Friday, May 29, 2009

Për çfarë sigurie flasim?

Analizë
Për çfarë sigurie flasim?
Sektori i sigurisë në Kosovë ka vetëm një institucion funksional, Policinë e Kosovës, e cila tash përballet me tendenca qeveritare për dëmtim dhe politizim. Të tjerat, sikurse KSK, FSK, AKI, janë jofunksionale, të bllokuara ose të pathemeluara
Burim Ramadani
Siguria në Kosovë është një prej temave kryesore për vite të tëra. Tashmë është bërë një prej çështjeve më të debatueshme në pothuaj të gjitha rrethet e qytetarëve të Kosovës. Rasti i rëndë dhe skandaloz i vjedhjes në Policinë e Kosovës, që ndodhi më shumë se një muaj më parë, forcoi dilemën e madhe rreth asaj se kah po shkon Kosova si shtet dhe çfarë shteti po ndërtohet këtu. Jo rrallëherë kemi parë dhe dëgjuar formulime interesante, spektakulare, të pa-analizuara dhe të papërgjegjshme sa i përket sigurisë në vend.
Kemi dëgjuar shpesh se Kosova është më e sigurt se kurdoherë në historinë e vet. Kjo, në fakt, ka qenë kryesisht përgjigja kryesore sa herë që rrethe opozitare, profesionale apo qytetare kanë ngritur shqetësimet për situatën e sigurisë dhe përgatitjen e institucioneve vendore për ruajtjen dhe zhvillimin e saj. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë nëse siguria në Kosovë krahasohet me kohën që ka kaluar gjysmë shekulli më parë apo më shumë se një dekadë më parë. Është e vërtetë se Kosova dhe qytetarët e vendit janë, pakrahasimisht, më të sigurt në aspektin fizik sesa në kohën e Rankoviqit apo të Millosheviqit. Është e vërtetë se Kosova, si territor, është më e sigurt se në kohën e shkatërrimit të Perandorisë Osmane, fundit të Luftës së Dytë Botërore apo shkatërrimit të Jugosllavisë. Por, cili është qëllimi i politikës kosovare, të krahasojë Kosovën e pavarur me Kosovën nën okupim të plotë, apo të punojë në arritjen e standardeve ndërkombëtare për ndërtimin dhe ruajtjen e sigurisë së shtetit dhe qytetarëve?
Çdoherë që analizohet siguria për Kosovën, janë dy aspekte në të cilat duhet adresuar vlerësimet profesionale dhe politike.
Së pari, siguria si vlerësim i stabilitetit të jashtëm të Kosovës dhe stabilitetit rajonal. Në këtë kuadër, roli kryesor mbetet tek institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, sikurse është NATO-ja, dhe tek qytetarët e Kosovës. NATO-ja është përgjegjëse faktike për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës apo moslejimin e ndonjë agresioni të jashtëm të çfarëdo lloji. Dhe është e qartë se Kosova, në këtë kontekst, është më e sigurt se çdoherë më parë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës kanë rol të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm sa i përket mundësisë së eskalimit të çfarëdo tensioni, provokimi apo incidenti në valë të re dhune. Këtu, qytetarët e Kosovës kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol vërtetë konstruktiv, të durueshëm dhe të përparuar. Por, në tërë këtë, roli i institucioneve vendore është tejet i zbehtë dhe pa ndikim vendimtar.
Së dyti, siguria si vlerësim i fakteve konkrete dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. Në këtë kuadër, politikat, veprimet dhe drejtimet kryesore bazohen tek institucionet vendore. Dhe, nëse analizohet ky aspekt, atëherë mund të konstatohet gjendja e rëndë e sigurisë në Kosovë, e cila edhe më tutje nuk ka nisur të merr drejtimet për përmirësimin, stabilizimin dhe zhvillimin e qëndrueshmërisë së saj.
Sektori i sigurisë në Kosovë ka vetëm një institucion funksional, përkatësisht Policinë e Kosovës. Për fat të keq, tendencat qeveritare për të dëmtuar atë janë të skajshme dhe shkatërruese. Ndërkaq, institucionet dhe mekanizmat tjerë në kuadër të sektorit të sigurisë janë ose jofunksionale, ose të bllokuara ose të pa themeluara fare.
Kur vlerësohet siguria në Kosovë, duhet patjetër të analizohen të paktën 16 elemente të rëndësishme:
1) Politikat e Sigurisë - Kosova nuk ka politika të sigurisë. Sipas kritereve ndërkombëtare, politikat e sigurisë së një shteti përcaktohen në Strategjinë e Sigurisë Nacionale. Me faktin se Kosova nuk ka një Strategji të tillë, automatikisht do të thotë se Kosova nuk ka politika të Sigurisë.
2) Kërcënimet e sigurisë - Kosova nuk ka vlerësim për kërcënimet e sigurisë. Një shtet pa politika të sigurisë, do të thotë një shtet që nuk e ka të qartë se cilat janë interesat vitale nacionale të tij, dhe do të thotë një shtet që nuk ka bërë asnjëherë vlerësimin e saktë sa i përket kërcënimeve të sigurisë së përgjithshme dhe sigurisë nacionale të tij.
3) Mosfunksionalizimi i mekanizmave dhe institucioneve të sigurisë - Këshilli Sigurisë i Kosovës është mbledhur vetëm dy herë, së pari në konstituiv dhe së dyti pas presionit të opozitës. Forca e Sigurisë së Kosovës është jofunksionale dhe kanë ndodhur gabime të panumërta deri më tash. Agjencia Kosovare për Inteligjencë është bllokuar plotësisht. Policia e Kosovës ndodhet nën trysninë e “reformës” së vjedhjes në polici.
4) Tendencat për politizimin e sektorit të sigurisë - Në secilin rast, sidomos në Polici dhe AKI, nuk mund të kalojë asgjë pas u filtruar në rrethe të ngushta të strukturave në pushtet. Stafi i lartë menaxheria në këto institucione varet nga afërsia politike.
5) Buxheti i ndarë për sektorin e sigurisë - Qeveria e Kosovës i ka shkurtuar, për shembull, buxhetin Policisë së Kosovës për 5.9 milionë euro për vitin 2009. Kjo ka ndikuar direkt në investimet kapitale me 3.2 milionë euro dhe i ka shkaktuar dëm Policisë së Kosovës. Këtë e ka konstatuar edhe Ministri i Brendshëm në raportin e tij të 23 janarit 2009 për Komisionin Parlamentar të Sigurisë.
6) Siguria Publike - Vjedhjet në qendër të Prishtinës, si të banesave, veturave apo bankave, nuk janë dukuri e pavërejtshme. Të tilla raste raportohet për çdo ditë të jenë të shumta në numër.
7) Liria e lëvizjes - Qytetarët e Kosovës ende nuk mund të lëvizin në tërë territorin e vendit pa pasur frikën e ndonjë sulmi të drejtpërdrejtë. Nëse qytetarët duan të shkojnë në veri të Kosovës, kjo sigurisht se do të ishte e bazuar nën koston personale.
8) Shtrirja e autoritetit shtetëror në tërë territorin e Kosovës - Qeveria e Kosovës nuk kontrollon territorin e vet. Kushtetuta e Kosovës nuk aplikohet në tërë vendin dhe kryeministri i Kosovës nuk mund të vizitojë afërsisht një të tretën e territorit të Republikës.
9) Kontrolli i kufijve - Pavarësisht se Kryeministri Thaçi në shkurt 2008 pati thënë se “kufijtë e shtetit të Kosovës, mund të konkludoj me përgjegjësi të lartë se janë më të sigurtit dhe më të mbrojturit se të vendeve tjera në rajon”. Kjo konstatohet plotësisht e pavërtetë dhe e papërgjegjshme nëse shihet Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2008. “Kufijtë e brishtë kanë qenë lehtësisht të kapërcyeshëm për trafikun njerëzor, armët dhe narkotikët, gjë që i ka penguar përpjekjet e Kosovës kundër terrorizmit. Trafikantët shfrytëzuan disa rrugë dhe shtigje të pambrojtura për të hyrë në Kosovë”, thuhet aty.
10) Sundimi i Ligjit - Një prej standardeve kryesore gjatë viteve të kaluara, Sundimi i Ligjit mbetet sfida kryesore për kohën e tashme dhe vitet e ardhshme.
11) Korrupsioni - Qeveria, gjyqësori, ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura janë më të dyshuarat për korrupsion, që në të vërtetë është bërë kancer për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.
12) Kontrabanda - Për më shumë se një vit, veriu i Kosovës është bërë parajsë për kontrabandën, porse tashmë është rritur kontrabanda edhe në pjesën juglindor të Kosovës, përkatësisht pjesën kufitare rreth Dardanës.
13) Krimi i organizuar - Asnjëherë nuk i është dhënë trajtim serioz dhe nuk ka qenë (as nuk është) brenda pesë prioriteteve qeveritare të kryeministrit Hashim Thaçi.
14) Shkatërrimin e resurseve nacionale - Në të vërtetë, ende nuk ka as listë të resurseve nacionale të cilat hyjnë në atë që quhet interes nacional.
15) Të drejtat e Njeriut - Janë publikuar më shumë se dy raporte ndërkombëtare gjatë vitit 2008 për gjendjen e rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë.
16) Kërcënimet globale dhe rajonale të sigurisë - Asnjëherë deri më tash kjo nuk është vendosur në agjendën e qeverisë së Kosovës. Terrorizmi, më konkretisht, është i patrajtuar fare nga vendorët, derisa zyrtarë të lartë të Qeverisë kosovare mbajnë ‘ders’ në xhamitë e kryeqytetit.
Të gjitha këto elemente, sikurse edhe të tjerat të patheksuara në këtë renditje, tregojnë fuqishëm se gjendja e sigurisë nuk mund të vlerësohet sipas tekeve personale apo interesave grupore. Siguria vlerësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konstatimet për të duhet të jenë të përgjegjshme. Sektori i sigurisë është një prej fushave kryesore të organizimit dhe funksionimit shtetëror.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Botuar

"Zëri", më 30 maj 2009, në fq. 14.
dhe në "Kosovapress", më 30 maj 2009,
dhe në "Telegrafi" më 31 maj 2009, shih: http://www.telegrafi.com/?id=26&a=1305
Gazeta "Express" më 31 maj 2009, fq. 25
Gazeta "Kosova Sot", më 31 maj 2009, fq. 8.
"Gazeta Shqip" në Tiranë, më 1 qershor 2009, fq. 8.

No comments: