Tuesday, June 15, 2010

Kushtetuta, a mendon kush për të?

Kushtetuta, a mendon kush për të?

Me dhjetëra fakte të çështjeve të ndjeshme mund të listohen dhe të forcohet argumenti se Kushtetuta e Kosovës është larg zbatimit të saj. Kështu shënohet dyvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës. S’ka se si më keq! Prandaj, nëse dikush atje lartë në institucione fillon të paktën një proces të të menduarit për këtë, do të fillonte një “epokë” e re në sjelljen e tyre

BURIM RAMADANI


Në dy vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës, secili duhet të ndalet të mendojë të paktën disa minuta. Të mendoj për atë se çfarë na solli Kushtetuta jonë dhe për atë se si u sollëm ne në raport me Kushtetutën. Tek e fundit, nuk është ndonjë gjë e papërballueshme. Nevojitet vetëm të mendohet, si fazë fillestare.
Nuk duhet të jetë e habitshme për askënd pse kërkesa e këtillë është kaq modeste dhe direkte. Është një kërkesë krejt e përzemërt, e thjeshtë, por e domosdoshme. Në fakt, nuk do të duhej fare as të diskutohej kjo. Porse, “siç është vendi, bëhet kuvendi”. Kur merret parasysh sa pak mendohet në politikën institucionale kosovare dhe për çfarë mendohet (në rastet kur megjithatë ka një proces të të menduarit!), nuk ka sesi të mos bëhen kërkesa të tilla. Ndoshta edhe qesharake, ndoshta shumë të avancuara!
Shteti i Kosovës, katër muaj pas shpalljes së mëvehtësisë së mbikëqyrur, shënoi hyrjen në fuqi të aktit më të lartë politik dhe juridik vendor, përkatësisht Kushtetutën e Republikës. Si dokument me vlerë të pakontestueshme për secilin shtet dhe si grumbullim rregullash për ndarjen e pushtetit, Kushtetuta e Republikës është (apo duhet të jetë) pikënisja dhe përfundimi i secilës politikë institucionale, secilit veprim institucional apo secilës agjendë institucionale.
Por, si po e gjen Kosovën shënimi i dy-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re dhe çfarë e karakterizoi vendin gjatë kësaj kohe në raport me Kushtetutën e parë pas shpalljes së pavarësisë? Nëse analizohen shkurtimisht tri fakte të rëndësishme, është e qartë rruga të cilën duhet ndjekur gjatë periudhës së ardhshme, nëse duam që rendi Kushtetues i Kosovës të jetë funksional dhe të mos vihet në pikëpyetje. Ajo është rruga e ndryshimit të sjelljes institucionale e politike ndaj Kushtetutës, sigurimit të zbatimit të plotë të saj, respektimit të secilës dispozitë dhe rritjes së nivelit të kulturës politike për Kushtetutshmërinë dhe Ligjshmërinë në shtetin e ri.
Më 14 qershor 2008, shefi i të ashtuquajturit Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, bëri të ditur se ky Shërbim po e mbyll misionin e tij kombëtar. Sipas fjalëve të tij, SHIK-u ka qenë legal dhe transparent. Nejse! Dy vjet pas kësaj paraqitjeje, është e qartë për të gjithë se ky Shërbim i një grupi të caktuar brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së) vazhdon të funksionojë. Në të vërtetë, vetëm sa është fuqizuar, rritur dhe zhvilluar. Madje, Komiteti Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, në raportin e tij të 1 majit 2010, konstatoi se “shërbimi i nëntokës i PDK-së merr 200 milionë dollarë në vit përmes ryshfetit, zhvatjes, reketimit dhe shërbimeve mbrojtëse”. Sa keq!
Kryetari i Republikës, si simbol uniteti i kosovarëve, nuk arriti që gjatë këtyre dy vjetëve të luajë rolin e tij kushtetues. Për më shumë, ai u bë shkelësi i parë i Kushtetutës dhe si i tillë do të ruhet në kujtesën institucionale të Kosovës. Megjithëse Kushtetuta i ndalon kryetarit të shtetit ushtrimin e çfarëdo funksioni tjetër publik, kryetari i tashëm herë u “ngri” e herë u “shkri” në detyrën e tij të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Emëroi e shkarkoi zyrtarë në pozita të ndryshme brenda LDK-së, emëroi e shkarkoi Ministra në Qeverinë e Kosovës, bëri fushatë në vende të caktuara dhe për kandidatë të caktuar të partisë së tij, u përzi shpesh në debatet partiake duke mbrojtur dhe promovuar partinë që udhëheq, sikurse u kujdes që kabinetin e tij ta LDK-izoj plotësisht. Madje, edhe t’i bëjë vend zyrtarëve që nuk mund të gjendeshin mirë në situatën e re të krijuar brenda LDK-së.
Integriteti territorial është një fakt tjetër që karakterizon analizën për zbatimin e Kushtetutës së Republikës. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës së pavarur nuk kanë vend në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës dhe gjendja më e rëndë është në veri të shtetit. Qytetarët e Kosovës në atë pjesë nuk duan fare të dinë se çka shkruan në Kushtetutën e Kosovës dhe për këtë ndihen dukshëm në komoditet. Shteti nuk ekziston atje. Kushtetuta e Kosovës është term i panjohur në mesin e tyre. Institucionet e shtetit kosovar nuk kanë shtrirje atje. Një Strategji që u bë në fund të vitit 2009 për të integruar veriun e Kosovës në sistemin politik dhe autoritetin kosovar, duket se do të zbatohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale. Dhe, atë me kushtin e ndërrimit të qeverisë së tashme. Përndryshe, edhe kjo Strategji do të mbetet në letër, si një dokument për analiza të instituteve dhe OJQ-ve të ndryshme.
Normalisht se me dhjetëra fakte të çështjeve të ndjeshme mund të gjenden dhe kështu të forcohet argumenti se Kushtetuta e Kosovës është larg zbatimit të saj. Kështu shënohet dyvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës. S’ka se si më keq!
Prandaj, të paktën nëse dikush atje lartë në institucione mendon për këtë, do të fillonte një “epokë” e re në sjelljen e tyre.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE më 15 qershor 2010, fq. 10.

No comments: