Monday, August 4, 2008

Çmenduria e dezintegrimit etnik

Loja pa fitues

Çmenduria e dezintegrimit etnik

Tek e fundit, në emër të kujt flet Zannieri dhe për çfarë lloj angazhimesh mono-etnike bën fjalë shefi i UNMIK-ut? Misioni i OKB-së tashmë është histori sa i përket udhëheqjes dhe administrimit të Kosovës. Ai mund të jetë një vëzhgues në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave. Si i tillë është i mirëseardhur bashkë me Amnesty International, Transparency International apo Human Rights Watch

Shkruan: Burim Ramadani

I
Deklaratat e fundit të shefit të administratës së cunguar të OKB-së në Kosovë, italianit të sapoardhur në postin e ri, për krijimin e institucioneve dhe mekanizmave mono-etnike kanë shkaktuar reagime të ndryshme të politikës vendore dhe opinionit publik. Idetë e tilla shihen si mjaft të rrezikshme për të ardhmen demokratike të shtetit të ri të Kosovës. Ndërkaq, në realitet këto ide nuk janë vetëm të rrezikshme, por janë përcaktuese drejt shkatërrimin e krejt asaj që është ndërtuar në Kosovë që nga fillimi i bombës së parë të NATO-s kundër pikave ushtarake të Serbisë në vitin 1999. Legalizimi i mono-etnicitetit institucional në pjesë të caktuara të Kosovës do të thotë kthim prapa dhe prishje e tërë asaj për të cilën ka investuar vet OKB-ja, NATO, BE-ja dhe politika kosovare e ajo shqiptare. Për më tepër, idetë e këtilla të vjetra dhe lëvizjet e reja qoftë vetëm deklarative i japin një shtytetje sjelljes negative të një pjese të qytetarëve të Kosovës dhe një sinjal të fuqishëm për zhvillimin e politikave destruktive të Beogradit fqinj. Ndalja e deklarimeve, ideve dhe nismave të tilla nuk është e domosdoshme vetëm për Kosovës, por ajo ndikon në mënyrë direkte në mundësinë e ushtrimit të misionit ndërkombëtar në Kosovë.

II
Demokracia në Kosovë nuk mund të ndërtohet duke ndarë njerëzit dhe ato që ne tashmë kushtetutshmërisht i quajmë ‘komunitete’. I tërë investimi i deritashëm politik, institucional dhe financiar është bërë drejt drejtimit të integrimit të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, përkatësisht për integrimin e komunitetit serb, i cili edhe më tutje heziton për të marrë pjesë në jetën politike dhe publike të vendit. Vetëm nisma të çmendura tash pas rreth gjysmë viti të pavarësimit të Kosovës mund të parashohin zhvillime të ndryshme nga ajo që është bazë e shtetësisë së Kosovës dhe pranimit të sovranitetit të saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe, aq më pak këso lloj nismash duhet të shihen nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe një misioni të dështuar sa i përket integrimit dhe zgjidhjes së konfliktit siç është UNMIK-u. Tek e fundit, në emër të kujt flet Zannieri dhe për çfarë lloj angazhimesh bën fjalë shefi i UNMIK-ut? Misioni i OKB-së është histori pwr udhëheqjen dhe administrimin e Kosovës. Ai mund të jetë një vëzhgues në respektimin e të drejtave të njeriut/pakicave. Si i tillë është i mirëseardhur bashkë me Amnesty International, Transparency International apo Human Rights Watch.

III
Dokumenti mbi të cilin u ndërtua legalisht shteti i Kosovës është ai i ish-kryendërmjetësit të OKB-së për bisedimet mbi statusin, Martti Ahtisaari. E gjitha duhet të sillet rreth dhe brenda atij plani, që tashmë ka marrë bekimin e përfaqësuesve politikë të shumicës së qytetarëve të Kosovës. Gjegjësisht, Plani i Ahtisaarit është kthyer në bazën obligative për punën e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Kushtetutën e vendit, ligjet e reja të miratuara me shpejtësi dhe të kontrolluara fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare, decentralizimin, zonat e mbrojtura përrreth objekteve të trashëgimisë kulturore e fetare të komunitetit serb, simbolet, himnin, dokumentet personale dhe të gjitha elementet tjera të rëndësishme të shtetësisë dhe zhvillimit shtetëror. Kosova është nisur dhe duhet të ecë në këtë drejtim vetëm si e plotë dhe e pandryshueshme në kuptimin e planit të Ahtisaarit. Decentralizimi është fusha kryesore që paraqitet në funksionalitetin e shtetit. Asgjë nuk mund të funksionojë ndryshe nga tërësia dhe tërësia nuk mund të ndryshojë në sekuenca negative. Ndryshimet në Planin e Ahtisaarit do të mund të pranohen vetëm në rastet kur ato ndikojnë pozitivisht në jetën e përbashkët dhe funksionimin shtetëror.

IV
Dallimet në qasje midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk janë të tashme, por kjo është një histori e tërë e zhvillimeve në këtë rajon ende të nxehtë. Të paktën kështu janë perceptimet e njerëzve që jetojnë në këto mese. Ndikimi i fuqishëm i shtetit të Serbisë, që pothuaj në tërë historinë e vet është udhëhequr nga nacionalistët e krisur, ka pasur efekt negativ për jetën e komunitetin serb në Kosovë. Kjo është vërtejtur për të paktën vitet e pasluftës në Kosovë. Po të jetë për gjendjen në Kosovë, shqiptarët dhe serbët qysh më parë do të ndanin edhe me mure vendbanimet e tyre sikurse në vende tjera. Por, marrëdhëniet në rajon nuk janë aq të thjeshta sa të zgjidhen bazuar në ide të ndarjes apo të shpërnguljes masive të popullatës, sikurse ishte ideja e një zyrtari të lartë të Federatës Ruse. Prandaj, qasja e integrimit, jetesës së përbashkët, qytetarisë, zhvillimit të identitetit shtetëror të Kosovës, bashkëpunimit të ngushtë rajonal dhe fqinjësor, dhe perspektiva evro-atlantike e rajonit është zgjidhja e vetme për Kosovën dhe Ballkanin. Kjo qasje amerikano-evropiane duhet të jetë e qëndrueshme dhe si e tillë e pandryshueshme, pavarësisht nëse Zannieri, Medvedevi, Nikoliqi apo Tadiqi mundohen ndryshe.

Botuar në “Zëri” më 4 gusht 2008, fq. 12.
dhe në
"Gazeta Shqip" në Tiranë më 5 gusht 2008, fq. 9. shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=47356
dhe në
"Infopress" më 6 gusht 2008, fq. 14.

No comments: