Monday, March 16, 2009

Krimi i organizuar rrezikon demokracinë

Loja pa fitues

Krimi i organizuar rrezikon demokracinë

A është Kosova një vend i preferuar për krimin e organizuar nga grupe vendore apo edhe të jashtme? A është Kosova hapësirë e mirë për zhvillimin e Krimit të Organizuar Trans-Nacional? Këto të gjitha janë aktivitete që rrezikojnë demokracinë, tregun e lirë, asetet shtetërore, stabilitetin e shoqërisë dhe të ardhmen. Prandaj, tashmë është mëse i domosdoshëm angazhimi serioz dhe i përkushtuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tilla kriminale

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vendet që nuk kanë qeveri, shoqëri civile dhe mekanizmat shetëror funksional paraqesin ambient më të mirë për zhvillimin e krimit të organizuar. Ky është një ndër parakushtet kryesore për ekzistimin në faza të zhvilluara të njërës prej sfidave kryesore të shtetit dhe rajoneve të tëra në botën e sotme sa i përket sigurisë shtetërore dhe rajonale. Kjo është pjesë e definimeve më të mira të tashme për krimin e organizuar, që të vërtetë është sfidë po ashtu shumë e madhe edhe për Kosovën tashmë një vit pas shpalljes së pavarësisë. Shteti më i ri i Ballkanit ballafaqohet me një varg sfidash të rëndësishme, të cilat në fakt kanë karakter përcaktues në funksionalizimin e shtetit dhe shoqërisë, ndërtimin e të ardhmes prosperuese, sikurse edhe integrimet ndërkombëtare, përkatësisht ato euro-atlantike. Tashmë më shumë se kurrë, luftimi i krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative është një prej parakushteve politike dhe juridike më të rëndësishme që i parashtrohen shteteve individuale në rrugën e tyre për Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Nëse kjo do të vlente për Kosovën, me gjasë do të duhej të prisnim edhe një kohë relativisht të gjatë për të arritur sukses të dukshëm në aspektin e luftës së këtyre dukurive.

II
Baza kryesore mbi të cilën strukturohet dhe zhvillohet krimi i organizuar, është brishtësia e shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi, pozita gjeografike e shtetit, sikurse edhe brishtësia e vullnetit politik të shtetit për të luftuar në mënyrë të fuqishme këtë dukuri. Megjithëse definimet për krimin e organizuar varijojnë nga perspektiva të ndryshme, definimi përgjithsisht i pranuar është ai se krimi i organizuar paraqet grupe ose veprime të bëra nga kriminelët në të shumtën e rasteve me qëllim të përfitimit apo grumbullimit të të hollave. Pra, nga vet ky definim është e qartë se krimi i organizuar nuk është i drejtuar vetëm në aspektin e grumbullimit të parave, por edhe të mirave tjera materiale, shërbimeve, favoreve apo të ngjashme. Sidoqoftë, Akti i Kontrollit të Krimit të Organizuar (SHBA, 1970) definon krimin e organizuar si “aktivitete të paligjshme të grupeve shumë mirë të organizuara dhe të disiplinuara”. Kështu, është e qartë se krimi i organizuar kërkon grupim të organizuar dhe të disiplinuar, që do të thotë se kanë shefin apo shefat e grupit, njerëzit e afërt me udhëheqjen, mbrojtësit e udhëheqjes, njerëzit aktivë në terren, si dhe bashkëpunëtorët. Kjo tregon për një organizim të plotë, derisa disiplina ka të bëjë edhe me lojalitetin e fuqishëm të detyruar që anëtarët e grupit kanë për udhëheqjen.

III
Vendosja në praktikë e këtij definimi dhe kësaj analize të elementeve përbërëse të grupeve të krimit të organizuar sigurisht se është çështje kërkon kohë, angazhim dhe mundësi. Porse, në rastet kur shteti dhe mekanizmat e tij janë të brishtë, shoqëria civile është e paorganizuar dhe në përgjithësi shteti nuk arrin nivel të kënaqshëm të funksionalitetit, mundësia për të zhvilluar krimin e organizuar është më e madhe. Për më tepër, nëse kufijtë e shtetit nuk janë të siguruar ashtu siç duhet, atëherë kjo bën edhe më te lehtë zhvillimin e aktiviteteve të tilla kriminale. Por, si përkthehet e tërë kjo në rastin e Kosovës? A është Kosova një vend i preferuar për krimin e organizuar nga grupe vendore apo edhe të jashtme? Këto, sigurisht, janë ndër pyetjet më të rëndësishme që parashtrohen saherë që përmendet krimi i organizuar dhe aktivitetet e tilla joligjore. A është Kosova hapësirë e mirë për zhvillimin e Krimit të Organizuar Trans-Nacional, që është koordinim i aktiviteteve kriminale përtej kufijve shtetëror? Tek e fundit, a është rajoni Ballkanik pjesë në të cilën krimi i organizuar mund të zhvillohet? Të gjitha këto janë sfida dhe kërcënime të dukshme të sigurisë së përgjithshme të Kosovës dhe kërcënime për të ardhmen prosperuese të shoqërisë kosovare në përgjithësi.

IV
Bashkë me rrugën që ka bërë deri më tash Kosova, është rritur edhe nevoja për funksionalizimin e mekanizmave ligjor, politik dhe shtetëror për luftimin e krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative. Tash për tash, kjo duket të jetë larg nivelit të kënaqshëm. Në të vërtetë, zaten për këtë arsye janë bërë edhe vërejtje të rënda të institucioneve ndërkombëtare, sikurse ishte ai i Komisionit Evropian në Raportin Vjetor të Progresit, që u bë në muajt e fundit të vitit të kaluar. Mungesa e strategjisë për luftimin e krimit të organizuar, mos-fuqizimi i mekanzimave të kontrollit dhe luftës në këtë drejtim, mungesa e vullnetit politik të qartë, brishtësia dhe neglizhenca e sistemit të drejtësisë, mosprofesionalizimi i njësiteve të specializuara të Policisë së shtetit, moszhvillimi i bashkëpunimit të thellë me mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtar dhe, përfundimisht, mungesa e Ligjit për Luftën kundër Krimit të Organizuar janë elementet kryesore që tregojnë qasjen jo serioze aktuale që kemi parë deri tash. Dhe, në këtë mes përfshihen të gjitha llojet e aktiviteteve kriminale që futen nën definimin e ‘krimit të organizuar’. Këto të gjitha janë aktivitete që rrezikojnë demokracinë, tregun e lirë, asetet shtetërore dhe stabilitetin e shoqërisë. Po ashtu, rrezikon të ardhmen e integrimeve ndërkombëtare. Prandaj, tashmë është mëse i domosdoshëm angazhimi serioz dhe i përkushtuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tilla kriminale.

Botuar në “Zëri” më 16 mars 2009, fq. 13.

No comments: