatë këtyre muajve të fundit dhe për këtë ekzistojnë një mori argumentesh që dëshmojnë mugesën e sigurisë. Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, pothuaj çdo javë ndodhin thyrje bankash. E, edhe më keq është situata në aspektin e sigurisë së përgjithshme. Njerëzit e Kosovës e kanë të pamundur të udhëtojnë në tërë territorin e vendit. Krimi i organizuar, ndëkaq, është shtrirë në nivel të paparë deri më tash, duke kthyer Kosovën në njërin prej vendeve prijëse të aktiviteteve negative në rajon. Për të dëshmuar këtë, mjafton të lexohet me kujdes Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Kosova është vlerësuar si çerdhe e trafikimit të qenieve njerëzore. Veriu i Kosovës ka mbetur ‘tokë e askujt’, duke e kthyer kështu në territor të lirë për kontrabanduesit e fushave të ndryshme. Është e qartë se situata e këtillë e krijuar në veri nuk është pasojë e një apo dy viti dhe nuk është pasojë e një individi apo një grupi. Por, kthimi i kontrollit ligjor dhe shtrirja e autoritetit shtetëror atje mund të bëhet vetëm me plan të qartë në kuadër të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, duke u bazuar në vullnetin e plotë politik, qytetar dhe kombëtar.

III

A ka menduar ndokush se rreth dy vjet pas pavarësisë së vendit, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të bëjnë hapin pa “shpërblyer” zyrtarët e shtetit? A ka menduar ndokush se në vitin 2009, qytetarët e Kosovës do të njohin më së miri se çka do të thotë fjala ‘tender’ dhe çka do të thotë fjala ‘korrupsion’? Pa dyshim se kjo është pjesa më e rëndësishme për të gjitha përpjekjet për të funksionalizuar shtetin edhe sistemin demokratik në vend. Por, fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës nuk janë ende të familjarizuar me një term tjetër, i cili do të ishte vendimtar në rrugën për ndërtimin e një shteti normal për njerëzit e vet: ‘Sundimi i Ligjit’. Kjo është fjala apo koncepti që i mungon plotësisht këtij mentaliteti qeverisës, sikurse ka qenë i mangët dhe jofunksional për gjatë viteve në Kosovë. Kosovarët nuk kanë luksin që të marrin çdo shërbim vetëm në këmbim material, sikurse nuk kanë luksin të heqin dorë nga të drejtat e veta të sanksionuara me Kushtetutë, Ligje dhe Kode. Përkundrazi, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për zhvillimin, avancimin dhe lehtësimin e jetës së tyre. Por, kjo mund të arrihet me vullnet të qartë politik, strategji politike dhe institucionale, plane veprimi të pakontestueshme dhe funksionalizimin e plotë të mekanizmave shtetëror.

IV

A ka menduar ndokush se rreth dy vjet pas pavarësisë së vendit, qytetarët e Kosovës do të ndahen në kombëtar dhe anti-kombëtar varësisht nëse janë pro apo kundër qeverisë së Kosovës? A ka menduar ndokush se në vitin 2009, gazetarët e Kosovës do të përballen me shumë e shumë probleme dhe vështirësi, madje edhe kërcënime, nëse raportojnë kundër qeverisë dhe qeverisjes së këtillë? Kjo, realisht, nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si do të duhej ndërtuar shteti normal dhe qeverisja e mirë. Prandaj, qytetarëve të Kosovës i ka mbetur në dorën e vet të merr vendime të rëndësishme për veten dhe të ardhmen e shtetit. Duke pasur parasysh se pas pak muajsh qytetarët e Kosovës do të shkojnë të kutitë e votimit, ata kanë përpara vetes dy opsione: të vazhdojnë me këtë qeverisje që i ka humbur dinjitetin, të tashme dhe perspetivën e tyre apo të ndryshojnë udhëheqjen me ekipin që synon ndërtimin dhe krijimin e politikave ekonomike e kombëtare në favor të qytetarëve të Kosovës. Njerëzit e Kosovës duhet të vendosin për njerëzit më të përgatitur, ekipet më profesionale dhe subjektin politik më të reformuar. Zgjidhja është tek zgjedhja.

Autori është sekretar i përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”


Botuar në "Zëri" më 21 shtator 2009, fq. 10.

No comments: