Monday, September 29, 2008

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Loja pa fitues

Qeverisja e mirë – koncept civil i udhëheqjes

Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, por çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin civil të udhëheqjes, ambicieve dhe përmbajtjes

Shkruan: Burim Ramadani

I
Ndërtimi i një shoqërie demokratike nuk ka qenë asnjëherë i lehtë. Për këtë është dashur kohë, përkushtim dhe mbi të gjitha ndryshim të mentalitetit të qeverisjes. Kjo është parë edhe në rastin e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në vendet ish-sovjetike, edhe në vendet e Ballkanit, edhe në Afrikë apo Azi të largët, por edhe tash në Afganistan dhe Irak. Kosova nuk bën përjashtim dhe në këtë aspekt nuk është fare rast sui generis. Tek e fundit, tranzicioni gjithëherë është i ndryshëm në detaje varësisht nga vendi dhe koha, porse elementet përmbajtësore të rëndësishme janë të njëjta. Edhe tash, sikur para më shumë se gjysmë shekulli, tranzicioni drejt demokracisë ka pasur të bëjë me zhvillimin e sistemit civil të ushtrimit dhe kontrollit të pushtetit, derisa të drejtat e njeriut dhe pakicave kanë qenë shtyllat pasuese. Në këtë drejtim është punuar në Kosovën e pasluftës. Por, kjo nuk është punë e lehtë, sepse ka të bëjë me njerëzit dhe kjo do të thotë se duhet qeverisur emocionet, interesat, inatet dhe ambiciet njerëzore.

II
Në cilin nivel të zhvillimit të proceseve demokratizuese gjendet Kosova? Çka ndodhur deri më tash, çka është arritur? Shoqëria kosovare ka pësuar ndryshime të çmueshme për periudhën nëntë vjeçare që prej përfundimit të luftës, porse çështja e zhvillimit dhe instalimit të mirë-qeverisjes ka mbetur ende larg të qenit të kënaqshëm. Themelimi i institucioneve demokratike, mediave, mekanizmave tjerë të nevojshëm për shtetin dhe shoqërinë, si edhe ndërrimet në pushtet kanë kaluar pa ndonjë zhvillim tragjik, që është një përparësi në pjekurinë politike të shoqërive në tranzicion. Kjo dallon Kosovën nga një numër i madh i vendeve në rajon, veçanërisht nga shteti shqiptar, që ka pasur një histori aspak të lavdërueshme të zhvillimit të demokratizimit dhe ndërrimit të pushteteve pas përfundimit të regjimit komunist. Megjithatë, koncepti i qeverisjes është shumë më tepër sesa ndërrim paqësor pushtetesh dhe mos-ekzistim i luftës agresive politike. Mirë-qeverisja ka të bëjë më shumë me mentalitetin e udhëheqjes, ambiciet dhe përmbajtjen.



III
Normalizimi i marrëdhënieve midis degëve të pushtetit, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kontrolli efektiv i territorit, zhvillimi ekonomik pa ndikimin e shtetit, mos-ndërhyrja e pushtetit në punët e institucioneve apo kompanive autonome, respektimi i pavarësisë së ndërmarrjeve publike, bashkëpunimi korrekt dhe respektimi i pavarësisë operacionale të forcave të rendit dhe të mbrojtjes, kontrolli civil i këtyre forcave, shpërndarja apo delegimi i pushtetit në nivel më të afërt me qytetarin, respektimi i të drejtave të njeriut, integrimi i komuniteteve me veçori dalluese, respektimi i të qenit dhe menduarit ndryshe, respektimi i fjalës dhe mendimit të lirë, mos-keqpërdorimi i mundësive financiare që i ofrohen pushtetit, rritja e efektivitetet dhe efikasitetit të administratës publike, marrëdhëniet e zhvilluara me vendet tjera, sikurse edhe respektimin e plotë të të drejtës së informatës janë elementet që duhet të plotësohen pa dyshim në mënyrë që të arrihet baza e nevojshme për demokratizimin e shoqërisë.

IV
Natyra e qeverisjes është determinuese për zhvillimin e shoqërisë për dekadat e ardhshme. Tek e fundit, politika qeverisëse është agjencia thelbësore përmes se cilës formulohen dhe realizohen funksionet e drejtimit te shoqërisë në kuadrin e një vendi të caktuar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet tjera. Kjo ka të bëjë me kuptimin e politikës në shpërndarjen e vlerave në shoqëri e jo mjeteve materiale në shoqëri. Sipas Lasuellit, “Politika është: kush merr, kur, sa”, derisa Iston argumenton se “Politika është shpërndarje me autoritet e vlerave në shoqëri”. Shpërndarja e vlerave nuk është thjeshtë biznes, porse ka të bëjë me respektimin e vlerave ekzistuese dhe zhvillimin e vlerave të reja brenda shoqërisë, me qëllim të afrimit të shoqërisë dhe shtetit me familjen e aspiruar. Në rastin e Kosovës, kjo familje e aspiruar është padyshim Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Perëndimi. Vlerat tradicionale të Kosovës duhet të bashkohen në rrugën drejt Perëndimit. Aty nuk bën pjesë krimi, korrupsioni dhe keq-qeverisja.

Botuar në “Zëri” më 29 shtator 2008, fq.14.

No comments: