Friday, February 27, 2009

Promovohet libri për Planin e Ahtisarit

Promovohet libri për Planin e Ahtisarit
“Shteti i Komuniteteve- Në Zbatim të Modelit Ahtisaari” është libri i politologut kosovar Burim Ramadani, i pari i botuar në Kosovë për dokumentin e Marti Ahtisarit në bazë të cilit Kosovës iu lejua ta shpallë pavarësinë e vet. Autori në këtë libër ka bërë përpjekje të shpjegojë në mënyrë teorike konceptin mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
Sipas Ramadanit, Ahtisaari, në këtë dokument, ka përdorur modelin e “konsociocializmit”, i praktikuar në shumë vende ku ndarjet e shoqërisë në baza etnike kanë qenë të thella pas konflikteve në ato vende.“Qëllimi i librit është një shqyrtim i detajuar teorik dhe praktik i këtyre masave se pse duhet të ketë këto masa një shoqëri çfarë është Kosova ose pse nuk duhet të ketë. Plani i Ahtisarit është baza e kësaj analize, ose e këtij libri që është bërë”, tha autori i librit, Burim Ramadani.
Recenzenti i librit Blerim Shala, që ka qenë pjesëmarrës në bisedimet në procesin e statusit të drejtuar nga Marti Ahtisari, thotë se alternativë tjetër të këtij plani për Kosovën nuk ka, pavarësisht vështirësive që dalin në implementimin e tij.“Duhet thënë hapur që suksesi i këtij modeli në Kosovë varet shumë nga rrjedhat politike në Kosovë, por edhe nga përkrahja që ai do të marrë nga faktori ndërkombëtar, që sidomos ka punë me udhëheqësinë e Serbisë e cila po bën gjithçka për ta futur pakon e Ahtisarit në pakon e dështimit”, tha recenzenti Blerim Shala.
“Tendencat që shkojnë kah ajo që të implementohet në mënyrë selektive qoftë në kualitetin apo në implementimin e saj territorial është shumë e rrezikshme”, vlerësoi ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
“I preokupuar në çështjen e shtetndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit të pavarur të Kosovës, autori në këtë studim ekspediton dokumentin e Ahtisarit në bazë të parimeve konsociocionale dhe përvojës së aplikimit të saj në vende të ndryshme të botës me probleme të ngjashme ose përafërsisht të ngjashme me ato të Kosovës”, theksoi recenzuesi, Skënder Zogaj.
Në këtë libër, Burim Ramadani prek sfidat nëpër të cilat pritet të kalojë Kosova gjatë periudhës së implementimit të pakos së Ahtisarit dhe kohën e parashikuar për implementimin e këtij plani. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Zëri”.
Përparim Isufi

No comments: