Monday, August 18, 2008

Gjashtë muaj shtet

Loja pa fitues

Gjashtë muaj shtet
Gjysmë viti pas pavarësisë, një gjëje i është ngritur vlera: çmimeve në treg. Të tjerat kanë mbetur ashtu siç kanë qenë, që do të thotë se në raport me tregun, gjendja sociale vetëm sa është keqësuar. Kjo mund të jetë vetëm njëra prej rezultateve të padëshirueshme të Kosovës. Duhet të konceptohet strategjia gjihëpërfshirëse për njohjet ndërkombëtare dhe shtrirjen e autoritetit shtetëror në tërë territorin e Kosovës
Shkruan: Burim Ramadani
I
Gjashtë muaj prejse Kosova u pavarësua dhe mori njohjet e para nga shtetet e rëndësishme në bashkësinë ndërkombëtare, shumë sfida dhe pengesa mbeten në rrugën përpara. Megjithëse ditët dhe javët e para të pas-pavarësisë dhanë disa elemente optimiste sa i përket njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri, zhvillimet e brendshme treguan për një tollovi emocionesh dhe politikash të cilat do të ndikonin më pas në rrjedhën e vetë fuqizimit të shtetit. Janë tri elemente të cilat i karakterizojnë zhvillimet e këtyre gjashtë muajve të të qenit shtet. Së pari, nuk ekziston një qartësi në politikën e Kosovës sa i përket njohjes kaq të domosdoshme të shtetit. Njohja ndërkombëtare u tregua se është e nevojshme të jetë kuantitative, jo vetëm kualitative. Së dyti, nuk ka strategji dhe përpjekje shtetërore për shtrirjen e autoritetit të plotë në tërë territorin e vendit. Së treti, standardi jetësor është keqësuar edhe më shumë si pasojë e mungesës së strategjisë së qartë për zhvillimin e vendit. Të trija këto kanë të përbashkët sfidën e shtatorit, si muaj ku pritet të shihen rezultatet.
II
Gjetja e mënyrës më të lehtë, më të mirë dhe më të shpejtë për arritjen e ndikimit në një shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës ka të bëjë plotësisht me politikën që e vendos dhe ndjek Kosova. Deri më tash, një politike e tillë e konceptuar dhe kthyer në strategji nuk ka ndodhur. Kosova është njohur prej 45 shtetesh, prej të cilave janë një numër i shteteve më të fuqishme të botës përfshirë shpëtuesin e popullit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Porse, politika e lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës duhet të jetë e shtresuar, të ketë koncept për qasje ndaj shteteve veç e veç, ndaj grupeve të shteteve në rajone të skajshme të botës dhe të grupeve të shteteve që kanë elemente të përbashkëta me Kosovën. Ne ende nuk kemi parë se si lobon Kosova. Kurioziteti e shtyn secilin të pyes se çfarë i thotë Kosova Afrikës së Jugut për të njohur shtetin? A është e qartë se Kosova dhe Afrika e Jugut e kanë të përbashkët Kushtetutën? Afrika e Jugut ka pasur Kushtetutën e kaluar me parime krejt të njëjta me atë të Kosovës. Strategji e tillë mund të përdoret edhe në vende tjera, duke prekur gjithherë elementet e përbashkëta.
III
Gjakftohtësia në zhvillimin e politikave dhe ushtrimit të autoritetit shtetëror të Kosovë ka qenë dhe është e domosdoshme. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se shteti i Kosovës nuk duhet të bëjë asnjë përpjekje shtetërore për shtrirjen e fuqisë dhe kontrollit në pjesë të caktuara të Kosovës që kanë mbetur për vite të tëra jashtë Prishtinës, dhe që tashmë pas pavarësimit janë larguar edhe më shumë. Që prej djegies së portave në veri, është parë qartë se e ardhmja e autoritetit kosovar në pjesën e veriut më specifikisht është tejet delikate. Mosfunksionimi i shërbimit doganor është një çështje tjetër që tregon për brishtësinë e sistemit. Tek e fundit, ende nuk e dimë nëse ky shërbim quhet Dogana e UNMIK-ut apo Dogana e Kosovës. Administrata e cunguar nuk dëshiron të heq dorë nga Dogana, derisa Kosova heziton të merr përgjegjësinë për funksionimin shërbimit. Pothuaj njëjtë është edhe me Policinë e Kosovës. E tërë kjo tregon për mungesë strategji gjithëpërfshirëse për qasje ndaj kësaj tollovie sa i përket rolit, kompetencave dhe përgjegjësive.
IV
Gjatë viteve para shpalljes së pavarësisë së Kosovës është dëgjuar gjithnjë të thuhej se me pavarësimin e vendit do të zhvillohet ekonomia, do të ketë vende të reja pune, perspektivë për të rinjtë e të moshuarit, cilësi më të lirë arsimore, paga më të larta, pensione të dinjitetshme e çka jo. Javët dhe muajt e fundit të para-pavarësisë një optimizëm u ngrit në mesin e popullatës, në masë të madhe për shkak të premtimeve të pakontrolluara para-zgjedhore. Gjashtë muaj pas pavarësisë, një gjëje i është ngritur vlera: çmimeve në treg. Të tjerat kanë mbetur ashtu siç kanë qenë, që do të thotë në raport me tregun, gjendja vetëm sa është keqësuar. Kosovës i mungon edhe më tutje një strategji e qartë dhe e detajuar për zhvillimin ekonomik dhe stabilizimin e standardit jetësor. Pritjet e mëdha që janë ngritur në mesin e popullatës pamundësojnë blerjen e qetësisë sociale dhe kështu mund të shkaktohet një shtator i rëndë për Kosovën. Të trija elemente e cekura më lartë ka rrezik të dëshmohen si dështim: njohja, shtrirja e autoritetit dhe gjendja sociale.
Botuar në "Zëri" më 18 gusht 2008, fq. 10

No comments: