Sunday, July 6, 2008

Uzurpimi i shtetit

Loja pa fitues

Uzurpimi i shtetit

Në ditët që po vijnë, sfidat duket se do të jenë edhe më të mëdha dhe rruga është përplot me gurë. Prandaj, duhet pasur plan të qartë, guxim dhe përkushtim për t’u përballur me të gjitha këto situata që cenojnë autoritetin e shtetit të Kosovës. Ka ardhur koha kur, në rastin konkret, Policia e Kosovës duhet të drejtohet plotësisht nga vendorët, qoftë në politika, administratë, por edhe në çështjet operacionale të ndjeshme për situatën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Në javën që kaluam ka ndodhur incidenti më i madh që prej rreth pesë muajsh sa Kosova është shpallur e pavarur dhe njohur nga një numër i konsiderueshëm i shteteve demokratike të botës. Në komunën e Shtërpcës është uzurpuar objekti i Kuvendit Komunal dhe kryetari i deritashëm i kësaj komune i ka ‘liruar’ karrigen një personi që e quan veten kryetar të Shtërpcës në bazë të zgjedhjeve ilegale të 11 majit që i ka organizuar Republika e Serbisë edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës. Kjo, megjithëse është pritur si zhvillim që do të tentohet të bëhet nga pjesa ekstreme e komunitetit serb të Kosovës, është menduar se nuk do të mund të realizohet për shkak të qëndrimit të prerë të institucioneve kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare prezente në Kosovë për mosnjohje të këtyre zgjedhjeve dhe për moslejim të asnjëlloj efekti nga zgjedhjet serbe. Porse, tashmë jemi dëshmitar se një politikë e tillë e Serbisë është shtrirë edhe në rrafshin praktik të uzurpimit të objekteve shtetërore të Kosovës. Kësaj nuk mund t’i thuhet ndryshe veçse uzurpim dhe uzurpimi po ndodh kundër vet shtetit.

II
Nëpërkëmbja e politikës dhe institucioneve shtetërore të Kosovës ka ndodhur me vite me radhë në Kosovë, por tashmë pas shpalljes së pavarësisë së vendit situata të paktën do të duhej të ishte e drejtuar kah zgjidhja e problemeve të këtilla. Askush në këto ditë nuk e mohon mosqasjen e institucioneve të Kosovës në pjesë të caktuara të territorit dhe kjo tashmë ka filluar të thuhet hapur edhe për aspketin e mosshtrirjes së autoritetit në bazë të Kushtetutës së vendit në tërë Republikën. Deri në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetuës së Kosovës, deklaratat publike ka qenë aq të prera për shtrirjen e autoritetit në çdo cep të vendit, saqë njohësit e realitetit nganjëherë bienin në dilemë nëse analizimet e tyre ishin të bazuara. Porse, për fat të keq, dolën që deklaratat e verbëra ishin në fakt të pabazuara dhe ditëve të fundit duket se ka filluar një këndellje në paraqitjet publike të bartësve kryesorë të shtetit. Për të vazhduar zhvillimet negative, në Kosovë kemi mungesë të autoritetit edhe në ato pjesë ku nuk janë paraqitur probleme të tilla më herët. Është e qartë se veriu i Kosovës është dhe ka qenë për nëntë vjet jashtë kontrollit të Prishtinës, por tash raste të tilla po bëhen edhe pjesë tjera.

III
Nëntë vjetët e kaluara Kosova ka qenë në një situatë të paqartë sa i përket rolit që institucionet kosovare kanë në integrimin e të gjithë qytetarëve në një sistem, sikurse edhe në hapësirën për të luajtuar rolin e vet për ruajtjen e sigurisë së brendshme dhe të jashtme. Ndoshta për këtë arsye, ka ekzistuar një mirëkuptim i pathënë për të kaluar pa kërkuar përgjigje për shumë probleme që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës, sikurse edhe për shumë ‘lëshime’ që janë dukur të rastësishme. Mirëpo, me bërjen e shtetit nuk mund të kuptohet një lojë e njëjtë e institucioneve vendore sikurse para këtij akti. Padyshim se askush nuk pret që në këto momente Kosova të përdorë dhunë për të mbrojtur Kushtetutën e vet dhe për të shtrirë autoritetin shtetëror, por ajo që pritet është luajta e rolit të shtetit ashtu sikurse është rendi dhe nevoja. Tashmë është e padrejtë dhe e paqartë të vazhdohet me mentalitetin e të varurit derisa kemi arritur që të konsolidojmë forcën dhe mbështetjen për të hyrë në familjen e madhe të shteteve të pavarura dhe sovrane.

IV
Në ditët që po vijnë, sfidat duket se do të jenë edhe më të mëdha dhe rruga është përplot me gurë të madhësive të ndryshme. Prandaj, duhet pasur plan të qartë dhe të detajuar për t’u përballur me të gjitha këto situata të mundshme, të cilat cenojnë autoritetin e shtetit të Kosovës. Ka ardhur koha kur në rastin konkret Policia e Kosovës duhet të drejtohet plotësisht nga vendorët, qoftë në politika, administratë, por edhe në çështjet operacionale të ndjeshme për situatën. Nuk mund të lejohet që Policia të mos mbrojë objektet shtetërore siç është rasti i Komunës së Shtërpcës. Shërbimi Doganor duhet të ketë kurajon të vendoset në pikat doganore në veri të Kosovës dhe të mos lejojë zhvillimin e pandalshëm të kontrabandës. Humbjet që po shkaktohen nga kontrabanda janë tmerrësisht të mëdha dhe kjo do të ndikojë drejtëpërdrejt në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm. Njëjtë është edhe për institucionet tjera të rëndësisë së posaçme për jetën në Kosovë. Njerëzit presin që shteti të lehtësojë problemet e tyre të përditshme dhe jo që shteti të mos jetë në gjendje të bëjë asnjë hap konkret për të mbrojtur të paktën veten.

Botuar në “Zëri” më 7 korrik 2008, fq. 15.

No comments: