Monday, April 6, 2009

Integrimi historik

Loja pa fitues
Integrimi historik
Bashkë me shtetin dhe qytetarët e Shqipërisë, në këto ditë gëzimi dhe suksesi, festa do të duhej të zgjerohej edhe në Kosovë. Një festim institucional do të duhej të ishte organizuar gjatë këtyre ditëve. Por, kjo nuk ndodhi në Prishtinë dhe vetëm sa fuqizon bindjen se Qeveria e Kosovës është totalisht e izoluar ndaj zhvillimeve që ndodhin në Kosovë dhe në rajon.
Shkruan: Burim Ramadani
I
Vetëm me integrimin e tërë vendeve të Ballkanit në organizmat evro-atlantik do të stabilizohet në mënyrë të plotë ky rajon. Këso lloj qëndrimesh janë mjaft të shpeshta nga nivele të ndryshme politike dhe akademike saherë që analizohen mundësitë për paqe dhe perspektiva e rajonit ballkanik, rajon ky që i solli shumë tensione e probleme Perëndimit gjatë këtyre dy dekadave të kaluara. Deri në një masë, analiza e tillë është e përgjegjshme dhe politikisht korrekt. Një vlerësim i këtillë ka për bazë qasjen gjithëpërfshirëse të aktorëve dhe subjekteve ndërkombëtare në synimin e fuqishëm për sigurinë kolektive të një rajoni apo edhe më gjerë. Sipas kësaj qasjeje, anëtarësimet në organizatat si Bashkimi Evropian dhe NATO do të bëheshin kryesisht në bllok-rajone apo bllok-shtete, duke i dhënë një mundësi po ashtu edhe zgjidhjes së problemeve eventuale të mbetura midis atyre shteteve brenda rajonit. Nëse përkthehet qasja e tillë në rastin e Ballkanit, do të duhej që shtetet si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia të anëtarësohen në bllok në të njëjtën ditë në BE dhe NATO. Megjithëse në shikim të parë një qasje e tillë duket se është produktive, ajo në realitet ndikon në zgjatjen e kohës së anëtarësimit, për shkak se shtetet e këtilla duhet të zgjidhin një mori elementesh konfliktuale mes vete (në rastin e Kosovës me Serbinë) dhe me fqinjët (në rastin e Maqedonisë). Prandaj, kjo strategji nuk i ndihmon në mënyrë esenciale rrugëtimit të secilit shtet në mënyrën e vet dhe drejt interesit të vet nacional.
II
Bazuar në një tjetër pikëvështrim, ekziston qasja që mund të vlerësohet edhe si më praktike dhe më reale, duke i dhënë kështu përparësi të ndjeshme shteteve që janë pro integrimeve evro-atlantike ndaj atyre që kanë hezitime të caktuara drejt këtij shtegu. Kështu, vendet të cilat janë të gatshme politikisht për t’u anëtarësuar dhe integruar në strukturat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë përparësi të vërejtshme në rrugën e tyre drejt plotësimit të kritereve të domosdoshme sa i përket integrimeve. Kjo qasje lehtë mund të vlerësohet edhe si më pragmatike dhe e bazuar në relacionin e njohur të tregtisë së lirë, atë të kërkesës dhe ofertës. Sipas këtij pikëvështrimi, zgjerimi i organizatave të tillë evro-atlantike do të mund të ishte më domethënëse, më e koordinuar dhe më e dobishme. Në këtë mënyrë, organizatat ndërkombëtare do të fokusoheshin më shumë në shtetet ku interesimi politik dhe qytetar është më i madh, mirë i artikuluar dhe i ‘përkthyer’ në ligje e veprime të sakta shtetërore. Në të vërtetë, anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO gjatë këtyre ditëve mund të shpjegohet bazuar pikërisht në këtë qasje, e cila i nxit shtetet dhe popujt që të jenë më të qartë në perceptimin e tyre ndaj NATO-s, në interesat e tyre dhe veprimet konkrete të nevojshme. Shqipëria dhe Kroacia, në këtë kontekst, kanë dëshmuar lojalitet dhe përkushtim shtetëror e qytetar për anëtarësim në NATO apo, me një fjalë, e kanë merituar atë gjithsesi.
III
Vërtetë, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje historike për shtetin shqiptar. E tillë është edhe për kombin shqiptar në tërësinë e vet, pavarësisht kufijve në Ballkan. Kjo është ngjarja më e rëndësishme që i ka ndodhur shqiptarëve që nga themelimi apo shpallja e shtetit më 1912, shtet ky i cili u ballafaqua me shumë probleme, të meta dhe kriza të rënda. Mjafton të kujtohen vitet e rënda të regjimit komunist në Shqipëri dhe trazirat shtet-rrëzuese të vitit 1997 për të vlerësuar rëniet e mëdha që kanë tronditur popullin dhe shtetin shqiptar. Porse, anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë është një sinjal i madhërishëm se shtetet të cilat përkushtohen në orientimin dhe veprimet pro-Perëndimore e kanë edhe derën e hapur nga ana tjetër. Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit është zhvilluar në mënyrë të fuqishme, ashtu sikurse është arritur që shteti të ri-organizohet nga kolapsi i para dhjetë vjetëve. Ushtria shqiptare mori pjesë në një mori aktivitetesh dhe operacionesh të NATO-s si në Ballkan e po ashtu edhe në Azi. Në të njëjtën kohë, organizimi i ushtrisë shqiptare u bazua plotësisht në modelin e vendeve të zhvilluara Perëndimore, edhe pse Shqipëria do të mund të vendoste edhe për një ushtri profesionale sikurse e kanë një numër shtetet në Perëndim. Sidoqoftë, tashmë Shqipëria është bërë bashkë me aleancën e të mirës dhe sigurisë globale, gjë që ndikon pa shmangshëm edhe në sigurinë rajonale në Ballkan.
IV
Bashkë me shtetin dhe qytetarët e Shqipërisë, në këto ditë gëzimi dhe suksesi, festa do të duhej të zgjerohej edhe në Kosovë. Një festim institucional do të duhej të ishte organizuar gjatë këtyre ditëve, në shenjë gëzimi dhe respekti për të arriturat e shtetit shqiptar e po ashtu edhe të Kroacisë. Por, kjo nuk ndodhi në Prishtinë dhe vetëm sa fuqizon bindjen se Qeveria e Kosovës është totalisht e izoluar ndaj zhvillimeve që ndodhin në Kosovë dhe në rajon. Institucionet janë mjaftuar me telegrame urimi dhe me ‘pamje arkiv’, por nuk kanë menduar t’i bashkohen sikurse duhet festës së shtetit shqiptar për anëtarësim në NATO. Në një rast të këtillë, Kosova nuk po arrin të kthejë respektin dhe gëzimin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës dhe për shënimin e njëvjetorit të saj. Kosova do të duhej të festonte institucionalisht këtë ngjarje, madje edhe në pozitën e një shteti fqinj, pavarësisht lidhjeve etnike dhe emociale të ndërsjella. Tek e fundit, shteti shqiptar ka merituar nderim më të madh nga ana e institucioneve të Kosovës në këto ditë të mrekullueshme të historisë së tij dhe të rajonit ballkanik. Shqipëria ka qenë afër Kosovës në ditët më të vështira, sikurse edhe në zhvillimet tjera që kanë shënuar rritjen apo ndërtimin e Kosovës. Por, kjo nuk paraqet ndonjë habi. Institucionet e Kosovës nuk kanë organizuar ende asnjë ceremoni pritëse për miqtë e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Botuar në "Zëri" më 6 prill 2009, fq. 13.

No comments: