Tuesday, June 9, 2009

Kush qeveris Kosovën?

Loja pa fitues
Kush qeveris Kosovën?
Ambicient personale nuk duhet të zënë vendin kryesor në zhvillimet politike të kohës bashkëkohore dhe drejtimet që duhet të merr politika. Qytetarët e Kosovës e dinë më së miri se periudha 100 ditëshe e kryeministrit Haradinaj ka dëshmuar një zhvillim të hovshëm të punës, përkushtimit dhe orientimit të sigurt. PDK-ja, në anën tjetër, ka qenë në qeverisje të Kosovës për më shumë se shtatë vjet
Shkruan: Burim Ramadani
I
Jo rrallëherë në opinionin publik të Kosovës është hedhur me qëllim në qarkullim ideja se qeveria e tashme dhe kryeministri i tashëm nuk kanë fare të bëjnë me të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë viteve të kaluara të pas luftës në Kosovë. Jo rrallëherë deri më tash, kryeministri Thaçi ka distancuar veten në mënyrë plotësisht të pakuptueshme me zhvillimet e qeverisjes së dhjetë viteve të kaluara në Kosovë, përkatësisht nga viti 1999. një lojë e tillë duket se ka qëllim të qartë të hutojë qytetarët kosovarë, duke i paraqitur atyre një të pavërtetë të dokumentuar dhe duke krijuar kështu një fytyrë të re dhe të provuar më parë në qeverisje. Sikur kjo të ishte e saktë, atëherë do të thotë se Partia Demokratike e Kosovës dhe kreu i saj, kryeministri Hashim Thaçi, që nga viti 1999 kanë qenë në opozitë në Kosovë. Kjo gjë është fare e qartë se nuk qëndron. Prandaj, opinioni publik duhet të servohet me të vërtetën, atë që ka ndodhur, me përgjegjësinë praktike dhe të adresuar në drejtime të duhura. Nuk është as e moralshme, as e drejtë dhe as e vërtetë të pretendohet se çdo gjë që ka shkuar keq në Kosovë është rrjedhojë apo pasojë e tri viteve sa një parti politike ishte në opozitë. Realisht, as gjitha të mirat dhe as gjitha të këqijat nuk mund të kufizohet brenda një periudhe të ngushtë kohore, pa i marrë parasysh edhe proceset e kaluara dhe synimet për të ardhmen. Të tilla procese normalisht se në masë të madhe ndikojnë në drejtimet që merr shteti apo shoqëria.
II
Ushtrimi i një përgjegjësie apo pozicioni politik, qoftë në qeveri apo opozitë, nënkupton në rend të parë vlerë njerëzore, intelektuale e zhvillimore, gatishmëri për të bërë të vërtetën që të funksionojë, si dhe besim të pasionuar për punën në të mirën e përgjithshme drejt të ardhmes. Nëse këto elemente ao kritere repsektohet, secili politikan do të mund të kuptonte në mënyrë të duhur qëllimin e tij/saj në politikë. Në rastin e Kosovës, këto kritere do të duhej që të paktën të respektoheshin në nivelin minimal për të moslejuar qasje plotësisht dekonstruktive, keq-dashëse, urrejtje-nxitëse dhe spekulative në politikë. Ai ose ajo që është aktiv në politikë, normalisht se duhet të besojë në drejtimin që synon t’i jep bashkësisë, përkatësisht shtetit. Në rastin e Kosovës së tashme, këto definime filozofike përkthehen në vullentin politik për të afruar, integruar dhe zhvilluar shtetin dhe shoqërinë. Duke bërë këtë, sigurisht se politikani luan rol të rëndësishëm edhe në kualifikimin dhe avancimin e skenës politike. Përgjegjësia e asnjërit nuk humbet. Në secilin proces, përgjegjësia politike i mbetet secilit veç e veç, qoftë si individ, qoftë si formacion. Në kët kontekst, paraqitjet dhe qëllimi i kryeministrit Thaçi dhe PDK-së për t’u distancuar nga qeverisja e saj e para disa vitesh është negative sa i përket zhvillimit të skenës politike, orientimit dhe ëndrrës politike për ardhmëri. Tentime të tilla të pakuptimta kanë ndodhur tashmë shumë herë.
III
Deklarata të tipit “Drenica është diskrimunuar për 50 vjet komunizëm dhe 10 vjet pas luftës”, që kryeministri Thaçi e ka bërë më 18 maj 2009 tregon realisht një nivel tejet të ulët të përgjegjësisë njerëzore, publike dhe politike. Kjo deklaratë, mbi të gjitha, tregon për qëllimet jo të mira të kreut aktual të ekzekutivit, në kuptimin e mbjelljes së një gjuhe të urrejtjes midis rajoneve të ndryshme brenda Kosovës. Në të vërtetë, nëse bëhet analizë e saktë, del që pikërisht PDK-ja e kryesuar nga Thaçi ka qeverisur më së gjati në Kosovë. Prandaj, saherë që Kryeministri i tashëm distancohet nga vitet e kaluara, dëshmon për një përgjegjësi të thellë të kësaj partie për gjendjen e tashme në Kosovë. Kështu, në vitet 1999-2000, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, qeveri kjo që u kontestua nga lëvizja paqësore dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (tash në koalicion me PDK-në). Më pas, nga viti 2001 deri në vitin 2004, qeveria e Kosovës u udhëhoq nga kryeministri Bajram Rexhepi, nga radhët e PDK-së. Nga 10 ministri, PDK-ja ka pasur 2 ministri, sa ka pasur edhe AAK-ja, ndërsa LDK-ja ka pasur 4 sosh. Ndërsa, nga viti 2008, PDK-ja ka kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, një zëvendëskryeministër, shtatë ministra, dhe një numër të konsiderueshëm të kryetarëve të komunave. Kjo do të thotë se nëse ka pasur diskrimin për Drenicën (si shembull i cekur nga Thaçi), atëherë është përgjegjësia kryesore bie mbi vetë PDK-në dhe kryeministrin Thaçi.
IV
Ambicient personale nuk duhet të zënë vendin kryesor në zhvillimet politike tash në kohët bashkëkohore dhe drejtimet që duhet të merr politika e Kosovës. Qytetarët e Kosovës e dinë më së miri se periudha 100 ditëshe e kryeministrit Haradinaj ka dëshmuar një zhvillim të hovshëm të punës, përkushtimit dhe orientimit të sigurt. Qytetarët e Kosovës, shteti dhe shoqëria kosovare, sikurse edhe miqtë tanë ndërkombëtarë kanë nevojë për një udhëheqës dhe partner të disiplinuar në punë, siç është kryeministri Haradinaj. Rruga që u nis në fillim të vitit 2005, në fakt, dëshmoi për një vullnet të paparë deri atëherë për të zhvilluar vendin. Koha ishte e përshtatshme, sikurse edhe njerëzit në krye të institucioneve. Presidenti Rugova dhe Kryeministri Haradinaj filluan drejtimin e fuqishëm të demokracisë kosovare. Ekzekutivi kosovar realisht filloi të funksionojë sipas interesave dhe qëllimeve të qytetarëve të Kosovës. Por, ndërprerja e punës së kryeministri Haradinaj në të vërtetë ndërpreu edhe hapat pozitiv të nisur të Kosovës. Askush nuk ka mundur të zëvendësojë kryeministrin Haradinaj në kapacitet të plotë, të saktë dhe gjithëpërfshirës. Madje, këtë e pati theksuar edhe vetë Thaçi pak javë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. “Ramushi ka qenë dinamik dhe aktiv. Asnjë emër nga ky formacion nuk do të mund ta zëvendësojë atë”, ka thënë Hashim Thaçi (atëherë në opozitë) në intervistën për ‘Express’ më 23 mars 2005.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, ky shkrim është bërë enkas për “Zërin”
Botuar në "Zëri" më 8 qershor 2009, fq. 9.

1 comment:

Anonymous said...

Pershendetje z.Burim!

E lexova shkrimin tend dhe mu duk i varfer. Nje analist, qofte edhe partiak, nuk ben te shkruaj pa u mbeshtetur edhe ne fakte. Dua te ndalem shkurtimisht ne disa nga vleresimet tua te paqendrushme.

1. Se rajoni i Drenices eshte diskriminuar gjate komunizmit, fashizmit dhe kohes se UNMIK-ut, kete e dime te gjithe. Por ajo kohe nuk do te kthehet me kurre. Te njejtit diskriminues, dhe sidmos pasardhesit e tyre, me "miqte" nderkombetar, do te deshironin ta vazhdojne kete, madje me intenzitet edhe me te madh, por nuk kane mundesi. Si lejon Drenica.

2. Te nderuarin, z. Haradinaj, e ke shef. E kuptoj qe duhet te loboni per te, por ketu ka nje absurd. Ti thirresh ne 100 ditshin e tij pa na sjelle asnje deshmi konkrete. Te lutem, me tregoni cilat ishin veprimet konkrete te Haradinajt gjate tre muaj kryeminister? "zhvillim i hovshem pune", "perkushtim", "orientim politik", thua ti!! Cfare jane keto? Une nga ajo periudhe e rende per Kosoven mbaj mend disa gjera, por shume negative. Mbaj mend se fituam nje kryeminister me 8 perqind te votave. Dini ju si shkenctar ndonje rast te ngjashem ne boten demokratike? Mbaj mend se u pata shokuar me emrat e kabinetit te tij. Kujto matrapazet: Veliu, Haraqija, Salihaj, Dugolli, Petkovic, Selmanaj, Lluka, Lladrovci ...Mbaj mend tension, gjithandej ne Kosove. Mbaj mend shtypin nderkombetar qe nuk pushoi 100 dite "kryeministri i Kosoves hetohet per krime lufte", "aktakuza zbulohet kete jave..javen tjeter"...Mbaj mend sharjet publike te kryeministrit. Mbi te gjitha, mbaj mend diten kur erdhi akt-akuza dhe bota u vershua nga lajmi "Kryeministri i Kosoves akuzohet per krime lufte". Mbaj mend kryeministrin tone qe me leter-akuze ne dore, e zgjodhi kryeminister Bajram Kosumin. Ky nuk ra nga qielli, por na e la z. Haradinaj dhe iku ne Hage. Ku jane z. Ramadani veprat e kesaj periudhe. Ku jane veprat pas kesaj periudhe? Te lutem me trego. Sikurse ti, edhe une dua nje qeveri me te mire se kjo e z. Thaqi. Por kete nuk mund te krijoje z. Haradinaj. Me cka do ta krijoje? Me ke? Me vjen keq, por nuk shoh asnje gjase qe z. Haradinaj te behet kryeminister. Nuk shoh formule per kete. Nuk e lene as te huajt nga Dragodani. Nuk ke nevoje te me thuash se ishte i pafajshem ne Hage. Kete e dine edhe serbet. Kosova nuk zgjidh asgje nese ndrron Thaqin me Haradinajn. Ky do te ishte prapakthim. Me pare do te behesh ti kryeminister se Haradinaj. Ti kontribuon me shume se ai. Ramushi eshte energjik, thua ti, puntor i madh...Leri keto dokrra. Ai shkon ne pune ne ora 7, iken ne ora 20, thua ti. Kryeministri edhe mund te flej ne zyre, por kjo nuk eshte garanci per sukses. Populli don nga ryeministri te arrije rezultate ne standardin jetsor, jo rezultate perosnale sportive. Kjo nuk e qet Kosoven ne drite. Koha e komandanteve ka ikur me kete qeveri. Nuk ka pushtet per gjenerale ne Evrope. Iku rreziku i trazirave dhe luftes ne Kosove. Edhe NATO po ik nga Kosova. Eshte koha per gjak te ri.

p.s. I dhash vetes te drejte per kete koment te gjate se ti je njeri publik dhe e ke obligim te komunikosh me qytetar.

Te pershendet Arlind Zeqiri