Friday, May 14, 2010

Heroi Johannes

Heroi Johannes


Dikush është dashur t’i thotë STOP kësaj që po ndodh për vite të tëra në vendin tonë të varfër, të demoluar emocionalisht, psikikisht, financiarisht dhe politikisht. Në vendin tonë të reketeve e krimit të organizuar, ku për shumë “intelektualë” janë në fuqi rregullat e shekullit XV. Heroi i ri i Kosovës është Johannes Van Vreeswijk, me fjalinë e tij tashmë famoze: “Ky është vetëm fillimi”. Sa shumë u djersitën tashmë!


BURIM RAMADANI


Johannes Van Vreeswijk duket se do të mbahet mend shumë gjatë në Kosovë. I guximshëm për atë që thotë dhe që bën, ai ka marrë rolin e një shpëtimtari ndërkombëtar për qytetarët e vendit. Normalisht se emërtimi simbolik i një rruge me emrin e tij në Prishtinë, që u bë të mërkurën e kësaj jave, tregon për një respekt të posaçëm që njerëzit në Kosovë kanë për të.

Populli i Kosovës do ta kujtojë atë për një nder të madh që po i bën gjatë kësaj periudhe. Tek e fundit, ky prokuror ua ka hapur sytë të gjithëve në vendin tonë. Disa janë djersitur tashmë. Disa presin të djersiten. Disa të tjerë nuk po dinë nëse duhet të djersiten apo çfarë do të ngjajë me ta. Sido që të jetë, hapa të këtillë të guximshëm kanë qenë të domosdoshëm për Kosovën e sotme. Këtë Kosovë të lodhur nga krimi i organizuar, shpërlarja e parave, kontrabandimi, korrupsioni, hajnia ordinere e çka jo tjetër.

Qytetarët e Kosovës janë ndier të shkërdhyer për shumë kohë tashmë. Nuk ka edhe një mentalitet tjetër më të rëndë në rruzullin tokësor sesa mentaliteti i plaçkës së popullit të vetë nga elita politike. Kjo ka ndodhur në Kosovë. Jo vetëm tash. Edhe më herët. Që nga viti 2000. Por, është rritur skajshmërisht në vitet e fundit. Sidomos në dy vjetët që po i kalojmë si shtet i “pavarur, sovran dhe dumukratik”.

Dikush është dashur t’i thotë stop kësaj që po ndodh në vendin tonë të varfër, të demoluar emocionalisht, psikikisht, financiarisht dhe politikisht. Në vendin tonë të reketeve dhe krimit të organizuar. Në vendin tonë të aferave nga më të ndryshmet dhe më të shpeshtat. Në vendin tonë të izoluar e të përvuajtur, jo vetëm nga armiqtë shekullorë, por edhe nga vetë ne. Në vendin tonë ku për shumë “intelektualë” janë ende në fuqi rregullat e raporteve shoqërore të shekujve të XV, XVI dhe XVII. Vendin tonë ku çdo gjë merret personale dhe kërkohen mënyra se si të kthehen çështjet politike dhe shoqërore në çështje personale. Vendin tonë ku askush nuk duhet të jetë më i mençur, pasur apo më i pranueshem se ‘unë’! Vendin tonë ku të tjerët janë të padijshëm, idiotë, debilë, imbecilë dhe çka jo tjetër. Vendin tonë ku ICO-ja, EULEX-i, Ambasada amerikane, Ambasada britanike dhe të tjerët nuk dinë asgjë për demokracinë, shtetin ligjor dhe integrimet evro-atlantike. Vendin tonë ku ministra, deputetë, kryetarë komunash, politikanë opozitarë, kryeredaktorë dhe gazetarë brenda natës dalin të kenë gurthyes, pompa benzine, kompani ndërtimesh të larta, kompani marketingu, baza asfalti apo kompani shpedicioni.

Kjo është Kosova e ditëve të sotme. Dhe, në këtë gjendje të rëndë e ka sjellë ky mentalitet i shpifur. Mentalitet i çoroditur, i përçudnuar dhe shkatërrues.

Kosova e sotme është shtet pa dogana dhe pa kufinj. Djegia e pikave doganore dhe kufitare në veri të vendit ka ndodhur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, por asnjëherë deri më tash nuk ka pasur qasje serioze për të kthyer autoritetin e shtetit atje.

Kosova e sotme nuk është ajo që ishte premtuar nga Kryeministri aktual se do të ketë “gara për njohjen e shtetit”. Numri i njohjeve të shtetit nuk ka arritur ende në 100, sikurse pati premtuar Kryeministri aktual se do të arrihet brenda tre muajsh.

Kosova e sotme ka dënuar qytetarët e vetë që të jenë më të izoluarit në Ballkan. Dështimi në liberalizimin e vizave në kohën ka ndodhur në kohën kur vendet fqinje kanë ecur me hapa të shpejtë. Kjo ka shkaktuar izolimin e qytetarëve të Kosovës.

Kosova e sotme përballet përfaqësohet në botë përmes formulës “dajë e nipa ambasadorë”. Udhëheqja institucionale e këtij mentaliteti të përçudnuar politik ka emëruar për ambasadorë dhe pjesëtarë të korit diplomatik familjarë të tyre të afërm, pa kurrëfar kriteri profesional. Kosova e sotme është shtet ku tenderomania ka hipur mbi Pallat të Mediave. Qeveria e shtetit “të pavarur, sovran dhe dumukratik” është drejtuar vetëm kah tenderat: Pallati i Mediave, Tenderi i Mishit, 20 për qindshi si normë ryshfeti, rrugët, shkollat...

Kosova e sotme është në situatën ky shtyllat kryesore të shtetit detyrohen të hyjnë në greva. Të gjithëve na kujtohen pamjet tmerruese ku edhe Policia është detyruar të bëjë grevë, e të mos flasim për sektorët tjerë që tashmë “jemi mësuar” t’i shohim në greva, sikurse shëndetësia apo gardianët.

Kosova e sotme është e vjedhur, sikurse u vodh Policia e Kosovës në prill të vitit 2009. Vjedhja e dhomës së dëshmive në Polici u publikua më 25 prill 2009, por edhe më tutje askush nuk ka dhënë përgjegjësi as ligjore, as profesionale, as politike, as morale.

Kosova e sotme udhëhiqet nga “shokët e Nazim Bllacës”. Ish-agjenti i SHIK-ut, Nazim Bllaca, akuzoi para disa muajsh publikisht për përfshirje të zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe institucioneve tjera në vrasjet, dhunën dhe bizneset e errëta të pasluftës. Askush nuk e pa të udhës të ndërmerr ndonjë veprim për të treguar se po ndihet keq për atë që ka ndodhur.

Kosova e sotme qeveriset nga koalicioni i Zanzibarit. Më 19 nëntor 2009, udhëheqja e PDK-së pas mesnatës ka njoftuar për “prishjen” e koalicionit qeverisës me LDK-në, gjë që është mohuar të nesërmën në mëngjes. Si për rastësi, “Zanzibari” është klub në bodrum dhe është shenjë simbolike se si vendi udhëhiqet nga mentalitet i nëntokës.

Kosova e sotme ka qeverinë e bastisur. Qeveria e Kosovës është bastitur nga EULEX-i më 28 prill 2010. Pos Ministrisë së Transportit, janë bastisur edhe pronat e banimit të Ministrit Fatmir Limaj dhe të të afërmve të tij.

Edhe shumë e shumë argumente tjera mund të numërohen për të treguar gjendjen e rëndë në të cilën ka rënë Kosova gjatë kësaj periudhe. Askush nuk duhet të tmerrohet nga kjo që ka ndodhur. Të gjithë duhet të tmerrohemi nëse nuk kemi forcë, vullnet dhe përkushtim për të tejkaluar këtë mentalitet, këtë gjendje, këtë strukurë shkatërruese për vendin. Kjo kërkon bashkim të vlerave demokratike të shoqërisë kosovare. Kjo kërkon në rend të parë vullnet dhe vizion perëndimor për shtetin dhe shoqërinë. Këta aktualët në qeveri nuk e kanë këtë vizion. Është e qartë apo jo? Shumë prej tjerëve që janë në opozitë kanë dëshmuar se nuk e kanë këtë vizion. Por, kapacitetet që janë duhet të zhvillohen, bashkohen në koncepte dhe drejtohen për të zhvilluar demokracinë dhe vendin. Njerëzit e vullnetshëm dhe të arsimuar tashmë e kanë radhën të flasin dhe të veprojnë. Të veprojnë jo për interesin e ngushtë, por për shtetin dhe shoqërinë. Për Kosovën.

Nëse kthehemi përsëri te heroi i ri i Kosovës, Johannes Van Vreeswijk, me fjalinë e tij tashmë famoze: “Ky është vetëm fillimi”. Dhe, kështu, t’i jepet Kosovës një fillim për demokratizim.


Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës


Botuar në “Koha DITORE” më 14 maj 2010, fq. 11

No comments: