Sunday, January 28, 2007

Vula ndërkombëtare për Kosovën

Koment

Vula ndërkombëtare për Kosovën

Propozimi i presidentit Ahtisaari duket se është i favorshëm për Kosovën dhe se nuk ka befasi në këtë aspekt. Pakoja me një numër relativisht të madh të anekseve është gjithëpërfshirëse dhe nuk lë pa përgjigje asnjë çështje të hapur. Dokumenti e bën Kosovën me pothuaj të gjitha atributet shtetërore. Më tutje, margjinalizohet luajtja e një roli nga autoritetet e Beogradit. Serbia nuk do të mund të ketë aspak ndikim, as me nevojën për stabilitet të brendshëm politik dhe as me kërcënime. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë të matur dhe të durueshëm. Përfundimi i procesit do të ketë vulën e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë

Shkruan: Burim Ramadani


I
Javën e kaluar edhe zyrtarisht filloi faza përfundimtare e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës. Presidenti Ahtisaari i bëri të ditur propozimin e tij Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Grupit të Kontaktit. Pati vlerësime në rrethe të ngushta e të gjera, reagime e përshëndetje, porse vlerësimet e komentet nga palët priten pas fundit të kësaj jave. Kjo për shkak se kryendërmjetësi ndërkombëtar do t’i dorëzojë zyrtarisht Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij për të ardhmen e Kosovës.
Sidoqoftë, janë tri elemente që mbeten të debatohen në këtë mes: nëse propozimi është ai që është pritur nga qytetarët e Kosovës?; si do të rrjedh procesi në ditët/javët në vijim dhe kush janë tashmë faktorët që vërtetë përcaktojnë zhvillimet e mëtutjeshme?; dhe çka i nevojitet më së shumti Kosovës në këtë kohë? Të tri këto elemente janë pjesë e një tabloje të përbashkët të asaj që quhet tashmë stadi i fundit i procesit të zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës. Përgjigjja konkrete politike dhe analiza teorike-praktike për këto elemente do të jepte një qartësi në mënyrën e arritjes së rezultatit ose përfundimit.

II
Propozimi i presidentit Ahtisaari duket se është i favorshëm për Kosovën dhe se nuk ka befasi në këtë aspekt. Pothuaj e tëra ajo që është e pritur nga analistët gjakftohtë dhe njohësit e mirë të procesit, edhe duket se është thënë në atë dokument. Pakoja me një numër relativisht të madh të anekseve është gjithëpërfshirëse dhe nuk lë pa përgjigje asnjë çështje të hapur. Dokumenti i Ahtisaarit e bën Kosovën me pothuaj të gjitha atributet shtetërore. Kjo mbetet të shihet publikisht prej 3 shkurtit. Kjo ka të bëjë vetëm me propozimin e presidentit Ahtisaari, jo me atë që do të mund të ndodh më tutje.
Disa elemente këto tri-katër ditët e fundit janë komentuar me të madhe në media, por janë edhe disa elemente tjera që kanë rëndësi të veçantë. Ta themi për shembull se Ahtisaari flet për shtetësi të atyre që jetojnë në Kosovë (citizenship) e jo për banorë; për kufij e jo për kufij administrativ (‘borders’ e jo ‘boundaries’), për Forcat e Sigurisë së Kosovës (ushtrinë), e të tjera të rëndësisë së tillë. Propozimi i tij është më i favorshëm se sa që ka mundur të jetë edhe sa i përket decentralizimit edhe qytetit të Mitrovicës.

III
Rrjedha e procesit mbi përcaktimin e statusit të Kosovës në javët në vijim pritet të jetë me kthesa të lehta djathtas e majtas. Por, drejtimi vlerësohet se është i qartë dhe kthesat nuk mund ta dëmtojnë cakun. Propozimi i Ahtisaarit do të komentohet nga të dyja palët, ndërsa komentet e tyre megjithatë nuk do të kenë ndikim në përmbajtje. Beogradi zyrtar nuk pritet të pranojë as përmbajtjen si të tillë dhe do të përsëris qëndrimet krejt të ndryshme me dokumentin. Prishtina, ndërkaq, do të mund të jepte disa vërejtje konkrete, por që nuk do të mund të inkuadroheshin si të tilla në dokument.
Në vazhdim, faktorët e rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare do të rrugëtonin më tutje. Reagimet nga Rusia në Grupin e Kontaktin, të bëra edhe të premten e kaluar, do të jenë preokupimi kryesor i pjesës tjetër të këtij organizmi. Porse, në një formë apo tjetër, reagimet nga Rusia nuk do të pengojnë rrugën sado që mund ta zgjasin atë.
Këshilli i Sigurimit në debatin e tij mbi dokumentin Ahtisaari do të shfuqizojë Rezolutën 1244/99 dhe një Rezolutë të re do t’i hap rrugë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këta në fakt janë edhe faktorët që e përcaktojnë rrjedhën e përfundimit të procesit. Në këtë relacion veprimesh e fuqish, në mënyrë tejet të madhe margjinalizohet luajtja e një roli nga autoritetet e Beogradit. Serbia nuk do të mund të ketë aspak ndikim më tutje, as me nevojën për stabilitet të brendshëm politik dhe as me kërcënime. Përfundimi i procesit do të ketë vulën e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë.

IV
Pa dyshim se e tërë ‘procedura’ për publikimin e këtij propozimi ka ngritur dilema dhe brenga te shumë njerëz mbi rezultatin e këtij procesi. Ose, thënë më mirë, dyshimin e madh se elita politike në vend nuk është e aftë të bëjë ndonjë ndikim të madh ne procesin dhe rezultatin si të tillë. Po ashtu, kemi edhe elementin i frustrimit të qytetarëve me këtë proces. Edhe në Kuvendin e Kosovës të premten u vu në spikamë kjo. Por, ajo që na duhet tash më së shumti është stabiliteti dhe ruajtja e rendit dhe e sigurisë në Kosovë. Publikimi i propozimit të Ahtisaarit besohet se do të ketë ndikim te një apo grup tjetër. Megjithatë, qytetarët e Kosovës duhet të vënë në rend të parë qetësinë, stabilitetin e vendit dhe sigurinë e përgjithshme. Sfidat ndaj kësaj janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, porse qytetarët e Kosovës dhe në rend të parë popullata shumicë duhet të jenë tejet të kujdesshëm. Secili veprim i pamatur shkakton tendosje dhe prishje të rrjedhës. Kosovës nuk i duhet të ndodhet në situata të tilla.

(Autori është Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës. Opinionet janë personale dhe nuk paraqesin qëndrimet e institucioneve ku punon)
Botuar më 29 janar 2007, e hënë, në të përditshmen “Zëri”, fq. 10

No comments: