Monday, March 30, 2009

Ballkani drejt NATO-s


Loja pa fitues

Ballkani drejt NATO-s

Institucionet kosovare dhe në mënyrë më specifike ato që udhëheqin sektorin e sigurisë duhet që tashmë të jenë shumë më aktive në qasjen, politikat dhe veprimet konkrete për të afruar Kosovën me NATO-n. Me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, rajoni i Ballkanit nga një ‘shpenzues’ i fuqisë së Perëndimit për paqe kthehet në një kontribues për paqen dhe sigurinë rajonale. Roli i Shqipërisë, ndërkaq, do të jetë prijës për zhvillimet e mëtejshme demokratike dhe integruese të Ballkanit

Shkruan: Burim Ramadani

I
Vetëm pas pak ditësh, rajoni i Ballkanit do të nis një faqe të re të historisë. Kjo do të vërehet edhe në aspektin politik, edhe në atë të sigurisë, por edhe në aspekte tjera të jetës politike dhe proceseve zhvillimore në përgjithësi. Shqipëria do të jetë përfundimisht anëtare me të drejta dhe obligime të plota në Organizatën e Paktit Veri-Atlantik, që njohet kryesisht me shkurtesën e saj NATO. Ky është një lajm i mrekullueshëm jo vetëm për Shqipërinë dhe jo vetëm për shqiptarët në Ballkan. Ngjarja e madhe e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë, por edhe Kroacisë në NATO është një hap i madhërishëm i gjeo-politikës dhe sigurisë rajonale në njërin prej rajoneve më të trazuara të Evropës dhe botës. Me këtë, domosdoshmërisht një epokë e re po lind në Ballkan dhe kjo do të dëshmohet me kalimin e viteve dhe dekadave të ardhshme. Prezenca e NATO-s në vende të ndryshme të Ballkanit, sikurse edhe anëtarësimi i këtyre dy shteteve ballkanike në këtë Organizatë, pa dyshim se rrisin në mënyrë kualitative mundësinë dhe potencialin e Ballkanit për t’u stabilizuar pas shumë kohe të urrejtjes, konfliktit, dhunës, luftërave dhe gjenocideve. Ky është një lajm i papërsëritshëm i fillimit definitiv të tejkalimit të mentalitetit dhunë-nxitës të kombeve në Ballkan, pavarësisht se për të përmbyllur këtë proces duhet vetëdijësim i disa kombeve që ende janë në luhatje midis të kaluarës së dhunshme dhe të ardhmes paqësore.

II
Bashkimi i dy shteteve tjera të Ballkanit me NATO-n do të hap rrugë njëherë e mirë për vendosjen e një relacioni tjetër të fuqisë së kombeve në rajon. Historia është dëshmitare e shumë e shumë gjëra të rënda që kanë ndodhur sidomos gjatë këtyre pesëmbëdhjetë dekadave të fundit në rajonin malor të Evropës Jug-Lindore. Me rëndien e Perandorisë Osmane në fillim vitet e shekullit të kaluar, apetitet nacionaliste të kombeve ballkanike u rritën në masë të madhe, duke u manifestuar me konflikte të hapura mes tyre. Gjatë këtyre dekadave, disa herë janë provuar gjenocide, spastrime etnike, shpërngulje masive të popullatës, asimilime dhe gjakderdhje. Luftërat mes kombeve të ndryshme për territore të caktuara nuk janë shmagur as në vitet e para të pas-rënies së bllokut famëkeq të komunizmit në Evropë. Shkatërrimi i ish-Jugosllavisë artificiale ka ndodhur pikërisht për shkak të stër-rritjes së ndjenjës nacionaliste të kombit serb, i cili u udhëhoq nga parimet shkatërruese njerëzore duke tentuar të përfitojë territore të reja dhe të realizojë ‘ëndrrën’ hegjemoniste të “Serbisë së Madhe”. Dhe, ishte pikërisht NATO dhe Perëndimi që i dhanë fund vazhdimit të politikës së gjenocidit dhe spastrimit etnik në territorin e ish-Jugosllavisë.

III
Vendosja e NATO-s në Kosovë dhe në vende tjera të Ballkanit, gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, mund të konstatohet si faza e parë konkrete e zgjerimit të aleancës në këtë rajon me rëndësi gjeo-strategjike dhe gjeo-politike për Perëndimin. Shqiptarët si komb dhe si shtete, kanë pasur fatin historik të jenë të miqësuar me Perëndimin, SHBA-të dhe vende të fuqishme të BE-së. Republika e Shqipërisë do të shfrytëzojë këto ditë momentin më të rëndësishëm të historisë së saj që prej pavarësimit të vitit 1912. Duke kaluar javën e kaluar ligjet për aderim në NATO, Parlamenti shqiptar ka vendosur edhe ligjërisht rrugën përfundimtare për të lënë në në ‘harresë historike’ një periudhë të keqe të zhvillimit shtetëror të ndodhur jo shumë kohë më parë. Shqipëria po kalon kështu një tranzicion jo të lehtë, por të suksesshëm, nga komunizmi ekstrem kah një aleancë e vërtetë drejt të mirës globale, demokracisë, sigurisë kolektive dhe të ardhmes paqësore. Kjo i bën nder jo vetëm Shqipërisë në këtë rast, por edhe kombit shqiptar në përgjithësi dhe rajonit të Ballkanit, duke bërë kështu që kjo pjesë të kthehet (edhe pse pjesshëm) nga një rajon ‘shpenzues’ i fuqisë së Perëndimit për paqe në një vend kontribues për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe pse jo edhe atë globale. Roli i Shqipërisë në këtë kuadër nuk do të jetë vetëm për pjesëmarrje, por në të vërtetë do të jetë edhe prijës për zhvillimet e mëtejshme demokratike dhe integruese të Ballkanit.

IV
Bazuar në vlerësimet për rrjedhat e ardhshme të zhvillimeve politike dhe të sigurisë për rajonin e Ballkanit dhe për Kosovën, mund të konstatohet pa dyshim se orientimi i qartë pro-Perëndimor i shtetit të ri është një urë e fuqishme lidhëse midis tejkalimit të sfidave dhe të ardhmes të sigurt prosperuese. Kosova tashmë pas pavarësimit duhet të jetë konkrete, e vëmendshme, e vendosur dhe tejet këmbëngulëse në veprimet e saj për të arritur fillimit e proceseve integruese në NATO. Institucionet kosovare dhe në mënyrë më specifike ato që udhëheqin sektorin e sigurisë, duhet që tashmë të jenë shumë më aktive në qasjen, politikat dhe veprimet konkrete për të afruar Kosovën me NATO-n. Dhe, afrimi i Kosovës me NATO-n ka dy aspekte. Së pari, vullneti politik i institucioneve të Kosovës duhet të kthehet në veprime konkrete dhe vendosmëri për të plotësuar kriteret e domosdoshme për këtë zhvillim. Këtu sigurisht se hynë edhe funksionalizimi sa më i shpejtë të FSK-së dhe institucioneve tjera, por edhe miratimi dhe implementimi i strategjive të nevojshme për të krijuar ambient të sigurt të brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës. Së dyti, zhvillimi i Kosovës në një kontribues për paqen rajonale dhe globale, duke ofruar kuadrot e specializuara dhe të trajnuara mirë të institucioneve tona të sigurisë për të shërbyer në misione ndërkombëtare dhe në koalicionin ndërkombëtar Perëndimor. Këto janë mundësitë e Kosovës që duhet të shfrytëzohen. Kjo është e ardhmja e Kosovës, prandaj veprimet konkrete duhet të ndjehen.

Botuar në “Zëri” më 30 mars 2009, fq. 10.

si dhe

në "Gazeta Shqip" në Tiranë më 2 prill 2009, fq. 9.

No comments: